RRETH SHTATË POEZIVE APO POEMËS SË PARË SHQIPE PËR SHTATË MËKATE MORTARE TË GJON BUZUKUT
Nga Anton Nikë Berisha
Dhjetë tekste të tjera të Buzukut1
Duke lexuar veprën “Meshari” të hartuar nga Gjon Buzuku2, përveç katër Psalmeve origjinale, tashmë të përmendura e të analizuara në pjesën e dytë të studimit, kam veçuar edhe këto dhjetë tekste që duhet të jenë hartuar nga ai ose janë përshtatje të lira të tij.
Teksti i botuar në fletën trembëdhjetë (13), që është fleta e parë e ruajtur e kopjes së vetme të gjetur deri më sot të “Mesharit”, është një psalm kushtuar paqes shpirtërore, një nga dukuritë më të qenësishme të besimit e të njësimit me dashurinë e Hyjit. Të gjitha gjasat janë që edhe në faqet e tjera të fillimit (që mungojnë) të “Mesharit” të Buzukut, duhet të ketë pasur tekste të hartuara nga ai.
Këto dhjetë tekstet afrohen me shumë përbërës me katër tekstet e emëruara nga Buzuku si psalme, për arsye se mënyra e perceptimit dhe e të shprehurit në to është e ngjashme ose e njëjtë. Buzuku e përqendron vëmendjen tek tërësia e tekstit dhe e mesazhit që del prej tij e më pak te simbolika dhe metaforika e fjalëve ose e shprehjeve të veçanta që ai përdor.
Në këto dhjetë tekste vërehet një shqipe e përpunuar dhe e lartësuar; ndërlidhje e kujdesshme e pjesëve që bëjnë tërësinë, po dhe e vetë qëllimi të hartimit të tekstit përkatës.
Përveç teksteve: “E paqnë tand neve na ep ņdë jetë tanë” dhe “Gjithë popullinë e kërshtenë ņdë Arbanīt” në tetë tekstet e tjera shqiptohen kryesisht çështje të mëkatit si armiku kryesor i përshpirtshmërisë dhe i njësimit me Hyjin e me mbretërinë e Tij. Kjo gjë bie në sy sidomos në tekstet që u kushtohen shtatë mëkateve, që bëjnë shtatë poezi apo një poemë kushtuar mëkateve përkatëse dhe pasojave që rrjedhin prej tyre.
Në këto dhjetë tekste rrëfimi i Buzukut është herë i qetë e herë dramatik, ose këto dy forma gërshetohen midis tyre, varësisht nga mënyra që autori i qaset dhe e shpreh dukurinë që lidhet me besimin në Hyjin dhe me nderimin e urdhrave të Tij. Ato dëshmojnë për forma të ndryshmetë të shprehurit. Dallohet sidomos përsëritjet që kanë funksion të caktuar, pra janë të menduara
nga autori, siç është vepruar edhe në tekstet e katër psalmeve të hartuara nga ai.
Në vijim po ndalem më përafërt në shtatë tekstet apo poemën e parë në gjuhën tonë për të ndriçuar veçantinë dhe rëndësinë e tyre, qoftë në rrafshin biblik liturgjik, qoftë në atë shprehës poetik.
Tekstet po i jap në dy forma:
1) Në formën që i botoi vetë Buzuku në “Mesharin” e tij, pra tekstet e botuara në formën e tekstit në prozë, dhe
- b) Në formën e vargjeve, e cila është e ngjashme me atë të Psalmeve të BV, siç kam vepruar edhe me katër psalmet – poezitë e Buzukut, të analizuar në pjesën e dytë të studimit.
Shtatë poezi apo poema e parë shqipe
Kur analizohen me vëmendje shtatë tekstet për shtatë mëkatet mortare të botuara në fletët 65 – 69 të “Mesharit” të Gjon Buzukut, veçmas mënyra shtjelluese dhe shprehëse poetike e tyre, atëherë mund të thuhet se Buzuku është poeti ynë i parë që botoi poemën e parë në gjuhën tonë, që e njohim deri më sot. Në të vërtetë, këto shtatë poezi, e përforcojnë dhe e lartësojnë edhe më tej figurën e Buzukut si poetin tonë që i botoi tekstet e veta.
Këto shtatë tekste të hartuara ose të përshtatura në mënyrë krejt të lirë nga Buzuku mund të merren e të vështrohen në dy mënyra kryesore:
1) Si shtatë poezi më vete, që u kushtohen shtatë mëkateve konkrete, dhe
2) Si shtatë poezi që përbëjnë një tërësi, që bëjnë një poemë prej 128 vargjesh.
Në cilën do mënyrë që t’i marrin dhe t’i vështrojnë këto shtatë tekste: si krijesa më vete, ose si krijesa që bëjnë një tërësi më të madhe shprehëse poetike, një poemë, ato dëshmojnë për një qasje të mëvetësishme të dukurisë së mëkatit e të degëzimit të tij në jetën e përditshme, për një gjuhë të sigurt, të zgjedhur dhe të ngritur që ka përdorur autori ynë.
Falë pikërisht shtjellimit të teksteve, të sistemit shprehës poetik të përdorur dhe të gjallërisë së komunikimit edhe me lexuesin e sotëm që ato mund të nxitin, përligjin një rrafsh të ngritur të poezisë sonë të botuar më 1555.
Në qoftë se këto shtatë tekste i vështrojmë në rrafshin e parë – si tekste të mëvetësishme, si shtatë poezi, që bëjnë objekt trajtimi shtatë mëkatet dhe pasojat e tyre për jetën e njeriut, mund të thuhet se këto janë poezitë e para të shkruara në gjuhën tonë me vargun e lirë që kanë një objekt poetik të njëjtë dhe që dëshmojnë vlerën e tyre edhe në ditët tona. Poezitë, dashur e padashur, të kujtojnë grupet e Psalmeve të BV, siç janë shtatë psalmet e pendesës (6, 32, 38, 51, 102, 130, 143), pastaj psalmet e diturisë, psalmet e lavdërimit, psalmet personale etj.
Secila prej këtyre shtatë poezive ose pjesëve të poemës vëzhgon një mëkat më vete dhe shqipton aspekte të veçanta të tij si dhe pasojat që ai mund të ketë në jetën e përshpirtshme të besimtarit, kur zë të lëkundet ose të shmanget nga rruga e drejtë e Hyjit dhe dashurisë së Tij.
Në qoftë se këto shtatë tekste i vështrojmë: si krijime që bëjnë një tërësi më vete, një poemë, që njësohen jo vetëm për objektin e vështruar e të shqiptuar, po para së gjithash për shtjellimin, për sistemin shprehës dhe për gjuhën që përdoret në to, për figuracionin, për ndërlidhjen midis tyre në rrafshe e në përbërës të ndryshëm, atëherë vlera e tyre bëhet edhe më e madhe – një krijesë e menduar dhe e konceptuar në shtatë pjesë, shtatë tablo shprehëse poetike, që si qëllim kryesor ka njohjen me mëkatet dhe me pasojat e tyre në jetën e njeriut.
Në krye të këtyre shtatë teksteve kushtuar shtatë mëkateve, që po i jap në vijim, Buzuku ka vënë këtë tekst: “Këtu ụ sosnë të dhjetë ordhënatë qi ņ Sinëzot janë ordhënuom na ato me mbajtunë.
Shtatë kate mortare tash vinjën me ụ promendunë” (përmendun).
E AJ QI DO ME Ụ BUKURUOM
I pari kat mortār
anshtë superbja qi madhështonetë nịerī,
e aj qi do me ụ bukuruom.
Kush madhështonetë ņ së vobegut
e ņ së vorfënīt,
e nukë flet me shojt, as me fqinjët,
as nukë ecën me një shoq,
përse shoqi nukë kā,
e kā si dhunë me të me ecunë.
E kush do me ụ bām mā i bukurë
se nukë e kā bām Zotynë.
E kush nukë le me shkuom
fjala e njaj plaku për të dërejtë ņdaj të,
kinëse aj kā e aj s kā.
E aj qi lypën lavd;
e aj qi do me klenë vutë ņ krye tryesësë.
E aj qi këqyretë ņdë pasëqyrë.
E aj si për plak as për mā të mirë nịerī
se anshtë vetë s kā qyrë.
E kush ṃbë këtë mëndyrë fëjen,
aj fëjen ņdë të parët kat motrār3.
POR E KĀ TË MJERËNË SHPIRT ŅDË FYT
I dyti kat mortār
ký anshtë mënia qi nịerī
nukë mundë shufrenjë as një grimësë,
por e kā të mjerënë shpirt ņdë fyt.
Aty s kā qyrë qish aj flet,
e flet sā çudi e dhunī
i vinjënë ņdë mend aqë i thotë.
E aty në ditëtë
kun një kshill të njëj shoqi,
aj pr atë mënī atī ja qet jashtë;
aj për mënī ņvret,
aj kujton keq, aj qish mundë,
por keq se nukë mundën mā,
prashtu aj nukë kursene.
E për shumë mot aj në ụ mëniftë,
aj mā me shoq s’foli as nukë pajtoi.
E këtu kush të fëjen,
fëjen ņdë të dytët kat mortār4.
MĀ MIRË DESH ME FOLË DHUNĪ
I treti kat mortār,
ký anshtë tue prituom nịerī
ņdë arësye të shpirtit,
as ņdonjë të mirë aj nukë bani,
mos ṃbë meshë, mos kryq,
mos me ņdigluom Ungjillë shenjtë,
mos me ụ rëfyem,
mos me ụ kunguom ṃbë herë;
mos për shpirtit të parëvet bani mirë,
mos për shpirtit t atyne
qi atī mirë kanë bām.
Mā mirë desh me ņdenjunë
se Pater noster e Ave Mërī me thanë.
Mā mirë desh me folë dhunī
se me lutunë Tenëzonë;
e aj bije ņdë këtë kat,
qi parë se punënë e shpirtit
sheh punënë e kësaj jete.
E kështu kush fëjen ṃbë këtë mëndyrë,
fëjen ņdë të tretët kat mortār5.
KUR ATA PATNË KEQ, TI U GËZOVE
I katërti kat mortār
anshtë kȳ qi i thomi na envidheja.
E këtu fëjen nịerī, kur shoqnë e fqinjënë
nukë e do nịerī porsi vetëvetëhenë.
Aj qi bān mënī,
aj qi kujtoi keq shoqit e fqinjësë;
kur shoqi kā mirë,
atī i ņdotë keq;
e atī mirë, nukë i ņdotë mirë;
mos për shëndet, mos për të mirët,
mos për gazëmend, mos për të pasunit.
Kur ata patnë keq, ti u gëzove.
Kur ata patnë mort, ti nuk i anëkove.
Kur ata klenë sëmutë,
ti nukë i vizitove,
e mā të pëlqyem pate
kur gjegje keq për ta se mirë.
E kush ṃbë këtë mëndyrë fëjen,
aj fëjen ņdë të katërt kat motrār6.
E PARË LIJ SHPIRTINË ME I VOTË KEQ
I pesti kat mortār ký anshtë:
Kush anshtë i shtrenjtë,
e mā do me pasunë
ār e vistār e gjā ṃbë këtë jetë
se jetënë e amëshuome.
E parë lij shpirtinë me i votë keq
se me dhanë një bagëtī për shpirtit të tī.
E atī qi anshtë eçim e unëtë
parë e lij me ju kalbunë copa bukë
se me e dhanë atī qi kā nevojë.
Mirë se ata qish të kalbetë
përzanë nukë anshtë,
në mos dafsh kapshatënë ņ gojet sote.
E shumë të mirë ṃbë këtë shekullë
mundë banje, e nukë ban:
E ṃbë këtë mëndyrë kush fëjen,
aj fëjen ņde e pesët kat mortār7.
AJ TUE KLENË GINË POR HA
I gjashti kat mortār
kȳ anshtë kur ha nịerī e pi tepërë,
e i ban keq. E këtī kati fëjen aj
qi kurajtë kụatro temporatë nukë ņgjënon,
këreshmëtë nukë ņgjënon,
vëngjillë qi ordhënuom anshtë nukë ņgjënon;
gjashtë herë në i piqē me ņgranë, haj;
mbassi kā drekunë, e të i vin përapë ū,
aj tue klenë ginë por ha;
aj kā pītë e ņgranë,
e për lakëmī të fytit djerie mos i viell,
aj me ata të ginë nukë kondend.
E ký tue fëjyem ṃbë këtë mëndyrë,
fëjyem kā ņdë e gjashtë kat mortār8.
TUE KUJTUOM, TUE Ụ AMBËLTUOM
I shtati kat mortār kȳ anshtë:
Tue kujtuom për kat
porsi njani burë o jetëra gruo,
qi kurajtë të ginë nukë di;
po e kā mallëkuom Zotynë,
e kurajtë me njëqind vetë
ajo me ņfjetunë një natë,
ajo si të mos kish fjetunë as me një burë.
E ashtu edhe shumë bura janë.
E këtu mundë fëjenjë nịerī
tue kujtuom, tue ụ ambëltuom
ņd ata të kujtuom ņdë mend të tī;
e kur ata të kujtuom
nukë desh me e bduom ņ vetëhej,
tue bām kun tjetërë punë.
E aj qi kā të vednë,
epur bie ņdë kat me tjetërë;
ashtu edhe gruoja në fëjeftë,
fëjen ņde e shtatët kat motrār9.
Forca komunikuese dhe ndikuese e teksteve
Në qenësinë e tyre këto shtatë tekste të Buzukut janë hartuar kryesisht mbi bazën e një modeli, qoftë për mënyrën e qasjes së objektit, qoftë për gjuhën dhe sistemin shprehës poetik, për llojin e vargut etj. Secila krijesë (poezi), ka pak e shumë, gjatësi të njëjtë (pos asaj që i kushtohet mëkatit të gjashtë që ka 14, të tjerat kanë nga 17 deri në 21 vargje) dhe vështron aspekte të mëkatit përkatës dhe të pasojave. Me një fjalë, mënyra e përftimit dhe e shtjellimit të tekstit të poezive ose të pjesëve të poemës, gjakon të njëjtin qëllim: ndriçimin e përbërësve kryesorë të secilit mëkat, meqenëse secili prej tyre, ka veçantinë e vet, jo vetëm për mënyrën e shfaqjes dhe të dëshmimit, po dhe të pasojave. Tekstet e tyre cilësohen me shumësinë e mesazheve dhe me mundësinë e madhe të ndikimit në marrësin, në lexuesin ose në dëgjuesin (kur janë kënduar në meshë ose në ndonjë rast tjetër). Pikërisht mënyra e konceptimit dhe e shtjellimit të tekstit kushtëzon që ai të lërë një përshtypje të fuqishme, pra të mbërrihet qëllimi: të kuptohen pasojat e mëkatit dhe të thellohet domosdoja e besimit dhe e mbështetjes në mëshirën e Hyjit dhe në dashurinë e tij.
Në këto tekste poeti ynë shqipton krenarinë (mendjemadhësinë), mërinë, mosbërjen mirë tjetrit (mungesën e veprimit), mosdashjen e tjetrit, ballafaqon pasurinë materiale me jetën e amshuar të shpirtit, veprimet e pamatura, mëkatin edhe duke menduar keq për tjetrin. Në mënyrën të veçantë Buzuku shqipton pasojat e mëkatit për jetën e individit, për rrethin familjar, për të afërmit, po dhe për mjedisin shoqëror në përgjithësi.
Rrëfimi i Buzukut është bindës dhe argumentues. Me një fjalë, ai i shqipton dukuritë sipas modelit të Biblës apo të literaturës biblike liturgjike, ku qartësia dhe argumentimi janë formë e qenësishme e teksteve dhe e mesazheve të tyre.
Mëkatet dhe pasojat e tyre Buzuku i vështron në formën e kontrastit, me ç’rast teksti përligj sa rëndësinë, veçantinë dhe pasurinë e të shprehurit, po aq dhe forcën dhe mundësinë e komunikimit dhe të ndikimit në marrësin. Kështu, fjala vjen, shqiptohet mburrja dhe krenaria e të pasurve përballë të varfërve e të mjerëve ose shprehet dhuna kur ata ecin me njerëz që nuk janë si ata ose kur punët e shpirtit vështrohen përmes botës lëndore e pasurisë materiale; kur për lakmi të fytit i bëjnë keq vetit dhe tjetrit; ose kur bëjnë mëkat qoftë edhe me të menduar nga fillon çdo gjë, që pastaj mund dhe të përmbushet përmes veprimit konkret.
Buzuku i vështron shtatë mëkatet mortare të ngjizura me jetën konkrete, me rrethanat në të cilat ata shfaqen më së shpeshti, duke përmendur herë – herë edhe shkaqet e lindjes së tyre. Pra, mëkatet vështrohen në ndërlidhje e në ballafaqim me dukuritë e tjera të jetës e të veprimit të njeriut e jo të shkëputura nga rrjedha jetësore dhe nga vështirësitë dhe të papriturat.
Mëkati armiku i brendshëm
Secila prej shtatë poezive të Buzukut kushtuar shtatë mëkateve nis me shenjëzimin “mëkat mortar” dhe mbaron po ashtu me pasojën “mëkat mortar”. Çdo mëkat mortar lind nga bota e brendshme e njeriut, nga vetëdija e tij. Kur njeriu e bën mëkatin e lehtë, nuk e humb hirin hyjnor. Në të kundërtën, kur e bën mëkatin e rëndë, mëkatin mortar, shkakton humbjen e hirit hyjnor, domethënë mëkati është vdekjeprurës për shpirtin, siç thuhet në Letrën e parë të Gjonit: “Ka mëkate që çojnë në vdekje” (1 Gjn 5, 16).
Mëkati vdekatar nënkupton shmangien e rrugës së Hyjit dhe urdhrave të tij ose rrënon dashurinë në zemër dhe e largon krijesën nga Hyji që e ka krijuar, po dhe e largon nga dashuria dhe nga mirësia për të afërmin. Në Psalmin 51,6 thuhet: “Kundër teje, kundër teje kam mëkatuar. Ajo që është e ligë para syve të tu, atë e kam bërë unë”. Pra, mëkati është në kundërshtim të plotë me hirin hyjnor dhe më mirëqenien njerëzore. Në Letrën drejtuar romakëve, Shën Pali shkruante: “Atje ku është braktisur mëkati, ka mbipeshuar hiri” (Rom, 20.
Buzuku e dinte se mëkati, sidomos mëkati i rëndë apo vdekatar, është fajësi e madhe ndaj ligjit të
Zotit, e bërë me vetvullnet dhe si i tillë sjell pasoja të rënda: e zhvesh shpirtin nga hiri hyjnor dhe zhbën mundësinë e përjetimit të dashurisë dhe të mëshirës së Hyjit. Po ashtu e zhbën rëndësinë e veprimeve të mira paraprake për arsye se shkëput marrëdhënien me Hyjin dhe mbrojtjen nga Ai.
Mëkati mortar kushtëzon dhe dënimin me jetesë në ferr. Shën Toma i Akuinit thoshte se kur vullnesa përqendrohet drejt një gjëja që është në kundërshtim me dashurinë e Hyjit, ndaj të cilës jemi të përcaktuar si qëllim kryesor, mëkati, për objektin e vet përkatës, bëhet mortar, që domethënë është kundër dashurisë së Hyjit. Mëkati vdekatar është me pasoja për arsye se çdo mëkat dhe blasfemi (mallkim) do t’u falet njerëzve, po blasfemia kundër Shpirtit nuk do të falet (Mat 12, 31).
Së këndejmi, arsyeja pse Buzuku i quan shtatë mëkatet e përmendura mëkate mortare dhe i bën objekt shqyrtimi nuk është gjë e rastit. Mëkati është nisma e së keqes jo vetëm drejtuar kundër Hyjit, po para së gjithash kundër vetë njerëzve, kundër të afërmeve, me një fjalë kundër jetës.
Duke i shqyrtuar dhe shprehur në këtë mënyrë mëkatet si dhe duke ndriçuar pasojat e tyre në rrafshin shpirtëror, Buzuku u bën të ditur besimtarëve, po dhe njerëzve në përgjithësi, që secili ta kuptojë rrezikun nga mëkati dhe të bëjë përpjekje të vijueshme për t’i shmangë ata në mënyrë që të jetë në pajtimësi të plotë me mëshirën e Hyjit dhe të ketë mbështetjen dhe mbrojtjen e përhershme të Tij. Buzuku e dinte se drita e Hyjit, e parrënueshme dhe e patejkalueshme, është në gjendje të ngadhënjejë mbi ço të keqe e të ligë dhe mbi çdo errësirë. Për të përjetuar këtë dritë dhe fuqinë e saj, njeriu duhet ta ketë zemrën e pastër për ta parë atë dhe për ta shndërruar në një lumë drite që do t’ia lehtësojë e pasurojë jetën konkrete, po dhe jetën pas vdekjes, jetën e pasosur për arsye se fryti i shpirtit duhet të jetë: “[…] dashuria, gëzimi, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria; kundër këtyre gjërave nuk ka ligj” (Gal 5, 22 – 23).
Me një fjalë, Buzuku ishte i bindur se mëkati është dukuri që vjen nga brendësia e njeriut, prandaj (edhe në rrethanat më të vështira kur të dëshmojë ligësinë e vet), pikërisht nga brenda ai duhet ta luftojë atë, duke u mbështetur në dashurinë e Hyjit të gjithëpushtetshëm, për t’iu shmangur pasojave të mëdha në jetën tokësore dhe në jetën pasvdekjes.
Mesazhet poetike si stolisje të tekstit
Në tekstet për shtatë mëkatet dhe pasojat e tyre Buzuku herë – herë përdori edhe një gjuhë
figurative, që dëshmon për vlerat poetike të tyre.
Duhet thënë se Buzuku nuk i hartoi këto shtatë poezi apo këtë poemë për shtatë mëkatet me qëllim që të dëshmojë talentin e tij si poet, siç vepruan poetët e mirëfilltë më parë ose më vonë. Qëllimi kryesor i tij qe dëshmimi i pasojave të mëkateve mortarë, domosdoja e shmangies së tyre dhe nevoja e njeriut për t’u mbështetur në Hyjin, në dashurinë dhe në mëshirën e Tij.
Përkundër faktit që në shtatë tekstet e hartuara nga Buzuku vlera poetike e tyre përligjet në rrafshin e makrostrukturës së tekstit, ajo vërehet edhe në disa vargje e shprehje të veçanta që kanë më shumë se një kuptim, pra ofrojnë dhe kushtëzojnë një mundësi shumësore leximi dhe receptimi, gjë që i cilëson tekstet poetike të mirëfillta. Këto shprehje ose vargje me konotime të ndryshme – me degëzime kuptimesh – në të shtatë tekstet e tij, u japin atyre një vlerë të veçantë.
Nga poezia “E aj qi do me ụ bukuruom”, që merr në vështrim kryelartësinë – mendjemadhësinë, duhet veçuar vargun kuptimisht të pasur: “e aj qi do me ụ bukuruom”, që na fut në botën e njeriut që ndihet mendjemadh në jetë dhe në punët e shpirtit e të besimit në Hyjin. Kryelarti e çmon si veprim dhune të ecë bashkë me të varfrin: “e kā si dhunë me të me ecunë”, ai gjakon që përherë të vihet në krye të tryezës dhe të shikohet në pasqyrë, të shërbejë si shembull, si pasqyrë për të tjerët10“e aj qi do me klenë vutë ņ krye tryesësë. / E aj qi këqyretë ņdë pasëqyrë”. Pra, kryelarti gjakon të bëhet më i bukur sesa është dhe sesa e ka krijuar Hyji: “E kush do me ụ bām mā i bukurë / se nukë e kā bām Zotynë”.
Edhe në poezinë “Por e kā të mjerënë shpirt ņdë fyt”, Buzuku përdor një shprehje me konotim të pasur: “por e kā të mjerënë shpirt ņdë fyt”, që dëshmohet edhe kur: “e flet sā çudi e dhunī” dhe bën aq keq sa nuk mundet më shumë: “por keq se nukë mundën mā”.
Një qëndrim dhe sjellje e tillë bën që kryelarti të ketë e të ndjejë urrejtje ndaj tjetrit dhe të mos flasë e të mos pajtohet me të:
E për shumë mot aj në ụ mëniftë,
aj mā me shoq s’foli as nukë pajtoi.
Edhe në poezinë “Mā mirë desh me folë dhunī” Buzuku e thekson përsëri çështjen e të folurit të dhunshëm, shenjë e nismës së largimit nga dashuria dhe mëshira e Hyjit “Mā mirë desh me folë dhunī”. Buzuku përdor edhe një shprehje kuptimisht të pasur, që lidhet me qenësinë e besimit të secilit në Hyjin: në vend që t’i kushtojë kujdes botës hyjnore, që përcakton jetën shpirtërore, mbështetet në punët e jetës konkrete, të botës materiale:
qi parë se punënë e shpirtit
sheh punënë e kësaj jete.
Të shprehurit figurativ kontrastik dëshmohet edhe në poezinë “Kur ata patnë keq, ti u gëzove”, ku poeti Buzuku ballafaqon botën e brendshme të mëkatorit përballë atij që jeton afër Hyjit dhe e çmon dhe e do fqinjin e tij:
Kur ata patnë keq, ti u gëzove.
Kur ata patnë mort, ti nuk i anëkove.
ose
e mā të pëlqyem pate
kur gjegje keq për ta se mirë.
Këtë mënyrë të shqiptimit Buzuku e përdor edhe në poezinë “E parë lij shpirtinë me i votë keq”, ku mëkatari, që ka shmangur rrugën e Hyjit dhe nuk i përfill urdhrat e tij, lejon që shpirti të jetojë në ligësi: “E parë lij shpirtinë me i votë keq”, pra çmon më shumë arin e thesaret se jetën hyjnore.
e mā do me pasunë
ār e vistār e gjā ṃbë këtë jetë
se jetënë e amëshuome
ose kur nuk shqetësohet për të afërmin, sidomos për të varfin që s’ka as bukë të hajë: “në mos dafsh kapshatënë ņ gojet sote”.
Shqiptimin kontrastik të mëkatit dhe të pasojave të tij Buzuku e zbatoi edhe në poezinë “Aj tue klenë ginë por ha”, ku shprehet pangopësia e njeriut të hajë e të pijë pa masë: “aj tue klenë ginë por ha” përballë atij që nuk ka fare. Ky mëkat mortar shprehet edhe në përmasa të skajshme – vetëm për lakmi të fytit: “e për lakëmī të fytit djerie mos i viell”.
Buzuku e vështron mëkatin edhe në rrafshin e të menduarit, siç ndodh në poezinë: “Tue kujtuom, tue ụ ambëltuom”, që përkon plotësisht me parimin biblik: edhe të menduarit keq është mëkat. Poezia është një përsiatje e thellë filozofike e teologjike, që ndriçon botën e brendshme të njeriut, përkatësisht të besimtarit: përmbushje e qejfit të vetvetes, krijimin e një bote jashtë realitetit konkret, po dhe jashtë dashurisë së Hyjit; i sheh gjërat të “ëmbëltuara”, sipas dëshirës dhe gjakimeve vetjake: “nukë desh me e bduom ņ vetëhej”, e jo sipas hirit të Hyjit:
tue kujtuom, tue ụ ambëltuom
ņd ata të kujtuom ņdë mend të tī;
Përkundër kësaj, njeriu ka brenda vetes së tij forcën – edhe kjo dhuratë e Hyjit – që ta largojë e ta shmangë nga vetja e tij të keqen dhe ligësinë, mëkatin “e kur ata të kujtuom” dhe t’i kthehet rrugës së drejtë të Hyjit dhe t’i shfrytëzojë të mirat e dashurisë së Tij.
²
Se Buzuku kishte prirje për hartimin e teksteve poetike dhe se në to përdorte një gjuhë të pasur e figurative, dëshmojnë edhe përkthimet cilësore të disa teksteve, sidomos të Psalmeve dhe të Këngës së këngëve të BV.
Po sjell vetëm disa shembuj nga Kënga e këngëve (çështja e përkthimit të psalmeve në “Mesharin” meriton një vëzhgim më vete) që përligjin këtë aftësi dhe cilësi të Buzukut:
“Jam e zēshkë, ma jam bukurë formuam11”
(KK 1, 5)
²
“Mā shkoi dimëni, e shiu shkoụ,
mā ngreụ e dashura eme, e eja12” (KK 2, 11)
²
“Hinje se kȳ vjen tue shkuo përmbī malt,
e tue këcyem përmbī sukat;
mbi këtë mënyrë nshtë i dashuni em,
porsi kaprolli o mengụ i sutësë.
Hinjë se jet mbas murit,
tue pasunë qyrë ņ fënịeshtrashit,
tue pasunë qyrë ņ birashit të murit.
E muo më foli i dashuni em,
tue me thashunë: Ņgreụ mama eme e bukura, e eja.
Hinje se dimni shkoi, e shiụ vote.
E hinje se luletë zunë me u dukuni përmbī dhēt,
e hera me kiem ụ afëruo;
e zani i turtullit u gjegj ņdë dhēt tanë;
fiku zū me lëshuom të tītë,
e ŗdhitë zunë me bām grestenë,
e lëshuomë erënë e endet tyne.
Ngreụ, e eja, e dashura eme,
e e bukura eme, ụite ti.
Polumbi em ņdë palsët të gurit,
ndë e ņfshehunat të gjirdhevet,
dëftomë të klenëtë tat,
banmë u tȳ të të gjegjem zanë tand;
përse zani uit anshtë i amblë,
e të panëtë tat anshtë të dëshëruom13.
(KK 2, 8 – 14)
²
“Kush ë kjo qi vjen porsi drita qi zbardhetë,
e bukur porsi ana, e zgịedhunë porsi dielli,
e madhe porsi ụshtëria qi anshtë trajtuam për luftë14”
(KK, 6, 1o)
²
“Dora e djathtë e tī anshtë muo përņdenë krye tem,
e djathta e tī muo të më shtrëngonjë15.
(KK 8, 3)
1-(Pjesë nga studimi monografik “Gjon Buzuku poeti ynë i parë”. Pellegrini Editore, Cosensa 2016.
2-Shin më gjerësisht për këtë në studimi tim monografik “Meshari – vepër e hartuar nga Gjon
Buzuku”. Studim. Con una sintesi in italiano. “Fondazione Universitaria “Francesco Solano” & Comet Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i dytë“Faik Konica”, Prishtinë 2014.
3-“I pari kat mortār anshtë superbja qi madhështonetë nịerī, e aj qi do me ụ bukuruom. Kush madhështonetë ņ së vobegut e ņ së vorfënīt, e nukë flet me shojt, as me fqinjët, as nukë ecën me një shoq, përse shoqi nukë kā, e kā si dhunë me të me ecunë. E kush do me ụ bām mā i bukurë se nukë e kā bām Zotynë. E kush nukë le me shkuom fjala e njaj plaku për të dërejtë ņdaj të, kinëse aj kā e aj s kā. E aj qi lypën lavd; e aj qi do me klenë vutë ņ krye tryesësë. E aj qi këqyretë ņdë pasëqyrë. E aj si për plak as për mā të mirë nịerī se anshtë vetë s kā qyrë. E kush ṃbë këtë mëndyrë fëjen, aj fëjen ņdë të parët kat motrār”.
4-“I dyti kat mortār kȳ anshtë mënia qi nịerī nukë mundë shufrenjë as një grimësë, por e kā të mjerënë shpirt ņdë fyt. Aty s kā qyrë qish aj flet, e flet sā çudi e dhunī i vinjënë ņdë mend aqë i thotë. E aty në ditëtë kun një kshill të njëj shoqi, aj pr atë mënī atī ja qet jashtë; aj për mënī ņvret, aj kujton keq, aj qish mundë, por keq se nukë mundën mā, prashtu aj nukë kursene.E për shumë mot aj në ụ mëniftë, aj mā me shoq s’foli as nukë pajtoi. E këtu kush të fëjen, fëjen ņdë të dytët kat mortār”. Shih E. Çabeji, “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Pjesa e dytë, vep. e përm., f. 65.
5-“I treti kat mortār, kȳ anshtë tue prituom nịerī ņdë arësye të shpirtit, as ņdonjë të mirë aj nukë bani, mos ṃbë meshë, mos kryq, mos me ņdigluom Ungjillë shenjtë, mos me ụ rëfyem, mos me ụ kunguom ṃbë herë; mos për shpirtit të parëvet bani mirë, mos për shpirtit t atyne qi atī mirë kanë bām. Mā mirë desh me ņdenjunë se Pater noster e Ave Mërī me thanë. Mā mirë desh me folë dhunī se me lutunë Tenëzonë; e aj bije ņdë këtë kat, qi parë se punënë e shpirtit sheh punënë e kësaj jete. E kështu kush fëjen ṃbë këtë mëndyrë, fëjen ņdë të tretët kat mortār”.
6-“I katërti kat mortār anshtë kȳ qi i thomi na envidheja. E këtu fëjen nịerī, kur shoqnë e fqinjënë nukë e do nịerī porsi vetëvetëhenë. Aj qi bān mënī, aj qi kujtoi keq shoqit e fqinjësë; kur shoqi kā mirë, atī i ņdotë keq; e atī mirë, nukë i ņdotë mirë; mos për shëndet, mos për të mirët, mos për gazëmend, mos për të pasunit. Kur ata patnë keq, ti u gëzove. Kur ata patnë mort, ti nuk i anëkove. Kur ata klenë sëmutë, ti nukë i vizitove, e mā të pëlqyem pate kur gjegje keq për ta se mirë. E kush ṃbë këtë mëndyrë fëjen, aj fëjen ņdë të katërt kat motrār.”
7-“I pesti kat mortār kȳ anshtë: Kush anshtë i shtrenjtë, e mā do me pasunë ār e vistār e gjā ṃbë këtë jetë se jetënë e amëshuome. E parë lij shpirtinë me i votë keq se me dhanë një bagëtī për shpirtit të tī. E atī qi anshtë eçim e unëtë parë e lij me ju kalbunë copa bukë se me e dhanë atī qi kā nevojë. Mirë se ata qish të kalbetë përzanë nukë anshtë, në mos dafsh kapshatënë ņ gojet sote. E shumë të mirë ṃbë këtë shekullë mundë banje, e nukë ban: E ṃbë këtë mëndyrë kush fëjen, aj fëjen ņde e pesët kat mortār”.
8-“I gjashti kat mortār kȳ anshtë kur ha nịerī e pi tepërë, e i ban keq. E këtī kati fëjen aj qi kurajtë kụatro temporatë nukë ņgjënon, këreshmëtë nukë ņgjënon, vëngjillë qi ordhënuom anshtë nukë ņgjënon; gjashtë herë në i piqē me ņgranë, haj; mbassi kā drekunë, e të i vin përapë ū, aj tue klenë ginë por ha; aj kā pītë e ņgranë, e për lakëmī të fytit djerie mos i viell, aj me ata të ginë nukë kondend. E kȳ tue fëjyem ṃbë këtë mëndyrë, fëjyem kā ņdë e gjashtë kat mortār”.
9-“I shtati kat mortār kȳ anshtë: Tue kujtuom për kat porsi njani burë o jetëra gruo, qi kurajtë të ginë nukë di; po e kā mallëkuom Zotynë, e kurajtë me njëqind vetë ajo me ņfjetunë një natë, ajo si të mos kish fjetunë as me një burë. E ashtu edhe shumë bura janë. E këtu mundë fëjenjë nịerī tue kujtuom, tue ụ ambëltuom ņd ata të kujtuom ņdë mend të tī.; e kur ata të kujtuom nukë desh me e bduom ņ vetëhej, tue bām kun tjetërë punë. E aj qi kā të vednë, epur bie ņdë kat me tjetërë; ashtu edhe gruoja në fëjeftë, fëjen ņde e shtatët kat motrār”. Shih E. Çabeji, “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Pjesa e dytë, vep. e përm., f. 67.
10-Kujto, fjala vjen, princeshën në përrallën e vëllezërve Grimm “Borëbardha”, kur i drejtohet pasqyrës t’i thotë se ajo ishte më e bukura në botë. Shih më gjerësisht punimin Hyrje në poetikën e përrallës. Në librin tim “Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe”, (Rilindja, Prishtinë, 1998, f. 159 – 198.
11-Eqrem Çabej, “Meshari” i GjonBuzukut.(1555.Pjesa e dytë, vep. e përm., f. 25.
12-Po aty, f. 25.
13-Po aty, f. 333.
14-Po aty, f. 15 – 17.
15-Po aty, f. 25.