22/12/2024

PSE RRUGA THUMANË – KASHAR NUK MUND TA SHMANGË FUSHË – KRUJËN?…

0
Ndue-Dedaj

NGA NDUE DEDAJ

Fushë – Kruja është vetë Kruja, më saktë një “paradhomë” e saj. Dhe Kruja është kryeqyteti i historisë së shqiptarëve. Asnjë rrugë nuk mund ta lërë mënjanë atë, aq më tepër një segment rrugor si ai Thumanë – Kashar, që është pjesë e Rrugës së Kombit, paçka se e integruar në atë që quhet “Korridori blu”. Ajo që autostradat nuk “pyesin” për qytezat, zanat industriale etj., pasi këto kanë rrugët e dyta për t’u lidhur, në këtë rast nuk ka vend. Në radhë të parë për vetë shqiptarët, por qoftë dhe për turistët e huaj, që të hutuar pyesin: “More, nga bie rruga për tek ai qyteti në mal, ku luftoi Heroi juaj Kombëtar që mundi Sulltan Muratin?” Po, ja, ne kemi bërë autostradën, është bllokuar hyrja dhe dalja e Fushë – Krujës, prandaj ju mund t’i bini nga… Kina, për të shkuar te kalaja e Krujës dhe Muzeu i Gjergj Kastriotit. Ata nuk mund ta kuptojnë këtë “labirinthin” tonë rrugor që të pengon të shkosh noramalisht në një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë së shqiptarëve, ku, më e pakta, zor se ka shqiptar të Kosovës dhe trojeve të tjera arbnore që nuk e ka vizituar një herë! Për më tepër, Presidenti Rugova, e pati lënë me fjalë që në Krujë të betoheshin të gjithë presidentët dhe kryeministrat shqiptarë. Pse jo, dhe kryeparlamentarët!…

Kruja nuk ka vetëm këtë aset historik të papërsëritshëm. Dikush tjetër mund të këkojë të vejë në të vetmen qytezë ku qe ndaluar Presidenti amerikan Xhorxh Bushi (II) në vitin 2007, pra në Fushë – Krujë ku humbi orën e dorës dhe prapë e njëjta përgjigje: bjeri nga të mundësh, se rruga për atje është e bllokuar, e ndaluar, e zënë dhe siç thotë ndonjë banor me sarkazëm, nëse nuk hapet, shpejt mbi asfalt do të mbijë bari. Edhe dikush që është nisur për në qytezën antike ilire të Zgërdheshit duhet t’i vijë rrotull kësaj “unazës” pa unazë të Fushë-Krujës. Edhe ai që është nisur për peligrinazh në Sarisalltik, apo për pushime në Qafë-Shtamë, duhet të ndërrojë rrugë tre – katër herë, derisa të dalë në “shtegun” e duhur! Ndonëse të gjitha rrugët duhet të të çojnë në Krujë, sot për sot mund të shkosh atje vetëm duke i rënë tërthorazi, sa nga Mamurrasi, sa nga Kamza, apo mbase dhe rrugës malore nga Malbardha, që përdorej gjatë stërvitjeve ushtarake!…

Përtej anës historike e turistike, vetë Fushë – Kruja është një rajon industrial, i prodhimit të çimentos, i artit të moblimit, i agroturizmit etj., që meriton shumë më tepër vëmëndje nga shteti, qoftë dhe për faktin se aty ka pasur kriminalitet jo të paktë, që nuk luftohet me retorikë boshe, por duke e zhvilluar me përparësi ekonominë. Është thënë me kohë që Fushë – Kruja është një lagje e Tiranës, por që kjo e fundit nuk e sheh si të tillë, përkundrazi e trajton si të njerkës. Njerëzit kanë investuar tash tridhjetë vjet në aksin Milot – Fushë Krujë – Kamzë, duke krijuar biznese të suksesshme dhe më ç’të drejtë atyre u vihet barrikada që i ndanë nga pjesa tjetër e zhvilluar e rajonit? Ku janë rrugët dytësore? Po ashtu, cili shtet ka tagrin t’i fusë të gjitha mjetet nëpër “vrimë të gjilpërës”, dhe ata që nuk kanë të ardhura për të paguar tarifën e austostradës? Nga do të kalojnë nevojëtarët që kanë për të shkuar në punë me natë në shtet a në privat, te prona e tyre në anën tjetër të rrugës, në spital etj.

Si ka mundësi që shteti bie në ujdi kaq lehtësisht me koncesionarin për të shkundur xhepat e varfërisë së shqiptarëve? Kush është në anën e banorëve? Qeveria jo! Sindikatat jo! Shoqëria civile jo! Opozitës i pritën drutë shkurt nga pozita, edhe kur ajo u bashkohet më të drejtë protestuesve: “Ju doni të përfitoni politikisht, keni hallin e pushtetit!” Kush atëherë do të flasë me të madhe për shqetësimet e publikut të zonës? Mbi të gjitha a mban dikush përgjegjësi për anomalitë dhe anormalitetin e shkaktuar me bekimin e qeverisë? Tek e fundit, autostrada është një biznes i madh, që paska të drejtë të “rrafshojë” gjithë bizneset e tjera më të vogla, duke u prerë rrugën hyrëse dhe dalëse?! Rrugët dytësore as në Fushë – Krujë dhe askund tjetër në autostradat tona nuk janë një realitet.

Për të gjitha këto, me protestuesit e Thumanës lypet të bashkohen të gjithë qytetarët, akademikët e historisë që mbajnë ligjërata për kombëtarinë nga Kruja, qeverisësit lokale që janë votuar për t’iu gjendur në të mirë e në të keq votuesve të tyre, shefat e ekonomisë së vendit, operatorët e biznesit etj., pasi rruga e ndaluar është problemi i të gjithëve. Kryeministri nuk mund të bëjë shurdhin, ashtu siç ushtroi autoritetin e tij që rruga Thumanë – Kashar të përfundonte sa më shpejt, ashtu duhet të ndërhyjë që Fushë – Kruja të mos lihet pa rrugën që i përket. Do të ishte absurde t’iu thuhej banorëve t’i bien rrugës së vjetër që e lidhte atë me Laçin!? Në sytë e shumëkujt Fushë-Kruja shihet në përspektivë si një nga nyjet e progresit ekonomik dhe insfrastrukturor të vendit, një “zonë e lirë” e zhvilluar më së miri dhe jo t’i ndërpritën dhe ato rrugë që ka!?..

Ka tridhjetë vjet që Kruja nuk ka vëmendjen që kishte dje, ku me thënë të drejtën regjimi i kaluar i dha atij qyteti përparësi, pikërisht se lidhej me simbolikën e qendresës shqiptare të Motit të Madh. Pati sigurisht dhe dëme, pasi u prish pazari i njohur, por tek e fundit delegacionet e huaja aty e mbanin së pari hapin. Tani Krujën nuk e përfshin asnjë agjendë qeveritare. E, pra, heronj të rinj të kombit nuk ka më, edhe nëse diku në shtetarët e sotëm të naltë ka ndonjë iluzion për me iu përngja Skanderbegut!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok