18/04/2024

PSE  VETEM  SHKODRA?!

0

Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e I.

1946

SHKODRA E 26 BURGJEVE

  1. Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve te Mbrendshme.Këtu ishte dhe SEKSIONI KATOLIK I SIGURIMIT SHTETIT – I VETMI NË BOTË!
  2. Hetuesia (Shtëpia e Pjetër Çiurçisë).
  3. Burgu i Prefekturës (Kati përdhé).
  4. Konvikti “Malet tona”.
  5. Burgu i Madh pranë Prefekturës.
  6. Burgu i Kishës së Fretënve (Kuvendi) në Gjuhadol.
  7. Burgu i vjetër i Gestapos, pranë shtëpisë së Zef Shirokës.
  8. Shtëpia e Ulqinakut.
  9. Kuvendi i Motrave Servite.

10Kisha e Motrave Servite.

  1. Shkolla e Çelës.
  2. Podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, (nën farmaci).
  3. Burgu i Çekës (sot Instituti “Nanë Tereza”).
  4. Toga e Ndjekjes së Sigurimit (tek Sanatoriumi i sotëm).
  5. Burgu i Postës tek harku kundrejt Xhamisë së Kuqe në Perash.
  6. Shtëpia e Rrojëjve (pranë Maternitetit të vjetër).
  7. Shtëpia e Guljelm Lukës tek rruga e Jezuitëve (ku interrnonin).
  8. Shtëpia e Dr. Karamitrit.
  9. Shtëpia e Lec Shkrelit, tek Dugajtë e Reja.

20.Hoteli i Bepit të Mishiqit (ishte përballë Institutit Pedagogjik).

  1. Shtëpia e Guljelm Sumës.
  2. Shtëpia e Sandër Saraçit.
  3. Shtëpia përdhese e Vuksanëve, mbas shtëpisë së Shkrelit.
  4. Spitali i burgut përballë Shtëpisë së Kulturës.
  5. Spitali i burgut tek Spitali Civil sot.
  6. Burgu i ushtrisë tek rekrutimi.

Pse vetem Shkodra u martirizue si asnjë qytet tjeter i Lindjes komuniste?

Ja  qendrat e masakrave ma të mëdha që nuk harrohen kurrë në Shkoder: Shtëpia e Çiurçisë, Burgu i Kishës së Fretënve (1946), Konvikti i vjeter “Malet tona”, Dega e Punëve të Mbrendshme, qendra e mnershme ku ishte edhe SEKSIONI KATOLIK I SIGURIMIT SHTETIT, Shtëpia e Lec Shkrelit, podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, shtëpia e Ulqinakut, etj., etj.

Ka me kalue një kohë e gjatë e ma e gjatë se ajo që kujtojmë na, për me dalë në dritë veprat terroriste e kriminale të Partisë Komuniste (të Punës e asaj “Socialiste”) të Shqipnisë, të kryeme nga dora barbare e Sigurimit të Shtetit gjakatar, shërbëtore besnike e Partisë sllavokomuniste të Jugosllavisë, të B.R.S.S. Stalinist dhe Kinës komuniste.., që nga thëmelimi i saj në 1941.

Per krimet e torturat e bame nder këto 26 qendra masakrash duhen disa libra të shkruem nga Ata, që i kanë provue mbi trupat e Tyne ato vuejtje…

Fëtyra e vertetë e sistemit komunist në Shqipni u zbulue në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945, ku shërbëtori dhe agjenti jugosllav ishte në krye të qeverisë kukull të Tiranës, terroristi dhe amorali i kabareve të Parisit, atij që do të mbesë në fletët ma të zeza dhe ma të gjakosuna të Historisë së Popullit Shqiptar, kriminelit të pashoq dhe të tradhëtarit sadist, terroristit Enver Hoxha. Dora e zezë e tij, e maskueme me sigurimin e shtetit të drejtuem nga klika gjaksore e Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Shevqet Peçi, Nexhmije Hoxha, Omer Nishani etj., të pasuem nga brigadat e ndjekjes dhe të vrasësve të pashokë që kishin pushtue anë e kand Shqipninë, Kristo Themelko, Kadri Hazbiu e të pasuem nga fanatikë pashkolla, anadollakë e sllavokomunistë të gjithë bashkë “grusht çeliku rreth partisë”, me kriminelët Zoji Themeli, Ndrekë Nallbani, Zoji Shkurti, Hilmi Seiti, Dul Rrjolli, Lilo Zeneli, Kasem Troshani, Aranit Çela, Mustafa Iljazi, Gjon Prendushi, Dulaç Lekiqi, Çesk Shoshi, Idriz Çoba, Bashkim Kasoruho, Fadil Kapisyzi, Nesti Kopali, Hysni Ndoja, Ali Xhunga, Xhevdet Miloti, Pjerin Kçira, Zoji Shkurti, Elez Mesi, Nevzat Haznedari, Kapo Kapaj, Gafur Çuçi, Lin Çollaku, Asllan Lici, Bardhok Biba, Toger Baba, Faik Nuti, Sadik Rama, Bexhet Meksi, Xhemal Selimi, Haki Llazani, Filip Pema, Ferit Mandija, Hamdi Ulqinaku, Ali Qorri, Fadil Paçrami, Gjeli Argjiri, Tonin Miloti, Misto Bllaci, Faik Minarolli, Gjon Banushi, Rasim Dedja, Isa Miloti, Anastas Koroveshi, Niko Çeta, Ago Dino, Zurdi Shehu, Ali Paçrami, Petrit Hakani, Halim Ramohito, Thoma Rino, Zhule Çiriako, Alush Bakalli, Shyqyri Qoku, Jonuz Dini, Ahmet Suji, Shyqyri Kaçorri, Bastri Beqiri, Bilo Bregu, Zija Dibra, Vaskë Koleci, Çiril Pistoli, Fahri Kraja, Hys Zaja, Xhemal Dini, Faik Spahija, Elham Xhika, Dhimiter Shkodrani, e sa të tjerë që nuk harrohen kurrë nga Ata Shkodranë fatzezë që kanë pasë rasën me ra ndër thojtë e këtyne katilave, derisa, një ditë u doli Shpirti nga dhunimet, vuejtja e masakrat, torturat dhe tmeri i pashoq që kanë provue prej atyne bishave të pranguem, të gjakosun dhe të shkrryem ndër çimento të qelive të akullta. Në këte kujtesë të këtij viti të përgjakun nuk duhet të heshtim, të flejmë dhe ne në gjumin e randë të narkozës që komunistët kerkojnë me i vue Popullit Shqiptar! Mbas shpalljes së “republikës” komuniste tek ne nën mbikqyrjen Jugosllavisë së Josif B. Titos, me 11 Janar 1946, komunistët do të fillojë qeverisjen diktatoriale me mjetet ma të dhunëshme që ka njohë historia, për nënshtrimin dhe skllavrimin e Popullit Shqiptar. Ishin vrasjet pa gjyq, masakrimi masiv i popullsisë së pambrojtun, arrestimet, torturat, gjyqet fallse, të fshehta apo të montueme publike, burgosjet, kampet e shfarosjes dhe të punës, internimet dhe zhdukjet pa procedura juridike, shkelja e të gjitha të drejtave elementare të njeriut, dhunimi dhe masakrimi në masë, përsekutimi dhe lufta antinjerzore e “kllasave” ndaj çdo elementi të konsideruem “armik” kjoftë ky edhe i palindun ende; këte e dokumentojnë thanjet e terroristëve të pashpirtë, se: “Kur të përmendet emri ‘komunist’, ka për t’u tmerruar edhe fëmija në barkun e nënës..!”, një e vertetë që ndodhi atëherë e prap sot në Shqipni, për Ata që nuk mund të harrojnë kurrë ata tradhëtarë! Komunistët “shqiptarë” ishin të njohun mjaft mirë në Jug të Shqipnisë që në luftën e tyne civile, të ashtuquejtun “nacional – çlirimtare” në vitet 1943 – 44, kur mizoritë dhe vrasjet u kryenin gjoja nën masken e luftës kundër anmiqve të mbrendshëm, vegla të okupatorëve, “Ballit Kombëtar” dhe Legalitetit apo dezertorëve etj. Kjo u vazhdue në Veri mbas 29 Nandorit 1944 tue përfshi edhe masakren kundër kosovarëve nga Kukësi e deri në Tivar e Ulqin, ku humbën jetën mbi 12.000 shqiptarë kosovarë të çarmatosun nga tradhëtarët Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Rahman Perdhaku, Shevqet Peçi etj., në bashkpunim me forcat komuniste të Titos në Kosovë dhe Malin e Zi. Në janarin e vitit 1945 Mehmet Shehu dhe Koçi Xoxe, të lidhun me forcat jugosllave, arrijnë me thye mbas shpine Prek Calin dhe malësorët e Kelmendit, ku vrasin 118 malësorë pa gjyq, i hedhin kufomat e tyne ndër prroje e prroska, ua djegin kullat dhe i plaçkisin gjanë e gjallë, vetem me një qellim: “Për hir të kolltukut personal të tradhëtarëve, Populli Shqiptar duhej skllavnue e shnderue perjetèsisht nga anmiku i tij shekullor: Sllavokomunistët jugosllavë barbar të ”druzhe” Titos!

Shqiptari i Bjeshkve të Nemuna (të njoftuna me namë dhe nderë), i brumosun me idealin Shekullor t’ Atdhedashunisë, të Fesë, Besës, Burrnisë dhe Bujarisë, ai duhej shkombtarizue, duhej zhdukë nga faqja e dheut!

Mbas betejës së Kelmendit, në gjysën e dytë t’ Janarit 1945, arrestohen nga komunistët dy klerikët e parë At Gegë Lumaj e At Dioniz Maka, tue u akuzue se kane mbajtë armë pa leje. Para Bashkisë së Shkodrës, vriten Atdhetarë në prani të Popullit. Kjo ishte “Liria”!Me datën 2 dhe 3 shkurt 1945 fillojnë arrestimet edhe në Shkodër me Don Mikel Koliqin, famullitar i Shkodrës, Prof. At Giakomo Gardin SJ, dhe xhakonin jezuit Gjergj Vata.

Me 5 Mars 1945, mbasi sigurimi masakron klerikun Don Lazër Shantoja, tue i sharrue kambët me sharrë druevari, e pushkaton pafaj me Sulçe Beg Bushatin, brij lumit Lana në Tiranë e, po atë kohë, Don Ndre Zadejen e vrasin pranë vorrezave të Rrëmajit në Shkodër, me grupin e Prek Calit, prej 16 vetësh me 25 Mars 1945 në Zallin e Kirit.

Vazhdohet nënshtrimi i Veriut me pushkatimet e Ndue Palit e Caf Metit për me mërrijtë në arrestimet e anëtarëve të Organizatës parë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” në fundin e nandorit, e thëmelueme nga Mark Çuni në muejn Maji 1945. Kjo asht Organizata e Parë antikomuniste në krejt Lindjen komuniste kur lufta nuk kishte përfundue ende.Në Qershorin e vitit 1945, i tradhëtuem nga një kushri i veti (LB), arrestohet nga forcat e ndjekjes At Anton Harapi, që ndodhej i fshehun tek një mik i veti në malet e Dukagjinit. Sillet në Shkodër dhe mbas pak ditësh dërgohet në hetuesi në Tiranë.

Në shtator të 1945 arrestohet dhe masakrohet barbarisht Don Mark Gjani në Mirditë, tue kerkue prej Tij me akuzue Imzot Frano Gjinin, i cili ishte emnue në muejn Maji 1945, mbas largimit të Delegatit Apostolik të Vatikanit nga Shqipnia, Imz. Leone G.B. Nigris, i dëbuem nga qeveria komuniste e Tiranës si zëvendës i Tij në Shqipni. Don Marku ishte sekretar i Regjentit të porsa emnuem Imz. Gjinit. Don Marku u torturue nga shefi i sigurimit Bardhok Biba, i cili i dogj kambët me hekur të skuqun, ia sharroi me sharrë dhe, mbasi i vdiq ndër duer, e vari me e pa ashtu të gjymtuem populli i Sh’Palit, e mandej, e hodh në breg të prronit me e ngranë qentë e fshatit. Në muejn dhjetor 1945 mbyllen shkollat e Motrave Stigmatine dhe Servite në Tiranë, të cilat shpejt pasohen edhe në Shkodër, mbas zbulimit të Organizatës “Bashkimi Shqiptar” tue u mbyllë edhe seminaret dhe shkollat e Françeskanëve dhe të Etenve Jezuitë në Shkoder dhe, tue u nxjerrë jashta Shqipnie edhe jezuitët italianë që nuk ishin të arrestuem me atë rast.

Në sa me 11 Janar 1946 organizohet shpallja e “Republikës”, në Shkodër punohet për me mbushë burgjet e podrumet e shtëpijave të Ulqinakut, Rrojit, Fasli Ademit, Vuksanëve etj., me “armiqtë e popullit” që kurr nuk pajtohen me pushtimin sllavokomunist të Jugosllavisë titiste. Vetëm qyteti Verior i Shqipnisë, Shkodra, në vitin 1946 kishte 26 burgje, hetuesi dhe sa e sa podrume për tortura dhe masakra të sigurimit të shtetit komunist të cilat, në një kohë të shkurtë, do të mbusheshin plotepërplot me nga ma të rijtë e deri tek pleqtë e këtij qyteti, që atëherë nuk kishte ma shumë se 28.000 banorë. Pra, gati për 1000 banorë një qendër torturash. Arrestimet fillojnë me tregtarët e Shkodrës nga të cilët Enver Hoxha kërkon thesaret e arit, të diamanteve e brilanteve, që grabiten nga oficerët e sigurimit ndër arkat e grave të tyne, të cilëve u shtetizohen fabrikat, pronat, dyqanet dhe shtëpijat e tyne. Vetëm tregtarit Man Tepelia, më ka tregue ishoficeri i ndodhun prezent, Nazif Pira, i janë marrë në rranjët e fiqëve në fshatin e Vukatanës 13 teneqe vajguri me napolona ari. Në Shkodër janë shtetizue mbi 40.000 napolona ari, si dokumentohen nga fletorja zyrtare e asaj kohë.

Me datën 20 Shkurt 1946 pushkatohen Anëtarët e Regjencës At Anton Harapi, Lef Nosi dhe Maliq Bushati, në breg të lumit Lana në Tiranën “demokratike”. Me 4 Mars po të vitit 1946 pushkatohen të akuzuemit për Organizaten “Bashkimi Shqiptar” ku, veç anëtarëve të saj, thëmeluesit Mark Çuni, 26 vjeç, Prof. Gjelosh Lulashi, 30 vjeç, Frano Mirakaj, 29 vjeç dhe Qerim Sadikut, 27 vjeç, i bashkëngjiten me akuza fallse edhe klerikët At Giovanni Fausti, 44 vjeç, At Daniel Dajani, 40 vjeç dhe At Gjon Shllaku, 39 vjeç, të gjithë me nga dy e tre tituj doktoratash përveç laurimit në teologji, vetem e vetem me zhdukë ajken e kulturës së Shkodres.

Me këte rasë shpejt arrestohet deputeti i njohun Prof. Kolë Prela dhe Dr. Avokati Muzafer Pipa, që e mbytën në tortura. Hetuesia plotson proces – verbal falls të mbajtun gjoja në gjyqin e mbyllun të tyne, ku “pushkatohet” edhe avokati i Nderuem shkodranë Paulin Pali.

Me 23 mars 1946 vritet tradhëtisht në malësi të Veriut edhe dijetari Don Nikoll Gazulli një pinjoll i nderuem i Gazullorve. Në Malet e Mirditës, me 13 qershor, vritet Mark Gjon Markagjoni, i Pavdekshem në fletët e historisë së asaj krahinë heroike, që vazhdoi përpjekjet për Liri deri në vitin 1954.

Mbas vdekjes së Imz. Gasper Thaçit me 25 Maji 1946, fillojnë arrestimet e të rijëve dhe të rejave të shkollave të mesme të Shkodrës. Arrestohen vajzat Marije Tuçi, Angjelina Marku, Agime Pipa, Terezina e Liza Pali, Ana Daja, Drita Kosturi, Frida Sadedini, Viktore Kuka, kurse Marije Zojzi, vritet në Sheldi me burrin e saj Pjetër Deden, nga forcat e ndjekjes së sigurimt.

Në mesin e korrikut 1946 pushkatohet Don Alfons Tracki, Kol Ashiku, Nikoll Dedaj dhe Kel Abati. Ndersa tek Dugajt’ e Reja, varet Llesh Marashi. Pushkatimet shoqnohen me grupe të mëdha nga të gjitha shtresat shoqnore: qytetarë, fashatarë, studentë, bujq, gra e pleq, që janë arrestue njëheresh dhe dënue randë apo janë mbajtë sa kohë të izoluem në banesen e Guljelm Lukës, pranë shkollës së Jezuitëve, e mandej me gra e fëmijë janë internue ndër kampet e shfarosjes komuniste nga Jugu.

Në muejn gusht 1946, në Pukë, dënohet Don Nikoll Mazrreku, dhe porsa plotson dënimin interrnohet në Tepelenë dhe Lushnje. Menjëherë mbas Tij arrestohet edhe Don Pjetër Tusha. Ndersa në Lezhë arrestohet Don Nikoll Troshani, që i paraprinë ngjarjeve të montueme të shtatorit 1946.

Vjeshta e 1946 fillon me ngjarjet e 9 Shtatorit, që sjellin skenarët e zi të asaj Lëvizje të Postribës, që vazhdoi për sa vite me ngranë koka njerzish të pafajshem, të gjithë, të lidhun gjoja me këte ngjarje që mbetët ndër plagët e pambylluna të historisë. Ndër viktimat e para janë Ata Burra që mbasi u vranë në afërsi të Shkodres, trupat e Tyne u hodhën tek kanali i gjatë pranë Fabrikës së Venës; i arrestuemi i parë i asaj dite asht romancieri Don Ndoc Nikaj, të cilin, mbasi e “mberthyen” me armë kraheqafë, e shetitën mbi një gomar në rrugët kryesore të Shkodrës. Po në Lëvizjen e Postribës u banë shumë arrestime dhe mbas sa muej torturash u pushkatuen mbasi u masakruen në hetuesi Kolec Deda, Riza Dani, Cin Serreqi, Dulo Kali, Caf Dragusha, Rasim Gjyrezi, Simon Darragjati, Ingj. Fahri Rusi, Guljelm Suma, Murat Hysen Haxhija, Bilbil Hajmi, Pjeter P. Pali, Gaspër Simon Gaspri, Xhelal e Abdyl Hardolli, Prof. Kolë Prela, Avokat Paulin Pali, Avokat Muzafer Pipa, dhe vargu i pafund i klerikëve katolikë që janë një kapitull në vete. Arrestohen shumë hoxhallarë që masakrohen tek burgu i Kishës së Fretenve: Hafiz Ali Tari, Hafiz Myftia, Hafiz Musa Derguti, Hoxhë Xhemal Najpi, Hafiz Bushati dhe në Tiranë Hafiz Ibrahim Dalliu. Të gjithë krahinat e Shqipnisë pasojnë Shkodrën me arrestime, vrasje e internime të intelektualëve Maliq Xhemal Bushati, Prenkë Kaçinari, Arshi Pipa, Elez Troshani, Fahri Rusi, juristi Qazim Dani, Adem Bazhdari, Sami Repishti, Ragip Meta, Loro Vata, Kolë Alimhilli, R. Barbullushi, Qazim Dervishi, Xhevat Meta, Qamil Nikshiqi, Ruzhdi Baja, muzikanti Gac Çuni, vëllaznit Serreqi Gjoni, Ejlli, Luigji dhe Cini, që do të pushkatohet me 11 Mars 1948.

Të kësaj kohë janë edhe mbytjet në torturë të Profesorëve Qemal Draçini dhe Simon Deda. Vriten barbarisht dy vëllaznit Pal e Mark Thani dhe në Gjirokastër vriten ushtarët Xhel Kamata e veterineri Paulin Shestani. Vazhdojnë arrestimet me Don Mark Bicaj, At Karlo Serreqi dhe Don Ndre Simoni, të cilët hyne e dolën nga burgu pa dijtë pse u arrestuen.

Në Tiranë, arrestohen: At PjeterMëshkalla, Don Shtjefën Kurti, Imzot Irene Banushi, Ipeshkëv orthodoks që punoi për unifikim të Kishave, At Pashko Gjadri, At Mëhill Troshani. Dora e sigurimit tashti zgjatet deri në Korçë ku arrestohet Papa Josif Papamihali, që do të gjejë edhe një nga vdekjet ma të shemtueme, të organizueme nga sigurimi kur po punonte në kënetën e Maliqit; Atij i bie të fikët dhe për së gjalli policët e mbulojnë me baltë, ku Ai jep edhe Shpirt krejt i pafajshem.

Në Mirditë arrestohet Don Prenkë Qafalia në nandor të 1946, katër ditë para se forcat e sigurimit organizojnë me Asllan Licin e Pal Mëlyshin vrasjen pa gjyq të Don Luigj Picit, me 10 Nandor në fshatin Reç të Koplikut të Shkodrës, se shprehi pakënaqësi per pushkatimet në Shkoder. Në Elbasan arrestohet një tjetër klerik At Petraq Isak, e dënohet 15 vjet burg.

Në Shkodër, me 12 Nandor 1946 arrestohet Don Mark Hasi, sekretar i Argjipeshkvisë Shkoder, At Donat Kurti, drejtor i Gjimnazit Fretënve, dhe meshtari i ri Don Anton Muzaj. Në Tuz të Malit të Zi pushkatohet Imz. Nikoll Tusha, një nga Klerikët Katolikë ma aktiv, që ia ka kushtue gjithë jeten e Tij bashkimit të Trojeve tona, bashkluftëtar me Cafo Beg Ulqinin.

Me 15 Nandor 1946 në Shkoder Kuvendi Françeskan kthehet në burg. Arrestohet Provinçiali i Fretënve At Mati Prennushi dhe Rektori At Çiprian Nika. Arrestohen ato ditë edhe Imz. Frano Gjini, Regjent i delegacionit Apostolik në Shqipni, Imzot Nikoll Deda, Don Tomë Lacaj, At Pal Dodaj, At Mëhill Miraj, At Gjon Karma, Don Ndoc Sahatçija, Don Nikoll Shelqeti, Fra Ndue Vila dhe xhakoni Zef Pllumbi. Me këte grup u arrestue edhe deputeti Zef Haxhija nga Shkodra. Akuza kryesore asht “futja e armëve në Kishë”, vepër e cila u krye edhe në Orosh të Mirditës nga vetë sigurimi i shtetit komunist, mbas instruksionit të oficerëve jugosllavë, ngjarje e cila lidhej me vepra të tilla të kryeme aso kohe pothuej në të gjitha vendet komuniste të Europës Lindore, satelitë të Bashkimit Sovjetik, që drejtohej nga Stalini dhe Beria. Me 17 Nandor Don Zef Maksen, misionar gjerman në zonat e thella të Mirditës, mbas dënimit me dy vjet pa faj në burgun e Tiranës, per mungesë provash, merret nga burgu dhe pushkatohet tradhëtisht.

Në Prizren të Kosovës bahet gjyqi i njohun nga trupi gjykues jugosllav i të akuzuemve në organizaten “Katoliçeskaja banda” dhe pushkatohen At Bernardin Llupi, vajza e re Maria Shllaku nga Shkodra si dhe mësuesit e nderuem Kolë Parubi dhe Gjergj Martini. Me 25 Nandor, hapet edhe një gropë për Këta Shqiptarë të pafaj mbas vrasjes Prof. Ymer Berishës e Kolë Margjinit po në Kosovë!

Në fillim të Dhjetorit 1946, mbytet në tortura nga katilët Fadil Kapisyzi e Dul Rrjolli dijetari At Bernardin Palaj i cili, vorroset në oborrin e hetuesisë, ish konvikti “Malet tona” tek qerrshija. Sigurisht, legjenda e shoqnon edhe sot këte dijetar. Vazhdojnë arrestimet e Françeskanëve At Alfons Çuni, At Aleks Baqli, At Leon Kabashi, At Sebastjan Deda në Shkoder.

Ndërsa në Vlonë arrestohet Imzot Jul Bonatti, i porsa sjellun nga Italia, që mbasi u dënue me 5 vjet heqje lirije, dërgohet në një çmendinë ku e shkyjnë të “sëmurët”. E kush ishin ata të sëmurë që ushqeheshin me gjak klerikësh?

Ky shkrim asht vetem një skicë e thjeshtë, ku unë kam vue penelatat e para të atij kuadri aqsa të dhimbshëm, sa edhe të zymtë, të përgjakun nga një terror i pashembullt në histori, që kje organizue nga specialistët jugosllavë të Beogradit me “urdhën” nga Moska staliniane, po gjeti në Shqipni kafshët e pershtatëshme per me realizue pergjakjen shekullore të Shqiptarve.

Për këte vepër u zgjodhën kuadrot terroristë të sigurimit të shtetit shqiptar nga vetë Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu,

Në këte vit duhet të kujtojmë masakrat, vrasjet, vjedhjet, krimet e pafund të pushtetarve batakqinjë, lidhjet me korrupsionin deri në postet ma të nalta qeveritare, ku perfshihet edhe kryemistri i shtetit “Rilindjes komuniste”, ose ma mirë me thanë ma sakt “pushtet tarët” trashigimtarë të bolshevikve të ngordhur, të cilve nuk i dalin kapitalet e trashigueme nga hajdutët e 60 e sa vjetve “socializem” vetem tue mbushë xhepat e thasët, e tue rrezervue kapitale nder bankat botnore, të kthyeme në lingota ari dhe euro e dollar USA nga viti 1944, dhe tue mbushë edhe xhepat e sa agjentave t’ huej me sigurue t’ ardhmen e trashigimtarve të vet të droguem, gjytryma dhe hajdut si paraardhësit e vet dylbera e imoral të okupacionit anadollak e italian të ’39, e që vazhduene me okupatorët sllavokomunist e kinez derisa ngordhën.

Jo heshtje Vllazen e Motra Shqiptarë!

Po nuk u dënue përfundimisht tradhëtari Enver Hoxha me terroristët tjerë, Shqiptarët shumë shpejt do të puthin përjetsisht prap prangat e robnisë komuniste!Në këte kujtesë të këtij viti të tmerrshëm të kerkojmë nga të gjitha intitucionet e vendit dhe ndërkombëtare hapjen e dosjeve si dhe dënimin e figurave kriminale, tue fillue nga terroristët Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, e kështu me rradhë deri tek ata që ishin roje dere në hetuesi, burgje e kampe shfarosje kur dihet se, nga Populli Shqiptar kanë humbë jeten mbi 45.000 viktima nga komunizmi barbar, gjakatar dhe kriminal i pashembullt në krejt Lindjen Europiane.

Faktet historike të siperme i perkasin vitit 1945 – 46. Po deri në vitin 2023 çka ka ngja në Shkoder prej kriminelave pasues të “SEKSIONIT KATOLIK”?

Sejcili Shqiptar të pyesin veten sot:

Shka perfiton Shqipnia sot nga shkatrrimi i qendres kulturore t’ Shkodres?

Pse vetem Shkodra kje piksynimi i zhdukjes nga sllavokomunizmi barbar e vrastar terrorist i Shekullit XX dhe, në vazhdimsi prap në Shekullin XXI ?

Kush ishin themeluesit e SEKSIONIT KATOLIK në sigurmin e Shkodres dhe cili ishte qellimi i formimit të këtij seksioni antikatolik terrorist e kriminal?

Kjo ide antinjerzore e kujt ishte dhe kush po e vazhdon edhe sot në 2023, me krahinat Veriore Shqiptare, tue i keqtrajtue e shpopullue ata?

Vazhdojmë me Pjesen e II.

Melbourne, 7 Shkurt 2023.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok