26/12/2024
Timo-Merkuri

Nga Timo Mërkuri

Kisha vendosur të mos u përgjigjem shkrimeve të F. Çaushit në lidhje me çertifikimin nga UNESCO të këngës polifonike me iso si kryevepër shpirtërore e njerëzimit: [“Albanian folk iso-poliphony” a Masterpiece of dhe Oral and Intagible Heritage of Humanitu] që e përkthyer në shqip do të thotë: “Polifonia popullore shqiptare me iso: një Kryevepër e Trashëgimisë Gojore dhe Jomateriale të Njerëzimit”  që në përdorimin e përditshëm quhet “iso-polifoni”duke nënkuptuar emërtimet e mëparëshme të saj si këngë vënçe, shumëzërrëshe, polifonike me iso ku përfshihen variantet e gjithë trevave ku lëëvrohet kjo këngë si Himara, Çamëria, Labëria, Skrapari, Zagoria Lunxhëria, Myzeqeja, Gramshi etj.

I-Dy janë arsyet pse pata marrë këtë vendim; e para është se ky sulm i tij gjasme prej atdhetari që i dhimbset vendi dhe kultura e popullit në thelb ka një “inat” vulgar personal ndaj  akademikut Tole, pse ai nuk e ka ftuar të jetë pjesë e grupit të punës të pregatitjes së dosjes për në UNESCO, sepse ai (sipas tij) e meritonte pë tre arsye:

-arsye të parë: – për origjinën e tij (F.Çaushit) nga vendi i polifonisë.

-arsye të dytë – ka punuar me këngën popullore mbi dyzet vjet, duke organizuar shumë koncerte polifonike, lëndën muzikore e ka mbledhur direkt në fshatrat dhe stanet e Labërisë, disa prej tyre i ka regjistruar në TVSH dhe i ka futur edhe në Teatrin e Operës dhe Baletit, Teatrin e Estradës, Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, në Korfuz, Janinë, Kozencë etj etj

– arsyeja e tretë – ai ka ngjitur në kalanë e Festivaleve Folklorike disa këngë cilësore të epikës dhe lirikës labe (sic). [Fitim Çaushi: “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare” Argjiro 2004 f. 140].

Në librin tim “Identiteti iso-polifonik” (Milosao 2018 f.31) duke ju përgjigjur autorit shkruaja:  “Duhet të kuptojmë dhe ka rëndësi të jashtëzako-nëshme që ta kuptojmë, se askush nuk ka mënjanuar njeri, askush nuk ka mohuar punën dhe kontributin disa vjeçar të njerëzve të kulturës popullore, askush nuk ka privatizuar dafinat e fitores. Kjo nuk është fitorja dhe suksesi i një individi të vetëm, ky nuk është suksesi i një brezi të vetëm. Ky është vlerësim për gjithë brezat shqiptarë në shekuj, për gjithë kombin shqiptar, sepse kënga është e gjithë kombit dhe jo e një individi. Emrat individualë nuk kanë asnjë rëndësi. Të gjithë ne shqiptarët jemi triumfatorë me këtë vlerësim që i bëri UNESCO këngës sonë iso-polifonike”.

Duke qënë se ky libër i imi ka një kapitull më vete replikë me autorin e

sipërcituar, ku i kam analizuar gjithë argumentat e tij të librit “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare”, çdo replikë tjetër do ishte një përsëritje dhe ripërsëritje e argumentave dhe kundërargumentave të shtruara, ashtu siç ndodhi vërtet me librin e tij “Tri humoreska” (Edlora 2021) si dhe vijuesat.

Arsyeja e dytë është etike: autori i librit “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare ” shkruan me një fjalor vulgar, që të neverit leximin, qoftë ky libër “studimor” apo artikull i publikuar në median e shkruar. Përdorimi i një fjalori mbushur me epitete fyese personale, me të cilat autori ndoshta kujton se  lartësohet si kritizer, por që në fakt e përbalt atë vetë dhe e shndron në një baltovinë gjithë shkrimin e tij. Sa për të kuptuar densitetin e epiteteve fyese me karakter personal, mjafton tju them se shkrimi i sipërcituar prej  pesë faqesh kompjuterike ka dyzete e kater epitete të tilla fyese pranë emrave të personave të ndryshëm.

Për të mbuluar efektin baltosës të  kësaj gjuhe vulgare, i shoqëron shkrimet me fraza plot përbetime atdhetarie në mbrojtje të artit dhe kulturës nga shovenistët jugorë etj, por paraqitja e tij si një nacionalist  na kujton vetëm thënien e Oscar Ëilde se: “Nacionalizmi është streha e fundit e batakçinjve”. Unë personalisht gjithmon synoj që të hyj në debate intelektuale me “kundër-shtarë” debatues që janë më lart se unë në dijet shkencore, pse nga debate me ‘ta mund të përfitohet, por në një debat me argumenta dhe fjalor vulgar, jo vetëm që nuk ke se çtë mësosh, por rrezikon të biesh në baltovinën e tyre dhe të përbaltesh më kot.

 

II- Shkrimi i tij “Sejmenët e beut të iso-polifonisë, në veprim” publikuar te Gazeta Shqiptare e datës 17 prill 2023 me revoltoi së tepërmi dhe kam disa ditë që po u shmangem sugjerimeve për zgjidhje ligjore. Në këtë artikull autori  fyen me fjalorin më të ulët si: (pseudoartisti Tole, Tole ndërsen sejmentët, këta mercenarë..mediokër, vërsulen si taborë jeniçerësh, lehjeve të këtyre mercenarëve, sa qesharak bëhen këta mjeranë të ndërsyer për beteja donkishoteske, mercenar Mihali, Niko mercenarit, sejmenët e beut, hora të tillë, more matrapaz i grupeve folklorike, megalloman me trurin bosh, krijimtarinë dështake të x etj) , fjalor i pa pranueshëm i cili ka vetëm një synim, provokimin e të fyerve gjer në ekstrem. Ky fjalor është i zakonshëm për atë, madje ai nuk di të shkruaj ndryshe veçse duke përdorur e sajuar epitete fyese ndaj personit që debaton, duke synuar që ta tërheqë “kundërshtarin në mendime”në baltovinën e llogjikës së tij dhe këtë e bën me zë të lartë. Në këtë rast nuk di si mu kujtua një varg i poetit Ymer Nurka “Zëri yt më vjen si lehje”, të cilin u përpoqa ta largoja sa më shpejt nga kujtesa, sepse doja të mirësha me lehjen (më falni ) me epitetet e lehësit (prapë më falni tani dhe në ndonjë rast tjetër që të më ketë shpëtuar dora) autorit të shkrimit.Unë e kuptoj dhe më vjen keq për ‘të, pse ai me fjalorin e tij në artikujt dhe librat që boton  tregon kulturën e tij të mangët dhe edukatën mjerane që ka marë nga familja, por unë nuk e pëlqej shkeljen e etikës qytetare nga  Gazeta Shqiptare me publikimin e shkrimeve të tilla.

Të ky shkrim ka edhe një citim extra për mua ku shkruan: “ekonomisti teoricien Timo Këmbaci”, duke kujtuar se më poshtëron me epitetin e tij fyes “këmbaci”. Më lejoni të sqaroj lexuesit që nuk më kanë njohur personalisht: Unë jam diplomuar për financë dhe quhem Timo Mërkuri, por mqse kam një problem shëndetsor te gjuri i këmbës i cili që më vështirëson ecjen, lehësi ynë ( më falni), patrioti ynë e quan të drejtë të më cilësojë me një epitet fyes, pse mendon se duke më tjetërsuar mbiemrin e vendos veten më lart se unë moralisht.  Gabohet si gjithmon, unë i kujtoj se mbiemri im është shumë më i bukur se mbiemri i tij, është mbiemër shqiptar, i cili dëshmon identitetin dhe origjinën time, flet për një biografi qëndrese ndaj pushtuesve  osman dhe për  një origjinë fisnikërie shqiptare, çka më jep të drejtën  të flas me krenari për sheshbetejat ku kanë luftuar të parët e mi. Unë nuk di ç’mund të tregojë mbiemri i autorit, se ajo që “lexoj” unë nuk është aq entusiazte?

Unë nuk do ti përgjigjem autorit me të njëjtin nivel fjalori, pse sipas edukatës dhe kulturës sime dhe duke perifrazuar një poezi të poetit Arben Duka them se: “mua, duke ecur në rrugë mund të më kafshojë ndonjë qen rrugësh, por unë nuk do shndrohem në qen që ta kafshoj atë”. Është detyra e bashkisë që të vrasë apo grumbullojë qentë rrugaçë, që këto kohët e fundit janë bërë shumë lehës dhe besdisës për qytetarët. Unë kam detyrë vetëm ti paguaj  në rregull taksat e bashkisë.

III-Përsa u përket akuzave  që bëhen te shkrimi  mësipërm, po ju sqaroj se autori gabohet qysh në termat që përdor në titull: kënga jonë vënçe (polifonike me iso, shumëzërrëshe etj) nuk i njeh “bejlerët” dhe “çaushët” dhe në asnjë varg të saj nuk i lartëson e përjetëson ata. Arsyeja është shumë e thjeshtë, kënga jonë vënçe është shumë më e herëshme se ardhja dhe krijimi i kastës së bejlerëve dhe shërbëtorëve të tyre, çaushët dhe se ata erdhën me aradhat pushtuese, me urë të ndezur në dorë për të djegur edhe këngën tonë. Unë jam nga Piluri i Himarës, lindur e ritur në Sarandë dhe nuk kam patur mundësi të mësoj turqishten, por në fjalorët tanë kam mësuar se: “Bej” është titull i vjetër turk për qeveritarin e një krahine dhe më pas titull fisnikërie më i ulët se i pashait, “çaush” quhej një nënoficer pranë një oficeri të lartë ose një komandanti për të kryer detyra të ndryshme, psh çaushët ngrinin çadrat. Pra një tip Sanço Pança.

Fjalori i shkrimit plot epitete fyese është pasojë e një kulture pushtuesi turk, fjalor zënkash mejhanesh dhe jo debat intelektual, aq më tepër kur i adresohet një akademiku të suksesshëm. Autori shkruan: “partiturat e veprave muzikore të A. P., peshojnë më shumë se sa N.M. dhe V.T. së bashku” duke manife-stuar kështu konceptin turkoshak të matjes së kulturës me okë.

Frazës që autori shkruan se: “As N. dhe as sejmenët e tjerë të T., nuk e kanë aftësinë kulturore të vlerësojë faktet dhe argumentet që janë trajtuar në simpozium” unë do ti drejtohesha me pyetjen: Cilat fakte dhe cilat argumenta? Sajesat tuaja që u shpallën si zbulime të veprimtarisë të grupeve armiqësore në kulture, letërsi dhe art, të cilave ju dhanë disa përgjigje? Ju kemi adresuar disa shkrime, pse me ju do miremi gjithë ditën? Të tjerë punojmë, ju rrënkoni me ëh, ëh dhe ankoheni që u lodhët e “s’ju paguam”sa duhet. Po ju risqarojmë dhe njëherë, të tjerët punojnë dhe i sjellin atdheut çertifikime me kurorë mbretëreshe mbi krye, ju ja bëni ëh e ëh duke u përpjekur tja hiqni atë kurorë nga kryet mbretëreshës sonë, këngës polifonike me iso.

Autori leh e thotë: “tjetërsimet antikombëtare; prejardhjen e polifonisë shqiptare nga sirenat greke…”. Ky jo vetëm që leh, por edhe për të lehur nuk di, pse këtë tezë, këtë teori, së pari e ka sajuar, e ka lehur vetë ai, sepse askund nuk është shkruar kjo nga akademiku jo e jo, por as nga ndonjë autor tjetër shqiptar kjo origjinë e këngës sonë iso-polifonike nga sirenat. Kjo nuk gjendet në asnjë shkresë, në asnjë formulim teorik, në asnjë literature, në asnjë dokument shtetëror. Kjo është  vetëm në .. mëndjen e tij dhe e ka lehur, (ndjesë) shpërndarë si zbulim. Përvoja tregon se ky lehës, autor sajon fraza e shprehje të tipit: “bizantin isosi”, përkthen gabim nga anglishtja fraza dhe shprehje (si vetë teksti i çertifikatës së UNESCO-s, apo shprehjen “The term iso is related to the ison of Byzantine church music and refers to the drone accompanying polyphonic singing” e cila “është një shpjegim për emrin shkencor të kësaj forme të kënduari, dhe nuk ka lidhje me me origjinën e formës vetë” (A. Vehbiu) dhe duke e interpretuar sikur aty bëhet fjalë për origjinën e iso-s apo të këngës me iso, ngre “alarmin” për zbulimin e “agjentëve” në shërbim të të huajve, madje kjo gafë e tij, vihet në qendër të punimeve të një farë simpoziumi, i cili për të miratuar rezolutën e tij kërkon firma me tellall “nëpër fshat” e me mesazhe celulari. Autori i mësipërm nuk e di që akuzuesi ka barrën e provës së fakteve: paraqitni dokumentin ku është pasqyruar “origjina e këngës sonë polifonike me iso” nga sirenat greke, në rast të kundërt ju sugjeroj të mos rreni më, pse populli thotë që “rrena nuk mbulohet me fjalë”.

Akuzat e pa mbështetura me prova quhen thjeshtë shpifje dhe artikull shkruesi mer statusin e një shpifësi të rrëndomtë, por mqse kjo shpifje ka natyrën e një fyerje dhe kjo fyerje bëhet publike, në një shoqëri demokratike ajo trajtohet si një vepër penale. Autori ka shpëtuar gjer më sot sepse: mqse e njohin të tërë, askush nuk e mer seriozisht.

Artikullshkruesi leh si fakt të një “tradhëtie kombëtare”, madje zbulon një grup tradhëtarësh kur citon:”sejmenët e tij pranojnë, se kufiri jugor midis Shqipërisë dhe Gërqisë fillon në “Qafë Botë” por harron të na japë dokumentat e deklarimit të kësaj tradhëtie, pse nuk është në gjëndje të dallojë ndryshimin e termit “kufiri shtetëror” dhe “kufirin etnokulturor”.

Unë nuk e kuptova frazën e lehur se: “Sejmenët e beut të “isopolifonisë mohojnë veprën monumentale të akademikut Pëllumb Xhufi” sepse emri dhe vepra e tij e nderuar prej meje nuk më ka dalur përpara në asnjë rast te ky debat.  Po ashtu më bëri përshtypje te artikulli i mësipërm fraza : “ .x.. nuk krahasohet as me Mjeshtrin e Madh Bajram Lapi..” të cilin unë nuk e njoh personalisht, por mu kujtua se në një intervitë në radio zotëria kishte thënë tekstualisht se: ”..në vitin 1600 Bah kishte ardhur në Vlorë, ku kishte dëgjuar ..këngë (labe), në një kohë që në atë vit (1600) nuk kishte lindur as babai i kompozitorit të famshëm, pse i shkreti Bah [Johann Sebastian Bach (21 March 1685- 28 July 1750) shën. im. T.M.)] do lindte vetëm pas …85 vjetësh dhe asnjëherë në jetën e tij nuk do vinte në Shqipëri, madje unë dyshoj nqse e kishte dëgjuar ndonjëherë emrin e vendit tonë.

Për sa më sipër të gjitha sa shkruan autori, nuk di pse më vijnë në vesh si…”lehje”. Sigurisht për “faj” të poetit Ymer Nurka, por mos u mërzitni se do merrem përsëri me këtë lehës. Kur shejtani fle, çpate që e zgjove?

Sarandë, më 25 prill 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok