26/12/2024

Qanije Hamdi Hyka (Alushi), profili i një mësuesje fisnike dhe artisteje të përkushtuar …

0
Qanije-Hamdi-Hyka-Femijet

Nga Gëzim LOKA

Kënga e saj, talenti muzikor, preformanca si mësuese dhe artiste, me shpirt në skenë, me një magji të plotë, më shtyu drejt kërkimit të gjurmëve të saj në kohë. Kënga e saj rrjedh në dimensionet e një shpirti të pasur e të pastërt, pasi ajo e kërkoi dhe e gjeti lumturinë tek kënga, vallja, aktrimi, si autore teksti dhe muzike, në atë harmoni me vetveten dhe të tjerët, ku gatuhet dashuria për të bukurën dhe për artin e fuqishëm, që ngre peshë shpirtin njerëzor dhe iu jep udhë pasioneve të forta.

Jeta e saj është e mbushur me mësimadhënien, edukimin e brezave me dashurinë për artin dhe të bukurën, me muzikën, skenën, tekstin muzikor, kompozimin, koncertet, duke pasur në vetvete përcjelljen ndjesore, emocionale dhe përjetuese të një talenteje, që e ka ngritur këngën në një kult të lirisë dhe të dashurisë njerëzore.

Qanije Hamdi Hyka (Alushi) u lind më 18 shtator 1957 në fshatin Rreth pranë qytetit Shijak, ku kreu dhe shkollën tetëvjeçare, për të vijuar më tej Liceun Artistik në qytetin e Durrësit. Kur ishte në vitin e dytë të Liceut, mori pjesë në ndërtimin e hekurudhës Guri i Kuq, në vitin 1975,  ku ajo do të luante para aksionistëve me firzarmonikë, çfarë u pasqyrua hollësisht në një reportazh të gjërë të gazetës “Zëri i rinisë”, ku ajo ishte njëra nga protagonistet.

Pas një shkëputje të gjatë, në vitin 2013 ia doli të mbaronte Akademinë e Artit, Fakultetin e Muzikës, specialitetin firzarmonikë.

Ka punuar si mësuese në fshatin Xhefzot Katër Rrugët Shijak, që nga viti 1976 për 42 vjet rresht, me një ngarkesë lënde përtej asaj normale, prej 36 orësh në javë. Përveç kësaj angazhimet në grupin artistik të shkollës, në konkurime në shkallë zone e rrethi, por dhe në rrang kombëtar, ishin pjesë e përkushtimit të saj, për të përcjellë performancën e një shkolle ku rriteshin talente të reja në fushën e muzikës dhe artit në përgjithësi. Shkolla e saj është përfaqësuar denjësisht në veprimtaritë muzikore, në konkurime të ndryshme, nën drejtimin e drejtorit të përkushtuar Nazmi Shehu.

Në ditët kur pritej që në shkollë apo në Shijak të vinin udhëheqës të lartë të kohës, bëheshin përgatitje serioze dhe shkolla ku ishte mësuese muzike Qanije Hamdi Hyka (Alushi) ishte një fidanishte e rritjes së talenteve në fushën e këngës dhe muzikës. Koncertet në bazë, siç thuhej aso kohe, në koperativa bujqësore dhe brigadat e prodhimit, ishin të vazhdueshme dhe mësuesja e pasionuar shkëlqente me zellin e saj, me talentin dhe përkushtimin që gjatë gjithë punës si mësuese dhe veprimtare artistike ua ushqeu nxënësve të saj. Si rezulat i kësaj pune pasionante dhe të palodhur, ajo dhe shkolla e saj kanë zënë çmime dhe vende nderi në shkallë zone, rrethi e më gjërë.

Ajo është aktivizuar me vallet në Estradën e Shijakut, me Ramazan Ballën, Flutura Domin, Agim Domin, gjithashtu ka bërë me pasion dhe profesionalizëm dhe spikeren e Estardës në koncertet e dhëna në Pallatin e Kulturës së Shijakut.

Përveç punës me talentet e reja në shkollë, me përfaqësimet muzikore të shkollës në konkurime të ndryshme, ajo është aktivizuar vazhdimisht me Shtëpinë e Kulturës Shijak, duke marrë pjesë në çdo veprimtari të Pallatit të Kulturës, ku kryente me performancë të lartë artistike role dhe veprimtari që nga valltarja tek spikerja dhe organizatorja e veprimtarive të shkollës ku jepte mësim dhe përkujdesej për nxitjen dhe rritjen e talenteve të reja.

Ajo është autore e disa këngëve jo vetëm të kënduara dhe të shoqëruara me firzarmonikë prej saj, por dhe si autore teksti e muzike, çfarë e bën të lartë performancën e saj artistike. Në vitin 1977, kënga e saj, ku ajo ishte autore teksti e muzike, e shoqëronte me vegël muzikore dhe këndonte vetë, u nderua në shkallë vendi me çmim të dytë.

Nga viti 1983 deri në vitin 1995 ishte kryetare për muzikën në gjithë fshatrat e rrethit të Durrësit.

Qanie Hamdi Hyka (Alushi) i ka dhuruar dhe vazhdon t’i dhurojë publikut shijakas e durrësak zërin e saj të artë, përkushtimin dhe dashurinë e pakufishme ndaj artit, dashurinë për vendin e saj, dashurinë për nxënësit që e duan dhe e velësrojnë për kontributin e saj në edukimin e tyre me shijen e së bukurës në art.

E veçanta e saj si artiste është jo vetëm zëri i veçantë, fakti që i shkruan vetë tekstin, muzikën dhe këngën e shoqëron me firzarmonikë, ai timbër i veçantë që të bën për vete, por dhe shpirti i saj gjithmonë rinor, që iu përgjigjet këtyre joneve që dalin nga thellësitë një zemre të dashuruar me vendlinjen e saj, me degët dhe rrënjët e saj. Këngët e saj, tekstet e saj, kompozimet e saj janë sat ë thjeshta aq dhe të magjishme, ujëvara tingujsh që zbresin nga ëndrrat e botës shqiptare dhe shkojnë drejt ëndrrave dhe dashurive të reja, për të cilat janë krijuar dhe do të vazhdojnë të ushqejnë me pasionin e artit muzikor brezat e kësaj toke.

Sot kur gjithçka rend drejt kaosit dhe zhurmënajës së stisur, ku duket sikur gjithçka dirigjohet nga fuqia e parasë, emra të tillë si ai i Qanie Hamdi Hyka (Alushi) duken si të lënë në hije e harrim, por ky është vetëm një iluzion: ata nuk janë harruar dhe nuk do të harrohen për punën e madhe që bënë në një kohë kur çmohej arti dhe artisti; koha që vjen do të flasë për artistë si ajo, që krefjalë të jetës së tyre patën dhe kanë përkushtimin për të bukurën në jetë dhe në skenë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok