22/12/2024

PUNË TË MBARË PROFESOR SHEFQET HOXHA

0
Shahu-Hoxha

NGA REXHEP SHAHU

Në dhjetor 2020 profesor Shefqet Hoxha ka tashmë të botuara 10 vepra të tij të trashëgimisë. Jo vetëm Baladat dhe Prozën, por tashmë për të interesuarit janë në qarkullim Epika Historike, Lirika Popullore dhe Eposi i Kreshnikëve. Gjithsej 10 libra të rrallë, një pasuri e jashtëzakonshme për kujtesën kombëtare, dëshmi të pazhbëshme.

Keto 10 libra u botuan nga Shtëpia Botuese Klubi i Poezisë, falë mirësisë së humanistit Flamur Hoxha, i cili diti t’i vlerësojë këto libra dhe të na pohoje ne të gjithëve se ka edhe sipërmarrës e biznesmenë që e dinë se çfarë është libri, që e dinë se libri është kolona e të ardhmes së shoqërise.

56 vjet më parë, më 1960, vit kur unë jam lindë, prof. Shefqet Hoxha ka botuar shkrimin e parë shkencor me titullin “Fejesa e martesa në Lumë” në “Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës”, Seria Shkencat Shoqërore, nr. 4.

Në 56 vite prof. Shefqet Hoxha ka botuar mbi 60 libra dhe na i ka lënë si pasuri të papërsëritshme, me disa mijëra faqe, disa qindra shkrime, ka të pabotuara rreth 40 libra të tjera që presin vemendje, kujdes e mirësi si në rastin e këtyre dy botimeve, ka krijuar bibliotekë dhe njerzit që krijojnë bibliotekë janë të rrallë.

Këtë fund viti të 2016 ai sjell për lexuesit dy botime të veçanta, Proza popullore (Lumë, Has, Malzi, Fan) dhe Balada popullore (Lumë, Has, Malzi, Fan), libra këto me vlera të pallogaritshme për kujtesën dhe kulturën tonë kombëtare.

E bëj këtë shënim për ta falenderuar profesor Shefqetin për punën që ka bërë, për mbledhjen e Prozës, Baladave, Lirikës, Epikës, për mbledhjen e Kanunit të Lumës, për përgatitjen e tyre për botim; që e ka shpëtuar prej humbjes e zhdukjes këtë pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore të kombit tonë; për besimin e deshirën që pati e m’i dha mua që t’i botoj përmes shtëpisë time botuese “Klubi i Poezisë”, botim që realizohet me mbështetjen financiare të z. Flamur Hoxha, të cilin e falenderoj se zevendësoi shtetin dhe financoi me kënaqësi këto botime të rralla me vlera të veçanta për historinë dhe kulturën kombëtare. Jam i bindur se këtij falenderimi do t’i bashkangjiten me përkulje brezat e ardhshëm, studiuesit e ardhshëm sepse shpirti ynë nuk do të shuhet.

Materialet që ka mbledhë, përgatitë dhe po boton prof. Shefqet Hoxha në këto dy libra të parë të kësaj natyre, Proza popullore dhe Balada popullore, (do të botohen vitin tjetër edhe Lirika, Epika dhe Eposi i Kreshnikeve, falë shpirtbardhësisë së Flamurit), nuk mund të gjenden më e as të mblidhen më. Sepse nuk ka më mbartës të tyre, nuk janë gjallë mbartësit e tyre dhe mungojnë për momentin, patriotët, pasionantët, të palodhurit e skrupulozët si prof. Shefqet Hoxha që ua ka kushtuar gjithë jetën e tij këtyre vlerave e pasurive shpirtërore.

Në një Shqipëri europiane, këto libra, këto vlera shpirtërore që na sjell prof. Shefqet Hoxha janë ato pasuri, prova e dëshmi kulturore e historike të dorës së parë që na veçojnë, që tregojnë fytyrën e shpirtin tonë shqiptar, që pohojnë identitetin tonë kombëtar.

Gjithë puna shkencore, krijimtaria e gjërë dhe e larmishme e prof. Shefqet Hoxhës është e dobishme dhe e domosdoshme, por këto pesë volume, Proza, Balada, Lirika, Epika dhe Eposi i Kreshnikeve, unë i kam veçuar si punë të papërsëritshme dhe të pabëshme kurrë më, ndaj dhe jam angazhuar në botimin e tyre.

Prof. Shefqeti, Faleminderit që i shpëtove këto pasuri dhe tani këto do të jenë të gjalla e të pavdekshme në bibliotekat tona dhe kujtesën kombëtare.

Ju i vetëm keni punuar si një Akademi Shkencash dhe unë shpreh mirënjohje e falenderim në emër të lexuesit të sotëm dhe sidomos atij të nesërm për këtë kontribut tuajin në shkencën shqiptare.

56 vjet pa pushim punë kërkimore-shkencore me përkushtim e skrupulozitet, pa heqë dorë kurrë, duke u bërë kështu modeli e shembulli më i përkryer për ne që të njohëm dhe për gjithë njerzit e letrave sot e përgjithmonë.

Punë të mbarë profesor.

(Shkrimi mësiperm është fjala ime si botues në librin Proza Popullore të Profesor Shefqet Hoxhës në dhjetor 2016, kur ai libër doli nga shtypi.)

Dhjetor, 2016

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok