22/12/2024

RAPORTI I SIGURIMIT TË SHTETIT TË SERBISË PËR FADIL HOXHËN DHE FAMILJEN E TIJ

0
Adil-Fetahu

Nga Adil FETAHU

Policia sekrete në ish-Jugosllavi, e formuar qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore, me emërtime të ndryshme: OZN-a, UDB-a, ShSSh, KOS, etj, ishte një organizëm famëkeq i policisë që ka bërë kërdi në maltretimin,respresionin,dhunën,ndjekjen dhe likuidimin e njerëzve,brenda dhe jashtë Jugosllavisë. Dhunën e asaj policie e kanë përjetuar dhe pësuar më së tepërmi shqiptarët, prej vitit 1944/45 deri në vitin 1966, kur u shkarkua nga detyra e kryesuesit të atij Shërbimi krimineli e antishqiptari Aleksandar Rankoviq. Të njëjtin avaz kundër shqiptarëve ajo polici e vazhdoi edhe prej vitit 1981 e deri në mbarimin e luftës çlirimtare 1999. Shërbimi i Sigurimit të shtetit ka përcjellur aktivietin dhe veprimtarinë e pothuajse të gjitha personaliteteve udhëheqëse, prej kreut të shtetit e deri në nivelin më të ulët të organizimit, në të gjitha sferat e jetës politike,shtetërore, shoqërore, ekonomike dhe për secilin ka formuar dosje sekrete, të cilat i ka (keq)përdorur kur i janë nevojitur. Në bazë të dyshimit për të gjitha kuadrot shqiptare të çfarëdo niveli qofshin, një dosje të tillë e kishte formuar edhe për punën dhe aktivitetin e udhëheqësit më të lartë dhe më të njohur të Kosovës pas Luftës së Dytët Botërore, Fadil Hoxha dhe për anëtarët e familjes së tij.

Në raportet dhe dhe  nëanalizat e Sigurimit Shtetëror të Serbisë, theksohet se pas të gjitha aksioneve të “nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë” të pasluftës së Dytë Botërore dhe pas aktiviteteve të fshehta armiqësore nga këto pozita, gjendej grupi i kaudrovemë të larta të kombësisë shqiptare, sidomos ata të cilët gjatë luftës dhe pas luftës ishin këthyer nga Shqipëria dhe ishin bashkuar Lëvizjes nacional-çlirimtare në Kosovë. Aludimi i vlerësimit të tillë është i qartë; që të komprometojë udhëheqësit më të lartë dhe më të afirmuar nga radhët e shqiptarëve.

Nga raportet dhe analizat e Sigurimit Shtetëror, del se puna dhe aktiviteti i Fadil Hoxhës është përcjellur qysh prej këthimit të tij nga Shqipëria, në vitin 1941, me grupin e mësuesve që i kishte dërguar ministri i arsimit, Ernest Koliqi, për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë.Në raport thuhet se Fadil Hoxha ishte anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës dhe ato qëndrime të linjës së Partisë Komuniste të Shqipërisë i ka zbatuar në Kosovë gjatë dhe pas luftës. Në raport përmendet burgosja e Fadil Hoxhës nga regjimi fashist Italian, në vitin 1941 dhe 1942 dhe se në rrethana të pasqaruara arriti të ikë nga burgu. Për gjithçka që ndodhte në Kosovë dhe në Jugosllavi, Fadili e informonte Enver Hoxhën, duke u ankuar se nën pushtetin e ri, shqiptarët po vuajnë më keq se në Jugosllavinë e paraluftës. Fadili me Enverin ishin marrë vesh për mbajtjën e Konferencës su Bujanit dhe për Rezolutën e asaj Konference. Sipas raportit të Sigurimit Shtetëror, Fadil Hoxha e ka ditur se po përgatitet likuidimi i Milladin Popoviqit, pasi kishin humbur të gjitha shpresat për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por nuk ka dashur ta pengojë vrasjen.Vrasja e Milladinit është organizuar në kanalet e njëjta sikur u kapën dhe u pushkatuan Boro Vukmiroviqi e Ramiz Sadiku, të cilët ishin kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, thuhet në raport.Për të gjitha këto, Shërbimi i sigurimit kishte marrë vesh  nga ministri  i punëve të brendshme të Shqipërisë, Koci Xoxe, i cili e kishte informuar përfaqësuesin e Jugosllavisë në Shqipëri, Spasoje Gjakoviqin, dhe në vitin 1948,pas Rezolutës së Informbyrosë.

Fadilin e kishte dënuar PKJ në vitin 1956, për shkak të kundërshtimit të tij për aksionin e mbledhjës së armëve, si presionin më dramatik kundër popullit shqiptar në Kosovë. Pas Plenumit IV të PKJ, në të cilin u gjykuan deformimet e Sigurimit të Shtetit me nëkrye Aleksandar Rankoviqin, sulmet dhe gjykimet që bënte Fadil Hoxha kundër atij Shërbimi  krijuan kushtet për majorizimin dhe zhvillimin e nacionalizmit dhe irredentizmit  shqiptar në Kosovë, thuhet në analizën e Shërbimit të Sigurimit.

Në pjesën ku bënë fjalë për aksionin e mbledhjës së armëve në Kosovë, raporti jepë këto shënime: se janë mbledhur 11.522 pushkë; 10.004 revole; 4.400 bomba; 434 shmajzera; 260 pushkomitraleza; 53 mitraleza etj,etj, të cilat do t’i shfrytëzonin shqiptarët për organizimin e kryengritjës me qëllim të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Pas 1966, veçmas pas 1968, pasi ishte çliruar nga tutorizmi i kuadrove serbe e malazeze,  Fadil Hoxha u bë udhëheqësi dhe prijësi i parë i nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Prej atëherë, vet dhe përmes njerëzve të tij, ka mbajtur të gjithë frenat e lojës së komplikuar e cila shpie kah mvetësia më e madhe e Kosovës, arritja e statusit të republikës dhe së fundi bashkimit me Shqipërinë.Në vitin 1968, në procesin e ndryshimeve kushtetuese u kërkua haptas Kosova Republikë, kur Fadil Hoxha ishte kryetar i Komisionit Kushtetues të Kosovës. Çështjet më kontestuese asokohe ishin: statusi juridik i Kosovës;  çështja e vetëvendosjës deri në shkëputje; pjesëmarrja e pavarur apo përmes Serbisë e delegacionit të Kosovës në Dhomën e Kombeve të Kuvendit Federativ; çështja e Flamurit. Këto parulla kanë dalë nga vet Fadil Hoxha, por u është lënë ta përhapin individë të caktuar nacionalistë, ndërsa forcat armiqësore gjithandej Kosovs i pranuan me të dy duartë. Por, sipas raportit të Sigurimit Shtetëror, Fadil Hoxha ishte mjaft i shkathtë që të mos iu lejonte anëtarëve të Komisionit Kushtetutes të nxitoheshin, duke e ditur se sa mund të kishin këto kërkesa përkrahje, respektivisht kundërshtime, në nivel të Komisionit Federativ dhe atij Republikan. Fadili me disa të tjerë ishin këmbëngulës që Kosova të jetë element i drejtpërdrejt konstituiv i Federatës,duke anashkaluar Republikën e Serbisë,dhe këtë e arriti. Në të gjitha këto kërkesa Fadil Hoxha kishte fjalën kryesore, por ishte i pakapshëm, sepse kërkesat maksimale i shfaqte si kërkesa të popullit, prej të cilave do të arrinte aq sa mundej.

Në Kryesinë e RSFJ-së Fadil Hoxha ishte përgjegjës për marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë, dhe nga ky funnksion ishte kreator i zhvillimit marrëdhënieve arsimore e kulturore midis Kosovës e Shqipërisë.

Për demonstratat e nëntorit të vitit 1968, në vlerësimet e Sigurimit Shtetëror thuhet se rolin kryesor e kishin profesorët e  Universitetit të ardhshëm të Kosovës:Fehmi Agani, Ali Hadri, ndërsa në planin politik u  afirmuan Mahmut Bakalli, Ismail Bajra, Jusuf Kelmendi, Salih Nushi,Xhvdet Hamza. Të gjithë këta dhe të tjerët ishin në lidhje tëngushtë me autoritetet më të larta kosovare: Fadil Hoxën e Xhavit Nimanin dhe asnjë lëvizje nuk ka mundur të zvhillohej pa dijën e tyre, kurse Fadil Hoxha  pas atyre demonstratave kishte qëllimin kryesor të ruheshin kuadrot. Kështu, prej atyre demonstratave, deri në ato të vitit 1981 e 82, u përforcuan pozitat e forcave nacionaliste-irredentiste në Universitetin e Prishtinës,në institucionet arsimore, shkencore e kulturore, në mjetet e informimit dhe në organet e administratës. Kuadrot arsimore, prej mësuesit deri te profesori i universtetit u bënë batës dhe faktorë të përhapjës së nacionalizmit dhe ideja për Kosovën  republikë u ngulit në shtresat më të gjëra të popullsisë.

Për ngjarjet e vitit 1981 e 1982, Fadil Hoxha nuk mund të vëhet në ndonjë rol për to, veçse për çdo ditë ishte i informuar prej njerëzve të tij nga institucionet arsimore-kulturore dhe shkencore se çfarë po ndodhte.

Sipas vleresimeve të Sigurimit Shtetëror, Fadil Hoxha mbanë përgjegjësi të posaçme për raportimet e përhershme joobjektive e të pasakta në paraqitjen e gjendjes në Kosovë lidhur me çështjet strategjike, respektivisht në lidhje me Republikën e Shqipërisë, në lidhje me shpërnguljen e shqiptarëve, për të cilat, sipas funksionit i informonte udhëheqësit e Federatës dhe të Republikës (së Serbisë). Rreziqet reale nga veprimet dhe aksionet armiqësore, i minimizonte, ashtu që krijohej pasqyrë e rrejshme mbi gjendjen e përgjithshme politike dhe të sigurisë në Kosovë, thuhet në raportin  e Sigurimit të Shtetit të Serbisë.

Për Vahide Hoxhën dhe Sharr Hoxhën

Raporti në fjalë merret edhe me anëtarët e familjes së Fadil Hoxhës, konkretisht me bashkëshorten e Fadilit, Vahide Hoxha dhe me djalin e tyre Sharrin.

Pasi shkruan për biografinë e zonjës Vahide dhe martesën e saj me Fadilin, raporti thotë se Vahideja ka pasur rol të rëndësishëm në të gjitha  ngjarjet dhe aksionet e mëhershme dhe të mëvonshme nacionaliste-irredentiste, sidomos prej vitit 1968 e tutje, kur kryente detyra me përgjegjësi në lëmin e arsimit, shkencës dhe kulturës nëKosovë. Në këto detyra, Vahidja konsultohej me ekstremistët më të zëshëm në Universitetin e Prishtinës: Ali Hadrin, Hajredin Hoxhën, Fehmi Aganin, Fehmi Pushkollin e të tjerë.

Për Sharr Hoxhënraporti thotë se si maturant i Gjimnazit të Prishtinës, nga fundi i vitit 1963, bashkë me 6 persona tjerë kishte organizua grupin armiqësor me emërtim: “.Organizata për Çlirimin Kombëtar Ismail Qemali”. Qëllimi i kësaj Organizate ishte bashkimi i kombit shqiptar dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Qysh prej themelimit, pjesëtarët e këtij Grupi merreshin me shkrimin dhe shpërndarjën e trakteve dhe të parullave në Prishtinë, me përmbajtje: “Shqiptarë, bashkohuni me Shqipërinë”; Shqipëria është nëna jonë”; “Rroftë populli shqiptar”; “Rroftë 28 nëntori”; “Kosova është Shqipëri”, etj.. Ky aksion i përhapjës së trakteve e parullave u festua në shtëpinë e Fadil Hoxhës. Grupi kishte formuar nëngrupet për Prishtinë, Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Gjilan dhe Mitrovicë.Sharri ishte i angazhuar për Gjakovë.Sharri kishte paraparë që me forcimin e Organizatës, të furnizohej me armë dhe të formoheshin grupet guerile.Në fund të marsit 1964, Sharri kishe përgatitur shpërndajën e trakteve me rastin e shkuarjes së një grupi të punëtorëve në botën e jashtme. Traktet kishin këtë përmbajtje: :Shqiptarë, mos u mashtroni në vëllazërim-bashkimin me ujkun…, athdheu juthërret, liria ju pret”. Vet Sharri ka dhënë të hollat për shtypjën e 150 trakteve të tilla, për t’i shpërndarë në botën e jashtme. Pasi janë zënë dhe burgosur disa pjesëtarë të Grupit, ata kishin deklaruar se Sharri kishte paraparë që për katër vjet, dmth.deri në vitin 1968, të ketë kryengritje në Kosovë. Njeni prej tyre (Bujar Dizdari) kishte deklaruar në procesverbal (!): “Lidhur me ekzistimin e disa organizatave, Sharr Hoxha na ka folur për organizimin e të tjerëve më të vjetër, e cila di për Grupin tonë dhe na këshillon të ndërmarrim aksione të shkrimit dhe përhapjes së parullave dhe të ngritjes së Flamurit, dhe se detyra  e të rinjëve është që me aksione të nxitë popullin shqiptar që më të vjetrit pastaj të marrin veprime e masa tjera. Burime thonë se Sharri ka qenë pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1968, dhe se është një nacionalist ortodoks.Nuk ka të dhëna se çfarë masash janë ndërmarrë ndaj Sharrit, thuhet në raport.

Sipas të dhënave jo të plota të Sigurimit të Shtetit të Republikës së Serbisë, të publikuara në atë raport,  prej vitit 1944/45,  nga kryengritja (kontrarevolucioni) e deri në prillin evitit 1982,në Kosovë janë zbuluar 113 organizata dhe grupe ilegale, me më se  4000 anëtarë aktivë, të cilat kanë vepruar nga pozitat nacionaliste-irredentiste.Pothuajse të gjitha ato i kishin programet,statutetdhe rregullat e veta të sjelljës.Ndërkaq, të gjithë ata organizatorë dhe anëtarë të tyre ishin vetëm eksponentë dhe zbatues të planeve dhe kërkesave nacionaliste-irredentiste.Inspiratorët e vërtetë, nxitësit dhe organizatorët e veprimtarisë armiqësore asnjëherë nuk janë hetuar me themel as që kundër tyre janë marrë kurrëfar masash, thuhet në analizën e Sigurimit Shtetëror të Serbisë, të titulluar” “Inspiratorët dhe bartësit e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, Beograd, dhjetor 1984.

Raporti prej 20 faqe tekst, i Sigurimit Shtetëror të Sërbisë ishte përgatitur si dokument sekret, si shtojcë fletëparaqitjes penale kundër Fadl Hoxhës.Atë e kishte përgatitur njëfar Radovan Çajiq.Raportin ua kishte lexuar kryeshefi i Sigurimit Shetëror, Obren Gjorgjeviq, udhëheqësve më të lartë shtetërorë të Serbisë: Drazha Markoviq, Petar Stambolliq, Dobrivoje Vidiq, duke ua përkujtuar atyre veprimtarinë e Fadil Hoxhës, nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmitshqiptar. Gjorgjeviqi thotë se pas leximit të raportit, tre udhëheqësit e lartë të Serbisë vetëm kishin ofsha, ndërsa Vidiqi (që asokohe  ministër i Punëvetë Brendshme) i kishte thënë: “Heqe atë raport prej meje”, kurse Drazha Markoviqi kishte thënë” :Mirë, mirë, kjo është nga këndvështrimi juaj policor”, ndërsa Petar Stambolliqi kishte thënë: “Ende nuk është koha”!

Kështu,sipas raportuesit, krerët e Serbisë nuk e kishin dhënë pëlqimin për ngritjën e procedurës penale kundër Fadil Hoxhës dhe raporti mbeti për shumë kohë  sekret, derisa më vonë raportuesi kishte organizuar takime me udhëheqësit e mediave të cilat e kanë publikuar raportin, të përshtatur për media.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok