PUSHTIMI I UKRAINËS SHËNON FUNDIN E EPOKËS SË LUFTES SË FTOHTË
Nga Gjon Gjokaj
Liderët perëndimorë janë në dilema të mëdha, tani nuk është koha për të rregulluar kravatën, por për vendime të mëdha. Vladimir Putin po pushton dhe shkatërron Ukrainën dhe mohon se ajo është një komb i pavarur dhe sovran. Epokës së Luftës së Ftohtë i erdhi fundi. Shërbimet e inteligjencës perëndimore duhet të jenë thellësisht të fokusuara në punën për një strategji të re për të mbrojtur demokracinë në Evropë dhe tejkalimi i kësaj krize të madhe nuk do të jetë e lehtë.
Në vitet e fundit, ndërsa republikanët kanë rënë dakord se ngritja e Kinës do të prishë rendin ekonomik dhe gjeopolitik të udhëhequr nga SHBA, është zhvilluar një konsensus i ri: Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të zgjerojnë aleancat e tyre në rajonin Indo-Paqësor dhe të forcojnë aftësitë mbrojtëse kundër Agresioni kinez. Kina është injoruar për dekada nga amerikanët dhe kështu është bërë një superfuqi botërore në kurriz të biznesit amerikan dhe vjedhjes së teknologjisë amerikane. Kjo u konfirmua dy vjet më parë nga kreu i inteligjencës amerikane John Ratcliffe; “Kina është kërcënimi më i madh për lirinë, ajo po vjedh sekretet e SHBA-së”.
Shumë politikanë amerikanë shpresonin se Shtetet e Bashkuara mund ta bënin këtë duke ruajtur status quo-në në Evropë dhe kjo strategji nënkuptonte se Rusia nuk do të kishte as forcën dhe as vullnetin për të prishur rendin e sigurisë në Evropë.
Përshkallëzimi i pushtimit rus të Gjeorgjisë në vitin 2008 solli fjalë të mprehta nga presidenti George W.Bush, i cili i bëri presion Moskës të pranonte një armëpushim të menjëhershëm dhe të tërhiqte trupat e saj për të ndaluar një përshkallëzim dramatik dhe brutal të dhunës në ish-republikën sovjetike. Ndërkohë amerikanët zhvilluan manovra të përbashkëta ushtarake me Gjeorgjinë për t’i treguar dhëmbët Rusisë dhe falë diplomacisë amerikane lufta ruso-gjeorgjiane nuk zgjati as tre muaj të plotë dhe rusët u tërhoqën. Rusia u arsyetua duke e quajti operacionin “zbatimi i paqes” të provincave separatiste nga një pjesë e ish-Oblastit të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë.
Në vitin 2014, Presidenti Obama e përshkroi Rusinë si një “fuqi rajonale”. Edhe atëherë, ky karakterizim ishte i dyshimtë, gjë që solli rezultatin e vet që e çoi Rusinë në pushtimin e Krimesë. Kërcënimi i vetëm i Presidentit Barack Obama nëse Rusia nuk i tërhiqte trupat e saj nga Krimea ishte bojkotimi i Samitit të G8 të vendeve të industrializuara të mbajtur në Soçi (Rusi).
Gjatë 15 viteve të fundit, zoti Putin ka rindërtuar ushtrinë ruse dhe ka demonstruar aftësinë e saj për të vendosur forca të rëndësishme nga toka, deti dhe ajri, në Evropë dhe më gjerë. Lufta ruse dhe pushtimi i Ukrainës nuk kanë asnjë lidhje me mesazhin që Rusia po i dërgon botës. Ky është njoftimi i Putinit se Rusia është kthyer në skenë si një fuqi e madhe.
Shtetet e Bashkuara përballen me sfida ndaj interesave dhe parimeve të tyre në dy fronte kryesore, jo vetëm në një. Ajo nuk ka luksin e rishpërndarjes së mjeteve ushtarake dhe përqendrimit diplomatik nga Evropa në Azi. Shtetet e Bashkuara duhet të fokusohen në të dy frontet, por është e vështirë të shihet sesi mund ta bëjë këtë pa një buxhet më të madh ushtarak dhe një strukturë të forcuar qeverisëse në Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Mbrojtjes.
Josh Hawley, Senator i Shtetit të Misurit, i cili është pjesë e Komitetit të Shërbimeve në Kongresin Amerikan, i njohur për analizat e tij të famshme thotë; “Në epokën e re që po hyjmë në Evropë, do të duhet të bëjmë më shumë se më pak”. Është një fantazi e rrezikshme. Do të duhet më shumë për të bërë më shumë. Vendimi ushtarak rus do të shkaktojë kërkesa shtesë për ndihmë dhe vendosje trupash nga çdo anëtar i NATO-s që ndan një kufi me Rusinë, Ukrainën ose Bjellorusinë.
Në një intervistë të martën e shkuar, ish komandanti i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për Evropë gjenerali Ben Hodges, rekomandoi që Shtetet e Bashkuara të organizojnë dërgesa armësh të stilit të transportit ajror nga Berlini në Ukrainë dhe një zgjerim masiv të ndihmës perëndimore për të bllokuar përpjekjet ruse për të shtrydhur ekonominë e Ukrainës dhe për të zëvendësuar qeverinë e Volodymyr Zelensky me kukulla fleksibile.
Beteja e sapolindur për Evropën do t’i detyrojë vendet e tjera të përballen me çështje që i kanë shmangur prej kohësh. Kancelari gjerman Olaf Scholz është mburrur për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes të vendit të tij. Edhe pse ka pasur disa rritje vitet e fundit, buxheti i mbrojtjes për vitin 2022 është vetëm 1.5% e prodhimit të brendshëm bruto të Gjermanisë. Një përgjigje e besueshme gjermane ndaj pushtimit rus do të fillonte me një rritje të shpejtë të minimumit prej 2% të NATO-s.Gjenerali Ben Hodges tha; E them këtë si një hebre i lindur më pak se një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore:Është koha që Gjermania të riarmatoset, është gjithashtu koha që Gjermania të pranojë se Lufta e Dytë Botërore përfundoi më shumë se tre çerek shekulli më parë dhe se politikat që ajo miratoi pas luftës e kanë humbur arsyen e ekzistencës. Për shembull, refuzimi i saj për të shitur ose ndarë armë të prodhimit gjerman me Ukrainën, është ndëshkuar gjerësisht (dhe me të drejtë). Në realitetin e ri të sotëm, vazhdimi i kësaj politike është i pafalshëm”.
Kancelari Scholz të ndaloi procesin e certifikimit për gazsjellësin Nord Stream 2. Ky nuk duhet të rifillojë kurrë. Gjermania duhet të largohet nga varësia e saj e rrezikshme nga energjia ruse, e cila ka nxitur marrëdhënie jo të shëndetshme midis elitave të dy vendeve.
Në “Nord Stream 2” presidenti Donald Trump kishte miratuar sanksionet ndaj gazsjellësit rus në dhjetor 2019. Ai ka nënshkruar një ligj që do të vendosë sanksione ndaj çdo firme që ndihmon kompaninë shtetërore ruse të gazit, Gazprom, të përfundojë një tubacion në Bashkimin Evropian. Ky ligj u shfuqizua nga Presidenti Biden kur ai erdhi në pushtet.
Franca po përballet gjithashtu me vendime të vonuara gjatë. Që nga koha e Charles de Gaulle, Parisi ka qenë ambivalent për NATO-n, të cilën e sheh si një instrument të politikës anglo-amerikane. Lutja e presidentit Emmanuel Macron për një forcë të pavarur mbrojtëse evropiane pasqyron këtë bindje, ashtu si edhe përpjekjet e tij për të arbitruar polemikën midis Rusisë dhe Ukrainës.
Macron nuk mund të fajësohet për përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e vendit të tij në çështjet botërore. Por tani që Vladimir Putin ka treguar përbuzjen e diplomacisë së tij, duke mos marrë parasysh as vizitën e tij në Moskë në fillim të këtij muaji, pushtoi Ukrainën.
Ndjekja e një pozicioni ndërmjetësues francez vetëm sa do të dobësonte frontin e bashkuar që duhet të përballet Perëndimi kundër një autokrati që ka prishur qëllimisht paqen evropiane dhe kërcënon të prishë strukturën e sigurisë që demokracitë evropiane të mbështetura nga SHBA-të kanë mbajtur që nga viti 1945.
Kryeministri britanik Boris Johnson tha pak ditë më parë se beson se Vladimir Putin synon një “double down”(dyfishojë), pushtimin e tij të Ukrainës, pasi ai nuk parashikon “asnjë rrugëdalje”, por “të vazhdojë me shkatërrimin”. Ditë më parë Boris Johnson tha se Vladimir Putin kishte bërë një “gabim kolosal” dhe shtoi se ne do ta ndihmojmë Ukrainën ushtarakisht në mënyra të ndryshme.
Britania e Madhe duket se është gjithmonë lideri i “Aleancave të Mëdha” dhe këtë herë duket se ka qenë ajo që bashkoi fuqitë perëndimore, ndonëse dihet që evropianët e shohin me një sy fanatik. Gjatë mijëvjeçarit të fundit, Btitania është njohur si fuqia më e madhe tokësore detare dhe ekonomike në botë, e ashtuquajtura “Perandori ku dielli nuk perëndon në tokat e saj”, që si territor shtetëror nuk është pushtuar asnjëherë.
Brezat e evropianëve të pas Luftës së D.B. janë bindur se përdorimi i forcës nuk është më i nevojshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis kombeve. Ata besonin se diplomacia, e mbështetur nga ligji dhe institucionet ndërkombëtare, ishte mjeti i shekullit të 21-të për ruajtjen e paqes.
Në këtë kontekst, pushtimi rus i Ukrainës duhet të shkaktojë një krizë të identitetit evropian. Nëse forca është një tipar i përhershëm i marrëdhënieve ndërkombëtare, Bashkimi Evropian ose duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj, ose të pranojë se ia ka dhënë këtë punë për një kohë të pacaktuar Shteteve të Bashkuara.
Që tani e tutje, Perëndimi nuk ka më kohë për të hezituar. Presidenti Biden duhet të udhëheqë pa ambivalencë dhe anëtarët e aleancës perëndimore duhet të durojnë shqetësime afatshkurtra për të mbrojtur të ardhmen e demokracisë të kërcënuar nga diktatori rus Vladimir Putin.
Fatkeqësisht, Evropa vazhdon të blejë naftë dhe gaz rus, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Ekspertët vendas po u bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të ndalojnë blerjen e karburantit nga Rusia, duke minuar aftësinë e vendit për të financuar sulmin ndaj Ukrainës.
Ish-presidenti Trump kritikoi politikat energjetike të Presidentit Biden të mërkurën ndërsa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon. Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë blerjen e naftës ruse dhe inkurajoi vendin të “hapë naftën e vet”, duke argumentuar se Biden mund të ndihmojë në ndalimin e konfliktit në Ukrainë, duke rritur prodhimin e naftës në SHBA. “Është çmenduri dhe ne kemi më shumë naftë se ata”, theksoi Trump.
I këtij mëndimi ishte edhe udhëheqësi demokrat, Senatori Joe Manchin, i cili i bëri thirrje gjithashtu presidentit Joe Biden disa ditë më parë të rrisë prodhimin vendas të energjisë për të kufizuar mbështetjen e SHBA për importet ruse të naftës dhe gazit. Ai akuzoi Shtëpinë e Bardhë për vonesë të politikave “hipokrite”. Manchin tha në një deklaratë të hënën vonë se Shtetet e Bashkuara, të cilatimportojnë rreth gjysmë milioni fuçi produkte nafte nga Rusia në ditë, përbën një “kërcënim të qartë dhe aktual për sigurinë kombëtare të SHBA”.
Thirrjes së senatorit të Virxhinias Manchin iu bashkua kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila tha të enjten se Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë importet e naftës ruse për të ndëshkuar pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putin, duke u thyer me presidentin Biden, i cili po i reziston presionit për këtë çështje.
Diktatorët janë ekspertë të propagandës, por sot, kur populli që ka shijuar ditët e lirise dhe demokracisë, është e vështirë të mashtrohet.
Në Rusi, Putini ndaloi Facebook-un dhe arrestoi mijëra qytetarë që protestonin kundër sulmit në Ukrainë. Tani i takon Perëndimit të vendosë se çfarë mjetesh duhet të përdorë për të bindur popullin rus se udhëheqësi i tyre stalinist Vladimir Putin po i gënjen dhe se ai duhet të bjerë për të shpëtuar fatin e femijëvë të tyre.
Por cili është misioni i radhës për të shpëtuar një popull dhe presidentin e tyre të pathyeshëm Zelensky nga sulmet masakruase ruse? Pyetja është nëse fuqitë perëndimore do të arrijnë të menaxhojnë rënien e Ukrainës apo nëse do të arrijnë të shmangim rënien e Ukrainës.
Ndoshta e gjithë kjo luftë është punë e papërfunduar mes Moskës dhe Uashingtonit, ndoshta nuk ka të bëjë me NATO-n apo Ukrainën, është kryesisht me Shtetet e Bashkuara dhe lind pyetja pse Putin zgjodhi këtë periudhë që i përshtatej atij për luftë për të eksploruar idenë e teknikave luftarake, armët bërthamore dhe fijet e inteligjencës amerikane dhe të ardhmen e Fuqive të Mëdha.
Nëse nuk gjendet mënyra më e mirë për të ndalur egërsinën e shekullit të 21-të, Vladimir Putin, atëherë Europa është në rrezik. Pas aksionit të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, ai u përgjigj me sulmin(okupimin) ndaj centralit bërthamor në Ukrainë, tani kush mund ta ketë radhën? Mund të sulmohet Kosova që nuk është anëtare e NATO-s, prandaj çfarë?!
Putini dukes se po i thotë gjithë botës, shiko çfarë mund të bëj…!!
A duhet të jetojë bota nën shantazhin e Putinit?
Fuqitë perëndimore kanë mjetet dhe duhet të veprojnë para se të jetë tepër vonë. Bota nuk duhet të rrezikohet nga një i çmendur!