Rri me këmbë në tokë, o Muhamet Idrizi – historia nuk fillon në Maretstraße, e as me ty
Nga Sadbere Emshiu
Nëse historia do të ishte aq e lehtë për t’u krijuar sa për t’u shpallur, atëherë do të kishim me dhjetëra “momente historike” çdo vit – dhe, çuditërisht, disa prej tyre do të ndodhnin gjithmonë në të njëjtin vend, me të njëjtin emër në qendër.
Ky është rasti që na ofron sërish Muhamet Idrizi nga shkolla Maretstraße në Hamburg. Me një kokëfortësi që nuk i mungon as guximi, ai vazhdon të prezantojë zhvillime të zakonshme institucionale si arritje epokale, si kthesa historike, si “herë të para” që – për një arsye të pashpjegueshme – ndodhin pikërisht aty ku ndodhet ai vetë.
Le ta themi pa rrotulla: historia nuk fillon në Maretstraße. Dhe sigurisht nuk fillon me deklarata.
Mësimi në gjuhët e prejardhjes (HSU) në Hamburg, në Schleswig-Holstein, në Nordrhein-Westfalen dhe në shumë lande të tjera gjermane, ka një histori të gjatë dhe të dokumentuar. Ai është pjesë e politikave arsimore prej dekadash, i ndërtuar përmes strukturave të qarta si referatet për “Fremdsprachen”, “HSU” dhe “Mehrsprachigkeit im Unterricht” në ministritë përkatëse të arsimit. Kjo është një arkitekturë institucionale që nuk ka lindur si ide individuale dhe nuk pret të “zbulohet” nga askush.
Dhe pikërisht këtu fillon problemi.
Sepse ajo që paraqitet si “moment historik” në Maretstraße, në të vërtetë është një hap organizativ brenda një shkolle – një Fachschaft – që, në çdo sistem normal arsimor, është pjesë e përditshmërisë profesionale. Ta shndërrosh këtë në një kthesë për gjithë gjuhën shqipe në Hamburg, kjo kërkon jo vetëm guxim retorik, por edhe një dozë të konsiderueshme harrese selektive.
Le të ndalemi edhe tek një tjetër element që përdoret me shumë zell: lista e emrave shqiptarë në kolegjiumin e shkollës. Kjo listë paraqitet si dëshmi e një “rrjeti të fuqishëm të mësimit të gjuhës shqipe”. Në realitet, ajo dëshmon vetëm një fakt shumë më të thjeshtë: se në atë shkollë punojnë njerëz shqipfolës.
Por të jesh shqipfolës nuk do të thotë të jesh mësimdhënës i gjuhës shqipe.
Ky është një dallim bazik, por vendimtar. Sepse, përndryshe, çdo institucion me punonjës nga një komunitet i caktuar do të mund të shpallej si bastion i një gjuhe – gjë që është, të paktën, një interpretim kreativ i realitetit.
Ndërkohë, realiteti i vërtetë i HSU është shumë më pak i zhurmshëm dhe shumë më sfidues. Në shumicën e shkollave, grupet formohen me vështirësi, duke mbledhur nxënës nga zona të ndryshme për të përmbushur kriteret minimale ligjore. Mësimi zhvillohet shpesh dhe në shumë shkolla, jashtë orarit të rregullt, me vetëm dy orë në javë. Edhe në Maretstrasse është kështu, jashtë orarit mësimor. Dhe, në këtë kohë të kufizuar, nxënësit shpesh duhet të zgjedhin mes gjuhës së tyre dhe aktiviteteve të tjera – sportit, kurseve apo angazhimeve të tjera.
Ky është realiteti që nuk shpallet si “historik”.
Dhe megjithatë, ka përjashtime që dëshmojnë se si mund të bëhet ndryshe: në ‘Stadtteilschule Wilhelmsburg’ dhe në shkollën ‘Schule auf der Veddel’ , mësimi i gjuhës amtare zhvillohet brenda orarit mësimor. Këto janë modele konkrete që flasin me vepra, jo me deklarata.
Prandaj lind pyetja: pse nuk flasim për këto shembuj si standard për t’u ndjekur, por përqendrohemi tek shpallja e çdo hapi të zakonshëm si “historik”?
Përgjigjja është e thjeshtë – dhe jo fort e këndshme.
Sepse është më e lehtë të shpallësh histori sesa ta ndërtosh atë.
Por kjo mënyrë e të ndërtuarit të një tregimi ka një kosto. Dhe kjo kosto është besimi. Sepse, kur komunitetit shqiptar në diasporë i paraqiten vazhdimisht “zbulime” që në fakt janë procese të vjetra të gjitha gjuhëve të prejardhjes, krijohet një hendek mes realitetit dhe fjalës. Dhe ky hendek, herët a vonë, kërkon të mbushet me fakte.
Rri me këmbë në tokë, o Muhamet Idrizi!
Sepse çdo deklaratë e tepruar/jo e vërtetë nuk e ngre realitetin – përkundrazi, e ul besueshmërinë. Dhe sa më shumë rritet retorika, aq më shumë rritet edhe vëmendja kritike ndaj saj.
Komuniteti shqiptar në diasporë nuk është pa kujtesë, e pa dëshmi. Ai e di shumë mirë se historia e mësimit të gjuhës shqipe nuk fillon me një emër, as me një listë dhe as me një shkollë të vetme. Ajo është ndërtuar ndër vite, me punë të heshtur, me përkushtim dhe pa nevojën për ta shpallur veten në qendër të saj.
Sepse historia e vërtetë nuk ka nevojë për zhurmë.
Ajo qëndron – edhe kur dikush përpiqet ta rishkruajë.
Siç do të thoshte një nga mendjet më të mëdha të gjuhësisë moderne: “Përgjegjësia e intelektualit është të thotë të vërtetën dhe të demaskojë gënjeshtrën.”
