REFLEKTIMI I GJASHTË PIKAVE TË KRYEMINISTRIT KURTI PËR NJË ZGJIDHJE TË PRANUESHME TË “ZAJEDNICËS” SË IMPONUAR NJË ETNIKE
Nga Ryzhdi Baloku
Qëllimi i këtij shkrimi është që kërkesës së Serbisë për implementimin e “Zajednicës” së imponuar një – etnike të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, i bashkërenduar me presionin diplomatik ndërkombëtar të këtyre ditëve, e veçanërisht nga përfaqësuesi i SHBA-së, z.Eskobar, t’i bëhet një vështrim i mirëfilltë kundruall gjashtë pikave të propozuara nga Kryeministri Albin Kurti, për zgjidhjen e një rruge të pranueshme, e cila nuk do të binte ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Në këtë kontekst, do të përpiqem që me një qasje të përgjegjshme ta shpalos çështjen e parashtruar lidhur me këtë temë, me qëllim që të kontribuohet në një përgjigje të favorshme, të cilën duhet ta marrë parasysh pala kosovare.
Siç dihet, pas miratimit të rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2010, të cilën e kishin sponsorizuar 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian, për çfarë kishte kontribuuar mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se “Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqiste shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, në vitin 2011 nisen bisedimet teknike me Serbinë, qëllimi i të cilave ishte që ta bënin sa më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve, pra hapja e temave rreth normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Pala kosovare pati mundësi asokohe t’u shmangej çështjeve problematike që mund t’i hapnin telashe, nëse do t’iu kishte paraprirë me iniciativa të cilat do ta çonin në favorin e saj. Për shembull:
– Implementimi i një marrëveshjeje paqe, me të cilën Serbia do të obligohej t’ia paguante Kosovës reparacionet e luftës.
– Të insistojë që Serbia t’ia dorëzojë Kosovës hartat identifikuese të varrezave masive, në të cilat janë groposur dhe fshehur kufomat e popullatës së ekzekutuar shqiptare nga forcat serbe.
– Të kërkojë që Kosova mos të figurojë si territor i saj në Preambulën e Kushtetutës së Serbisë.
– Kërkesat e palëve të shtrohen në tryezën e bisedimeve sipas parimit të reciprocitetit etj.
Këto gjëra është dashur t’i ketë parasysh pala kosovare, në mënyrë që mos t’iu lihej hapësirë për manovrim, sepse siç thotë Faik Konica: “”Hapja derën një serbi dhe ditën tjetër ai do të kërkojë gjysmën e shtëpisë tuaj si të drejtën e tij, ndërsa të pasnesërmen ai do të përpiqet të të flakë jashtë nga dritarja e shtëpisë sate, sikur je ti ai që ke hyrë me zor”.
Tani, pos problemeve me Asociacionin, pala kosovare po vazhdon t’ia vështirësojë vetës situatën politike në këto momente me jo-unitet mes opozitës dhe pozitës, klimë kjo që po ia mundëson Serbisë “të çojë ujë në mullirin e saj”.
Duke pasur parasysh se Pavarësia e Kosovës me planin e Ahtisarit është shpallur shtet multi-etnik, e që po ashtu edhe kompetencat për një mori çështjesh janë bartur në pushtetin lokal, tregon vetvetiu se themelimi i Bashkësisë një etnike të komunave me shumicë serbe, do t’ia vështirësonte Kosovës edhe më shumë funksionimin normal.
Projekt propozimi për themelimin e këtij Asociacioni qe nisur në vitin 2013, të cilin pala kosovare e kishte nënshkruar dhe pastaj edhe miratuar në Kuvendin e Kosovës me 2015. Mirëpo siç dihet, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se dokumenti i cekur binte ndesh me Kushtetutën e Kosovës në 23 dispozita. Ky fakt tregon se sa i rrezikshëm mund të ishte implementimi i tij në atë formë siç ishte.
Këtë pretendim vdekjeprurës për Kosovën, kohë më parë na zbuloi më së miri lideri nacionalist i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, i cili kishte deklaruar: “Nëse themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, si një mekanizëm që do t’u jepte serbëve më shumë të drejta dhe garanci shtesë, një ditë do t’i ngjajë entitetit serb të Republikës Serbe në BeH”, transmeton mediumi boshnjak “Klix”.
Hallet e Serbisë nuk janë të drejtat e minoritetit serb në Kosovë, ngase nuk ka në botë që një popullatë prej 3%, të përfaqësohet në institucionet e një vendi me mbi 10%, siç i parasheh Kushtetuta e Kosovës, për vendet e rezervuara të deputetëve serbë në Kuvend, e cila është hartuar mbi bazën e planit të Ahtisarit, e në anën tjetër në Serbi të zhvillohet çeltas një politikë diskriminuese, e paparë ndaj pakicave kombëtare, e veçanërisht ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjes e Bujanocit. Andaj, profesori dhe analisti amerikan Daniel Server me të drejt pyet: “Ku është Asociacioni i komunave me shumicë shqiptare brenda Serbisë” ?!
Është e qartë se e gjithë kjo luftë e Serbisë ka për qëllim shndërrimin e Kosovës në shtet jofunksional dhe përvetësimin e resurseve ekonomike, përmes këtij minoriteti, përfshi këtu Trepçën dhe Ujmanin.
Bashkësia Ndërkombëtare duhet ta dijë se Serbia me ndihmën e Rusisë i ka hedhur themelet e shtetit të tyre në tokat shqiptare. Veç kësaj, shqiptarët ortodoksë, apo thënë ndryshe “shkijet”, u serbizuan nga murgjit rusë e serbë që në Kosovë i solli Rusia në bashkëpunim me pushtetin Osman.
Sa i përket shqiptarëve, mund te themi lirisht se është populli më pro-Amerikan në botë. Po ashtu, kosovarët e çmojnë thellësisht intervenimin e NATO-s në vitin 1999, i cili e çoi Kosovën drejt pavarësisë, dhe njëkohësisht u janë shumë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin e dhënë në koordinimin e njohjeve të bashkësisë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës. Megjithëkëtë, çuditërisht, më herët përfaqësuesit e SHBA-së, z.Grenell dhe tash z.Eskobar, me ata të Bashkësisë Evropiane, z.Lajçak dhe z.Borel, insistojnë dhe i përkrahin iniciativat e Presidentit të Serbisë, z.Aleksandar Vuçiq, përkundër faktit që gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë ai pat deklaruar: “Për një serb të vetëm do t’i vrasim njëqind myslimanë”, mu siç vepronin nazistët gjatë Luftë së Dytë Botërore.
Pos kësaj, Vuçiqi edhe tash po e përkrah politikën pushtuese të Putinit ndaj Ukrainës. Madje, mercenarët e këtij shteti, po e ndihmojnë armatën e Federatës Ruse në këtë agresion.
Në anën tjetër, për t’iu shmangur tendencës së Serbisë që përmes Bashkësisë së komunave me shumicë serbe të bëhet Bosnjëzimi i Kosovës, në takimin e Brukselit të dt.18.08.2022, Kryeministri Albin Kurti e kishte propozuar kornizën e kapitujve të cilat duhej t’i përmbante marrëveshja:
– Kapitulli i parë do të duhej ta definonte njohjen reciproke dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
– Kapitulli i dytë duhet ta trajtonte ballafaqimin me të kaluarën, ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, dëmet materiale, kthimi i dokumentacioneve etj.
– Kapitulli i tretë duhet t’i trajtonte liritë e dala nga procesi i Berlinit, si: liria e kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.
– Kapitulli i katërt duhet t’i trajtonte të drejtat e pakicave, serbëve në Kosovë dhe ato të shqiptarëve në Serbi.
– Kapitulli i pestë duhet t’i shqyrtonte se sa marrëveshje janë pranuar dhe cilat duhet të vazhdojnë që të implementohen.
– Kapitulli i gjashtë duhet t’i vendosë qartë mekanizmat për zbatimin e marrëveshjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale.
Për t’u mbrojtur nga presioni i vazhdueshëm i përfaqësuesit të SHBA-së, z.Eskobar, për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti iu është përgjigjur me një ekspoze në Kuvendin e Kosovës me dt.02.02.2023, ku njëherazi i njoftoi deputetët dhe opinionin e gjerë me gjashtë pikat, me të cilat mund të ecej para në procesin për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë. Ato janë:
- Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
- Asociacioni nuk mund të jetë mono-etnik, duhet ta ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale.
- Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe t’i marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
- Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri duhet të shuhen dhe të bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
- Asociacioni duhet me qenë pjesë e marrëveshjes finale dhe të zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
- Presidenti i Serbisë duhet t’i tërheqë letrat e dërguara të pesë shtetet anëtare të Bashkësisë Evropiane, dhe te të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimit Evropian, që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit të vitit 2013.
Pas shpalosjes së gjashtë pikave të Kryeministrit Kurti para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, që u transmetua drejtpërdrejt nga TV i Kosovës dhe mjetet tjera të informimit, u prononcua edhe ambasadori i ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, z.Hovenier, i cili tha: SHBA-të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën, porse qeveria e saj duhet të përmbushë obligimin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. SHBA-të nuk do të lejojnë që përmes Asociacionit, në Kosovë të krijohet një “Republika Serbska” …
Ky proces mund të përmbyllet nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i përkrahin të gjashtë pikat e propozuara të Kryeministrit Albin Kurti drejtuar Kuvendit të Kosovës, përfshirë këtu edhe pjesën nga pika 2 e propozimit për ri-emërtimin e “Zajednicës” si: “Asociacion i Komunave me interes të përbashkët” (propozim i autorit të këtij shkrimi), apo diç të ngjashme, e jo si “Asociacion (një etnik) i Komunave me shumicë serbe”, i cili na asocion në segregacionin e shkollave të Kosovës së viteve të nëntëdhjeta nga koha e Millosheviqit.
Me format e propozimeve të prezantuara në këtë shkrim, mund të përmbyllet çështja e parashtruar e “Zajednicës”, e cila paraqet një shqetësim karshi funksionimit normal të shtetësisë së Kosovës.
Si përfundim mund të themi, që në shenjë të mirënjohjes ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shteteve Perëndimore dhe NATO-s si aleate e UÇK-së në luftë kundër forcave të armatosura të Serbisë gjatë vitit 1999, udhëheqja e Kosovës duhet të kujdeset gjithnjë që ta ruajë dhe kultivojë miqësinë e përhershme me SHBA-të si dhe të angazhohet pareshtur për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.