21/02/2025

Rrëzimi i një busti dhe pamundësia e ndërtimit të një shprese

0
Renja-Diktatorit

Nga Albert Vataj

Kush prej atyre që më 20 shkurt 1991 ndodhej në sheshin e përballjes, të asaj fitoreje që dukej e pakthyeshme, nuk e pati shpresuar se rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha do të shënonte fillimin e një epoke të re? Të gjithë u përfshinë nga entuziazmi i asaj dite të paharrueshme, një triumf që duhej të ishte preludi i një ndryshimi rrënjësor, por që, mjerisht, mbeti veç një çast euforie, një përpjekje që nuk u shndërrua dot në një pikë kthese të vërtetë.

Histeria e asaj dite, ekstaza e rrëzimit të një monumenti, krijoi iluzionin se fundi i një epoke të errët ishte i pashmangshëm. Por as mendja më e çoroditur nuk mund ta kishte imagjinuar se shembja e një shtatoreje do të shënonte paradoksalisht zanafillën e një tjetër errësire, ku çdo shesh dhe çdo shpresë do të mbeteshe peng i zhgënjimit, i zemërthyerjes dhe i humbjes së besimit.

Gabuam kur menduam se diktaturat rrëzohen bashkë me simbolet e tyre, se një regjim e humb fuqinë me përmbysjen e një busti.

Gabuam dhe e pësuam më rëndë se çdo iluzion tjetër që na pat verbuar. Ata që dikur ishin zemra dhe zëri i revoltës antikomuniste, sot mbeten plaga e hapur e një pendese – pendesa për atë që nisën, por nuk e çuan deri në fund.

Tani, kur më nuk kemi buste për të shembur, kur sheshet kanë mbetur të heshtura dhe shpresa ka zvenitur, mbetet vetëm një betejë e fundit: rrëzimi i bustit brenda vetes. Ai bust i ngritur në brendësinë tonë, ai që na ka zënë diellin dhe na ka verbuar sytë, që na ka rrënuar vullnetin dhe na ka larguar nga e drejta për të ndërtuar së bashku një të ardhme ndryshe.

Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të shembim këtë statujë të brendshme, këtë fatalizëm që na ka mbërthyer, këtë dorëzim përballë padrejtësisë. Vetëm atëherë mund të flasim për shpresë. Vetëm atëherë mund të themi se kemi ngritur themelet e një të sotme, për të cilën nuk do të kemi turp të themi: ne ishim ata që ndërtuam!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok