Rexhep Lika, imami  që meriton respektin dhe nderimin më të lartë

0

Nga Gjekë Gjonaj

Vëllai im   imami  tashmë në pension Rexhep Lika, 81 vjeç,   është një person  shumë  i respektuar  jo vetëm në  Ulqin e Malësi, ku ka shërbyer si imam e kryeimampothuaj tërë jetën e tij, duke predikuar   fenë islame, duke pajtuar  njerëz e duke ndërtuar   ura të reja komunikimi e  bashkëpunimi , por edhe kudo  në treva tjera shqiptare. Ai është një njeri  i ditur dhe i aftë për komunikim. Është tolerant në diskutim, njohës i mirë i dijeve që burojnë nga Kurani i madhërishëm. Është hoxhë  që gëzon autorit nga brezi i vjetër, i mesëm dhe i ri. Ai është i afërt,  i dashur me njerëzit e të gjitha komuniteteve, i qeshur  dhe në shërbim të përhershëm të fesë. Të gjitha këto vlera njerëzore e fetare që i theksova për këtë njeri të dashur dhe të nderuar i kam dëgjuar nga popullata e Malësisë dhe e Ulqinit.

Në xhaminë  e Tuzit erdhi të punojë  në moshën 25 vjeçare pasi mbaroi   medresenë “Alauddin”në Prishtinë dhe dy viteve punë në xhaminë e Hysein-pashës në Plevla. Malësia për imamin e ri nga fshati Rashtishë i Komunës së Ulqinit  ishte vend i panjohur. Mirëpo, edhe pse në një mjedis të ri me një mentalitet krejtësisht tjetër nga ai që ishte  rritur dhe edukuar,  falë mirësisë, thjeshtësisë, butësisë, sinqeritetit dhe sjelljeve të tij shembullore,  jo vetëm se ambientohet  por edhe hynë në zemrat e malësorëve të besimit myslimanë dhe katolikë. Malësorët e kanë pranuar atë si  djalin e vetë, kurse ai i ka pranuar ata si vëllezërit e   tij.  Hoxha i ri, por i ditur e i dashur bashkëpunon ngushtë me prijësit fetarë në Kishën e Tuzit.  Vendos ura të ngushta komunikimi e bashkëpunimi fillimisht me  Patër  Gjergjin, fratin e Kishës së Tuzit e pastaj edhe me patër Dedën, priftin e Grudës e meshtarët e tjerë   në Malësi. Shoqërohet me ta vazhdimisht. Sidomos me patër Gjergjin ka qenë i pandarë. Kudo kanë shkuar bashkë. Në tubime të ndryshme. Në dasma,  gëzime  e vdekje. Në festa fetare,  nëpër fshatra fushore e malore të Malësisë, por kanë ndenjur shpesh  së bashku edhe  në kafene.   Po përmendim  një rast për të cilin është folur gjatë kohë  në Malësi. Derisa ishin ulur për të pirë kafe së bashku  imami Rexhep dhe patër Gjergji   një malësor u afrohet dhe u drejtohet  si me provokim:  “ Po çka dreqin ashtë kjo punë djalë?  Ju rrini e pini kafe bashkë  e na duemm’uhagërnjani me tjetrin ! “ Të urtit  pinë kafe bashkë, kurse budallenjtë  rrihen mes veti-  iu përgjigj me urtësi patër Gjergji”. Këta të dy prijës fetarë  vërtetë  kanë  qenë shembull model  i tolerancës dhe harmonisë  fetare mes shqiptarëve.   Rexhep Lika ka qenë hoxha i parë në Malësi i cili ka shkua në Kishën e Tuzit dhe të Grudës. Deri atëherë hoxhët nuk kanë shkuar në kishë.  Me këtë veprim të tij  ai theu  akullin dhe paragjykimin  tek popullata vendase se hoxha nuk  duhet të shkojë në kishë.  Rasti i parë ka ndodhur  në kohën kur Ambasadori i Selisë së Shenjtë  ka vizituar Kishën e Tuzit. Një malësore kur e shikon  hoxhën  Rexhep  se ka hyrë  në kishë pëshpëriti me zë: Na nimo o Zot! Edhe hoxha na ka ardhë në kishë!?  Rasti tjetër ka të bëjë me  pjesëmarrjen e tij në Kishën e Grudës , me rastin e  festës së Zojës së Grudës, si mysafirë i ftuar nga patër Deda. Këtë pritje, respekt e nderim, që i është bërë atij atë ditë  nga patër Deda dhe miqtë e tij të ftuar të tjerë  të të dy besimeve imami Rexhep Lika   e ka përmendur  kudo që   i është dhënë rasti.

Rexhep Lika aq ka qenë i dashur dhe i respektuar saqë e kanë ftuar në shtëpi   familjet më të njohura të kohës në Malësi  pa dallim feje. Në çdo familje malësore ka qenë i mirëseardhur dhe i mirëpritur.    Pa prezencën e tij dhe të patër Gjergjit nuk  ka pasur kënaqësi ( lezet)  ndeja e as bashkimi, thonë në Malësi . Ata u kanë dhënë  vlerën tubimeve. Pa ta  është ndjerë një mungesë e madhe në shoqëri.

Dëshira  e tij  ishte që të gjithë të kujdesemi maksimalisht që ta ruajmërespektin reciprok fetar, gjë të cilën edhe e arriti.   Gjithmonë është shprehur se ç’do kënd Zoti e ka lënë të lirë të besojë ose jo dhe se zgjedhja e vetë individit i jep përgjegjësi tek Zoti. Ai kurrë nuk e ka urryer një person nëse nuk është mysliman. “Secili fenë e  ka për vete. Është shumë mirë ku ka harmoni midis besimtarëve pavarësisht cilit besim i përkasin”, më thoshte  Rexhepi.

Përveç detyrave kryesore në xhami dhe  disa shërbime të tjera fetare, tradicionale, ai gjatë dy dekadave të punës dhe veprimtarisë së tij  shumë të suksesshme   në Tuz   ishte individ me ndikim shumë të madh në  Besëlidhjen e Malësisë, e cila u zhvillua më  28 qershor 1970.  Me predikimet e  tij në xhami  ndikoi në ndërgjegjësimin e malësorëve të besimit islamë  që të lidhin Besën për të ndaluar  njëherë e përgjithmonë  gjakmarrjen, këtë fenomen të  zi   për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.  Jo vetëm kaq,  por  ai  ishte pjesëmarrës  i Kuvendit të Burrave , i cili solli  këtë vendim historik, i cili sot  vlerësohet si një ngjarje e rëndësishme në historinë bashkëkohore të shqiptarëve në Mal të Zi.

Kontribut të rëndësishëm në aspektin kombëtar ai  ka dhënë edhe në periudhën e vështirë  të  regjimit komunist në shpjegimin  e  vëllezërve  tanë të besimit myslimanë që të mos e ngatërrojnë fenë me kombin.  Ai gjatë fushatës së regjistrimit të popullsisë,  që kishte organizuar shteti jugosllav, arriti t’i bind  besimtarët e vet, që  mos të bien viktimë e propagandës shtetërore   se të gjithë besimtarët e fesë islame duhet të deklarohen si  komb myslimanë.  S’do të harrohen kurrë fjalët e shenjta të  imamit Rexhep Likës  drejtuar besimtarëve të vet: “Shqiptarët nuk kanë nevojë  të mohojnë kombin e vet, për shkak  se i takojnë  besimit  islamë. Ne jemi të besimit myslimanë dhe duhet ta ruajmë fenë tonë. Por duhet ta dimë se jemi shqiptarë  dhe ashtu duhet gjithmonë të deklarohemi. Shqiptarë kemi lindur dhe shqiptarë do të vdesim. Ne duhet t’i themi bukës bukë, e jo ndryshe”.

Në të gjitha trevat shqiptare ky imam  që drejtoi lutjet  e besimtarëve në xhami ka lënë gjurmë të pashlyera  dhe do të përmendet për vepra të mira  me interes fetar e kombëtar.  Si rezultat i gjithë kësaj veprimtari të pasur dhe të suksesshme  në shërbim të Zotit dhe të  Kombit   para pak ditësh, saktësisht më 6 prill të këtij viti, ai u dekorua  nga Presidenca  e Republikës së Shqipërisë me titullin “ Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me rastin e 110-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.    Kjo është një mirënjohje më se e merituar për këtë interpretues të denjë të fesë islame, por edhe  të një  njeriu që u dallua me sjellje të veçantë të moralit dhe kulturës si refleksione  dëshmuese  këto të imamit  dhe nivelit të tij shpirtëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok