24/11/2024

PSE  MBYLLEN  DISA  KAPITUJ ?!

0

Nga Fritz RADOVANI:

2018 – I  PAHARRUESHEM…

Daniel GAZULLI per të gjithë ata që mërrijten me e njoh afer asht i paharrueshem!

Jam shumë i sigurtë se kjo thanje perfshinë në gjiun e vet edhe armiqtë e Tij… E koha tregoi se nuk ishin kenë aq pak sa kujtonim na të pakten, para kater a pesë vitesh.

Atëditë para se të nisej per Itali, prej kah nuk u kthye ma.., patme bisedue në telefon dhe mbas kthimit, projektet e Tij perfshinin disa fusha shumë interesante shkencore per të cilat Danieli, jo vetem ishte kompetent, po edhe kishte përgatitë mënyren e shtjellimit.

Ajo temë që Danieli trashigonte edhe nga të Parët e vet të Nderuem ishte Gjuha Shqipe!

Shumë mund e djersë kishte derdhë mbi letrat e veta dijetari Daniel Gazulli!

Nuk jam tue folë per Don Nikoll GAZULLIN e Madh! As per Don Gjon GAZULLIN e varun në litar nga Ahmet Zogu! As per shumë Gazullorë që njohim vetem si Emna…

Po, jam tue folë per Dijetarin e vonë të fillimit të Shekullit XXI, të Lezhës, qytetit ku afer shtëpisë së Tij ishte Streha e fundit e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, per të cilin edhe tashti Ushtari Daniel Gazulli, ishte gati me sakrifikue edhe jeten e vet, VETEM mos të shuhet GJUHA E VERTETË SHQIPE, per të cilen Nana e Tij, i kishte mkue dashuninë e pakufi, një trashigimi e vertetë e Bashkëkohësve të Kastriotit. Dhe, hyna tek kjo temë që Danieli jo vetem e njihte shumë mirë, po edhe kishte punue per temen e asaj kohë që kishte ngecë.., tek “Kodifikimi i Gjuhës Shqipe”, punim per të cilin më foli atëditë e që nuk u persërit kurrma prej Tij, se Miku im Dijetar, mbylli shumë shpejt edhe jeten…

Gegnishtja e Veriut të Atdheut Daniel Gazulli, nuk ishte një Gjuhë e palatueme dhe e pa krypë nder botimet e njohuna nga Dijetarët e Gazullorëve, po të pakten kishte mbi tre ose kater mijë vjetë që ishte e njohun nga shkenca e vertetë e Gjuhës sonë…

Edukata e gershetueme me kulturen disa shekullore tek Dijetari Daniel Gazulli, tue u keqkuptue sot nga pseudoakademikët, ka mbyllë tek Shkenctarët e Gegnishtes disa nga kapitujt e domosdoshem per studim dhe ecje perpara në fushen e Gjuhës Shqipe.

Unë po Ju paraqes vetem fillimin e një punimi shkencor të Dijetarit Daniel GAZULLI:

Daniel Gàzulli: Dhunimi i Gjuhës Shqipe

Shqipja e Dhunueme – Hymje e Trishtë

– Para TVSh

Jam para një stacioni televiziv të Tiranës. Ndjek fundin e lajmeve e mandej një pjesë të koncertit në vijim të tyne. Ndjehem i lodhun e i trishtuem.

Folësi i lajmeve shprehet si të ishte një i huaj që me mundim ka arrijtë me e kapë disi shqipen, por gjithësesi asht ende i pasigurtë. Fjalitë janë gjithë “qoshe”, me një renditje të gjymtyrëve pa kurrëfarë logjike, thekset çvendosen sa andej këndej pa pikë kriteri, mbrapashtesat janë krejt të pavend, fjalët e hueja, që nuk rrinë kurrëkund në kontesktin e lajmit, vërshojnë e përbaltin shqipen mjerane të djaloshit të “pispillosun”, një “inglishmeni” tipik, që, prej se nuk di shqipen, e përmbytë me barbarizma, si i gjithë lloji i tij hibrid.

Mandej i vjen rradha koncertit. E drejton një vajzë, që, po të mos fliste, do ta kishte anda me e kundrue. Po nis e flet e atëherë të mbërthen prap ai trishtimi i parë. Në “shqipen” e saj ka vetëm ndonjë nyje, ndonjë mbrapashtesë… turke e… një mjerim të pafund gjuhësor. Vërshojnë “prestigjoz” e “famoz”, “shyqyr” e “grazie”, përemna të pakufijshëm në vend të vetorëve, fjali mungesore që u mungon edhe kumti ma i thjeshtë, nëndialektalizma të nxjerra nga syndyqet e gjyshes dhe O.K…

Nuk ka vend me thanë “Fale, Zot, se nuk di çka ban”.

Marr pultin e kaloj tek një stacion kosovar. Të duket sikur gazetarja e ka harrue serbishten e po përkthen me vështirësi, aq shqipe të përçudnueme flet. Sa për toponimet e omonimet nuk merr as mundimin me i përkthye pse i shqipton serbisht. E me iu përshtatë “standardit”, flet një labçe të rreshkun si të Malo Smokthinës.

Shuej televizorin e rri e mendoj. Po s’ke pse mendohesh gjatë. Kjo vorfni gjuhësore, pa dyshim, ka dy shkaqe:

-Vorfnimi që i bani shqipes famëkeqi Kongres i Drejtshkrimit i vitit 1972, që i preu arterie e vena, i këputi mish e i shpuploi koca, e degdisi në një fosile të ngurrtësueme që s’asht as tosknisht, jo ma shqip;

-Një lloj i ri “inglishmenësh” të Tiranës e Prishtinës, “zengjinë të ri”, që kanë gazeta e televizione, kanë vajza të bukura, që i veshin (o ma mirë – i xhveshin) “allafranga” e u venë një mikrofon në dorë edhe pse veçsa “nuk i le hunda me hangër bar”, si thonte im atë, aq berr janë.

1. Po përse u dhunue shqipja?

Edhe ta kishim në dorë s’jemi nga ata që kllasim gjindarmërinë në fushë të mendjes” Faik Konica

Përgjigja asht e thjeshtë: Në vazhdën e tragjikes “luftë e klasave”, zbatue skajshëm si askund tjetër në Shqipni, sa çoi në tjetërsimin e njeriut, nuk duhej lanë gja pa provue: aty edhe gjymtimin e gjuhës shqipe, largimin e saj prej rrajëve pellazgo-iliro-shqipe, vofnimin e saj aq sa të mos të mund të lexoheshin e të kuptoheshin ata që na lanë trashigiminë ma të shtrejtë gjuhësore e kulturore, prej Buzukut te Fishta, shkëputjen prej kulturës europiane pjesë e së cilës jemi që në ag të historisë njerëzore, përçamjen në mes krahinave e besimeve, të gjitha këto veç me muejtë me mbajtë ma lehtë sundimin gjakatar.

Si çdo komb, si çdo popull, edhe na kemi vlerat e të metat tona. Por nëse kemi tri dukuni për të cilat vërtetë mund të krenohemi, ato janë:

-Jemi populli i vetëm në Europën Jugore e ma gjanë që trashëgojmë një gjuhë që i ka rrajët qysh para se të shfaqeshin në histori Roma, Athina e vetë Troja;

-Jemi ndër popujt e paktë që nuk patëm kurrë përplasje e urrejtje në mes krahinash;

-Jemi ndër të paktët popuj, aty edhe popuj të quejtun “djepi i qytetnimit”, ku nuk ka pasë kurrë as ma të voglin konflikt ndërfetar.

Po kishte ardhë “kolera e kuqe” e rrajët duheshin pre, duheshin tha, përçamja duhej të kishte të gjitha ngjyrat, aty edhe ato mes toskësh e gegësh, në mes të krishtenëve “reaksionarë” (prandaj edhe duheshin pre rrajët me ta) e pjesës tjetër të popullit, duhesh shkatrrue gjithçka ishte ma e shëndetshme që të sundohej ma lehtë. Asnjë arësye tjetër “shkencore” nuk mund të kishte në këtë gjymtim, pse të bahej fjalë për “njësim të shqipes” ishte antikombëtare, pse shqipja e njesueme ka qenë që në krye të kohës. Tash po, mbas shëmtimit të 1972, ajo nuk asht ma e njesishme, por vetëm një pjesë e trungut që mezi ushqehet në rrajë e shtërzon e lodhun.

E kjo u arrijtë tue “kallë gjindarmërinë”, i miri Konica, në fushë të mendjes, me fjalë të tjera, me dhunë të pushtetit komunist.

2. Si u dhunue shqipja?

E para, tue shpla trutë e njerëzve nga kujtesa historike, sikur para kolerës së kuqe nuk kishte gjallue asgja në Shqipni e lum na që na erdhi kjo farë e mbrapshtë.

Së dyti, shtrimi i çashtjes së gjuhës si dukuni e luftës së klasava e tue e shtri këte luftë tashma edhe në plan territorial.

Së treti, tue qitë në harresë, ku me të ndaluem me ligj, ku me zhdukje të veprave e deri të vorreve të Atdhetarëve të akullt, atyne që na kishin lanë porosi dashuninë për Shqipni, pse Atdhetaria u quejt nazionalizëm e si rrjedhojë antagoniste me ideologjinë komuniste.

Pikërisht për këto arsye u harruen përpjekjet sa të fisme aq edhe shkencore të Komisisë Letrare të Shkodrës 1916, u lanë në harresë përpjekjet që banë atdhetarë e gjuhtarë të dorës së parë, aty edhe në kohë të fashizmit, për nji shqipe “të përbashkme”. U vendue, thuhet në njoftimet e punimeve të Komisisë, me themelue nji orthografi sa ma tepër të përbashkme për të dy dialektet”. E u shkue deri atje sa shkodranishtja u “çpall” “gjuhë e klerit reaksionar”. Ajo, si gegnishtja mbarë, u shpall gjuhë “e deklasuar”. (Se si mund të quhet nji gjuhë që flitet prej ma se katërmijë vitesh “e klerit reaksionar”, apo “e deklasuar”, veç mendjet e çorodituna mund ta rrokin).

Shkruen M. Elezi: “Politika gjuhësore dhe gjithë politika ndaj Veriut synonte shfaktorizimin e Shkodrës e të krejt Veriut si qendër e mbështetje e palëkundëshme në përpjekjet e gjithë shqiptarëve me e kthye Shqipninë kah vlerat kombtare, kah Perëndimi, kah vetvetja”.

U shpërfillen edhe mendimet e gjuhëtarëve të medhej si Majer e Jokli, pse ata, gjuhëtarë borgjezë, nuk kishin pasë fatin të njihnin veprat e shokut Stalin mbi gjuhësinë!

Veriu u identifikue me Kishën Katolike (që i bante e i ban nder pse si asnji simotër e saj ka dhanë ndihmesë të paçmueshme e të paçmueme si në ruejtjen e gjuhës e të kulturës amtare, ashtu edhe në përhapjen e kulturës europiane, jo që ka qenë nxitësja kryesore e lëvizjeve për liri), e si kundërshtare e kolerës së kuqe u masakrue ma barbarisht se askund tjetër në botë. E u mohuen shkollat. Na del se e para shkollë na paskish qenë themelue aty kah fundi i shekullit XIX në Korçë, kur të dhana të drejtpërdrejta e sidomos të tërthorta na mësojnë se shkollat në këto anë duhet të kenë mbi dymijë vite. “Na shkronjat i morëm prej Ilirëve”, thotë Plini. Janë të dokumentueme shkolla të mesme të pakten në shekullin XVII në mbarë Veriperëndimin. Në Obot kishte shtypshkronjë qysh më 1493. Çka kishte me ju dashtë shtypshkronja nji populli që nuk di me shkrue e me lexue? Por jo, zotnijë, jo, na nuk duhej të kishim rrajë, a t’i kishim ato sa ma të pakta, sa ma të cekta, që të shpallnim ardhjen e Zeusit të Kuq si shpëtim e përparim për këtë Vend.

Vazhdon…

Shenim F.R.: Do të botohet materiali i plotë punue nga Prof. Daniel Gazulli.

Melbourne, 10 Nandor 2018.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok