PSE SHKRUAJ
Nga Ibrahim KADRIU
Pse shkruaj? Titulli i kësaj qasjeje në formën e pyetjes, është interesant, sepse kërkohet përgjigja në vetën e parë, një pyetje për zbërthim të dilemës rreth përkushtimit të shkrimit letrar i cili tërheq pas vetes shumë pyetje të tjera, Pse shkruaj? Duke i dhënë vetit detyrë të përgjigjem jam i vetëdijshëm se, kjo pyetje edhe pse në esencë është e thjeshtë, synon për një përgjigje të ndërlikuar për të ardhur deri te saktësia e saj reale. Kur para dëshirës për kuptimin e një veprimi zë vend pse-ja, përgjigja mbështetet në momentin e rrumbullakimit të një ideje që cilëson vlerë letrare e cila vjen si shprehje artistike, si formulim me nuanca adekuate arti që dallojnë nga shprehjet e zakonshme në situata. Pse-hi , në rastin konkret, tërheq arsyen e veprimit jo të zakonshëm, të veprimit special në momente kur inspirimi e ka pushtetin e vet. Vetëm atëherë, pra, përgjigja definon pyetjen.
Shkruaj i nxitur nga shtytja e brendshme. Edhe përgjigjet për pyetjet tjera kanë shtytjet. Për shembull: pse pi ujë, sepse nxit etja, pse eci, sepse dua të arrijë në një pikë, pse pikëllohem, sepse i falem reaksionit të jashtëm që ma pushton brendinë shpirtërore, et. etj. Për të gjitha pse-het ekzistojnë motivet, nxitjet të cilave njeriu ka aftësi t’u përgjigjet me veprime adekuate, ndërkaq pseja që i referohet shkrimtarit për shkrimet ngërthen shumë motive. Të gjitha e kanë rolin e vet derisa kontributi letrar merr formën adekuate për lexuesin e mundshëm. Në këtë drejtim, meqë mbështetem në përvojën time, unë shkruaj për çlirim shpirtëror të vetes, sepse para çdo fillimi të ndonjë shkrimi, kam shtrëngesë nga motivi në formë teme, e cila më shoqëron me ditë e me net. Derisa t’i qasem asaj teme, mund të them se gjendem jashtë binarëve të jetës normale; jam larg realitetit, sepse krejt më kthehet në imagjinatë nga e cila duhet të lirohem, dhe lirohem vetëm atëherë kur e shoh produktin e mendjes në formë shkrimi letrar, qoftë ai shkrim poetik apo prozë. Kjo kalon nëpër procedurë kohore e cila ka gjatësi, të cilës i përkushtohem me tërë qenien. Procesi i shkrimit i falet intuitës, që domethënë bën që të dominojë aftësia (siç shpjegohet edhen fjalor) për ta kuptuar realitetin, në bazë të përvojës e të dijeve të grumbulluara që më parë e cila orienton për të kapur e nuhatur atë që, veprës letrare, do t’ia ofrojë dimensionin e duhur dhe, në rrethana kyçe, pushton kohën e shkrimtarit duke iu falur tërësisë së një vepre apo tjetër. Nga kjo del se vepra letrare është produkt i inspirimit, por kjo nuk ndodh gjithherë. Dua të them se shkrimtari nuk është përherë i gatshëm t’i qaset shkrimit të veprës letrare. Ndodh që me ditë, javë, e besa edhe me muaj, asgjë nuk shkruaj letrare. Më kujtohet një dëshmi e kolegut tim të letrare, Fatos Kongolit, i cili thoshte se, derisa merr nismën e një vepre letrare, kalon një kohë e, pastaj, pas përfundimit të asaj vepre, thotë ai: ”më duket vetja krejtësisht i zbrazur. Me muaj jam në atë gjendje i frikësuar se kurrë më nuk do të mundem të shkruaj letërsi. Por pas një kohe, më duket sikur mbushen bateritë e imagjinatës dhe, në moment të caktuar, prapë pasurohem me ide për shkrim dhe me inspirim për të vazhduar shkrimin e një vepre të re…” Plotësisht pajtohem me këtë gjykim të Fatosit.
Pse shkruaj? Sepse ngacmimet më vijnë nga jashtë, nga rrethanat të cilat më zënë në pritë dhe më provokojnë. E ato janë realitete shoqërore, historike e politike, që paraqesin konglomerat motivesh e më sulmojnë në brendi shpirtërore; m’i marrin ndjenjat e më bëjnë të flasë me veten, kurse unë zgjidhi mënyrën të flasë me lexuesin të cilin e kam bashkëjetues.
Shkruaj sepse ndjejë kënaqësi kur investoj mund për formimin e galerisë të personazheve që më rrinë gatitu dhe presin t’i sistemoj sipas karaktereve. Për ato karaktere unë jam Zot, derisa i fus nëpër situata dhe operoj me ta siç dua vetë; i shtyjë andej-këndej, i bëj trima, por edhe idiotë. Askujt nuk i jap përgjegjësi. Veproj me ata siç dua vetë pa qenë i shtyrë nga ndonjë tutor. Ata, pra, personazhet, më japin vullnet, por ndodh edhe të më shqetësojnë e, nganjëherë, edhe më lëndojnë shpirtërisht, atëherë kur vjen në shprehje situata dramatike, siç ka ndodh në realitet, kur e kam zbërthyer një fragment romani. Ishte rast i vërtetë që bukur gjatë më preokuponte dhe më nxiste t’ia gjejë vendin në faqet e ndonjë tregimi apo romani. Ajo ngjarje e cila kishte zënë vend në kujtesën time, ia vlen të rrëfehet me këtë rast të kësaj paraqitje para opinionit:
… Në një klasë të një shkolle të mesme në Prishtinë, banka e një nxënëseje, në kohën e pushimit mes orëve të mësimit, ishte e mbuluar me të pështyrë e qyra… Hyjnë të gjithë nxënësit në klasë dhe ulën në bankat e tyre, vetëm ajo vajzë, me bankën e përlyer, rrinë në këmbë para bankës së vet duke ia fshirë sipërfaqen e ndyrë. Arrin arsimtarja dhe e sheh nxënësen e cila vazhdon fshirjen e sipërfaqes së bankës. Arsimtarja e pyet: “Kush ta ka bërë këtë?” Nxënësja i përgjigjet: “Baba im, arsimtare!” (Një digresion: babai i saj ishte bashkëpunëtor i UDB-së) Në atë moment ngritën të gjithë shokët dhe shoqet e saj në klasë, dhe afrohen e ia fshijnë sipërfaqen e bankës… Kur isha duke e formësuar në faqe romani këtë rast, mu mbushen sytë me lot. Kam shikuar kah dera. Më vinte keq të hynte ndokush nga familjarët brenda dhe të më shihte duke qarë për atë moment të ngritjes së vetëdijes të nxënëses e cila dinte arsyen pse shokët dhe shoqet e saj ia kishin ndyrë bankën dhe nuk i gjykonte, por ishte madhështore reagimi për pendesë i nxënësve të tjerë. ) Ai moment më ka bindë se gjeneratat e kanë botën e tyre e cila duhet të respektohet, e jo të paragjykohet.
Pse shkruaj? Sepse shkrimi më jep vullnet për jetë, pikërisht për shkak se duke shkruar vepra letrare huazoj motive historike dhe bëhem pjesë e momenteve të cilat me kohë i kam pasur të strehuar brenda vetes. Kur ato i kam zbërthyer në formën letrare kam ndjerë kënaqësi, dhe kur ato krijime ietrare ia kanë pushtuar kureshtjen e lexuesit, në vete kam ndjerë mburrje. Prandaj për kërshërinë e lexuesve dhe për kënaqësinë time, shpesh të shfaqur në vete si mburrje, shkruaj; shëtis nëpër periudha kohore të shkuara dhe të sotme. Kur gjendem si vëzhgues i kohëve të shkuara më duket se jetoj në atë periudhë; bashkëjetoj me personazhe të kohës, derisa ua mati pulsin dhe vuaj e mburrem bashkë me ata. Duke i rrumbullakuar veprat, siç janë “Kalorësi i Karadakut”, “Ethet e një dimri”, apo “Misioni rus”, “Varri i shitur në Damask” “Kapërcimi i ujit të madh” më duket se tërë kohën kam jetuar me Idriz Seferin, se bashkërisht e kam vuajtur atë dimër të ethshëm në Toplicë dhe kam vuajtur me të ikurit nga trojet e tyre, se kam përjetuar aq shumë vrasje të ushtrisë serbe në tokat shqiptare, se kam udhëtuar në gjitha ato vise turke e arabe bashkë me njeriun nga Vrella e Istogut i cili as në varr nuk pati rehati, sepse ia kishin shitur varrin për të siguruar bukë të gjallëve, se kam qenë me eshalonin e dytë të rekrutëve shqiptarë në marsin e vitit 1945 të cilët, (Vetëm ai eshalon i kishte 2900 veta) një pjesë e madhe e tyre, mbetën rrugëve deri në arritje në Tivar ku u vranë aq shumë të rinj shqiptarë, e kështu me radhë i kam shoqëruar personazhet e romaneve deri në vdekjet apo në shpëtim të tyre.
Pse shkruaj? Shkruaj sepse përpiqem që, duke pasqyruar rrethana të ndryshme, qofshin ato historike apo (edhe) aktuale, shfrej. E përmenda aktualitetin në të cilin jetoj dhe ndeshem, si edhe çdokush tjetër, me reflekse nga më të ndryshmet të ngritura nga snobizmi, idiotizmi, injoranca, servilizmi, nga mendjemadhësia, nga mendje shkurtësia, e kështu me radhë, arrihet te pësimet në aspektin shoqëror. Ndaj këtyre reflekseve shkrimtari nuk mundet (ose nuk duhet) të jetë indiferent. Në shumë vepra jam marrë me aktualitetin real, por që nganjëherë më është dashur të shënoj se çdo përngjasim është i rastit. Veprat e tilla me nuanca të aktualitetit janë, për shembull, “Kroi i ilaçit”, “Në Vajhall”, por edhe “Të vdekurit e gjallë”, “Ata dy të burgjeve” etj. e sidomos “Vese në peshojë”, roman që sivjet e botoi kompania e “Kohës”. Meqë e përmenda romanin “Kroi i ilaçit” e do rasti të shpjegoj se, ngjarja e përfshire në të, ka të bëjë me portretin e një pedagogu të një shkolle, e që ishte në cilësinë e drejtorit, i cili, në saje të spiunimit dhe të ngarkimit të tij me nacionalizëm shqiptar, qe pushuar nga detyra e drejtorit. Kjo ishte ngjarje e fillimit të viteve të gjashtëdhjetave, të kohës së Rankoviqit, ndërkaq përpos të ngarkesave të ndryshme që shikoheshin me konotacion negativ, ishte edhe akuza pse, në zyrën e tij, mbante portretin e Skënderbeut… të cilin portret, në ditën e caktuar kur e përjashtuan, shërbëtori i shkollës bën atë sjelljen idiotësie: e merr portretin e Skënderbeut, i afrohet drejtorit që tani ishte i përjashtuar nga detyra, e lëshon para këmbëve të tij dhe, mbi portret, vë thembrën e vet, duke e lëvizur këmbën, gjegjësisht duke e shqyer portretin. Shumë gjatë më kishte preokupuar kjo ngjarje derisa, kah fundi e të shtatëdhjetave e rrëfeva në formë romani e që e dorëzova te botuesi i vetëm i atëhershëm, “Rilindja”. Romani mori “izën” e botimit pikërisht në vitin 1981, ndërkaq, për shkak të situatës së ndërlikuar me demonstrata studentësh, redaktori i botimit Nazmi Rrahmani më tha se, për shkak të gjendjes aktuale, duhej të shtyhej botimi i cili, pastaj, ai botim ndodhi më 1982. Rrumbullakimi i atij romani që, aso kohe, bëri jehonë, shpirtërisht më ndihmoi ta ndjeja veten të ndjehesha mirë. Ja, pra, shkruaj sepse pas shkrimit e ndjejë vetën mirë.
Me mbështetje në aktualitet janë edhe shumë poezi, siç është, bie fjala, poema “Teatri Kosovë” E kisha përshtypjen (por edhe tash e kam atë përshtypje”) se Kosova është skenë e teatrit ku luhen drama, tragjedi, mbase edhe komedi, që të gjitha para publikut që di vetëm të duartrokit dhe se, duke pasur parasysh këtë ambient tonin si skenë teatri, edhe Eskili nga Antika ka vendosur të zbresë në aeroportin e Prishtinës për të gjetur tema të nevojshme për tragjeditë e tij, ose edhe Iago i Shekspirit, ai idiot i pa përmirësueshëm, e ka vendosur t’i drejtohet Gjyqit Kushtetues, sepse në Kosovë ia kanë vjedh identitetin dhe ai ankohet që t’i kthehet identiteti prej idiotit, e tj. Poezia, si formë e komunikimit, të shprehem në mënyrë vulgare: më nxënë më shumë, mbase ka një ndikim të thellë në shpirtin e njeriut ka një ndikim të veçantë në formimin e identitetit kulturor. Ajo ka fuqi të ngjallë ndjenja të forta dhe në bazë të atyre ndjenjave pastaj ngjallet frymëzimi dhe, duke i dhënë forcë frymëzimit, po për t’i dhënë forcë, vjen në shprehje përdorimi i figurave letrare si elemente që i japin thellësi kuptimeve ose fjalëve të përdorura në ritmin poetik. Unë shkruaj poezi, sepse e konsideroj si mjet të fuqishëm të shprehjes. Meqë poezisë i jap rëndësi, sepse bazohem në atë mendimin se poezia mund të trajtojë tema të ndryshme, nga dashuria dhe humbja, deri te politika dhe natyra, duke u bërë pasqyrë e shpirtit njerëzor, në aso pasqyre ku mund të shikojnë, ose ndiejnë, edhe të tjerët të cilëve iu referohet poezia, domethënë lexuesve të sinqertë dhe të vërtetë. Shkruaj poezi, sepse ajo është një lloj forme e protestës dhe kritikës sociale. Thuhet “poezia është një art që tejkalon kufijtë e fjalëve”, e cila me pak shprehje flet shumë dhe jep mundësinë e kënaqësisë. Shkruaj poezi, sepse pushoj në botën e ndjenjave dhe të mendimeve, sepse ajo më jep mundësi për të reflektuar mbi jetën. Shpesh flitet se funksioni i poezisë nuk del gjithherë mbi sipërfaqe, sepse është shumë individuale në këtë botë kontradiktore, mirëpo duhet shtuar se në një botëtë tillë të ngarkuar me informacion dhe shpejtësi në përhapje të informacionit, poezia (bile mua) më ofron një mundësi për reflektim dhe meditacion. Kjo e fundit, pra meditacioni, ma mbytë vetminë dhe kësaj i thonë me plot kuptimin e fjalës – mrekulli. Unë shkruaj poezi, prandaj, që të mrekullohem për ta shikuar dhe përjetuar jetën pa shtrëngesa psikike, gjithnjë duke i dhënë krah invencionit dhe shprehjes poetike. Prandaj shkruaj dhe derisa shkruaj e dua edhe jetën.
Pse shkruaj, ishte pyetja e vetme për këtë qasje time, e cila më erdhi si porosi, të them mendimin tim duke u mbështetur në përvojën që e kam, që është një përvojë e madhe me kohëzgjatje prej më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh krijimtari dhe tetëdhjetë vjet jetë, me një bagazh me mbi njëqind vepra, prej tyre mbi dyzet romane dhe mbi njëzet vepra të përkthyera në njëmbëdhjetë gjuhë. Duke u mbështetur në këtë përvojë, u përpoqa të jap përgjigje në pyetjen: Pse shkruaj.
Unë shkruaj dhe do të vazhdoj të shkruaj, derisa të arrijë të më shoqërojë skleroza, sepse thonë se harresa është tretja e inspirimit të shkrimtarit. Kjo për arsye se duke u bërë viktimë e harresës nuk mundet t’i mbaj dizgjinët e personazheve dhe do t’i ngatërroheshin karakteret e tyre. Ata dizgjinë ende, edhe në këtë moshë, po i mbaj, ndonëse jam i vetëdijshëm se, sipas moshës, mund ta përjetoj edhe harresën deri në atë shkallë kur nuk do të jam në gjendje të di, kur ndodhem para shtëpisë sime dhe kujtohem: a duhet të vazhdoj të eci, apo të hyjë brenda.
Më duhet të them edhe diçka, në të vërtetë fjalën e kam për procesin e shkrimit, kur përmbajtjen e një ideje romani e konkretizoj me shkrim. Ai tekst vetëm njëherë shkruhet, por mund të përpunohet shumë herë, mirëpo – i njëjti tekst nuk mund të shkruhet për së dyti. Nëse teksti i parë humbet, ai kurrë më nuk do të jetë njësoj. E them këtë nga përvoja personale, nuk di si ndodh kjo te shkrimtarët tjerë.
Shtator, 2024