22/12/2024

REFLEKTIME: PËRTEJ “VJEDHJES” SË NJË BUSTI

0
u6_Gjecovi-busti-vjedhur

Nga Prend BUZHALA

Në medie u dha lajmi: “Është vjedhur busti i At Shtjefën Gjeçovit në Zllakuqan të Klinës.”

“Është vjedhur…”

Kjo është sintagma vlerësuese e medieve. Dhe po i përmbahem, me pak reflektime, këtij vlerësimi mediatik…

1.

“Vjedhja…” është sinonim i shumëçkaje tjetër në Kosovë…

Kur vidhet shteti, pse të mos vidhen buste?

Punë e madhe pse vidhet e plaçkitet shteti: atë duhet shkatërruar sa më parë!

Nuk po hymë andej: kush ka përfituar në Kosovë, në emër të harxhimeve financiare për bustet e përmendoret, Aty është derdhur paraja e popullit. E njerëzve vullnetmirë.

A thua, “vjedhja” ka të bëjë me ndonjë biznes, se për biznes shitet shpirti lehtë… ndonjë “haramxhi” mund të thotë: “Paj, po më duhet hekuri për ta shitur me kilogram në tregun e hekurishteve, pale e fitoj ndonjë cent”!

Vetëm aty ku ka shqiptarë, nuk ka trena të rregullt (sepse masivisht u vodhën shinat e hekurudhave…për t’u shitur me kilogram)! Punë e madhe pse shqiptarët nuk kanë trena… ata duhet shkatërruar!

Kështu janë shitur krejt hekurishtet e fabrikave të Kosovës. Është shitur krejt shpirti prodhues i Kosovës.

Le të mbesë populli pa punë, le ta thyejë qafën jashtë Kosovës!

A mund të ndodhë që nesër ta vjedhin, bie fjala, bustin e Adem Jasharit?! Sepse i duhet “dikujt” për ta shitur në treg a në pazarin e zi!

Aty ku shitet gjithçka, për ta shkatërruar shpirtin prodhues të një kombi, aty ku vidhet gjithçka… aty ku mbëltohet e kultivohet mendësia e plaçkitjes, aty vdes edhe vetë njeriu e shpirti humanist!

Ndoshta “ndonjë fëmijë” është frymëzuar nga video-lojërat, se si duhet plaçkitur “një thesar” e “një vepër arti”! Se “veprat e artit” kushtojnë shtrenjtë në tregun botëror, pardon, në “tregun e zi”!

2.

U tha në medie: se “vjedhja” është bërë nga një dorë “misterioze”!

A thua, vetëm ndër shqiptarë ndodhin këso “misteresh” kundër busteve!?

Nëse ndonjë Libër i Shenjtë (para Jezusit a pas tij, nuk ka rëndësi), nuk e pranon artin e skulpturës (që e quan si vepër “e djallit”); atëherë cila është djallëzia që paska bërë Gjeçovi?! Po skulptori që e gdhendi? Po pushteti lokal që e miratoi? Po nxënësit,arsimtarët e populli që e festuan Ditën e Tij? Pse u vra Gjeçovi për shkollën shqipe, për traditat shqiptare, pse ishte vetë në luftë kundër turqve e kundër serbëve?! Pse na e la monumentin e traditës sonë, “Kanunin…”?

Pse e gjurmoi trashëgiminë ilire dhe na e la testament me zbulimet e veta?

Mesazhi djallëzor i kthehet veprës së kryer “mistershëm”!

A është ky “edukimi” i shkollës sonë, i Librit të Shenjtë apo i një djallëzie tjetër, le ta vlerësojë dora “e misterit”!

Gjeçovi është aty, i gdhendur te zemrat shqiptare!

Nëse mesazhi i pasluftës (i dorës së “misterit”), prek bustet e, atëherë nuk është ky Atdheu i atyre që prekin buste.

E duan “një ATDHE” pa këto figura: ndoshta edhe do t’ia arrijnë qëllimit; por kurrë më nuk do të ketë komb shqiptar! As familje shqiptare! As gjuhë shqipe! As shkollë shqipe!

3.

Paslufta u karakterizua me ceremonialin e inaugurimit të shtatoreve e përmendoreve, busteve e veprave tjera skulpturore.

Inaugurimet e busteve ishin FESTË E VËRTETË QYTETARE. Një komb inauguron buste për figurat që i nderon. Festa bëhet për ta kujtuar veprën e jetën e një personaliteti a të një ngjarjeje që ka rëndësi për atë komb. Që përcjell një MESAZH TË MADH njerëzor a nacional, humanist a dituror, historik a civilizues. Nderohet një ambient shkollor, një shesh qyteti, një rrugë, një institucion. Ai ambient idebtifikohet e mishërohet me emblemën e vet civilizuese e trashëgimore.

Por Kosova e pasluftës ka shfaqur edhe një fenomen tjetër psiko-social: frikën, shqetësimet nga bustet e përmendoret! Ose mospajtimet! Ose dhe fyerjen e dëmtimin e tyre…

Përse frikë, mospajtim a shqetësim?!

Një palë vrapojnë, të shqetësuar: për ta ndërtuar një bust se mos po i rrëmbehet “hisja historike”.

Tjetra palë: është kundër sepse “po shitet” historia!

Ndoshta ndonjë i i ri, i frymëzuar nga ndonjë Libër i Shenjtë, mund të ketë thënë: adhurimi i skulpturave, është sakrilegj ndaj Perëndisë! Bustet duhet shembur! Sepse në BOTËN ARABE nuk ka përmendore e buste. Prandaj, nuk u dashka të ketë as BOTA SHQIPTARE! Të mos keqkuptohemi: pikërisht në botën arabe ka një art figurativ të mirëfilltë tradicional.

Por ja që BOTA SHQIPTARE “i adhuron” përmendoret e bustet. E do artin e skulpturës, e do që nga antika ilire. Paj, njerëzit dallohen nga BOTA SHTAZORE pikërisht pse njeriu është i prirur për art, dhunti nga natyra ( në daç edhe nga “ligjet hyjnore”): ka prirje për art!

A ka kombe pa arte?

A ka kombe pa shkrim e pa kulturë, pa këngë e pa buste?

Gjatë historisë njihen fushata të shkatërrimit të busteve, qoftë nga bashkësi vandale popujsh të egër (në lashtësi), qoftë nga ideologji totalitare. Por edhe ideologjitë totalitare i adhurojnë idhujt e vet, bustet e veta…

4.

Por dënimet erdhën nga qytetarët… shenjë se nuk është shkatërruar krejtësisht shpirti humanist e nacional.

Bustin e kishte punuar dora maestrale e Gani Bajraktarit (në foton që e prezantuam këtu), piktor nga Klina, që ka punuar edhe shumë përmendore e buste anembanë Kosovës: Agim Ramadani, Nëna Tereze, figura dëshmorësh…

Para luftës, së bashku me Gani Bajraktarin, Pal Canajn e intelektualë të tjerë, drejtonim Forumin e Intelektualëve Shqiptarë “Luigj Gurakuqi”. Ishim ndër organizatorë të sa e sa manifestimeve, pikërisht në Zllakuqan të Klinës, ku Gjeçovi më 1897 pati hapur shkollën shqipe. Manifestimet mbaheshin në ambientet e Kishës katolike, sepse në ambientet shkollore nuk lejonte këso manifestimesh regjimi serb… Vinin intelektualë të shquar shqiptarë, lexonin kumtesat e tyre. Shkolla e Zllakuqanit mori emrin e Gjeçovit, për emrin e të cilit u angazhua me mish e shpirt mësimdhënësi i kësaj shkolle, Mikel Gojani, i cili shkroi edhe një libër me vlerë të madhe dokumentare, me titullin “Mësonjëtorja e Zllakuqanit”, me bashkautorësi Pal Canajn. Ishte koha, kur një emri serb që mbante shkolla, t’i jepej emri meritor shqiptar.

Ishte një dekadë e tërë rezistence, rezistence edhe në arsim, kulturë e dije. Ajo kohë po merrte përmasa përvojash të reja historike, duke u fisnikëruar, rigjallëruar, rikuptimësuar.

Këtë ecje historike, rikuptimësimi e ripagëzimi historik, nuk mund ta ndalojë asnjë dorë bust-shkatërruese.

Historia është në anën e shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok