07/10/2024

RIGJETJE METAFORASH SI NË DRITË SIRIUSI

0

Vëllimi poetik “Lundrimet” – Agim Mato

Them se nuk ishte rastësi nderimi i poetit sarandiot, Agim Mato, me çmimin më të lartë – Mjeshtër i Madh, vlerësim nga presidenti i Shqipërisë!

Nga Prof. Dr. Zejnepe ALILI REXHEPI

Ishte (20) qershor kur më ra në dorë ky libër, vlerat e të cilit me shumë kënaqësi do të përpiqem t’i shpalos edhe para jush, lexues.

Titulli i librit “Lundrimet…” është i thellë, përmbledhës i disa simbolikave që në çast të kthen në lundrimin metaforik të jetës së poetit…, atij pelegrini që nuk lodhet kurrë së kërkuari lirinë, edhe kur ajo dergjej nën grilat e viteve të mbrapshta. Një libër i vogël, i këndshëm në dukje, botuar nga “Milosao”, Sarandë 2014…, por që të duhet mjaft kohë po ta lexosh me vëmendje, madje një udhëtim i tërë si ato lundrimet e ngadalta të anijeve në kohët e largëta.

Kishte ca kohë që kishim arritur në Restorant “Dunavë”, në Gjilan, ku do të mbahej Manifestimi poetik “Trekëndëshi Poetik i Paqes” dhe pritej që çdo çast të arrinin poetë nga trevat mbarëshqiptare. Për pak çaste drejt tavolinës sonë, të vendosur pranë dritares, prej ku shiheshin pamje të mrekullueshme të natyrës, ishin drejtuar Agim Mato dhe Pandeli Koçi (Sazan Goliku), dy njerëz të mrekullueshëm, poetë të çmuar…., përderisa dëgjova zërin e Matos, me atë urtësinë që e shquan atë si njeri e krijues:

– Keni të fala nga Timoja!

– Faleminderit shumë, janë kujtime të bukura ato të “Takimit Poetik Jonian”, ia ktheva!

E pasi shkëmbyem ca fjalë mirësjelljeje, më ofroi një libër…

Sapo doli nga shtypi – më tha!

Po të hedhësh një vështrim mbi ballinën e librit “Lundrimet…” vë re që është vendosur një ilustrim tejet i thjeshtë…, por që të rikujton shprehjet: “E bukura fshihet në thjeshtësinë e gjërave, sikurse madhështia në vetë modestinë”. Në ca vija të thjeshta ilustrohet deti me dallgët e tij që përshkohen nga fluturime pulëbardhash…, pastaj varka në ardhje e vajtje, më shumë në vajtje mërgimtarësh, njerëzish me fate të mohuara dhe aty pranë një sy pulëbardhe ndoshta…, mbase ai Diell që nuk e braktisi kurrë shpresën për mbijetesë, as ëndrrën e poetit Agim Mato. As atëherë, kur ai i jetonte vitet më të errëta të jetës! Në brendi të vargjeve do të gjesh një inventar të tërë ballafaqimesh emocionale, si rishfaqje e ngarkesave shpirtërore dhe preokupimeve shoqërore. I këtillë është vëllimi më i ri poetik “Lundrimet”.

Në këtë vëllim vërtet e gjen atë zërin e thellë sa vetë thellësia e detit, e tok me zërin e poetit edhe mendimtarin a njeriun e vetëdijshëm për ecurinë e jetës, me tërë realitetin e hidhur, pse jo edhe të bukurën si perceptim?! Kahe këto, nëpër të cilat ditë për ditë rrjedh koha, jeta në Shqipëri, fati i shqiptarit mbetur si i ngujuar midis kohës dhe vendit, e që pavarësisht se si të trajton, nuk guxon ta braktisësh kurrë… Aty ke gjakun dhe erën e tokës që do.Nisma e librit na bën pjesë të një monologu ideo-përçues tejet të ndjeshëm për një kohë trazimesh emocionale, shprehur me atë të pakrahasueshmen metaforë “Detin”. Deti del një simbol shumë i qartë dhe me madhështinë e tij e përvetëson poetin: “Më mbuloje atëherë me shkumë/ dhe lëpija kripën tënde/ së bashku me lotët”… “Isha mësuar me shijen e tyre, mësuar me hidhërimet,/ të cilat më dukej se kurrë nuk do të më ndaheshin” (5). Një fat i përbotshëm ky, parë si dallgëzim detesh, që e trazon jetën dhe me vete bart të shumtat ëndrra.

Poeti, jep mesazhe jetike, me anë reflektimesh përsiatëse lirike të disa cikleve: “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti”, “Shtëpia ime prej deti”, “Kryqëzimi im”, “…Dhe prisje lejlekët”,  për ta përmbyllur te “Cikli i fundit”… Në to, ndihet se “ndryshimi duhet ndodhur këtu në këtë tokë”, jo gjetiu duke u vendstrehuar larg pulsimeve të këtij dheu. Ndonëse, dilemat bashkëjetojnë me ne, poeti sjell një dozë optimizmi, që edhe errësira të zbehet nga cazë dritë xixëllonjash: “Ti më pyete: ka ende xixëllonja tek atdheu ku rron” (27)… I këtillë është lundrimi shpirtëror i poetit Agim Mato.

Në poezi, vihet re po ai guxim krijues që i përmbush poetët e mëdhenj: Bodler, Alan Po, Lorka… që do t’i përvijonte shprehja: “frikë nuk pata më, se mos më dëgjonin të tjerët”. Këtu shpaloset shpirti poetik i një poeti të distancuar nga maniret dhe luksi i kohës… Po a nuk e pohon këtë vetëdijshëm vetë poeti, në përkufizimin titullor të ciklit -I “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti”, përderisa shkruan: “U frenua verbimi brenda meje/ dhe një puhizë e lehtë shprese/ filloi të shtyjë dy vela të bardha/ për të mbërritur në farin e vetmuar/ ku rroja si një eremit deti i harruar/ nga lutjet dhe blasfemitë e të tjerëve” (11)?! Me gjuhën e veçantë të shpirtit të krijuesit, ai e sfidon kohën “e lig”, sepse furtunat s’duhet qenë të përhershme me goditjet e tyre mbi jetën e akëcilit.

Në leximin e poezive të Matos, domosdo përfytyron një kritikë filozofike, ku ndërlidhen përvoja jetësore dhe ajo letrare, si pështjellime të hovit jetësor e letrar. Kjo filozofi, është si të thuash, dhe vetë nisma e strukturimit poetik që ndiqet më pas, jo vetëm nga individualiteti shpirtëror, por edhe nga raporti universal i vrojtimit mbi letërsinë dhe njohjen mbi artin. Diapazon i gjerë njohjesh dhe temash e përcjell atë.

Identifikimi i vërtetë i poetit, përkapet në strofën: “Ç’dramë? – të them unë. Pa shikomë,/ nuk të dukem si një pyll i djegur nga rrufetë e fatit/ A nuk e sheh se përditë mbledh hirin tim/ dhe ua hedh sërish shpresave për t’i rritur nga e para” (12). Si mesazh më vete, një hidhërim që ngërthen dhjetëra pyetje retorike, ndodhet në poezinë me titullin e njëjtë që përmban cikli i parë “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti” (16).

Gjakimi për qetësinë parajsore e bën poetin që të pyesë: “Kur do të lundrojë i qetë shpirti im?”, sado që poetët janë të butë në shpirt, por të rrufeshëm në fjalë, sikurse në vargun “A flasim për rreziqe?” ku poeti sajon këtë pyetje retorike, teksa unë po në këto vargje do kërkoja lidhjen e poetit me yjet, këtë dritë universale që nuk njeh shuarje si vetë Siriusi, megjithëse në zërin poetik sikur ndihet një drithërimë e llojit: “Planeti me dritë të zezë” – ku ndodhet?! Pse ndihej gjëmimi i Osumit, pse flurudhat mateshin me zogjtë?”. Përgjigja del vetvetiu. Sipas poetit, ajo vjen për një “Asgjë” vetëm. Çudi, shkruan poeti: “Si rroje kështu mes asgjësë…?! (24).

Një tjetër ndjesi e bën të veçantë emocionin dhe vargun e Matos: “Të thashë:/ ndihem si gjysmëperëndi/ nga përkujdesja,/ nga drita e syve të tu/ dhe tërë qenia jote!” Është ajo ndjesi që pëshpëritet nën hiret e magjisë së Erosit, mjafton një fije shprese, sado e vogël të jetë, për ta frymëzuar që të shkruajë: “Ti erdhe!/ Një himn oshëtiu brenda meje/ dhe bëri që Fenksi të ringjallej,/ të përplaste krahët, të shkundte hirin prej tyre/ dhe të kapte kuotat që pata dëshiruar” (29).  Po nga kjo magji, poeti lidh ura përjetimesh me përzierje ëndrrash: “Zotat deshën të ishim larg/ dhe derdhën energjitë mbi mua/ të ngre këtë urë qiellore të poezisë,/ që përshkëndit hapësirat deri te metropoli ku rron/… Vete e vjen ti nëpër atë urë drite/ ku bien gjethe hëne e luspa yjesh”. Janë vargje tejet të ndjeshme, ku arti gjen shkrirje në ndjenjën e poetit sikur vetë Zotat deshën të ngrenë po ata altarë poetikë. Po, jo gjatë, sepse para dashurive të mëdha poeti ndihet si “zog i tretur” (34) dhe ashtu i plogështuar shkruan: “Zëri yt u derdh si një shushurimë valësh./ Mund edhe të mos kishe ardhur/ dhe gjërat mund të kishin mbetur si më parë” (35).

Rikthimi i poetit te deti, “me një libër të vogël për mitet e udhëtarët e mëdhenj të detrave” arrihet përmes ciklit “Shtëpia ime prej deti”, në të cilin thuren me dhjetëra ëndrra perëndish, si: Tetis, Poseidon, Odiseu, Simbad Detari, Polifemi, Kolombi e Magelani…, e shumë të tjerë për të cilët deti ishte selia e ëndrrave të tyre.

Poeti i rritur në qytetin e vogël me palma, me bukonvile dhe shkallë që të shpien drejt detit njihte magjinë e mistereve, frymëmarrjen e pashterur të valëve dhe… ndiente se si Trëndafili i Erërave lulëzonte brenda tij. Bota e panjohur, anijet e lashta, kohërat…, ia mbushnin jetën plot bredhje të ëndërrta. Sigurisht, edhe kur ndeshte në “Varrezat e anijeve të mbytura” (53) dhe e pushtonte dhimbja, ishte sërish deti – magjia që e përmbushte shpirtërisht dhe ai thotë: “Jam biri i brigjeve të gjelbra, biri i rërës dhe i detit” (50).

Një kthjelltësi mendimi mbi dhembjen dhe sakrificën e gjen në ciklin “Kryqëzimi im”, ku me nota përjetimesh të dhimbshme shkruan për Kryqëzim – Gozhdimin në Golgota, kur: “…pikat e gjakut, ringjallja/ ishin një provë e vështirë,/ në kohën kur parimet klonoheshin me shiringat e ideologjive”. Një varg që të dhemb më shumë se një mal i tërë dhembjesh është: “Tej kryqit, tej vetmisë hamendësoja botën” (71). Distancimi i një bote të tërë ndodh atëkohë kur poeti mbetet në vetminë e drurit të kryqëzimit të tij.

Ky mohim shpirtëror, tok me mohimin e lirisë së ëndërruar i ndodhi poetit edhe atëherë kur trokiti në dyert e Komitetit Ekzekutiv për t’i kërkuar poezitë, një libër vetëm… e Ata qeshën me ironi dhe e dërguan në zyrën e Rekrutimit. Pra, kjo ishte bibla e vuajtjeve të poetit, 30 vjet i mohuar, pa lirinë e fjalës, pa librin e poezive, pa dinjitetin njerëzor, i lënë në harresë, i vetmuar mes një drite të verbër në majëmale mjegullash. E kur t’i ndëshkojnë ëndrrat dhe udhët, kush mund të të rinjohë vallë…, përpos nënës: “Nëna si një e verbër më hetonte mes cipës së lotëve,/ prekte mbresat e vuajtjeve, të çarat brenda meje,/ zërin e tjetërsuar nga kalvari i parë i jetës” (75)?!. Ikja nga kujtimet e tilla ishte çmallja me detin, meqë vetëm aty i mbushte zgavrat e zbrazura të shpirtit.

Lexues i devotshëm, Agim Mato nuk është poet i mesazheve të përcipta, andaj ndalo pak frymën mbi gjuhën poetiko – artistike të poemës “Spektakli i luleve”, për të njohur një fjalor të tërë mitologjik derdhur përmes fjalësh si grimca enciklopedike…, ndryshe nuk do të depërtosh kurrë në esencën e vargëzimit të Matos, nuk do të njohësh kurrë rigat e mallit të tij. Fjalët e tij janë si “lule radhiqe si bojë shkrimi, janë vula e një shpirti të ndjeshëm, teksa shkruan: “Ëndërrza të mia që çelni në hone…/ – ka kohë që nuk rroj më pranë jush…/ Më është rënduar hapi. Nuk ua shoqëroj dot si dikur/ spektaklin madhështor të ringjalljes biblike,/ nuk bares më në kopshtet e lulëzuara…” (85).

Sot, poeti nuk rron më pranë luleve…, ndonëse një avlëmend i tërë lulëkuqesh, luleshqerrash, manushaqesh, po aty edhe Ylli i Alpeve, Fillikatja e Pyjeve, Adonisi i Verës…, e sa e sa të tjera lule që vetëm i stolisin përmendoret prej bronzi të qyteteve. Për këto, për këto vetëm e zë meraku poetin…, “…për brishtësinë e linjave që e fisnikërojnë dheun,/ për bukurinë e heshtur…” (86).

Në ciklin “…Edhe prisje lejlekët”, do të pasqyrohet edhe një stinë vjeshte që nuk do të mungojë në përjetimet e poetit. “Në qiparisin e natës, me foletë e zbrazura të lejlekëve,/ lëkundej shalli yt ku sapo ishin vetvaruar ëndrrat” (89). Poezia e Matos krijohet nga thelbi i jetës, sepse në to gjendet epopeja, drama… Vargjet: “Të ecë në ty,/ qelqe ëndrrash më shpojnë tej e tej/ dhe unë e humb orientimin” (91). Asgjë nga këto nuk është e proftisur, por vetëm përjetime të vështira që i kanë pamundësuar poetit ta ëndërrojë të nesërmen. Atë vetëm se e shqetësonte morali qytetar dhe ideologjia e kohës, siç do të shprehej Françoise Sagan: “Ekziston një censurë ku dëshiron të japësh imazhin e vetes. Mirëpo shkrimtari është dikush që do të dijë. Ai e nis një rrëfenjë dhe ia ka ënda të mësojë se çka do të ngjasë të nesërmen…”

Kjo grishje e guximshme shpërfaqet në dy poezitë “Në vjeshtë, ndarja” dhe “Në pranverë, shpresa”, të cilat ngrihen si antiteza stinësh jetësore që vënë përballë kujtimin, dhimbjen, mëngjeset dhe buzëmbrëmjet e stërmbushura me mallin e pritjes e që pasohen nga dy poezi tjera: ”Trëndafil i hershëm” dhe Vajza e dashuruar”. Janë këto si pohim ndaj vetes se poeti e pranon se i vetmi moral të cilit i beson është bukuria, estetika… Mirëpo, tërë brishtësia e vargëzimit, për të sjellë një shpërqendrim të lexuesit nga dhimbja, më duket si gjë e pamundur, përderisa cikli përmbyllet me rapsodi të reja mbi një “Pranverë të asfiksuar”.

Në “Cikli i fundit” i gjejmë si në korpuse të gjera tematike: mitet, lashtësinë ilire, kulturat krahasuese, thjesht në poezinë e tij gjen Anatominë e kulturës së lashtë. Megjithëse, vihemi para dilemës se si duhet vepruar pas kësi përjetimesh…?!

Si mund t’u shmanget poeti gjëmave?!

Është vizion i poetit apo kërshëria e tij shprehur haptas me vargjet: “Erëra që s’kanë fryrë, ke, dheu im;/ udhë që s’janë shkelur/ pyetje që s’kanë lindur,/ dëshira që s’kanë mbirë” (Dheu im, 131). Dhe sërish rikthim, sërish pasiguri… për rrugën që duhet të bëjë Dheu im!

Agim Mato është nga ata poetë që rihap Un-in tonë kulturor dhe ideologjik, duke mos e kursyer simbolin për t’iu shmangur aludivitetit të kohëve të errëta, por na befasojnë këndshëm tani më, ndonëse të pritshme nga një poet erudit, veprat e përvitshme që botohen, të cilat janë si rezultat i rizbulimit të papiruseve të mendjes, të ndrydhura për 30 vjet në thellësitë shpirtërore të tij, i pati strehuar vargjet, si në një minierë ku ishte arkëzuar dashuria për artin letrar.

Ç’mbetet tjetër për të thënë, përpos se, ai poet që është i vendosur për të shkruar të vërtetën, nuk ka forcë që e ndalon, ai vetvetiu do ta ndiejë çastin vendimtar për të reflektuar mbi historitë e errëta…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok