28/04/2024

R E K T O R J A J O N Ë

0

(Në vend të një kartolinë për Krishtlindje dhe Vit të Ri)

NGA NDUE DEDAJ

Po i nisim këto pak radhë fillimisht me një urim për gazetaren Monika Stafa që realizoi në “Top Channel” dokumentarin “Përgjithmonë Dhora”, kushtuar Dhora Llojës, Drejtoreshës së ILP – më pas Universiteti “Luigj Gurakuqi” – Shkodër. E shënuam me D të madhe fjalën Drejtoreshë edhe pse ajo ishte e para dhe e vetmja drejtuese e një institucioni të lartë arsimor në atë kohë, por dhe se mbeti përgjithmonë e tillë për ne ish-studentët e saj në vite. Rrallë ndonjë ish-rektor tjetër universiteti mban lidhje të përditshme si ajo me ish-studentët në rrjetet sociale, ku poston në vijimësi mendime, thënie dhe pasazhe shkrimore të dijetarëve të mëdhenj të njerëzimit, filozofëve, sociologëve etj., duke mbetur dhe në këtë mënyrë një pedagoge e zellshme, e përgjithmonshme. Ajo sikur iu thotë arsimtarëve të shumtë, që ua nënshkroi diplomat, kolegë të dashur, misioni ynë nuk kryen asnjëherë. Nuk harron të sjellë përmes fotove dhe vizitat familjare në Përmetin e saj buzë Vjosës…

Kujtoj një 7 Mars kur i kemi shkuar në shtëpi për t’i uruar festën e mësuesit, por sidomos përditshmërinë në auditore, ku profesoreshë Dhora ishte në radhë të parë një edukatore për studentët. E drejtë, korrekte, largpamëse. Kujtoj sidomos ardhjen e studentëve dhe pedagogëve nga Kosova më 1981 dhe pritjen e përzemërt të rektores si zonjë shtëpie.

Përderisa kjo “kartolinë” është më së shumti vetjake, le të them se kam pasur kënaqësinë të ftohesha prej saj për të qenë gradualisht pjesë e katedrës së letërsisë, paçka se nuk ndodhi prej meje. Kjo nuk ishte diçka e shkëputur, por në linjën e punës së saj si drejtuese universiteti, siç do ta shohë lexuesi në vijim. Kur shkonte me shërbime të ndryshme pune në rrethe, ajo asnjëherë nuk harronte të interesohej për ish – studentët, ku punonin, si kishin ecur me karrierën pedagogjike etj. Rasti e solli të vinte dhe në Rrëshen, aty nga mesi i viteve ‘80, me kërkesën që një mësues të ri historie ta tërhiqte për pedagog në Shkodër (çka as kësaj here nuk ndodhi): takohemi rastësisht në sheshin e qytetit, ajo më thotë nëse doja që të fliste për mua me drejtuesit kryesorë të rrethit – i thashë se nuk ishte e nevojshme, por mirësinë e saj nuk mund ta harroj.

Sigurisht që nuk e mbanim mend, por në vitin 1967, kur ajo ishte krejt e re, si drejtuese Aksioni, i kishte prirë trenit nga Rrogozhina drejt Fierit. Duke punuar gjithmonë me të rinjtë, rektorja jonë mbeti dhe vetë e re. Krahas profesorëve me përvojë, ajo merrte gjithnjë pedagogë të rinj, si të ndjerën Dava Përlala nga Rubiku etj.

Në dokumentarin e Monika Stafës folën bashkëstudentët tanë të fillim – viteve ‘80: këngëtarja Myfarete Laze, gazetari dhe poeti Dashamir Dini, muzikanti Mark Gjoka, studenti i mëvonshëm profesor Romeo Gurakuqi etj.

Për Drejtoreshë Dhorën, kanë të gjithë për të thënë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok