03/12/2024

QËNDRIM DINJITOZ DHE BURRËROR KUNDËR SIGURIMIT TË SHTETIT TË SERBISË

0
Adil-Fetahu

(Rrëfimi në vetën e parë i Jusuf Zejnullahut)

Nga Adil FETAHU

Jusuf Zejnullahu ka qenë kryetar i Këshillit Ekzekutiv (qeverisë) të Kuvendit të Kosovës në kohën e vlimeve politike e juridike në Kosovë, në kohën e regjimit të dhunshëm të Serbisë mbi Kosovën. Në kohën sa ishte Jusufi kryetar i qeverisë legjitime të Kosovës, ndodhën thyerjet dhe ndryshimet më të mëdha institucionale në raportet Kosovë – Serbi. Së pari, në një mbledhje të përbashkët të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Serbisë, të mbajtur në Gërmi (Prishtinë) më 9 qershor 1990, Jusufi me kabinetin e tij refuzoi kategorikisht kërkesat e Qeverisë së Serbisë për të bashkëpunuar në zbatimin e politikës së Serbisë në Kosovë, sipas amendamenteve të Kushtetutës së Serbisë me të cilat ishte reduktuar autonomia e Kosovës dhe hequr statusi i njësisë federale.

Pas asaj mbledhje historike, Kuvendi i Serbisë (më 26 qershor 1990) miratoi Ligjin mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme, sipas të cilit organet republikane të Serbisë uzurpuan të gjitha kompetencat dhe autorizimet e organeve të pushtetit në Kosovë. Ishte kjo shkelje flagrante e Kushtetutës së Jugosllavisë.

Më 2 korrik 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese për Kosovën republikë, në kuadër të RSFJ-së (nëse ajo do të ekzistojë; ose shtet i pavarur nëse RSFJ shpërbëhet dhe republikat tjera pavarësohen).

Më 5 korrik 1990, forcat policore dhe ushtarake të Serbisë bënë grusht-shtet , duke suprimuar Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës dhe përndjekur delegatët e Kuvendit dhe anëtarët e Qeverisë, mjetet e informimit: RTV dhe gazetën (e vetme) Rilindja. Më 7 shtator 1990, delegatë e Kuvendit të Kosovës miratuan Kushtetutën e re, për Kosovën Republikë, në frymën e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut.

Në rrethanat e krijuara, Jusuf Zejnullahu, nga pozita e kryetarit të Qeverisë legjitime të Kosovës, alarmonte Qeverinë e Jugosllavisë dhe faktorët ndërkombëtarë për shkeljen e lirive dhe të drejtave legjitime të popullit të Kosovës nga regjimi okupues i Serbisë. Jusufi, në cilësi të kryetarit të Qeverisë së Kosovës, i kërkoi Parlamentit të Europës t’i gjykojë veprimet e Serbisë, gjë që ai organ e bëri me Rezolutën e aprovuar në korrik 1990. Aktiviteti i ngjeshur i Jusufit, Rezoluta e Parlamentit të Europës dhe intervista e gjatë e dhënë ato ditë gazetës ‘’Zëri’’, me të cilat Jusufi e cilësonte Serbinë si okupatore të Kosovës dhe paralajmëronte se populli nuk do të mund ta durojë okupimin, i gjindosën organet e pushtetit të Serbisë, të cilat ndiqnin për t’i arrestuar e gjykuar delegatët e Kuvendit dhe anëtarët e Qeverisë, nën akuzën se po përgatisin kundërrevolucion kundër Serbisë e Jugosllavisë. Në shënjestër të organeve serbe ishte kryetari i Qeverisë, Jusuf Zejnullahu, të cilin organet serbe e arrestuan më 18 gusht 1990. Për mënyrën e arrestimit dhe qëndrimit të tij karshi organeve të sigurimit shtetëror të Serbisë, në vazhdim po japim rrëfimin e tij autentik, në vetën e parë.

*

‘’Më 18 gusht 1990, në orën 7 të mëngjesit inspektorët e policisë serbe më erdhën në shtëpi, duke më bërë me dije se kishin dokumentin zyrtar, urdhërin me shkrim për të më arrestua. Më përcollën në një prej kabineteve të SPB të Kosovës. Nuk vonoi dhe brenda hyri një person i panjohur për mua. Ma mori mendja se ishte i dërguar nga MPB të Serbisë. Menjëherë filloi me akuza dhe kërcënime. Më akuzonte se isha duke zhvillua aktivitet kundër Serbisë dhe Jugosllavisë. Vazhdoi duke thënë se për këto veprime dënimi mund të jetë prej 5 deri 10 vjet burgim. Kohë pas kohe ndalej, duke pritur se si do të reagoj në pohimet e tij.  Unë nuk doja të reagoja dhe qëndroja krejt i qetë dhe i painteresuar për atë që thoshte.  Në një moment, ai mori një gazetë nga tavolina ku qëndronte dhe ma vuri përpara, duke më pyetur nëse kjo ishte imja? Ishte gazeta ‘’Borba’’, botim i Sarajevës. E kuptova se ai e kishte fjalën për intervistën time dhënë gazetës ‘’Zëri’’, të cilën e kishte botuar edhe ajo gazetë. Shihej me germa të mëdha titulli: ‘Zejnullahu: Federata Jugosllave më nuk ekziston’. U përgjigja se  ajo gazetë nuk është imja, dhe vazhdova:

-Në vend të kësaj pyetjeje, ju duhet të më përgjigjeni se përse unë jam këtu?

– Jeni këtu për shkak të aktivitetit kundër shtetit dhe ju keni bërë vepër të rëndë penale. Në vazhdim ai tha se unë duhet të jepja deklaratë për veprimtari armiqësore dhe kundër shtetit.

Në atë moment u hap dera dhe hynë brenda dy persona. Njeni prej tyre mbanë në duar një makinë shkrimi. E vendosi makinën mbi tavolinë dhe u ul i gatshëm për të filluar shtypjen. Kishte ardhur për të shtypur deklaratën time. Ai ka qenë një punëtor (daktilograf) i Qeverisë dhe unë e njihja. Ishte krejt i habitur, se nuk e kishte pritur t’ishte me shefin në atë pozitë, që të shkruante për vepra të mia antishtetërore, siç kërkonte oficeri. Oficeri iu drejtua atij, duke e pyetur nëse është gati për të filluar. Daktilografi vetëm uli kokën, në kuptim se ishte gati. Unë iu drejtova daktilografit:

-Ti këtu nuk ke punë. Unë nuk do të ja asnjë deklaratë. Nuk është ky vendi ku unë jap deklarata, prandaj ti mund të shkosh, sepse këtu nuk është puna e deklaratave. Daktilografi u habit edhe më tepër, nuk bënte zë por rrinte si i shtangur dhe shikonte oficerin. Oficeri m’u drejtua me kërkesën se unë duhet të jap deklaratën, ky është detyrim, dhe vazhdoi ‘përndryshe, ne dijmë edhe ndryshme’.  Kishte fjalën për përdorimin e dhunës dhe torturave për të nxjerrë deklaratën.

– Unë do të befasohesha nëse ju bëni sjellje civilizuese, veprimet e tjera tuajat mua nuk më befasojnë fare. Megjithatë, as juve dhe askujt tjetër këtu unë nuk do t’i jap deklaratë. Unë nuk  ju përgjigjem juve, por vetëm organeve kompetente të Kosovës, në bazë të Kushtetutës. Ju nuk jeni kompetent për biseda me mua, dhe as unë nuk kam asnjë detyrim ndaj jush, i thash.

Duke parë se biseda që po zhvillonim nuk duhej ta dëgjonte akush, urdhëroi daktilografin ta merrte makinën dhe të dilte nga zyra. Kur ai u largua, unë  i thash oficerit: ‘dua ta lajmëroj familjen dhe të tregoj se ku gjendëm’. Ai ma ktheu:

-Ju nuk mund të flisni me askënd, këtu jeni për vepra penale dhe ju duhet të përgjigjeni para gjyqit. Nuk donte të thoshte se isha i burgosur. Unë këtë e prisja, e dija:

– Pra, më tregoni ju përse jam këtu dhe me ç’të drejtë ju e bëni këtë?

– Ju jeni këtu, sepse keni bërë vepër penale kundër shtetit. Ju do të dënoheni më së paku 5 vjet burgim. Do të gjykoheni në Serbi, në gjyqin e Valevës.

– Kuptohet, se ju gjykimin tim nuk mund ta bëni në Kosovë. Atë mund ta bëni vetëm në Serbi. Por, nguliteni në mend, se asnjë gjyq të Serbisë unë nuk e pranoj, sado që ju mendoni se do ta bëni këtë.  Pra, ju e kuptoni mirë pse gjykimet tona nuk mundeni t’i bëni në Kosovë. Jashtë Kosovës çdo gjykim juaj është farsë dhe asgjë tjetër.

Kur mbarova me këto fjalë, ai u ngrit dhe doli nga zyra, pa thënë asnjë fjalë. Brenda hyri një person tjetër, i cili kishte detyrë vetëm të më mbante nën vëzhgim. Kaloi një kohë e gjatë derisa përsëri hyri oficeri, kurse rojtari doli menjëherë.

-Këtu nuk jeni vetëm ju,- filloi të flasë oficeri, – këtu ka edhe njerëz të tjerë që i kemi marrë dhe të gjithë ata do të përgjigjen para gjyqit. E kuptova se paskan burgosur edhe të tjerë, por nuk e dija deri  ku kanë shkuar me burgime: a kanë filluar burgosje masive, siç flitej, apo janë kufizuar në një numër më të vogël? Këtë doja ta dija, por ishte e pamundur në atë pozitë që isha.

-Ju nuk keni përse t’i merrni të tjerët, – vazhdova, – unë jam përgjegjës, sepse unë i drejtoj veprimet e organeve legale, prandaj vetëm unë e kam atë përgjegjësi, por jo para jush, veçse ashtu si është e përcaktuar me kushtetutë.

Ai tha se edhe ata, si anëtarë të qeverisë, janë përgjegjës, bashkë me mua. Prej kësaj kuptova se qenkan burgosur edhe anëtarët e Qeverisë dhe përafërsisht e dija se cilët mund të ishin: Jusuf Karakushi, Selajdin Skeja, Muhamet Bicaj dhe Lekë Vuksani. Përveç këtyre, kishte qenë i burgosur edhe Agim Mala, dretori i përgjithshëm i RTV të Prishtinës.

Përsëri i thash se të tjerët nuk keni pse t’i mbani në arrest, sepse unë jam i vetmi përgjegjës për të gjitha veprimet dhe punën e qeverisë. I thash, nëse ju mendoni se këtu dikush ka përgjegjësi për atë që ju po thoni, atëherë po ju lehtësoj punën: unë jam përgjegjësi dhe askush tjetër. Pra, ju keni punë me mua e jo me të tjerët. Ata duhet t’i lironi të shkojnë. Por, ai vazhdoi duke përsëritë, se edhe ata kanë përgjegjësi dhe duhet të gjykohen.

-Të tjerët nuk keni pse t’i mbani këtu, vazhdova unë, ata duhet t’i lironi të shkojnë në shtëpitë e veta. E pasi ju nuk po më tregoni pse jam këtu, edhe unë dua të shkoj. Ju nuk do të mund ta burgosni tërë popullin. Veprimet tuaja nuk pranohen jo vetëm nga populli i Kosovës, por nga askush në botë. Ju e keni gabim nëse mendoni se me burgime mund të bëni diçka. Duhet të mësoni nga e kaluara. Çka keni arritur me burgosjet: Asgjë, as në Kosovë, po as në Serbi dhe natyrisht kurrë nuk do të arrini të bëni gjë as në të ardhmen.

Dëshiroja ta detyroja të fliste, por edhe t’ia bëj të ditur se nuk kemi ndër mend të lëshojmë pe ose të nënshtrohemi, pa marrë parasysh se ç’masa do të ndërmarrin ata. Ishte e qartë dhe sa herë e vërtetur në praktikë, se askush nuk ka mundur ta nënshtrojë një popull të tërë, pra këtë nuk do të mund ta bënte  me shqiptarët as Serbia. Disi, si i hutuar, ai vazhdoi:

-Tani do të vie këtu gjykatësi hetues, dhe pastaj do të ju dërgojmë në burg e aty do të hyni në procedurë gjyqësore. Pa e kryer fjalën e tij, iu përgjigja:

-Mirë, le të vie ai gjykatës e të mos kem punë me ju.

Pas këtij dialogu, ai e lëshoi zyrën dhe, si zakonisht, pas një vonese të gjatë, erdhi përsëri. Pa u ulur, më ofroi që ta thërras familjen në telefon, por se duhet të flisja në gjuhën serbokroate.

-Me familjen time flas vetëm shqip, nuk dua të flas në gjuhë tjetër, i thash. Me kaq mori fund dhe kështu unë nuk mund ta lajmëroja familjen, sepse nuk doja të flisja në gjuhën serbe. Ishin orët e pasditës. Në një moment ai më ofroi për të sjellë diçka për të pirë apo për të ngrënë. Shkurt dhe në mënyrë të prerë e refuzova. Pas kësaj, ai doli përsëri. Unë e ndërrova vendin dhe u ula pranë një tavoline të paraparë për mbledhje dhe fillova ta shfletoj një gazetë që ndodhej mbi tavolinë. Brenda hyri një person tjetër, të cilin, si edhe atë të parin kurrë nuk i kisha parë. Sapo u ul, filloi të flasë ç’i vinte në gojë rreth punës armiqësore të shqiptarëve, ndihmave që Serbia i ka dhënë Kosovës, ndërtimeve në Kosovë me mjetet e Serbisë, e kështu me radhë. Nuk isha fare i interesuar ta dëgjoja as të flisja me të dhe vazhdoja të shfletoja gazetën, pa lexuar asnjë fjalë. Ai e ndërroi temën dhe tha:

-Çfarë do ai Rugova, mos do ta ndajë Kosovën? Ai është vetëm një armik i këtij shteti dhe asgjë tjetër. Ne nuk do ta lejojmë atë të veprojë këtu. E ndali të folurit për një moment. Unë nuk e dija përse e hapi atë çështje. LDK-ja ishte formuar dhe profilizuar si parti politike, në të cilën ishin anëtarësuar shumë njerëz dhe ajo, si çdo lëvizje që kishte për qëllim mbrojtjen  e Kosovës dhe të drejtat e popullit të saj, kishte përkrahjen masive të popullit. Ajo përkrahje manifestohej gjithandej dhe gjer në atë shkallë sa që ishte tronditëse për regjimin okupues të Serbisë. Ma mori mendja se ai fliste për Rugovën, duke menduar në LDK-n nga frika e kalimit të saj në rezistencë më aktive se ajo që shihej në Kosovë. As ata dhe as ne nuk mendonim se do të mbetej përherë gjendja ekzistuese e pa rezistencë aktive ndaj regjimit të Serbisë në Kosovë.

Me ashpërsimin e veprimeve të regjimit pushtues, por edhe pa të, ishte e sigurt se rezistenca do të merrte kahje më aktive, që Serbisë nuk i levërdiste në asnjë mënyrë.

-Rugova dëshiron këtu,-vazhdoi ai përsëri,- kryengritje të shqiptarëve, por ne nuk do ta lejojmë.

Nuk munda më të heshtë, edhepse nuk doja më të hapja dialog. Ai e kishte detyrë t’i thoshte ato fjalë, për të treguar se gjoja Serbia ishte e vendosur në shtypjen e veprimeve separatiste të shqiptarëve në Kosovë.

-Nëse ju jeni frikësuar aq shumë,- ndërhyra unë,- atëherë së pari ndaloni këto veprime në Serbi. Ju atje keni mjaft punë, në qoftë se ju pengojnë lëvizjet e ndryshme politike. Lereni Rugovën dhe të tjerët, e merruni me Drashkoviqin, Sheshelin dhe çetnikët e tjerë në Serbi. Ata janë duke ndjellë luftën, edhe kundër jush, edhe kundër nesh. Me ata keni punë, e jo me Rugovën apo dikë tjetër këtu.  U shpërqendrua krejtësisht. Nuk dinte më nga të fillonte. Si dukej, kishte për detyrë të thoshte atë që ata donin të zbatonin në Kosovë. Pa asnjë lidhje me bisedën e mëparshme, vazhdoi:

-Të gjitha shtëpitë që shqiptarët i kanë ndërtuar në ‘’Dragodan’’, janë ndërtuar me para të Serbisë. Ne do t’i marrim. Ato janë tonat, pasi janë ndërtuar me mjetet tona. Shqiptarët janë bërë kapitalista me mjete të hueja e tani duan të ndahen dhe të shkëputin tokën tonë e t’i bashkangjiten dikujt tjetër. Aludimi ishte i qartë. Serbia jetonte me frikë se Kosova do t’i bashkangjitet Shqipërisë dhe këtë kurrë nuk e hiqnin nga mendja e tyre. Doja që edhe më tepër ta shpërqendroja atë dhe e pyeta gati vrazhdët:

-A keni qenë ndonjëherë në ‘Avalski drum’? Atje janë shtëitë njëmijë herë më të mira se këto këtu. Pse nuk i merrni ato? Bile ato janë të zbrazta, sepse beogradasit atje shkojnë vetëm për fundjave, kurse këtu në shtëpi jetojnë njerëzit me familjet e tyre. Merrni ato shtëpi atje.

Pa përfunduar mirë, brenda hyri përsëri ai personi i mëparshëm. Me një urdhër të prerë dhe të ashpër iu drejtua këtij: ‘’Dil jashtë’’! E kuptova se ky që hyri ishte me kompetenca më të larta. Poashtu, e kuptova se ai ishte shefi i shërbimeve të brendshme për Kosovën, të cilin e kishe emëruar Serbia. E dija se ai quhej Llukiq. Ky ishte me pozitë më të lartë në Ministrinë e Brendshme të Serbisë. Shumë vite më vonë, kam mësuar se ai kishte qenë Jovica Stanishiq, shef i Shërbimit Sekret të Serbisë dhe dorë e djathtë e Millosheviqit. Ai është një prej kriminelëve të luftës, i cili po gjykohet nga Tribunali i Hagës për krime lufte në trevat e ish-Jugosllavisë. Pa u ulur mirë, m’u drejtua:

-Mundeni ta lajmëroni familjen, ja telefoni dhe mund të flisni si të  doni. Më habiti  ky ndryshim. Ishin tani orët e vona të mbrëmjes. E refuzova këtë pa e zgjatur. Pa asnjë koment për këtë, ai vazhdoi: ‘Situata po komplikohet’.

-Ku është komplikuar, këtu brenda apo jashtë, e pyeta.

-Jashtë po komplikohet situata,- tha dhe vazhdoi,- TV e Zagrebit ka lajmëruar se ju jeni burgosur sot në Prishtinë. Këtë lajm po e përcjellin edhe agjencitë e tjera të lajmeve në botë. Ka edhe lëvizje të njerëzve në terren. Si duket populli do të mësyjë Prishtinën. Ne nuk e dëshirojmë këtë, prandaj TV e Beogradit sapo e ka dhënë lajmin se ju nuk jeni burgosur, por vetëm jeni marrrë n bisedë informative.

-Kësaj ju i thoni bisedë informative? Unë nuk e kuptoj çdo të thotë ajo, por nëse nuk jam i burgosur, atëherë unë dua të shkoj. Poashtu, dua të di se a janë liruar njerëzit e tjerë që i keni marrë? Nëse ata nuk janë liruar, atëherë as unë nuk dua të largohem para se të lirohen ata. Askush përveç meje nuk ka përgjegjësi për kundërshtimet dhe veprimet e ndodhura. Unë e mbaj tërë përgjegjësinë dhe të tjerët nuk keni pse t’i mbani këtu ose t’i merrni. M’u përgjegj, se në ndërtesë nuk kishte tjerë. Këtu gjendet vetëm Karakushi, por ai nuk është i burgosur,- tha. Me të po bisedohet vetëm si ish-koleg, e jo si i fajsuar. Ai poashtu kërkoi që ju të liroheni.

Për të parë reagimin, i thash se unë, pra, dua të dal  prej këtu bashkë me Karakushin. E dija se ai nuk ishte në atë ndërtesë me dëshirën e vet, por e  kanë marrë si të tjerët.

-Ju dhe Karakushi do të shkoni,- tha dhe vazhdoi,- vetëm edhe pak. U ngrit dhe nga një prej vitrinave të zyrës molli një shishe me vinjak Kosove. E hapi atë për herë të parë, pasi ishe e papërdorur, dhe mbushi dy gota e tha:

-Qe unë po e pi i pari, pa gajle mund të pini edhe ju. Ai e piu gotën e vet dhe e mbushi përsëri, dhe m’u drejtua mua: ‘Pse nuk po e lajmëroni Slloben,  këshu ata e quanin Millosheviqin, dhe vazhdoi,- ju keni punuar bashkë, keni pasur shumë biseda si shokë. Ja telefoni dhe mund të bisedoni edhe tani.

Ishte ofertë e çuditshme. Unë as që prisja diçka të këtillë. Natyrisht, nuk ishte koha për biseda me të. Thjesht, nuk dëshiroja. I thash: ’Unë nuk e kam shok atë. Kemi bashkëpunuar, por vetëm nga pozicionet zyrtare dhe pozitat që kemi pasur. Nuk mundet më të bisedojmë. Ai ka zgjedhur rrugë të tjera dhe të rrezikshme. Unë nuk kam se çka të bisedoj me te. Ai e di mirë mendimin tim. Atë ia kam thënë shumë qartë sa e sa herë.

Edhe njëherë kërkoi që të flisja me Millosheviqin dhe duke parë se unë nuk do ta bëjë këtë, e ndali ngulmimin. Vazhdoi bisedën duke thënë se ai nuk do të kishte vepruar në këtë mënyrë me një udhëheqës të lartë. Tha se ka konsiderata ndaj meje dhe prandaj është sjellë korrekt në bisedë. Poashtu, shprehi keqardhje për këtë ngjarje të pakëndshme dhe tha se shpreson se kjo nuk do të ndodhë më. Ishin këto vetëm fjalë dhe asgjë tjetër. Ai donte me këtë të linte përshtypjen se marrja jonë në polici ka qenë gabim. Pasi gati po vinte mesnata, atëherë ai më ofroi që të më voziste deri në shtëpi. Dolëm nga ndërtesa dhe hymë në një veturë të tipit ‘Zastava 101’ dhe u drejtuam për Dardani. Në oborrin e çerdhes së fëmijëve, e cila ishte përballë shtëpisë sime, i thash të ndalet dhe unë dola nga vetura dhe u drejtova për në shtëpi. Ajo ishte mbushur me njerëz; ishin pjesëtarët e familjes dhe miq e shokë të mi të ngushtë.

Kështu mori fund burgosja jonë e parë. Në polici nuk kishte mbetur më askush. Posa hyra në shtëpi, u lajmërua Karakushi dhe më informoi se të gjithë kishin dalë nga policia. Ai donte të dinte nëse kisha mbërritur edhe unë në shtëpi.

Pas kësaj ngjarje, u pa se reagimi serb kishte vendosur të merrte masa të rrepta dhe të fillone burgimet. Vetëm në saje të presionit të opinionit botëror, ata vendosën që kësaj herë të mos na mbanin në burg.

(Rrëfimi për ‘burgosjen’ është marrë nga libri: STUHI LUFTE MBI KOSOVË, prej të njëjtit autor).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok