22/11/2024

Pse mungoi Dita e Zisë për Liridonen?!

0

Shkruan: Florim Zeqa

Muaji Nëntor, muaji i festave të mëdha kombëtare u kthye në muaj kobzi për motrat dhe nënat shqiptare. Pas zhdukjes së mistershme më 9 Nëntor 2015 të Donjeta Pajazitajt, e cila rezultoj të jetë e dhunuar dhe më pas e vrarë mizorisht, vrasja makabre e Liridona Ademajt është vrasja më e rëndë e ndodhur ndonjëherë ndër shqiptarë!

Mungesa e ndjesisë njerëzore

Për mua, si analist dhe qytetar i zakonshëm i këtij vendi, mbetet i pajustifikueshëm fakti pse drejtuesit e institucioneve shtetërore (kryeministri dhe presidentja) nuk e shpallen Ditë Zie ditën e rivarrimit të Liridona Ademajt!!!

Fati tragjik e deshi që gjatë fushatës 16 ditore Kundër Dhunës Gjinore të ndodhin disa raste të dhunës mbi baza gjinore, madje ndodhi edhe njëra nga vrasjet më makabre të Nënës 30 vjeçare, por të gjitha u përdoren për marketing politik gjatë fushatës “vetëdijësuese”!

E vetmja gjë “pozitive” është termi “Femicid” që e shpikën pushtetarët, i cili i ka vënë në lajthitje qytetarët e zakonshëm, se mos vallë është ndonjë preparat farmaceutik për t’i ndaluar vrasjet e vajzave dhe grave në Kosovë!

Të flitet aq shumë dhe aq gjatë nga të gjithë, të ndjehen aq të tronditur dhe të shqetësuar të gjithë dhe të mos i bie askujt ndërmend për shpalljen e Ditës së Zisë për Liridona Ademaj, për aq sa është anakronike, është edhe imorale.

Mbështetja gojore për familjen e Liridona Ademajt pa mbështetjen morale dhe materiale njëkohësisht mbetet më shumë hipokrizi e më pak ndjesi njerëzore.

Ndodhë kështu kur familjarët e viktimave nuk janë të pasur ose janë gjysëm të varfër, ndodhë kështu kur familjarët e viktimave nuk janë të lidhur me pushtetarët apo të fortët e politikës në Kosovë!

Përdorimi nga ana e pushtetarëve e akteve të dhunës gjinore dhe i rastit më tragjik në fushatën Kundër Dhunës Gjinore, pa e demonstruar në vepër dhimbjen shpirtërore me aktin moral të “Ditës së Zisë” kombëtare në shenjë dhimbje dhe solidarizimi me familjen e Liridona Ademajt, është pak më tepër se papërgjegjësi shtetërore, është abuzim me dhimbjen familjare dhe mbarëkombëtare!

Nuk është thënë kot, “Një vepër e mirë më e vlershme sesa një mijë fjalë”. Dita e Zisë kombëtare do të ishte qetësim shpirti për prindërit e Liridones dhe familjarët në përgjithësi. Dita e Zisë do të ishte vlerëmadhe dhe shumëdimensionale si kundërpërgjigje serioze ndaj aktit monstruoz! Jam thellësisht i bindur se, sikur familja e Liridona Ademajt të ishin të lidhur me krerët e politikës në Kosovë, që në ditën e varrimit të saj do të shpallej Ditë Zie!

Por, edhe pse ndodhi zhvarrosja dhe rivarrimi, prapë se prapë mungoj Dita e Zisë për Liridonen!

Fillimi i mbarë i drejtësisë në rastin e Liridones është shpresëdhënës. Lutem që fati i zbardhjes së të gjitha rrethanave të rastit dhe dënimi të jenë në përputhje me peshën e krimit, e të mos ndodhë assesi kontrabandimi i drejtësisë sikurse në rastin e Donjeta Pajazitit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok