20/04/2024

RIÇËRD GRENEL NË GRUPIN E RUSËVE TË DEKORUAR NGA VUÇIQI

0

Mos e komprometo Grenel, demokracinë amerikane!

Diplomatët perëndimorë që synojnë për Kosovën zgjidhje sipërfaqësore, të paqëndrueshme dhe të njëanshme, rrezikojnë të dekorohen nga Vuçiqi

Nga Xhelal Zejneli

Riçërd Grenel (Richard Allen Grenell, 1966- ) ka qenë politikan dhe diplomat amerikan, këshilltar për marrëdhënie me publikun. Në vitet 2018-2020, Greneli ka qenë ambasador i ShBA-së në Gjermani. Në shkurt të vitit 2020, presidenti Donald Tramp e emëroi atë ushtrues detyre të drejtorit të Shërbimit Kombëtar të Informimit, duke u bërë kështu i pari person gej* i qeverisë amerikane, i deklaruar publikisht. Në maj të vitit 2020 dha dorëheqje nga posti i lartpërmendur. Njihet si ish-emisar special i Uashingtonit për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si pjesë e administratës së presidentit Tramp ishte këshilltar special i tij për dialogun midis dy shteteve të sipërthëna.

Shënim: “Gej” është identiteti seksual i personave homoseksualë, kryesisht i meshkujve homoseksualë. Vjen nga fjala angleze “gay”, që do të thotë “fatlum”, “i hareshëm”, “i gëzuar”. Për herë të parë është shfaqur si term pas demonstratave Stonewall në vitin 1969.

*   *   *

Riçërd Grenel është cilësuar si një person me sjellje kontradiktore. Si ambasador i ShBa-A-së në Gjermani, i emëruar në vitin 2018, ndodhën disa skandale të mëdha. U shfaqën kërkesa që të shpallet “person i padëshiruar”.

Në këmbim të zgjidhjeve të shpejta dhe të sipërfaqshme, ishte i gatshëm të mbështesë autokratët siç është Vuçiqi. Një zgjidhje e tillë, e shpejtë dhe sipërfaqësore ishte Marrëveshja e Uashingtonit (2020).

Më 4 shtator 2020, kryeministri i Kosovës Abdulla Hoti (1976- ) dhe kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq (1970- ), në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, në prani të presidentit Donald Tramp nënshkruan marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

S’ka intervistë, prononcim apo deklaratë që ka të bëjë me Kosovën, ku ai nuk e sulmon Albin Kurtin. Ka raste kur e ka quajtur edhe fashist.

*   *   *

Më 15 shkurt 2023, me rastin e Ditës së Shtetësisë të Serbisë, kryetari i Serbisë, Vuçiq, dekoroi 159 vetë. Midis tyre edhe Grenelin, “për merita të theksuara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqedashës dhe të marrëdhënieve miqësore midis Serbisë dhe ShBA-së”, me “Urdhrin e Flamurit Serb të Shkallës së Parë”.

Lidhur me dekoratën e sipërthënë, Greneli shkroi në Twitter: “I falënderohem kryetarit të Serbisë Aleksandër Vuçiqit, tërë Qeverisë së Serbisë dhe popullit të Serbisë për këtë mirënjohje të madhe. Sot e kam marrë respektin më të madh – Urdhrin e Flamurit Serb të Shkallës së Parë”.

Greneli është i pari amerikan të cilit i jepet kjo dekoratë e Serbisë. Para tij, me këtë dekoratë janë dekoruar kryesisht rusët, si politikani rus, Ministër i Mbrojtjes i Federatës Ruse, gjenerali Sergej Shojg (Sergei Shoigu, 1955- ), ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov (1950- ), shefi i Misionit të Rusisë në OKB, ambasadori Vitalij Çurkin (Moskë, 1952-  2017, New York – Presbyterian, ShBA) dhe të tjerë.

*   *   *

Ndarja e dekoratave personave të sipërthënë nga Vuçiqi paraqet jopolitikë ndërkombëtare. Kjo është karakteristike për autokratët dhe për populistët siç është Vuçiqi, që në afat të gjatë i shkakton dëm demokracisë dhe sistemit të vlerave të bazuar në demokraci.

Dekoratat rëndom ndahen pas betejës. Vuçiqi i ndan ato para përfundimit të saj. Kjo tregon se për të, “lufta” për Kosovën ka marrë fund.

Si çdo diktator, tiran dhe despot që ndodhet para fundit të sundimit të vet, edhe Vuçiqi ndan dekorata me thasë, madje pa kurrfarë kriteri racional. I vetmi kriter i tij është që personi i dekoruar të ketë mbrojtur hegjemoninë dhe ekspansionin serb në rajon, të ketë mbrojtur politikën serbe, pavarësisht nga fakti se kemi të bëjmë me një politikë që buron nga një ideologji serbomadhe, retrograde, anakronike, jodemokratike dhe antihistorike.

Duke qenë mbajtës i dekoratës serbe, përkatësisht serbomadhe, dyert e Kosovës për Riçërd Grenelin do të jenë të mbyllura.

Grenel! Ndodhesh në grupin e rusëve të dekoruar – Sergei Shojgut, Sergej Lavrovit dhe të Vitalij Çurkinit. Në të bën nder kjo, gjyko vetë! Je dekoruar nga një autokrat dhe diktator, i cili në fillim të viteve ’90 të shekullit XX i ngjiste nëpër mure bilbordet e kriminelit të luftës Vojisllav Sheshel (1954- ).

Në pranverë të vitit 1998 Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit hyri në koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë të Sllobodan Millosheviqit dhe me Të Majtën e Bashkuar Jugosllave (JUL), që në praktikë e drejtonte gruaja e Millosheviqit – Mirjana “Mira” Markoviq (Pozharevac, Serbi, 1942 – 2019, Moskë). Koalicioni i sipërthënë e formoi qeverinë serbe.

Vuçiqi u emërua ministër i Informimit. Gjatë mandatit të tij u shkallëzua lufta çlirimtare e Kosovës. Mandati i tij karakterizohet nga një qëndrim tejet i ashpër ndaj opozitës. U miratuan ligje represive me të cilat synohej të pamundësohej dhe të vështirësohej puna e mediumeve opozitare. Me fjalë të tjera, si ministër i Informimit, zbatoi gjoba të larta ndaj gazetarëve, shkrimet e të cilëve ishin në kundërshti me politikën e regjimit të Millosheviqit, sidomos gjatë luftës në Kosovë.

Pas përfundimit të luftës së Kosovës, bashkë me kuadrot e tjerë të Partisë Radikale Serbe të Sheshelit, më 14 qershor 1999, Vuçiqi dha dorëheqje, por “për shkak të interesave kombëtarë” vazhdoi ta ushtrojë detyrën e ministrit deri në rënien e Millosheviqit, në vitin 2000.

*   *   *

Mos harro Grenel se në vitin 1999, vendi yt – ShBA-ja, bashkë me partnerët e tjerë perëndimorë, për të shmangur një katastrofë humanitare përmasash biblike, kanë ndërhyrë kundër makinerisë vrastare serbe. Personi që të ka dekoruar me dekoratën serbomadhe ndjek me përpikëri politikën e kasapit të rajonit.

Mos e komprometo Grenel, demokracinë amerikane!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok