RRËFIME TË NGROHTA DHE REALISTE
Nga Viron Kona
Kam shkruar edhe më parë për shkrimtarin Bashkim Saliasi, për romanin e tij “Ne ishim pesë shokë”, për monografinë “Dobrusha”, për librin për fëmijë “Pse gjyshi i lexon librat e mi?” e libra të tjerë, teksa po ndalem kësaj here në skicat dhe tregimet që ky autor përcjellë te lexuesi nëpërmjet këtij vëllimi të ri të titulluar “Pylli me lisa”. Janë rrëfime, skica dhe përshkrime jetësore dhe origjinale, që pasqyrojnë në mënyrë tronditëse fatin e refugjatit shqiptar, ikjet në emigración, problematikat dhe vështirësitë që ata i shoqërojnë në kërkim të Eldorados. Por ato shprehin edhe marrëdhënie realiste mes njerëzve, episode, përshkrime, ide dhe subjekte, që i gjen në përditshmërinë e jetës, që shpeshherë kalojnë pa u vënë re, teksa shkrimtari me aftësinë vëzhguese, i sjellë para lexuesit me realizëm dhe vërtetësi artistike, duke i paraqitur qartë, thjeshtë dhe me stil të ngrohtë e tërheqës.
“Pylli me lisa” hapet me tregimin “Vendimi”, që paraqet fillimin e periudhës së tranzicionit demokratik, të ndarjes së rendit të ri demokratik nga dikatura komuniste. Ishin fillimet demokratike dhe fati i shumë njerëzve ishte në udhëkryq, ende shpresat se Shqipëria do të bëhej ishin të mjegullta dhe qëndronin të ngrira, teksa shqiptarët ndiheshin si zogjtë e plagosur në stuhi erërash të forta. E, pikërisht, protagonisti i këtij tregimi, me profesión mësues, po mendonte t`i bashkohej ikjes së madhe si refugjat drejt vendit fqinj Greqisë.
Dëshiroja të shkoja në Greqi. Isha krejtësisht i papërgatitur psikologjikisht për aventurat dhe rreziqet që më prisnin.
Ishte koha kur selitë diplomatike në Tiranë, të cilat në fillim të viteve 90-të i kishin nxitur njerëzit drejt Perëndimit, tashmë kishin mbyllur dyert, ishin bërë të shurdhëta, ndërkohë që ndodhte që njerëz të ndryshëm, pa identitet, përfshiheshin fshehurazi në korrupsion për të nxjerrë fitime tek populli i varfëruar skajshëm e që synonte me çdo kusht e çdo çmim të largohej nga vendi, ku aso kohe mbretëronte pasiguria, papunësia dhe mungesa e persëpektivës. Nëse nuk e arrinin qëllimin duke u paguar para në dorë të matrapazëve dhe aventurierëve, njerëzit guxonin të udhëtonin në shtetet fqinje nëpërmjet maleve, shtigjeve të pyjeve, nëpërmjet deteve Adriatik dhe Jon, me çfarëdolloji mënyre dhe mjeti që u dilte në shteg. Tronditës është përshkrimi që autori i bënë rrugëtimit të tij për në Greqi, ndarja e tij me disa qytete dhe krahina të bukura shqiptare, ku iu desh të kalonte gjersa të arrinte në kufi. Pastaj, futja fshehurazi në territorin e vendit fqinj, gjithnjë me frikën dhe ankthin se prapa çdo shkurreje dhe druri do të shfaqeshin ushtarët apo policía greke. Ishin aventura të frikëshme dhe tronditëse, që njeriu i merrte vetëm kur halli ishte i madh dhe s`kishte përpara asnjë rrugëdalje tjetër.
Emigrantët ishin të detyruar të ecnin vjedhurazi nëpër pyje, shtigje, lugina, rrëpira dhe hone të frikëshme që t`i ruheshin policisë dhe ushtrisë greke, dhe, gjithçka e bënin për të vetmin qëllim, të gjenin një punë për të mbijetuar, për të mbajtur familje e tyre që kishin lënë në mjerim në Shqipëri. E, në këto kushte dhe rrethana, kishte edhe nga ata që mundimet e rrugës i lodhnin, i sfilisnin dhe i drobitnin dhe, ata, krejt të pafuqishëm për të vazhduar më tej, e linin veten në mëshirë të fatit.
-Unë nuk mundem të eci më tej. Më janë bërë këmbët gjak dhe nuk di a do të mund të dalë deri në rrugë. Le të më kap policia dhe të më kthejn mbrapsht, – përfundoi ai, gati duke qarë.
Gjithsesi halli dhe nevoja i bënte ata më të mprehtë, më aktivë, më të vëmendshëm dhe kurajoz, sepse mbronin jetën e tyre dhe të familjeve. Dashuria dhe ndjenjat e sakrificave për fëmijët e familjet ishin motivet dhe shtysat, që i bënin ata më të fortë dhe i detyronin të vijonin aventurat, që shpeshherë ktheheshin në tragjike.
Kishte nga ata refugjatë që binin në duart e policisë dhe të ushtrisë greke, të cilët i kthenin dhunshëm. Kishte të tjerë që i përfshinte një fat shumë më i keq, ata e paguanin me jetë atë udhëtim aventuror, ose vdisnin nga të ftohitit dhe të pangrënët, ose aksidentoheshin në shtigje pyjesh, malesh dhe rrjedha të vrullshme të lumenjve, ose bëheshin viktima të kriminelëve, që u dilnin befas për t`i plaçkitur e terrorizuar, shpeshherë duke u marrë edhe jetën.
Si dhe në rrëfime të tjera, edhe në këtë vëllim të ri, Bashkim Saliasi dallon për aftësinë për të përshkruar me vërtetësi mjediset natyrore dhe karakteret e njerëzve, veçanërisht të bashkudhëtarëve të tij apo tipave të ndryshëm me të cilat ai takohet gjatë rrugëtimit. Duket se këtu e ka ndihmuar edhe kultura dhe profesionalizmi si mësues biologjie. Ndaj, me sinqeritet dhe stil të rrjedhshëm, ai përshkruan në mënyrë mbresëlënëse pyjet e dendur me llojshmëri drurësh, kafshët dhe shpendët që enden nëpër pyje, në shtigje dhe nëpër drurë, përshkruan rrjedhat e burimeve, të përrenjëve e lumenjve, cicërimat e zogjve dhe erërat e pyllit që krijojnë deri melodi muzikore.
“Pylli me lisa” është një tregues i aftësisë përshkruese të Saliasit, ndaj në këtë rrjedhë vijnë njëri pas tjetrit edhe rrëfimet për kafshët e egra, që refugjatët ndeshin gjatë rrugëtimit të tyre, veçanërisht duket kjo te rrëfimi për ujkonjën, e cila bënë jetën e saj në mjedisin e pyllit. Aty ajo ndihet e sigurt, por dhe bëhet e rrezikshme nëse tenton ta trazosh, apo kthehet në bishë agresive kur i rrezikohen këlyshët e saj.
“Nxorra elektrikun e dorës dhe po ecja i shkujdesur brenda saj. Në pjesën fundore vura re tre çifte sysh, që lëviznin si prozhektor dhe nuk po gjenin vend ku të fshiheshin. Genci nisi të shkoj drejt tyre.
-Ndalu Genci, ku shkon?- i bërtita unë.
-Të shikoj këlyshët, – foli qetësishtë ai.
-Ktheu pas dhe mos i shqetëso, se janë këlysh ulkonje.
Nuk kishte kaluar shumë kohë, veç kur shohim një ulkonjë që mbante në qafën e saj një kaproll dhe duke u zvarritur në terrenin e thyer mori rrugën për në shpellë.
-Ikim Genci sa nuk është vonë, se ulkonjat për të mbrojtur këlyshët i sulmojnë edhe njerëzit”.
“Pylli me lisa” përcjellë mesazhin realist dhe të ngrohtë se popujt mes tyre janë miqësorë e paqësorë, ata e duan dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin kur janë në hall e në vështirësi. Sipas kushetve, kohëve e rrethanave ata i vijnë në ndihmë njëri-tjetrit. Kjo është një traditë e spikatur dhe e dukshme e popullit tonë, që ai e ka treguar dikur në marrëdhënie me fqinjët grekë kur edhe ata kishin nevojë për ndihmë. Duket se, edhe grekët këtë mikëpritje e shprehën për fqinjët e tyre shqiptarë. Siç shkruan autori në rrëfimet e këtij libri, mes popullit grekë kishte plot njerëz që tregonin gadishëmri për t`u ardhur në ndihmë refugjatëve shqiptarë, madje ndonjëri edhe duke rezikuar. Sikurse kishte dhe të atillë, që tregonin urrejtje, përbuzje dhe ligësi. “Pyll pa derra nuk ka”, duket se këtë thënie e ka edhe populli grek, edhe popuj të tjerë, gjë që e shohim qartas te rrëfimet e Saliasit, veçanërisht i shohim ata “derra” kur vishen me petkun e spiunit apo të disa policëve të dhunshëm. Ndërsa me njerëzit e thjeshtë të popullit, ndodh e kundërta:
Në kodrën ku po bënim plan të pushonim, pa pritur, takuam një çoban grek, që ruante dhitë. Ai qëlloi burrë i mirë. U përshëndetëm me të me shenja, pasi nuk kishim haber nga gjuha greke. Çobani na afroi cigare dhe na tregoj rrugën për në Janinë.
-Atje ku duket ajo kisha e vogël, duhet të bëni kujdes,- tha çobani, – sepse aty dalin shpesh ushtarët. Sipas tij, deri në ora 12 të natës, në rrethinat e Janinës lëvizin forcat e policisë. Pastaj na tregoi me shenja një rrugë të ngushtë këmbësorësh, që të nxirrte në majë të malit, ku dukej dhe qyteti i Janinës.
Mesazhi i hidhur te rrëfimet e “Pyllit me lisa” të Saliasit, qëndron edhe në atë se, me gjithë ato mundime, ato sakrifica të jashtëzakonshme për të gjetur një punë në vendin fqinj, gjithçka u përmbys sa hap e mbyll sytë, fare papritur:
“Befas, na dolën para dy civilë.
-Ku shkoni?- bërtitën ata greqisht.
E pamë që ishte e kotë të largoheshim me vrap dhe iu përgjigjëm me një zë:
-Te stacioni autobuzave, për në Athinë.
-Ejani me ne! Ua tregojmë ne stacionin,- dhe na mbërthyen prej krahu. Nuk kaloi shumë kohë dhe te këmbët tona, ndaloi një makinë policie… U hap dera e rajonit të policisë. Ata që na shoqëronin shkëmbyen disa batuta me oficerin dhe ushtarët, duke qeshur me fatin tonë. Aty nga mesdita, na urdhëruan të hipim në makinën “Ifa”. E kishin sjellë për ne. Një orë e gjysmë më pas u gjendëm në doganën e Kakavijës”.
Si dhe herë të tjera autori nuk lodhet së përshkruari gjithçka me hollësi e deri në detaje, si një qëndistar i merakosur që e tëra ajo çfarë nxjerrë nga duart të jetë e përsosur, të përjetohet bukur e deri në fund. Ndaj dhe gjatë leximit, ndihen qartas vijëzimet, ngjyrat, nuancat e tyre, përshkruhen dhe vizatohen me dritëhije dhe realizëm tipa dhe karaktere, teksa përballesh edhe me njerëz të ditur, që shfaqin mendime të mëdha popullore në formë sentencash.
Duke qenë mësues Saliasi natyrshëm ka përshkruar edhe bindjet dhe mendimet e tij për këtë profesion të bukur dhe të nderuar, sikurse nuk ka kaluar pa u trajtuar nga ai edhe disa problematika të rëndësishme që kanë të bëjnë me tipat, karakteret, mendimet dhe idetë e disa kolegëve apo të atij vetë për gjëra të veçanta apo të përgjithshme, që lidhen me jetën dhe me shkollën, si një tempull i dijes dhe i edukimit. Ndërkohë që ai bënë pëpjekje të trajtojë artistikisht marrëdhëniet mes drejtuesve dhe kolegëve mësues, mes mësuesve dhe nxënësve e prindërve, marrëdhënie këto që janë të rëndësishme në shkollë edhe për përvetësimin e dijeve nga nxënësit, edhe për të përgatitur një brez nxënësish të aftë, qytetarë të zotë për t`i shërbyer jetës, zhvillimeve dhe vendit. Ndërkohë që autori nuk nguron të godas me forcën e ironisë, deri edhe të sarkazmës, sjelljen e ndonjë kuadri drejtues të arsimit apo të shkollës, sjelljen e ndonjë mësuesi të papërgjegjshëm dhe, nga ana tjetër, evidentimin e mësuesve model dhe të pararojës që bëjnë gjithçka për të realizuar detyrën e tyre të shenjtë, por edhe për të qenë shembull për fëmijët dhe të rinjtë. Ndërkaq kanë vlera edukative rrëfimet “Sa shumë janë shtuar qentë!” apo “Kaq vjeç u bëra, por lopa ime tre vica nuk më ka pjellë!” ku autori me realizëm dhe duke vënë në lëvizje mençurinë popullore, demaskon firmat mashtruese piramidale në Shqipëri, që u bënë shkak për vrasje të shumta, shkatërrime të pasurisë kombëtare, djegje, plaçkitje dhe varfërim edhe më të skajshëm të popullit.
Një natë. gruaja i thotë të shoqit:
-U bën kohë që nuk kemi qenë në fshat. Është mirë të shikojmë një herë për të parë prindërit e tu.
Të nesërmen pronontuan një taksi dhe drejtë e në fshat. Babai i priti mirë. Por nuk gjeti kohë të bisedonte, sepse nusja e djali nuk po i linin radhë. I tregonin plakut se kishin shitur shtëpitë dhe i kishin futur lekët në firmën “Gjallica”.
Plaku i dëgjonte dhe nuk fliste.
U shtrua darka dhe djali pasi rrëkëlleu nja tre gota raki, i thotë babait:- O babë, përse nuk e shet Balën dhe lekët mi jep mua, t’i fus te firma “Populli” se filanin e kam mik. Fusim një dhe marrin tre…
Plaku kroi veshin dhe mori drejtqëndrim.
-Dëgjo mor bir. Kaq vjeç u bëra, kam rritur lopë e bagëti të tjera. Por Bala ime nuk ka bërë ndonjëherë tre viça.
Ishalla ke fat, mor bir dhe i shton shtëpitë, nga një ti bësh tre…
Ndërkaq është argëtuese, dhe shkakton të qeshura te lexuesi anekdoda “T`u bëftë rakia ujë”, ku autori rrëfen me fjalë të thjeshta dhe pa i komplikuar gjërat mençurinë popullore dhe mësimet që ajo jep për jetën. Libri “Pylli me lisa” me thjeshtësinë dhe stilin e të shkruarit, me temat interesante, origjinale dhe rrëfimin e ngrohtë, bëhet i këndshëm dhe tërheqës nga njëra faqe në tjerën, teksa lexuesi merr gjatë leximit emocione dhe mesazhe me vlerë për jetën dhe të ardhmen.
