22/12/2024

Risillet në jetë një koleksion me flamuj kombëtar

0
flamuri

Nga Jaho Brahaj
Kohët e fundit, me interesimin e restauratorit të Akademisë së Shkencave, Dr. Frederik Stamati, po risillet në jetë një koleksion flamujsh shqiptar, të praktikuar në jetën politiko-shoqërore në gjysmën e parë të shekullit XX.
Koleksioni është një pasuri relikesh historike, të ruajtura pa vëmëndje si mall magazine për rreth 50 vjet.
Koleksioni, në gjëndjen që ruhet, përbëhet prej 13 flamujsh, nga këto përcaktohen saktësisht, që 11 janë flamuj të lartësuar nga institucionet shtetërore, shoqata kombëtare e formacionet ushtarake të shtetit kombëtar shqiptar në vitet 1914-1928.
Pyetja, se nga vjen ky koleksion i çmueshëm më ngacmoi, që para një viti, kur filluan të restaurohen, por pa u njohur koha, se kur u përdorën.
Koleksioni i flamujve është dorëzuar në vitin 1946 në arkivin e Institutit të Shkencave nga një person, që as emri nuk i është shënuar. Në vitin 1957, me interesin e Rrok Zojsit, ky koleksion kaloi në fondin e sektorit të etnografisë të Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, me porosi, që të ruhen, se janë vlera të historisë sonë.
Meqënëse, asnjëri prej tyre nuk lidhej me rezistencën e luftën kundër pushtuesve të viteve 1939-1944, ata nuk i mori Muzeu i Luftës, që u krijua në Tiranë dhe të ngelura në një qoshe të depove të fondeve të Institutit të Kulturës Popullore, rastësisht i “rizbuloi” restauratori Frederik Stamati, i cili konstatoi gjëndjen e tyre tepër të dëmtuar dhe mori vendimin t’i restaurojë.
Të dhënat për këto relike të çmueshme, që mblodhëm, na bindin, se janë pjesë e pasurisë së koleksionistit të famshëm shqiptar Eqerem Vlora. Nga shtypi i viteve të para të shekullit XX njihemi, që ai ruante në shtëpi një flamur të dhuruar atij nga Aleandro Kastrioti në fillim të shekullit XX dhe ruante dhe shumë flamuj të periudhës 1912-1939, të cilat falë dhe mundësive të tij financiare i blinte. Nga kujtimet e një të moshuari vlonjat kemi dëshmi, që këtë koleksion flamujsh, e ka parë në shtëpinë- muze të Eqerem Vlorës në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Dhe po, ashtu kemi dëshmi gojore, që një sasi flamujsh kombëtarë, të marra nga shtëpia e koleksionistit vlonjat iu dhuruan drejtuesve të Konferencës të Rinisë Antifashiste Shqiptare në vitin 1944. Kjo është rruga e tyre deri në dorëzimin në Institutin e Shkencave në vitin 1946.
Koleksioni përbëhet nga 2 flamuj, që janë përdorur para vitit 1912 dhe kanë simbole të administratës së Perandorisë Osmane. Njëri prej tyre ka elementë, që mund të përcaktohet si flamur sanxhaku, por është tepër i dëmtuar. Pas restaurimit mundet të jepet një mendim më i saktë. Një flamur është i vitit 1914 dhe i përkiste Princ Vidit. Një flamur është i shoqatës “Atdheu” i qytetit të Durrësit i vitit 1919. Gjashtë flamuj janë të përdorur nga institucionet shqiptare dhe nga formacionet ushtarake të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare në periudhën 1924-1928. Një flamur është i bandës muzikore “Vatra”. Për dy flamuj të tjerë të koleksionit mbetet të studiohen, pasi të përfundoi restaurimi. Pengesë është fakti, që për periudhën 1912-1922, nuk kemi një akt zyrtar për formën grafike të unifikuar të shqiponjës së flamurit kombëtar. Vetëm me 2.6.1922 u muar një vendim zyrtar për këtë çështje, por edhe ky vendim pati moszbatim në disa raste deri në vitin 1927, kur u unifikua saktësisht forma grafike e flamurit kombëtar shqiptar.
Një nga flamujt e koleksionit, siç e thamë, është flamuri i Princ Vidit, i cili është relike e veçantë e unikale dhe i përdorur në oborrin e kreut të shtetit shqiptar në vitin 1914. Flamuri ka shqiponjë dykrenare me ndryshime thelbësore nga ajo e flamurit të Ismail Qemalit të vitit 1912 dhe mbi trupin e shqiponjës është një pallua me ngjyrë të bardhë (ngjyrë argjëndi), që ishte simboli heraldik i familjes Vidi. Ky flamur është sipas zakonit të familjeve princërore mbretërore, e në këtë hulli edhe Princ Vidi në pallatin e tij qeveritar e në residencën familjare praktikoi flamurin zyrtar shqiptar me shtesën e simbolit të familjes së tij. Flamuri i Princ Vidit është i dëmtuar në disa pjesë, ndoshta me gjurmë plumbash, si rezultat i ngjarjeve të fundit të qeverisjes, por kjo na fakton, që flamuri është përdorur në pallatin e tij. Pas ikjes së Vidit nga Shqipëria, shumë mobilie të pallatit u shitën në Korfuz, disa nga ato i bleu Eqerem Vlora. Ky fakt na përforcon bindjen, që ky koleksion me flamuj, vlera të historisë sonë kombëtare, kanë dalë nga pasuria e koleksionit të mbledhur me pasion e mundime nga atdhetari vlonjat. Për saktësime të mëtejshme, duhet ndjekur dhe rruga e vazhdimisht të hulumtimit në arkiva, ku ruhen fonde në dorëshkrime të Eqerem Vlorës, dhe në këtë drejtim ka dhe gjurmë të zbulohet edhe vendruajtja e flamurit kombëtar shqiptar, të ngritur nga Kuvendi Kombëtar në Vlorë më 28 nëntor 1912.
*Studjues

Refleksione për simbolin kombëtar

Nga Eqerem Bej Vlora*
Historia e Flamurit shqiptar tretet në mjegullën e kohës. Në veprën e tij, “Jetët paralele”, Plutarku thotë se Pirroja, mbreti i Epirit, pas betejës së Heraklesë (280 para Krishtit), kur dëgjoi luftëtarët e tij tek po këndonin një këngë, ku e shquanin shqiponjë, ai iu tha atyre:”Në qofsha unë shqiponjë, ju jeni krahët që më sollët fitimtarë deri këtu”. Në monedhat e qytetit iliro-epirot të Orikumit duket një shqiponjë, që mban në kthetra rrufetë e Zeusit. Po kështu, kalorësit e Skënderbeut (Sipas “De vita…Georgi Castrioti” të Barletit) gjatë fushatës së tij në Pulje, në ndihmë të mbretit të Napolit, në luftën kundër baronëve, mbanin flamuj të vegjël, të kuq, me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes.
Shqiponja dykrerëshe është simbol i pushtetit perandorak (bizantin, gjerman, rus). Sundimtarët e mëdhenj dhe të vegjël, që u shkëputën nga perandoria bizantine, vazhduan ta mbajnë këtë simbol pushteti. Kështu, mbase, ka bërë dhe Skënderbeu. Sidoqoftë, në gojëdhënat e arbëreshëve ky kumt ruhet ende i gjallë. Mbi varrin e nipit të Skënderbeut në kishën e shën Marisë së engjëjve, në Napoli, është vënë stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të bardhë e vezëllitës pesëcepësh mbi dy krerët.
Midis viteve 1880-1895, Zef Skiroi e më vonë Anselmo Sorekio, në të përmuajshmen e tyre arbëreshe, e botuan, thuajse në çdo numër, këtë emblemë, si flamur të Shqipërisë. Pas 1900-ës, atë e vë edhe Faik Konica në të përmuajshmen e tij “Albania” në Bruksel. Në shtator të vitit 1909, sëbashku me djelmërinë e qytetit, unë organizova në shtëpinë time shfaqjen e dramës Pirrua” të Mihal Gramenos. Aty, kur kryepriftëresha e Orikumit, i zgjat Pirros, që po nisej për në Itali, një flamur, dhe me një ton patetik e duke shkërbyer legjendën e Kostandinit, i thotë:”Me këtë shenjë ti do të fitosh (in hoc signo vinces), në prani të prefektit, oficerëve turq, si edhe të gjithë trupit konsullor, me shaka, por edhe me një farë kapaidallëku, unë ngrita për herë të parë në skenë flamurin shqiptar. Asnjë nga zyrtarët e pranishëm turq nuk u ndie, ndërkohë që salla shpërtheu në duartrokitje. Euforia atdhetare krijoi një gjëndje të nderur. Natyrisht, që u raportua menjëherë në Stamboll, por qortimi i vetëm, që dëgjova unë pastaj, më erdhi nga xhaxhai , Ferit pasha, asokohe, ministër i brendshëm. Ai e quajti “të pahijshme” këtë sfidë në shtëpinë time dhe para të ftuarve të mi.
***
Ka pasur dhe raste të tjera, kur flamuri shqiptar ka luajtur rol, madje, shumë më luftarak. Në kohën e kryengritjes së malësorëve katolikë në vitin 1911, në Cetinjë, mbërritën vullnetarë arbëreshë për t’u bashkuar me kryengritësit, e që për herë të parë mbanin një flamur kombëtar. Njëri nga krerët e këtyre vullnetarëve quhej Terenc Topi. Në krye të një grupi vullnetarësh dhe malësorësh, ai çau deri në Mirditë (Orosh), ku edhe shpalli një republikë shqiptare-doemos jetëshkurtër (27 prill 1911), që me ngritjen e flamurit shqiptar për disa ditë rresht, e ngriti fuqishëm moralin e popullit. Madhështore në këtë aksion, të thuash, operetë, ishin besnikëria ndaj etnitetit shqiptar, që arbëreshët thuajse me gëzim, rrezikuan jetën e tyre, duke u dhënë kështu, zemër, edhe vëllezërve në atdheun e lashtë e të braktisur, para aq kohësh. Më vonë, Terenc Toçi, ky atdhetar i zjarrtë, pati poste të larta zyrtare në Shqipëri, deri sa, pas një proçesi, ku u akuzua për “mungesë patriotizmi”, pushkatohet nga komunistët në vitin 1945.
*poltikan dhe studjues

Eqerem Bej Vlora rrëfen…
Flamurin kombëtar, si u ngrit më 28 nëntor 1912
Një javë pas kthimit tim në Vlorë çova Murat bej Toptanin dhe Hydai Efendiun (nipin e babit të teqesë sonë në Janinë) tek Ismail Qemali, duke iu lutur të më kthente flamurin, që i pata huajtur. Më premtuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo Znj. Marigo Posio (një atdhetare e madhe demokrate, por që pëlqente reklama), ta kishte qepur e qëndisur flamurin e ri.
E pra në 28 nëntor kryeobjektivi i ditës, flamuri i simbol i pavarësisë, me atë pakujdesinë tipike shqiptaro-lindore, ishte harruar. Për më tepër, shumica, nuk e dinte sesi ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar. Atëhere ngrihet miku im, Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqerem Beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe, pyeti, se a mund të merrej pa qenë i zoti aty. Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri, që dikur don Alandro Kastrioti ma kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail Beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit, me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte pranë në dritare. Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin para shtëpisë dhe në kopsht, duke brohoritur “Rroftë, rroftë!” edhe pse shumë prej tyre nuk kuptonin edhe aq se ç’po bëhej.
Më vonë, kur unë në ditët festive të shpalljes së pavarësisë si shtet i lirë dhe i pavarur, ngrita flamurin shqiptar në ballin e shtëpisë sonë, disa kosovarë të mirë më thanë:”Shumë mirë e bëtë ju të diturit, që ngritët flamurin e babë Kralit (pra të Perandorit Franc Jozef) se tani nuk ka ç’të na bëjë as serbi i poshtër, as malazesi moracak. Kur pyeta se ku e kanë parë shqiponjën e zezë, m’u përgjigjën krenarisht:”Tek ushtarët e Babë Kralit”, në Pazarin e Ri.
Por, natyrisht, pati edhe të tillë si një farë Haxhi Muhamet Efendiu, një klerik i rëndësishëm e fanatik në Vlorë dhe ithtar i fortë i tim eti, i cili shprehej me zemërim se Ismail Beu kishte zgjedhur një “korb”, si simbol të Shqipërisë së lirë. ”Ah, ta kishte bërë Shqipërinë, Syrja Beu ankohej ai,-tani do të kishim në flamur suret e bukura të kuranit. Po ç’mund të presësh tjetër nga Ismail beu, që e ka kaluar të gjithë jetën e tij në vendin e frëngjve!”
Kur ia rrëfeva historinë Ismail Beut, ai qeshi me të madhe, por edhe më kërcënoi me gisht se do t’i tregonte hoxhës, që flamurin nuk e kishte gjetur ai, por unë!

Koleksionet e mia
Në vitin 1928, i çoj për vlerësim, ekspertit të firmës Soothby & Comp, në Londër 175 orë në miniaturë, të cilat më vonë, më 1944, u grabitën nga komunistët në shtëpinë tonë në Vlorë

Shënimet e mia
…Për të kryer këtë punë, unë nuk pata asnjë shënim dhe asnjë dokument. Kam hedhur në letër vetëm ato, që kishte ruajtur kujtesa ime. Shumica e blloqeve të mia të shënimeve, gjithë koleksioni im me histori të shkurtëra, që shkrova në periudhën 1912-1936, dorëshkrimi i vyer i të ndjerit tim atë, me kujtimet e tij, të tëra humbën në dhjetor të vitit 1944, kur komunistët konfiskuan bibliotekën tonë në Vlorë. Nuk kisha pra, rrugë tjetër, veçse të mbështetesha në kujtesën time. Dhe, ajo, Lavdi Zotit, nuk më la në baltë!

Si e largova një pjesë
Unë kërkova leje të shkoja në Vlorë për të siguruar në ndonjë farë mënyre koleksionet tona të çmueshme. U bënë disa qindra pako. Librat (rreth 30.000 vëllime) si edhe argjendarinë i futa në sterrenë rezervë të shtëpisë, tashmë të tharë mirë e bukur e të veshur me letër katrama dhe hyrjen e të cilës e mbylla me mur, sepse ishte e pamundur të lëvizeshin. (Sidoqoftë, një pjesë e dorëshkrimeve , të cilat nëna në vitin 1916, i nxorri dhe i vuri përsëri nëpër raftet e bibliotekës, u dëmtuan, e ndërmjet tyre edhe vepra shumë të çmueshme e të rralla). Pastaj, mora me qira për tre muaj, një anije italiane me vela, “San Giorgion” 300 tonëshe, i ngarkova të gjitha në hambarin e saj, vura aty dy nga shërbëtorët dhe e lashë atë të ankoruar në skelën e Vlorës. Unë vetë mora anijen e postës dhe u ktheva në Durrës për të marrë pjesë në mbledhjen e të gjithë krerëve shqiptarë të thirrur nga Princi në 11 korrik.

Me Princ Vidin
Lajmi për largimin e Princ Vilhelmit, thirri përsëri në plan të parë, Esat Pashë Toptanin, këtë faktor të fuqishëm dhe të rëndësishëm në historinë shqiptare. Ai banonte, si mik i italianëve në Romë dhe i nxitur prej tyre, shkoi fillimisht në Korfuz, Athinë dhe Selanik (ku me siguri ka arritur ndonjë ujdi me grekët për Shqipërinë e Jugut), për të vazhduar më tej në Nish, selia e qeverisë së atëhershme serbe, e ku me siguri, do të ketë gjetur mbështetjen aq të nevojshme për krijimin e njësive mercenare. Grupet e para i vuri nën komandën e Jusuf bej Doshishtit, kaloi me to kufirin, që nuk e ruante askush. Mblodhi rrugës bashkëkalorës të ndryshëm nga të gjitha pjesët e Shqipërisë së Mesme dhe, nga fundi i shtatorit e krejt papritur, futet në Durrës.
Por, bashkëpunimi i tij me juntën, nuk zgjati më tepër se një javë. Myftiu i Tiranës, Musa Qazim efendiu, iu kundërvu menjëherë autoritetit të tij dhe organizoi qëndresën. As dy javë pas ardhjes së tij, Esat Pasha, u gjend në të njëjtën gjëndje si Princ Vilhelmi, ca më parë. Kodrat e Rrashbullit u bënë përsëri kufiri midis krahinave të qeverisura nga një grup njerëzish të paditur, fanatikë dhe tradhëtarë dhe zonës, nën ndikimin e një burri që donte një Shqipëri, ndonëse relativisht të vogël, por të mëvetësishme dhe kombëtare. Për këtë, ai urdhëroi uljen e flamurit turk dhe ngritjen e atij shqiptar. Por, për të mos e acaruar më tepër elementin mysliman të vendit, ai iu shmang përdorimit të shqiponjës dykrenore në fushë të kuqe si emblemë të shtetit dhe të qeverisë dhe ngriti flamurin tregtar të përdorur zyrtarisht edhe në kohën e Princ Vidit: një brez i gjatë, i zi e me një yll të bardhë në mes, e nga një brez i gjatë e i kuq, poshtë e lartë tij. Forcat, që kishte Esat Pasha për të mbrojtur, Durrësin e ri-rrethuar, nuk i kapërcenin të 2000 vetë dhe ishin krejt të pamjaftueshme për të ndërmarrë ndonjë sulm mbi Tiranën. Aq më tepër, që ishin të armatosura keq dhe të padisiplinuara. E, megjithatë, ai e mbrojti shkëlqyeshëm për tetë muaj rrjesht Durrësin, e rrethuar nga epërsia dhe topat e rebelëve.

Ju tregoj Familjen e Vlorajve
…Të pasur ata nuk kanë qenë kurrë, por bujarë dhe shpirtmëdhenj gjithmonë. Pronat e mëdha në Myzeqe, që ata, midis viteve 1700 dhe 1830, i quanin të tyret (60.000 ha, sëfundi 26.000 ha) nuk qenë kurrë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e mëdha, jo “sipas jorganit”. Asnjë familje në Shqipëri nuk e ka përkrahur aq bujarisht artin dhe dijen, nuk e ka pasur atë shije të hollë për kulturë dhe luks. Kur në vitin 1612, me urdhër të Sulltanit, sanxhakbeu i Vlorës dhe bejlerbeu i atëhershëm i Sirisë, Deli Jusuf Pasha, mbytet në pallatin mberëtror në Stamboll, kronikanët e kohës flasin për thesarët e mëdhenj, që u konfiskuan në kështjellën e Kaninës dhe në pallatin mbretëror të Mekatit. Ndërsa, më 1678, ne gjejmë përsëri mjoftime për bibliotekën me më shumë se 3000 vëllime të stërnipit të tij Jusuf Pasha, në Pallatin Veror të Mekatit. Në vitin 1764, kur në bazë të fermanit perandorak, Ismail pasha vritet në Vlorë dhe pallati i tij në Velabisht grabitet, flitet për rreth 8000 dorëshkrime që gjendeshin atje. (Unë zotëroj një tregues të letërkëmbimit, që ai mbante me dinjitarët më të lartë të kohës, si edhe kopje të shumtë prej këtyre letrave, të cilat dëshmojnë kulturën e lartë dhe dijet e thella të këtij burri të rrallë). Në vitin 1810, Ali Pashë Tepelena, konfiskoi banesat e beut të Vlorës dhe sendet e çmueshme që gjeti i dërgoi në Janinë. Atje ai ngarkoi vëllanë e konsullit francez, Z.Pukëvil, me vlerësimin e tyre, që shënoi 1.800.000 dukate ari. Në vitin 1829, Ismail Beu, vritet tradhëtisht në Janinë nga serasqeri Reshit Pasha; i vëllai i tij Beqir Beu, arratiset me sendet e çmuara të familjes për në Korfuz, ku i lë peng ato për 100.000 franga ari pranë bankierit Kojovina. Njëzet vjet më vonë, po ky bankier, pranon me kënaqësi t’u paguajë pasardhësve të bejlerëve të mësipërm 300.000 franga, si dëmshpërblim për sendet e çmuara të shitura prej kohësh. Që Kojovina nuk u nda keq, e vërteton fakti që, pas këtij bisnesi, ai filloi të njihej gjithandej si njeriu me 100 çelësa (domethënë me 100 prona). Dhe kur, më së fundi, në dhjetor të vitit 1944, komunistët në Vlorë, plaçkitën shtëpinë e Vlorajve, ata përvetësuan koleksione, mobilje, qilima, argjendurina, libra dhe dorëshkrime që kushtonin miliona! Kaq për fytyrën e një shtëpie, e cila ishte e ndjeshme jo vetëm për vlera materiale, por edhe që gjithmonë kishte kërkuar legjitimimin e vet edhe në veprimtarinë kulturore.

Kush është Eqerem bej Vlora
Eqerem bej Vlora u lind më 1 dhjetor të vitit 1885 në Vlorë. Në biografinë e tij është shënuar se ishte politikan, por edhe studjues i njohur. Mësimet e para i mori në shkollën turke. Më pas, ndoqi shkollën e mesme në Basel të Zvicrës dhe pastaj në Stamboll. Shkollën e lartë e kreu në Universittin “Theresianum” të Vjenës, ku u specializua për “Politikën ballkanike”. Menjëherë, pas shkollimit të lartë, mbrojti doktoraturën për drejtësi në Universitetin e Stambollit. Ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja si turqisht, arabisht, italisht, latinisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Në vitin 1905, u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë. Ishte ndër themeluesit e Shoqërisë “Bashkimi” të Stambollit dhe drejtues i revistës dygjuhëshe shqip-turqisht “Shqipëri-Arnavud”. Në vitin 1907, u caktua sekretar i ambasadës turke në Petërburg. Pas një viti, shkoi në Paris e u takua me atdhetarë, që gjendeshin atje. Në vitin 1990, organizoi në sallonin e shtëpisë së tij, shfaqjen e dramës “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos, ku me këtë rast ka ngritur dhe flamurin shqiptar. Ai është luajtur nga grupi teatror i klubit “Labëria”. Në tetor të vitit 1912, bëri përpjekje me diplomacinë e Vjenës, për të ndihmuar në shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria turke. Aty takoi dhe ungjin e tij Ismail Qemalin e bisedoi me të. Prej andej u kthye në atdhe dhe u vu në krye të forcave shqiptare në luftimet kundër shovinistëve grekë. Shpallja e pavarësisë e gjeti në malet e Labërisë, në frontin e luftës. Kuvendi Kombëtar e zgjodhi anëtar të Pleqërisë. Qeveria e Vlorës e ngarkoi me detyra të rëndësishme, kryesisht në përfaqësimin e vendit në takime diploamtike me shtetet europiane. Iu kundërvu Qeverisë së Vlorës, meqënëse ajo krijoi një komision ”Për shqyrtimin e kufijve të çifligarëve sipas tapive”. Në vitin 1914 ishte në krye të delegacionit që solli Princ Vidin në Shqipëri, i cili më pas e caktoi sekretar në qeverinë e tij. U internua në Itali prej pushtuesve italianë. Në vitin 1920, ishte kundër luftës së popullit të Vlorës për dëbimin e pushtuesve italianë. Në vitin 1923 u zgjodh deputet dhe kreu detyra të rëndësishme deri ministër. Në vitin 1928 u emërua ambasador i Shqipërisë në Britaninë e Madhe e në vitin 1930 në Greqi. Ndërsa në vitin 1933 ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në vitin 1942, u caktua ministër i Tokave të Shlirueme, në një qeveri, që ishte në varësinë e Italisë fashiste. Në vitin 1944, iku në Itali dhe pastaj në Austri. Ai u mor edhe me publicistikë, studime historike, kulturore dhe etnografike.
Disa nga botimet:”ABECEJA pellazgjike” (Stamboll 1909); “Nga Berati në Tomorr” (Sarajevë, 1911); “Dhimbja e popullit shqiptar” (Romë, 1913); “Mbi historinë e bujqësisë shqiptare” (1929); “Kujtime nga jeta” I dhe II (Botuar më 1973). Theksohet se ka mbajtur shumë ligjërata për etnografinë dhe arkeologjinë, deri vonë. Ka vdekur në Austri më 25 mars të vitit 1964. (Biografia e tij iu referua të dhënave të “Kalendarit Enciklopedik”).

 

Lidhja idilike me flamurin kombëtar dhe zbulimi i koleksionit të madh, që po restaurohet

Një koleksion, prej trembëdhjetë flamujsh, gjendet prej shumë kohës në duart e restauratorit të njohur Prof. Frederik Stamati. Të lëna, pa asnjë kujdes, në Institutin e Kulturës Popullore, ato presin tashmë jo vetëm restaurimin, por edhe një rrugë të gjatë drejt jetës së re muzeale. Stamati, i njohur për shumë punë cilësore në restaurim, e ka marrë përsipër këtë detyrë

Ben Andoni
Një gjetje, e natyrës “së parëndësishme”, në një nga institucionet tona, ka ngjallur kureshtjen e specialistit të njohur Prof. Frederik Stamati. Një koleksion flamujsh, i cili prej vitesh, flinte i harruar në stendat e Institutit të Kulturës, tashmë, pret që të marrë jetë.
Restauratori, ndërkohë, është duke bërë si zakonisht punën e tij të apasionuar, për shërimin e disa vlerave të harruara. Për më tepër, serioziteti i kësaj partie flamujsh, rritet, kur mëson, se ajo ishte pjesë e koleksionistit të njohur Eqerem Bej Vlora…
Duke u zhvendosur përmes viteve të tëra në histori, kur kujton se në qytetin e Vlorës, ditën e Shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor të vitit 1912, nuk gjendej një flamuri kombëtar, të duket sikur flitet për një histori e trilluar. Të mësuar nga propoganda e stisur kombëtare, që ka rrjedhur sidomos pas vitesh të tëra të konsolidimit të shtetit komunist, se vendi ishte i mbushur me flamuj kombëtarë dhe të tjera, kjo të duket si një gënjeshtër dhe një “skoop mediatik”. Por, faktet i hedhin poshtë argumentat. Një histori, që na vjen nga Eqerem bej Vlora, përmes kujtimeve të tij, tregon se flamuri kombëtar, që rastësisht gjendej në dhomën e tij, një dhuratë e princit vanitoz, Aleandro Kastrioti, (që e mbante veten si pasardhës të Skënderbeut), u bë objekti, rreth të cilit u shpall Pavarësia kombëtare në ditën e 28 nëntorit 1912. Dikush u kujtua për flamurin në dhomën e beut dhe Ismail Qemali, i ungji i tij, dhe urdhër që të merrej flamuri. Më pas, autori i njohur shkruan se: Marigoja, po përgatiste flamurin, që do të ishte flamuri i shtetit të parë modern shqiptar. Një histori pa bujë dhe pa shumë zbukurime, siç jemi mësuar që t’i dëgjojmë ne zakonisht “historitë tona homerike”.
Pak histori
Shqiponja dykrenore kombëtare, dukej se ka qenë një simbol që është gjendur dhe madje shumë kohë para familjes Kastriote, në botën shqiptare. E kjo jo vetëm për faktin, se shqiponja ishte pjesë e Perandorisë Bizantine. Në emblemat e vjetra, shqiponja ishte shumë e pranishme. Atë e gjejmë në disa monumente, e cila tregon se në të gjitha trevat, ajo ishte shumë e pëlqyeshme. Profesor Hasan Ceka ka theksuar elementin numizmatik, që shqiponja ishte në përbërje të shumë monedhave të vjetra. Kurse Pirro i Epirit, identifikohej vetë me shqiponjën, pas fitoreve të tij të njëpasnjëshme. Shumë më vonë ishte Kostandini i madh, perandori romak me origjinë ilire, që e praktikoi si simbol të tij. Në mesjetë, shqiponja dykrenore ishte emblemë e familjeve të mëdha Gropa, Muzaka, Araniti dhe Kastrioti, vëren studjuesi Brahaj. Barleti, më tej, ka përshkruar dhe flamujt e Kastriotëve. Ato ishin me shqiponjën dy krenore në ngjyrë të zezë në flamurin e kuq.
Pa dashur që të përsërisim vëzhgimin e specialistëve të ndryshëm, ishte fryma e këtij flamuri, që ruajti për shumë kohë një identitet kombëtar. Pa harruar këtu, se shumë nga shqiptarët, nuk e kishin shumë të qartë, në pragun e pavarësisë, imazhin e vërtetë të flamurit kombëtar, pas shekujsh pushtimi të egër. Konica ka meritën se ishte nga të parët, që në agun e ngritjes së madhe kulturore të popullit, më 15 shkurt të vitit 1909, ka sjellë një dokumentim serioz për flamurin kombëtar. Pas kësaj përpjekjet për flamurin kanë qenë të mëdha dhe reale nga shumë burime.
Eqerem Bej Vlora
Një nga të përpjekjet e para, ka qenë ajo që ka lidhje me këtë figurë, që pret ende të zbulohet. Dhe, ende, është pak të thuash, që kjo figurë është ridimensionuar me botimin e dy vëllimeve me kujtime. Ndërsa, shkrimi që na vjen në vëmëndje, është sepse ky koleksion, i cili është duke u restauruar, nga një prej specalistëve më të apasionuar shqiptarë, është pjesë e koleksionit të tij familjar. Ajo i është marrë në vitin 1944, bashkë me shumë gjëra të tjera, të cilat tashmë janë të shpërndara dhe që ai i kujtonte me nostalgji në mërgimin e gjatë. Ndoshta, ishte kjo nostalgji, që bëri, që falë kulturës së tij, të paktën të na mbesin shkrime interesante dhe të tjera, që priten të botohen. Koleksioni i tij i mrekullueshëm i flamujve, disa prej tyre sot të paidentifikueshëm, tashmë presin identifikimin e specialistit të njohur Frederik Stamati.

Kohët kanë kaluar, por adhurimi për flamurin kombëtar është ndryshe. Ajo është shtuar në masën e madhe të emigrantëve jashtë vendit dhe në vend. Por, në Vlorë, e ke vështirë, që të gjesh më flamuj kombëtare, thoshte kohë më parë me dhimbje, një nga bisnesmenët më të njohur të qytetit. Sepse, ndërgjegja kombëtare, duket se është bjerrur me kalimin e kohës në qytetin patriot. Gjithsesi, asnjëherë historia, nuk është më e fortë se kujtesa. Ja pse koleksioni flamujve, i strehuar pa kushte normale, prej shumë vitesh, tashmë pret që të mbijetojë. Prof. Stamati, ka marrë përsipër, që t’i përcjellë ato drejt përjetësimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok