PSEUDO-AKADEMIKËT SERBË PËR SHQIPTARËT
Për t’u dhënë mbështetje synimeve politike të shtetit serb, akademikët serbë e kanë keqpërdorur shkencën
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Instrumentalizimi i shkencës nga Jovan Cvijiqi
Kryetari i Akademisë Mbretërore Serbe Jovan Cvijiq (1865-1927) ishte një pseudoshkencëtar. Shumë segmente të studimeve të tij, sot e kësaj dite shfrytëzohen si “arsyetim shkencor” i politikës serbomadhe. Cvijiqi angazhohej për zgjerimin territorial të Mbretërisë së Serbisë në drejtim të jugut, në territoret shqiptare dhe maqedonase. Sipas tij, “aneksimi i këtyre territoreve, është kusht për zhvillimin e Serbisë”. Në vitin 1918 Cvijiqi hartoi edhe hartën etnografike të Ballkanit.
“… Për të qenë ekonomikisht e pavarur, Serbia medoemos të ketë dalje në detin Adriatik dhe në një pjesë të bregdetit shqiptar; qoftë me pushtimin e territoreve, qoftë me fitimin e të drejtave ekonomike dhe të drejtave për qarkullim në ato zona. Me fjalë të tjera, kjo nënkupton pushtimin e një rajoni, vërtet të huaj në pikëpamje etnografike, por një zaptim i tillë medoemos të bëhet për shkak të interesave ekonomike tejet të rëndësishme, pikërisht për nevoja jetësore”.
Në kohën e luftës për Maqedoninë, Cvijiqi me mori publikimesh dhe me harta etno-gjeografike synonte ta bindë opinion ndërkombëtar se sllavët maqedonas nuk janë veçse “serbë të jugut”. Midis viteve 1906-1918 hartoi një mori hartash me të cilat pretendimet serbe për këto rajone i arsyetonte duke i shpallur maqedonasit si një grup etno-linguistik serb. Hartat etnografike të Cvijiqit të botuara në vitin 1906, 1909 dhe 1913 dalloheshin ndër vete dhe u përshtateshin nevojave të Serbisë në politikën e jashtme. Në hartën e vitit 1909, krahasuar me hartën paraprake të vitit 1906, dukshëm është pakësuar prania e shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoninë perëndimore. Në hartën e viti 1913, krahasuar me hartën paraprake të viti 1909, prania e të ashtuquajturve “kroatë-serbë” dukshëm është shtyrë kah jugu. Në të njëjtën hartë, prania e shqiptarëve “është reduktuar në mënyrë dramatike”, madje edhe në Shqipërinë veriore. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Cvijiqi publikoi hartën e cila duhej të ndikonte në vendimet e Konferencës së Paqes në Paris në vitin 1919. Në këtë hartë serbët dhe maqedonasit janë futur në një kategori. Me këtë, Cvijiqi i dha legjitimitet kontrollit të Maqedonisë nga Serbia.
Memorandumi i Vaso Çubriloviqit
Në vitin 1937, akademiku serb Vaso Çubriloviq (1897-1990) e shkroi memorandumin “Dëbimi i shqiptarëve”. Elaboratin e lartpërmendur e shkroi për qeverinë e kryeministrit Milan Stojadinoviq (Çaçak, Serbi, 1888 – Buenos-Aires). Me shkrimin e tij propozon zgjidhjen “e çështjes shqiptare” me spastrimin etnik total të Kosovës nga shqiptarët. Ai konsideron se është “detyrë imperative” e shtetit të mos lejojë që territorin strategjik të rëndësishëm të tij, ta ketë në dorë “elementi i huaj, që për ne është armiqësor”.
Çubriloviqi e kritikon kolonizimin e deritashëm joefektiv serb të Kosovës dhe propozon metoda më efektive të dëbimeve të dhunshme të popullsisë shqiptare: “Është e pamundur që shqiptarët mposhten vetëm me kolonizim gradual… E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e një pushteti shtetëror të organizuar. Në këtë pikëpamje, ne gjithmonë kemi qenë mbi ta”.
Çubriloviqi konsideron se e vemja mënyrë efektive e zgjidhjes së çështjes shqiptare është shpërngulja e tyre “en masse”. Ai propozon një sërë mjetesh trysnie me të cilat do të arrihej shpërngulja masive, si: krijimi i psikozës, trysnia e aparatit shtetëror dhe e policisë, me të cilat “do të vështirësohej me të madhe ekzistenca e shqiptarëve te ne”, armatosja e popullsisë serbe, dërgimi i çetnikëve, djegia e vendbanimeve shqiptare, etj.
Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve (ASShA)
Memorandumin e ASShA-së të vitit 1986 e hartoi Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, si një program strategjik i inteligjencies serbe. Memorandumi bënte fjalë për “pozitën e rëndë dhe pabarazinë e popullit serb në Jugosllavi, e posaçërisht në Kosovë ku zbatohet gjenocid fizik, politik, juridik dhe kulturor ndaj popullsisë serbe”. Demonstratat e shqiptarëve në Kosovë në vitin 1981, akademikët serbë i quajtën “agresion neofashist”.
Në vijim, Memorandumi e kritikon “konfederalizmin si dhe autorizimet e mëdha të krahinave autonome, të mundësuara me Kushtetutën e viti 1974”, duke vlerësuar se me këtë kushtetutë “serbët janë të diskriminuar”. ASShA-ja konsideron se “çështja serbe nuk ka për t’u zgjidhur pa u arritur bashkimi kombëtar dhe kulturor i plotë i serbëve, pavarësisht nga fakti se ku jetojnë ata”. (faqe 70-73)
Për shkak të pikëpamjeve lidhur me çështjen kombëtare dhe kërkesave për riorganizimin rrënjësor të shtetit, Memorandumi shkaktoi reagime të ashpra në Jugosllavinë e atëhershme.
Një ditë pas publikimit të Memorandumit, kryetari i atëhershëm i Kryesisë së Serbisë, Ivan Stamboliqi (1936 – 25.08.2000) e quajti “manifest lufte për komisarët serbë”.
Pas disa viteve, komisioni i ekspertëve i Kombeve të Bashkuara këtë memorandum e vlerësoi si “mjet të përhapjes së ndjenjave antishqiptare”.
Në Jugosllavi dhe në Serbi ka pasur shumë të tillë të cilët këtë dokument e kanë konsideruar si shprehje të nacionalizmit serbomadh. Konsiderohet se Memorandumi i ASShA-së ka luajtur rol kyç në shkatërrimin e Jugosllavisë, duke ndikuar me të madhe në luftën e Serbisë kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinë dhe Kosovës.
Paraardhësi i Milosheviqit, Ivan Stamboliqi besonte se e larguan nga pushteti për shkak të mosmarrëveshjeve të tij me Akademinë dhe kundërshtimit të Memorandumit.
Shënim: Më 25 gusht 2000, Ivan Stamboliqi kishte dalë të shëtiste në parkun e Frushka Gorës. E kishin zënë do njerëz dhe e kishin vrarë me dy plumba. E kishin hedhur në një gropë të çelur paraprakisht, ku kishin qitur edhe gëlqere të gjallë. Me fjalë të tjera, ai ra viktimë e regjimit kriminal të Milosheviqit. Mbetjet mortore të tij u zbuluan më 28 mars të viti 2003.
* * *
Albanofobia e Vladan Gjorgjeviqit
Në përhapjen e albanofobisë në Serbi në fillim të shekullit XIX kryesonte Vladan Gjorgjeviqi (1844-1930). Ishte politikan serb dhe anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Në librin e tij “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” (Arnauti i Velike sile, Beograd 1913), shqiptarët i paraqet si “njerëz të egër të cilët nuk kanë histori, lëkurëkuq evropianë që flenë nëpër dru, të lidhur për degësh me bishtat e tyre”.
Dobrica Qosiqi për shqiptarët
Akademiku serb Dobrica Qosiq (1921-2014) shumë herë ka dalë në publik me qëndrimet e tij diskriminuese ndaj shqiptarëve. Për shkak të përhapjes së gjuhës së urrejtjes, kundër tij është paraqitur edhe kallëzim penal.
Ky farë shkrimtari për shqiptarët thotë: “Kjo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit barbar, tribal, e merr për aleat Amerikën dhe Bashkimin Evropian në luftë kundër popullit më demokratik, më të qytetëruar dhe më të arsimuar të Ballkanit – popullit serb”.
* * *
Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve kurrë nuk është distancuar publikisht prej qëndrimeve të tilla të anëtarëve të saj.
Fizikani bërthamor dhe teoricieni social Stevan Dedijer (1911-2004), në fillim të vitit 2003 i dërgoi letër të hapur kryeministrit të atëhershëm Zoran Gjingjiqit (1952-2003).
Fizikani i sipërthënë i propozonte Gjingjiqit ta shpërndajë Akademinë Serbe të Shkencave dhe të Arteve në mënyrë që të bëhet riorganizimi i plotë i saj.
Sipas këtij dijetari, “Akademia si e këtillë, nuk merret me zhvillimin e forcës kreative të popullit serb në shkencë dhe në teknologji, por merret me ide të prapambetura të nacionalizmit, të shovinizmit, të urrejtjes dhe me marrëzira”.
Posaçërisht i kritikonte akademikët serbë për mbështetjen e idesë së Serbisë së Madhe. “Marrëzia kryesore dhe më e keqe e udhëheqësve të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve është ajo se janë marrë me çdo gjë përpos me atë me të cilën duhet të merret çdo Akademi e Shkencave: me zhvillimin e forcës kreative të popullit të vet, në teknologji, në shpikje dhe në inovacione”.
Stevan Dedijeri konsideronte se shpërndarja e ASShA-së është pjesë e politikës së domosdoshme për zhvillimin e Serbisë në përgjithësi, e sidomos të shkencës dhe të teknologjisë së saj. Ai priste prej Zoran Gjingjiqit që me riorganizimin rrënjësor të këtij institucioni shkencor më të lartë, ta vërë Serbinë në rrugën e një zhvillimi dinamik. Ndërkohë, regjimi kriminal i Serbisë e vrau Gjingjiqin, ndaj edhe fizikani bërthamor s’mori përgjigje për propozimin e vet.
* * *
Lidhur me Kosovën është prononcuar disa herë edhe kryetari i ASShA-së Vladimir S. Kostiq (1953- ). Është neurolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd. Në lëmin e mjekësisë është me renome ndërkombëtare. Në vitin 2015 u zgjodh kryetar i ASShA-së.
Në tetor të vitit 2015 Vladimir Kostiqi për Kosovën thotë: “Kosova faktikisht dhe formalisht është e humbur për Serbinë. E vetmja mençuri politike është se si me elemente të dinjitetit ta braktisim Kosovën për arsye se ajo, as de fakto, as de jure nuk është në duart e Serbisë”.
Më 7 janar 2021, në një intervistë në TV N1 ai deklaron: “Askush në Serbi, përfshi edhe Kishën Ortodokse Serbe, nuk kanë tapi për të vërtetën përkitazi me Kosovën”.
Kundër qëndrimit të Kostiqit pati reagime të shumta, nga të katër anët. Kryetari i Serbisë Tomislav Nikoliqi pyeti: “Pas qëndrimeve të tilla për Kosovën, a mund ai të vazhdojë të jetë në krye të Akademisë”.
U prononcua edhe kryeministri i atëhershëm Alekdandar Vuçiqi.
Më 9 nëntor 2018, Vladimir Kostiqi ofroi dorëheqje nga posti i kryetarit të ASShA-së. Më 16 nëntor 2018, dorëheqjen e tij Akademia nuk e pranoi. Në këtë detyrë qëndroi deri në vitin 2023.