Rrëfime tronditëse dhe vuajtje të paimagjinueshme në burgjet e diktaturës komuniste
Mbi librin “Martirët”, të autorit Pjetër Arbnori
Nga Gjekë Gjonaj
Autori i librit “Martirët – 10300 ditë e net në burgjet komuniste” Pjetër Arbnori , të botuar në gjuhën shqipe dhe italiane, përshkruan ngjarje dhe rrëfime tronditëse nga jeta në burgjet komuniste në Shqipëri. Këto ndodhi dramatike, kthesa të papritura dhe situata të habitshme rrëqethëse e drithëruese u përngjajnë fantazive të shfrenuara të cilat mund t’i lexojmë në vepra të shquara letrare të shkrimtarëve të mëdhenj vendas dhe të huaj. Në faqet e këtij libri, autori ka përfshirë kujtimet e tij që nga mosha katër vjeçare, kur siç shkruan ai, mbante mend festën e 28 N1938, me ç’rast motrat e morën në shkollën fillore të Burrelit dhe aty të gjithë së bashku kënduan me Himnin e Flamurit, luajtën valle dhe morën nga një llokum, duke përfshirë edhe rrugën e tij ( arsyet) që e çoi në një burgim të gjatë, ku i kaloi afër tridhjetë rrathët e Ferrit, respektivisht bëri 28 vjet në burgjet e diktaturës komuniste , për çka është quajtur “ Mandela i Ballkanit”. Ai në vitin 1961, në moshën 26 vjeçare, arrestohet dhe dënohet me vdekje për agjitacion e propagandë. Pas njëfarë kohe, dënimi i zbret në 25 vjet burg. Si pasojë e aktivitetit të pas hekurave e nën zgjedhë, i shtohet dënimi edhe me dhjetë vjet për agjitacion e propagandë. Në gusht të vitit 1989 lirohet, duke mbajtur mbi vete 28 vite e gjysmë heqje lirie në burgjet famëkeqe të diktaturës.
-Shpesh kur takoj miq e dashamirës, pjesa më e madhe e tyre shpreh një keqardhje të thellë për fatin e zymtë që kam pasur në jetë, për vuajtjet që kam kaluar, për ferrin që kam provuar për së gjalli: isha i lidhur këmbë e duar dhe mbeta për gati dy vjet në qeli, pa e parë familjen në sy; gati tre muaj me radhë prita çdo minutë pushkatimin; i dënuar pastaj me ndëshkimin për të ndenjur në “ bodrum të zi” për njëzet e pesë vjet dhe kur këto mote të gjata lëngimi mbaruan, e pashë veten të dënuar përsëri me dhjetë vjet të tjera burg shtesë. Në tërësi kalova 28 vjet e katër muaj burgim”, shkruan Arbnori. Ai në letrën që i ka dërguar, Shuaip Panaritit, kryetarit të Gjykatës së Naltë në Tiranë, më 26 nëntor 1964 thekson: “ Sikurse kam deklaruar në gjyq. Pjesa më e madhe e proceseve të mia është falsifikuar nga major Llambi Titani. Për më tepër firmat janë marrë duke përdorur dhunën fizike, psikologjike dhe kërcënimet. Gjithashtu, mbas dënimit tim me vdekje, presioni i paligjshëm ka vazhduar. Thuajse të gjithë personat që më kanë shoqëruar gjatë izolimeve, më kanë thënë se janë të porositur që të më bëjnë presion dhe kërcënime që të gënjej. Më është thënë gjithashtu se do të hakmerreshin tek familja po të refuzoja një gjë të tillë. Edhe mbas dënimit tim dhe ardhjes në burg, tortura më është shtuar, në vend që të pakësohej. Tortura me hekura, me cigare, shpuarja me gjilpëra, ndalimi i takimeve, futja në birucë, ndalimi i ushqimeve dhe i korrespondencës për muaj me radhë, futja e të burgosurve që të më rrahin”.
Nga ky dhe rrëfimet e tjera në këtë libër mësojmë për kalvarin e torturave, presionin psikologjik dhe vuajtjet e paimagjinueshme në errësirën e burgjeve të diktaturës jo vetëm të autorit , por edhe shokëve të tij , mijëra të burgosurve politikë dhe martirëve të tjerë shqiptarë, shokëve të tij, disa prej të cilëve janë pushkatuar, kanë vdekur nëpër burgje, ose kanë vuajtur nëpër kampet e punës , gjithmonë të kërcënuar, të tallur e të përçmuar me shprehjen famëkeqe “ Do ju heqim maskën”.
Parimi i komunizmit, shkruan Arbnori , sipas urdhrave të Enver Hoxhës, ku thuhej” ku nuk ekziston armiku krijoje”, i cili i tha Koçi Xoxës që duheshin goditur “armiqtë e Shqipërisë ”. Kush ishin këta “armiq” ? Shtresa më e lartë intelektuale e Shqipërisë së atëhershme ateiste, klerikët katolikë, myslimanë e ortodoksë dhe intelektualë të përgatitur të të gjitha fushave me bindje përparimtare perëndimore e atdhetarë që e donin një Shqipëri të lirë e të çliruar nga ideologjia komuniste-staliniste. Motivet, politika e goditjes ndaj mijëra intelektualëve, djemve nënash të pafajshëm, që burgosi e vrau gra e vajza të pafajshme, e persekutoi familjet e tyre, siç tregon Arbnori, përpunohej në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste ( Partia e Punnës) nën drejtimin e vetë Enver Hoxhës.
Gjatë kohës sa qëndroi në burgjet komuniste, Pjetër Arbnori përshkruan në detaje trajtimet çnjerëzore në hetuesi, në kampe e në burgje, vitet në dhomat e izolimit pas birucës, të ftohta në dimër, të nxehta në verë, zakonisht me çimento, me një, dy ose tre batanije vetëm natën, ushqimin e dobët , 500 gram bukë misri ose patate të ziera në vend të bukës. “ Në fushatën e patates buka zëvendësohej me patate të ziera ose me bukë misri. Kjo ishte periudha më e vështirë e urisë. Supë jepej në drekë dhe në darkë. Ishte një spirilëng me oriz me krimba, ose fasule me qindra miza që duhej të mbyllje sytë e ti kapërdije. Kripë kishte pesë gram, vaj kishte 6,5 gram, por në fakt kurrë nuk shihej një gjurmë yndyre. Kur kishte lëngë fasuleje ishte ditë feste. Do t’ju them edhe një gjë: kur qëllonte që të të rrihnin ( se nuk të rrihnin përditë, kur ktheheshe në birucë haje bukën me aq shije sa nuk e kishe shijuar, as në darsëm. Kurrë një herë nuk e pamë mishin. Pas viti 1972, 10 gram sheqer në vaj”, tregon autori. Rrëqethëse janë kallëzimet e tij për torturat fizike, psikologjike e torturat fyese që u bëheshin të burgosurve brenda katër mureve . “ Pasi të zbresin prej krahësh nga makina, Gaz Motolov me drita të ndezura, pasi të rrasin brenda të heqin nga koka thesin e palarë, fillon ceremonia e pritjes me ca shpulla e kërcënime, pastaj nis kontrolli i imët trupor. Të shkulin rripin e mesit, të heqin lidhëset e këpucëve, të këpusin pulat e pantallonave dhe të xhaketës, në fund të zgjidhin llastikën e brekëve dhe ti mbetesh ashtu i hutuar me njërën dorë që shtrëngon brekët e pantallonat që të mos bien në fund të këmbëve dhe me dorën tjetër me shukun e rrobave që të kanë zhveshur”, rrëfen Arbnori. Edhe më trishtuese ishin metodat dhe llojet e torturave në burg, si: rrahje me dru deri sa të bëhen plagë dhe të bjerë mishi, kruarje e plagëve të qelbëzuara me dru, çpuarje e mishit me të djegur, elektrikë në vesh, futje të kripës në mish, lagia me ujë të ftohtë, lënia pa bukë deri në vdekje, lënia pa bukë e ujë për disa orë, lënia zhveshur e në të ftohtë, jeleku i forcës dinamit në vehte, shtrëngimi i gishtërinjve me pinca, fekale në gojë, varje kokë poshtë, lidhje për peme, lënie në diell, maçoku në tumane, përgatitje varri, pushkë në gojë dhe tentativë për çnderim të vajzës.
Po ashtu duke lexuar këtë libër mëson se në burg kishte fashistë. nacionalistë, zogistë intelektualë të pavarur e të pakorrigjueshëm . Kishte grupe të organizuara e të paorganizuara, gjithmonë të fshehta, sikurse edhe grupe të krijuara nga Sigurimi i Shtetit me qëllim që të ngriheshin kurthe zbulimi e për t’i përçarë e të tjera. Pavarësisht torturave e mundimeve çnjerëzore të cilat i përjetoi vetë Pjetër Arbnori gjatë izolimit në qelitë e errëta të burgjeve të diktaturës në Shqipëri ai asnjëherë nuk u shkëputë nga jeta e gjallë përtej hekurave dhe telave me gjemba. Edhe pse ka parë stuhinë e vdekjes duke rënë mbi aq njerëz , si shumë prej tyre, u tregua në lartësinë e idealit. Për këtë qëndresë u dëshmua dhe s’do të harrohet.