23/12/2024

PUSHTIMI I OSETISË JUGORE NGA RUSIA, LUFTA RUSO-GJEORGJIANE

0
Xhelal-Zejneli

Nga Xhelal Zejneli

Lufta në Osewtinë Jugore shpërtheu në gusht të vitit 2008. Pas përleshjeve të ashpra disaditëshe në këtë rajon, midis ushtrisë gjeorgjiane dhe forcave të Osetisë Jugore, më 7 gusht 2008 ushtarët gjeorgjianë u përpoqën për ta marrë qytetin kryesor të Osetisë Jugore, Shinvali (Chinvali). Osetia Jugore është rajon i shkëputur i Gjeorgjisë, i papranuar nga faktori ndërkombëtar. Luftimet filluan me zjarrin e snajperëve dhe të artilerisë. Për të nesërmen u caktuan bisedimet e paqes, por gjatë natës luftimet u intensifikuan. Të nesërmen, më 8 gusht 2008, Rusia dërgoi trupa shtesë në Osetinë Jugore. Sipas kryetarit të Rusisë Dmitrij Medvedev, Rusia e paskësh ndërmarrë këtë hap për t’i mbrojtur civilët në Osetinë Jugore, “shumica” prej të cilëve paskan shtetësi ruse. Në anën e Osetisë Jugore luftonin edhe vullnetarë nga Abhazia. Më 8 gusht 2008, kryetari i Gjeorgjisë Mihail Shakashvili fajësoi Rusinë se është duke kryer agresion ndaj vendit të tij dhe se forcat ushtarake ruse po e bombardojnë popullsinë civile. Me rastin e shpërthimit të luftës, Rusia pohonte se në Osetinë Jugore janë vrarë mbi 2.000 civilë. Këtë pohim Human Rights Watch e hodhi poshtë. Më vonë vetë Rusia e pranoi se numri i të vrarëve dhjetë herë është më i vogël.

Shënim: Dmitrij Medevedev (Dmitry Medvedev, 1965-) kryetar i Rusisë, prej 7 maj 2008 deri më 7 maj 2012.

Mihail Shakashvili (Mikheil Saakashvili, 1967-) kryetar i Gjeorgjisë në vitet 2004-2007 dhe 2008-2013; guvernator i Odesës në Ukraninë, në vitet 2015-2016.

*   *   *

Raporti i Bashkimit Evropian i datës 30.09.2009. për shpërthimin e luftës në Osetinë Jugore fajësoi Gjeorgjinë për shkak të sulmit në Shinvali (Chinvali), por shtoi se ky sulm pasoi vetëm pas “provokimeve disamujore nga ana e Osetisë Jugore”. Sipas raportit, Rusia ka pasur të drejtë të mbrojë personelin e vet në Osetinë Jugore, por jo edhe të ndërmarrë ofensivë ushtarake kundër Gjeogjisë, as të shkaktojë shkatërrim të tillë masiv dhe përndjekjen apo dëbimin e gjeorgjianëve. Raporti dënoi Rusinë edhe dhënien masive të pasaportave shtetasve të Osetisë Jugore dhe të Abhazisë. Sipas raportit, kjo paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Sipas disa ekspertëve, pasaportat qysh më herët e kanë lehtësuar shkëputjen e Abhazisë dhe të Osetisë Jugore nga Gjeorgjia dhe afrimin e tyre Federatës Ruse. Po ashtu, pas luftë në Ukrainën lindore në vitin 2014, për këtë luftë filloi të shfaqet një perspektivë tjetër. Disa ekspertë konsideronin se lufta e Rusisë kundër Gjeorgjisë ishte vetëm fillimi i një plani të gjerë të Rusisë për të dominuar ndaj ish-hapësirës perandorake pas-sovjetike.

Prapavija e konfliktit: Konflikti midis Gjeorgjisë dhe Osetisë dhe Lufta e Osetisë JugoreOsetia Jugore u shkëput nga Gjeorgjia në luftën e Osetisë Jugore të viteve 1991-1992. Misionet paqësore me nga 500 ushtarë të Rusisë, të Osetisë Veriore-Alanisë (pjesë e Rusisë) dhe të Gjeorgjisë, e mbikëqyrin armëpushimin që prej vitit 1992. Sot, shumica e popullsisë së Osetisë Jugore ka pasaporta ruse.

Kronologjia e konfliktit – Fillimi i konflikti 1 gusht – 7 gusht 2008; Konfliktet ndërmjet ushtrisë gjerogjiane dhe forcave paramilitare të Osetisë Jugore shpërthyen në mëngjesin e hershëm të datës 1 gusht të vitit 2008. Në këto konflikte u vranë gjashtë vetë, ndërsa 21 të tjerë u plagosën. Për fillimin e konflikteve, të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën. Autoritetet e Osetisë Jugore deklaruan se gjashtë vetë janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur, kur forcat gjeorgjiane kanë hapur zjarr dhe pas kësaj e kanë bombarduar kryeqytetin e Osetisë Jugore – Shinvali (Chinvali). Komandanti i forcave paqësore ruse deklaroi se ushtari i Osetisë Jugore është vrarë nga gjuajtja me snajper, nga stacioni policor nën kontrollin e Gjeorgjisë. Ai shtoi se në Shinvali (Chinvali), nga gjuajtja me snajper janë vrarë të paktën tre vetë. Pala e Osetisë Jugore pohon se gjuajtjet dhe bombardimet kanë vazhduar edhe gjatë natës së 2 gushtit të vitit 2008. Ministri i Mbrojtjes i Gjeorgjisë Mamuka Kurashvili (1970-) deklaron se Gjeorgjia ka hapur zjarr si përgjigje ndaj granatimit të fshatrave gjeorgjiane. Ministri i Punëve të Brendshme i Gjeorgjisë deklaron se gjatë granatimit janë plagosur gjashtë civilë dhe një polic gjeorgjian. Ministri i Mbrojtjes i Gjeorgjisë – Kurashvili deklaron se granatimin e fshatrave kanë marrë pjesë forcat paqësore ruse. Pala gjeorgjiane deklaroi po ashtu se pesë policë janë plagosur, kur automjeti i tyre është qëlluar me dy mjete shpërthyese.

Më 3 gusht 2008, qeveria ruse u ka lejuar qytetarëve të Osetisë Jugore të evakuohen në Rusi, kështu që ditën e parë, 20 autobusë me refugjatë u larguan nga Osetia Jugore.

Më 7 gusht dhe më 8 gusht 2008 pason sulmi i Gjeorgjisë. Sulmet snajperiste u intensifikuan më 7 gusht, ndërsa gjatë ditës filloi edhe veprimi i artilerisë gjeorgjiane. Granatat qëllonin viset kufitare të Osetisë Jugore, dujke përfshirë sakaq edhe kryeqytetin Shinvali (Chinvali), i cili ndodhet në zonën kufitare. Pas kësaj, Gjeorgjia shpalli armëpushim të njëanshëm. Por, gjatë mesnatës, sipas kohës lokale, sulmet u ripërtërinë. Sulmi i ri ishte më i ashpër. U përdorën të gjitha mjetet e artilerisë, midis tyre raketahedhës – kaqusha, mjete të blinduara me zinxhirë, por edhe aeroplanë luftarakë. Sulmi vazhdoi edhe mëngjesin e së nesërmes. Për të bërë të mundur tërheqjen e refugjatëve, në mesditë u shpall një armëpushim triorësh. U vlerësua se bëhet fjalë për rreth 30.000 refugjatë. Numri i të vrarëve u shtua në rreth 1400 sish. Ndërkohë, Gjeorgjia e fajësoi Rusinë për agresion, duke pohuar se në zonën e kontestuar kanë vepruar bombarduesit e saj. Rusia u përgjigj me kundërofensivë.

Më 8 gusht 2008 pason angazhimi i drejtpërdrejtë i Rusisë në luftë. Në orët e hershme të pasdites ndërmorën kundërofensivë tanket dhe mjetet e blinduara ruse. Ata u nisën nga kufiri verior i Rusisë. Sulmi rus u quajt “mision për përforcimin e paqeruajtësve të sulmuar”. Në orët e pasdites mbërritën në Shinvalin (Chinvali) pothuajse tërësisht të shkatërruar. Forcat gjeorgjiane u detyruan të tërhiqen. Pjesa e forcave që mbeti në qytet, u sulmua dhe deri në mëngjesin e së nesërmes, u asgjësua ose u tërhoq. Duke mësuar për këtë, Shakashvili fajësoi Rusinë për fillimin e luftës, duke paralajmëruar se gjatë natës do të vendos gjendje lufte. Autoritetet gjeorgjiane njoftuan në mbrëmje se është bombarduar porti i tyre Poti në Detin e Zi.

Më 9 gusht 2008, në Gjeorgji dhe në Abhazi u vendos gjendje lufte. Në orët e paradites, Shakashvili nënshkruan vendimin për gjendje lufte, që e vërteton Kuvendi i Gjeorgjisë. Në të njëjtën kohë, në rajonin tjetër të kontestueshëm, Abhazi, kryhet mobilizimi dhe evakuimi i pjesshëm i një pjese të popullsisë, në kufi me Gjeorgjinë. Gjatë ditës, gjendja e luftës shpallet edhe në pesë rajone të Abhazisë. Zyrtarët e Abrhazisë paralajmërojnë se do të bëjnë çmos për t’i ndihmuar popullit të Osetisë Jugore. Në orët e pasdites fillojnë luftimet në grykën e Kodorit, të vetmen pjesë të Abhazisë që e kontrollon Tbilisi. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë vërteton se Shinvali (Chinvali) i shkatërruar, tanë ndodhet nën kontrollin e rusëve, duke shtuar se ushtria gjeorgjiane ende ndodhet në Osetinë Jugore. Mediumet njoftojnë se në mbrëmje, forcat ajrore luftarake ruse e kanë bombarduar Gori-n, qytet në veri të Gjeorgjisë qendrore, si dhe përsëri portin Poti.

Më 10 gusht 2008 në luftime u angazhua flota ruse e Detit të Zi. Gjatë ditës, komanda supreme ruse vërteton se flotës së Detit të Zi i është dhënë urdhër të niset nga porti i Sevastopolit (Ukrainë), drejt bregut të Abhazisë, për ta bllokuar kinse furnizimin e Gjeorgjisë, me armë nga Ukraina. Ukraina ndërkaq, paralajmëroi se flota ruse nuk është e mirëseardhur. Këtë qëndrim Ukraina e mori me arsyetimin se “nuk dëshiron të përfshihet në konflikt”. Por, Rusia tha se do t’i kthejë anijet në Sevastopol, ngase marrëveshja e mirëpritjes me Ukrainën skadon në vitin 2017.

Pas vizitës që ua bëri refugjatëve në Osetinë Veriore-Alani, Vlladimir Putini deklaroi se “… pas krejt kësaj që ndodhi, është vështirë të besohet se Gjerogjia do të mund t’i kontrollojë territore e kontestueshme të saj”.

Gjatë ditës, në Osetinë Jugore u ripërtërinë luftimet sporadike, por trupat gjeorgjiane kryesisht u tërhoqën. Në orët e natës, marina ruse në Abhazi dogji një anije të vogë gjeorgjiane, të armatosur me raketa. Sipas burime perëndimore, u bombarduan Gori, porti Poti, aeroporti ushtarak dhe impianti i radarëve në Tbilisi. Ndërkohë, numri i refugjatëve nga Osetia Jugore arriti në mbi 30.000 – rreth gjysma e popullsisë së Shinvalit (Chinvali). Medvedevi deklaroi se kjo nuk mund të karakterizohet ndryshe përpos si gjenocid. Ai kërkoi krijimin e një tribunali ad hoc për krime lufte.

Më 11 gusht 2008 shpërthyen luftime jashtë territoreve të kontestueshme. Rusia bombardoi dhe pushtoi Gori-n. Gjatë natës, Rusia i dha ultimatum Gjeorgjisë që deri në orën tetë të paradites, të datës 11 gusht 2008, t’i çarmatosë të gjitha trupat në Abhazi. Gjeorgjia e hodhi poshtë ultimatumin, ndërsa në grykën e Kodorit, luftimet u ripërtërinë.

Brenda ditës, aviacioni luftarak i Rusisë bombardoi disa objektiva në Gjeorgji, duke rrezikuar edhe kryeqytetin, Tbilisin. Sipas burimeve perëndimore, në orët e pasdites ushtria ruse filloi sulmin, duke çelur dy fronte jashtë territoreve të kontestueshme: nga Osetia Jugore kah Gori-t dhe jashtë Abhazisë kah Poti. Në mbrëmje, Gjeorgjia pohoi se atë kanë rënë në duart e rusëve, ndërsa Shakashvili doli me dy deklarata dhe tha: “… Më tepër se gjysma e Gjeorgjisë ndodhet nën kontrollin e Rusisë” dhe “… Gjeorgjia është përgjysmuar”. Deklaratat e Shakashvilit, Rusia i përgënjeshtroi. Megjithëkëtë, disa ushtarë gjeorgjianë i deklaruan për rrjetin britani “Skaj” se “… ndodhen në tërheqje të plotë kah Tbilisi” .

Më 11-13 gusht 2008 pasoi armëpushimi. Ministri francez i Punëve të Jashtme, Bernar Kushner (Bernrad Kouchner, 1939-) dhe një diplomat finlandez u nisën për në Tbilisi, për t’i dhënë mbështetje tërësisë së tokave të Gjeorgjisë. Me këtë rast, Shakashvili e nënshkroi propozimin francez për armëpushimin, me të cilin të gjitha palët tërhiqen nga fushëbetejat. Në mbrëmje, bashkë me presidentin francez, Nikola Sarkozi (Nicolas Sarkozy, 1955-), vajtën në Moskë për ta bindur Dmitrij Medvedevin për ta bërë të njëjtën. Në seancën e pestë të njëpasnjëshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, propozimi u hedh poshtë. Dukej sikur Medvedevi nuk do ta pranojë propozimin e armëpushimit dhe të tërheqjes nga fushëbetejat. Megjithëkëtë, mëngjesin e së nesërmes ai urdhëroi ndërprerjen e zjarrit. Gjatë ditës, Shakashvili deklaroi se bombardimi i Gjeorgjisë vazhdon. Luftimet në Abhazi vazhduan, ndërsa trupat gjeorgjiane u sprapsën. Më 13 gusht 2008, trupat ruse u larguan nga Gori dhe u nisën kah jugu. Lindi dyshimi se ata do të shkojnë drejt Tbilisit. Megjithëkët, pas disa orëve u pa se ata vetëm e kanë çarmatosur dhe e kanë asgjësuar bazën gjeorgjiane, rreth 16 kilometra në jug të Gori-it. Pas kësaj, u shpall tërheqja nga territori i Gjeorgjisë.

Pas shpalljes së armëpushimit, trupat e Abhazisë, më 13 gusht 2008 morën në dorë grykën e Kodorit dhe i dëbuan forcat gjeorgjiane. Armata ruse, ende ndodhet në Abhazi dhe në Osetinë Jugore, si “garantë e sigurisë”. Në të vërtetë, ato janë pushtuar nga Rusia.

Si pasojë, gjeorgjianët u dëbuan nga Osetia Jugore. Në luftë u vranë gjithsej 602 vetë. Në anën gjeorgjiane u vranë 405 vetë apo 67,3% e numrit të përgjithshëm të të vrarëve. Prej tyre, 220 civilë dhe 169 ushtarë. Në anën e Osetisë Jugore u vranë 197 vetë apo 32.7% e numrit të përgjithshëm të të vrarëve. Prej tyre, 133 civilë dhe 64 ushtarë. Sipas UNHCR, për t’iu shmangur luftës, 192.000 u shpërngulën nga vatrat dhe nga trojet e veta dhe u shndërruan në refugjatë. Prej tyre, 127.000 vetë apo 66,1% nga numri i përgjithshëm janë refugjatë në anën gjeorgjiane; 30.000 vetë apo 15,6% janë refugjatë në Osetisë Jugore, ndërsa në Osetinë Veriore ka shkuar 35.000 vetë apo 18.2%.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok