23/11/2024

Qeverisja para se gjithash është kulturë

0

Nga Ndue Ukaj

Qeverisja para se gjithash është kulturë, është mendësi dhe kjo “mendësi e re” politike, goxha bashibozuke, po tregon e dëshmon mungesë të thellë të sensit kulturor në qeverisje. Dhe kjo mungesë për mua është për keqardhje dhe njëkohësisht është provë e një agonie të frikshme politike nëpër të cilën po kalojmë si shoqëri.

Kosova në të kaluarën ka pasë mjaft qeveri mediokre, pa përvojë, por kjo e reja, ka filluar vrullshëm të tregojë – përveçse injorancë të thellë –  arrogancë të pashembullt, edhe mungesë serioze të sensit kulturor gjë që më bën të dyshoj se frytet e saj do të jenë të barasvlershme me demagogji, justifikime, dokrra e arrogancë.

Të flasësh kuturu, të thuash të pavërteta historike e politike në takime të rëndësishme ndërkombëtare, pastaj të sulmosh mediat, të kërkosh e të gjesh gjithmonë fajtorin larg për të justifikuar dështimet tua është mendësi e kalbur politike dhe mungesë e sensit kulturor qeverisës. Dhe kjo qasje përhapë duhmë fort të keqe politike.

Pra ndryshimet politike që bëhen si rezultat i mllefit, urrejtjes e propagandës populiste, pra ndryshimet politike pa ide politike, kulturore e pa projekt qeverisës, veç e rrisin agoninë politike.

Sepse një ide e keqe kurrë s’ mund të luftohet me një ide tjetër të keqe, por me një ide shumë më të mirë – kanë këshilluar të mençurit. Ne s’ po shohim askund ide, pos disa seriale të përsëritura që kanë natyrë tallavaje qeverisëse.

Thjesht, cilësia e qeverisjes dhe udhëheqjes s’ matet me fjalë koti, që mund të peshojnë shumë për turma të dehura e entuziaste, që gjithmonë i skuqin duart duke duartrokitë udhëheqësit, as me dokrra, like në rrjetet sociale, takime krejt të pavlera, shkuarje ardhjet të kota, por me veprime të mençura, të analizuara, solidare e alturiste, që mund të kthehen në dobi konkrete për përmasimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok