Pse duhet të shqetësohet Prishtina nga takimi i Vuçiçit me Papën
Shkruan Alma Lama
Po prisja të lexoj diçka më shumë rreth vizitës së presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç në Selinë e Shenjtë, përtej citimit të deklaratave të tij rreth mosnjohjes së Kosovës, që janë më shumë për konsum politik. Dhe e gjeta në tekstin e shkruar në mënyrë mjeshtërore nga gazetarja e Ora News në Romë Alba Kepi: “Papa Françesko i ka dhuruar letrat e tij enciklike me mesazhin e paqes si dhe një dokument mbi vëllazërinë njerëzore firmosur nga Ati i Shenjtë së bashku me Imamin Al -Azhar.”
Gjuha e simboleve dhe gjuha e detajeve në diplomaci ka vlerë të madhe. Në takimin e tij me presidentin serb, pavarësisht të gjitha gjërave që janë folur, Papa Francesku, nëpërmjet dhuratës, i ka shprehur Vucicit qëndrimin e Selisë së Shenjtë: ne kërkojmë nga ju që të ndërtoni paqen me ata që nuk e keni, sidomos me Kosovën. Nuk e shoh të rastësishme as dhënien si dhuratë të dokumentit të firmosur me 4 në shkurt të këtij viti në Abu Dhabi, mbi “vëllazërinë njerëzore” me imamin e madh Al- Azhar, që në radhë të parë është një thirrje për bashkëjetesë fetare mes të krishterëve dhe muslimanëve.
Sadoqë konflikti shqiptaro-serb është etnik dhe identitar, shteti dhe Kisha serbe janë përpjekur vazhdimisht t’i japin një dimension fetar. E në këto kushte një dhuratë për “vëllazërinë humane” është një simbol domethenës.
Qëndrimi i Vatikanit, nuk e përjashton aspak qëllimin e kreut të Serbisë që ta bindë Papa Franceskun për të mos e njohur shtetin e Kosovës. Kjo është pjesë e lobimit të fuqishëm që ata po bëjnë në të gjithë botën, madje edhe me shtetet njohëse, që ato të ndërrojnë qëndrim.
Presidenti serb Vuçiç, nuk mund të luajë ndonjë rol në ndryshimin e qëndrimit të Selisë së Shenjtë ndaj Kosovës, pasi interesat që mbajnë peng njohjen, e tejkalojnë dimensionin e marëdhënieve shqiptaro-serbe dhe paqen e dëshiruar në Ballkan.
Papa Francesku, si një reformator i Kishës katolike dhe lider me tipare humane, po përpiqet të ndryshojë në mënyrë të dukshme edhe fytyrën e konflikteve shekullore ndërmjet dy degëve kryesore të krishtërimit. Përmirësimi i raportit me ortodoksizmin, që ka qenë mission i përhershëm i të gjithë papëve, nën udhëheqjne e Papa Franceskut, ka kaluar një nivel tjetër, sidomos pas takimit historik në Havana në vitin 2016 me Patriarkun Rus Kirill dhe deklaratës së përbashkët të lëshuar kundër persekutimit të kristianëve.
Megjithatë Patriarku i Kishës Ortodokse Ruse Kirill që bashkëpunon ngushtë me shtetin dhe presidentin aktual të Rusisë Putin, ende refuzon një takim me Papën në Moskë.
Një qëndrim të ngjashëm ka edhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe Irinej, i cili madje shkatoi zemërim në Beograd për shkak të refuzimit të një vizite të Papës në Serbi.
Është e qartë se Selisë së Shenjtë i intereson dhe kultivon marëdhënie të mira si Serbinë ashtu edhe me Kosovën, por pa u pozicionuar politikisht, ndërkohë që në rastin e Kroacisë katolike, mori qëndrimin për ta njohur.
Në këtë kuadër, një vizitë më shumë apo më pak e presidentit serb në Selinë e Shenjtë, nuk çon shumë peshë në raport me njohjen apo mosnjohejn e Kosovës.
Ajo çfarë është e rëndësishme për Kosovën dhe politikën e saj të jashtme është raporti i saj me Selinë e Shenjtë, lloji i marëdhënieve që ka ndërtuar dhe serioziteti i treguar. Kulmi i raporteve në aspektin fetar, u shënua me shenjtërimin në vitin 2016 të Nënë Tereza e lindur nga dy prindër shqiptarë të Kosovës.
Në aspektin politik, Selia e Shenjtë, megjithëse nuk e ka njohur zyrtarisht shtetin e Kosovës, ka një qasje mjaft positive dhe ka qenë mikëpritëse e delegacioneve më të larta shtetërore, përfshirë organizmin e takimeve me Papën. Kjo nuk është meritë e ndonjë personi apo individi i cili takimin e papën e sheh vetëm si mundësi për tu fotografuar me të, por e raporteve historike dhe shpirtërore që ne se shqiptarë kemi me shtetin e Vatikanit. Kur them shqiptarë, e kam fjalën edhe për shtetin shqiptar, por nuk duhet harruar se gurëthemelin e këtyre raporteve e vuri presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova, me takimet dhe vizionin e tij propërendimor.
Problemi është se përtej fotografimeve me Atin e Shenjtë, përfaqësuesit aktualë të shtetit të Kosovës nuk i kanë trajtuar me seriozitet raportet me Selinë e Shenjtë. Natyrisht, njohjen e këtij shteti e dëshirojnë të gjithë, për shkak të simbolikës dhe peshës së padiskutueshme, por angazhimi për të bindur autoritetet e këtij shteti, ka qenë në variantin më të mirë, amatoresk.
Ofendimi më i madh qe i është bërë këtyre raporteve, është dekreti i emërimit të një “ambasadoreje” në Selinë e Shenjtë nga ana a presidentit të Kosovës në vitin 2016, një vendim i ndërmarrë për interesa klanore, por me pasoja në raportet diplomatike ndërmjet dy vendeve.
Akti i emërimit të një ambasadori pa pasur njohje dhe marëdhënie diplomatike, është në kundërshtim të plotë me Konventën e Vienës për Marëdhëniet Diplomatike (1961) sipas së cilës vendosja e marëdhënieve diplomatike mes shteteve dhe misioneve të përhershme diplomatike bëhet me pëlqim të ndërsjelltë (neni 2). Në rrethana të tilla, kjo ishte një tallje me Selinë e Shenjtë.
Po kështu, sjellje jo serioze kanë qenë edhe emërimet e bëra ne emër të qeverisë, të njerëzve jokompetentë, dhe në kundërshtim me atë mundësi që ka ofruar Selia e Shenjte për raportet diplomatike me Kosovën. Pa dashur të hyj në detaje, MPJ-ja është dashur të caktojë një diplomat me nivel intelektual, njohës i Vatikanit, Kishës dhe diplomacisë, me kulturë të përgjithshme dhe i aftë për të komunikuar me nivelet me të larta.
Zyrtarisht Kosovën e mbulon nunsi apostolik në Slloveni ndërsa Kosova për shkak të ambicjeve të brendshme klanore, nuk ka caktuar një diplomat të rangut të lartë në Romë, që do të fokusohej në raportet me Selinë e Shenjtë.
Eksperimentet me njerëz të pakualifikuar, që për shkak të rrethanave konjukturale, mbërrijnë të marrin një emërim të përkohshëm, janë të dëmshme, shkaktojnë konfuzion dhe perceptohen si joserioze.
Është pikërisht kjo që ka ndodhur, qasja joserioze nga ana e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës, një nga arsyet e mosnjohjes nga ana e Selisë së Shenjtë. Padyshim, siç kemi shpjeguar më sipër , kjo nuk është arsyeja e vetme. E këtu ka vend për tu shqetësuar në raport me vizitën e sotme të Vuçiçit në Vatikan.
Një qasje e tij më serioze se ajo e shtetit të Kosovës, veçanërisht e shoqëruar me diskursin e ekzagjerimit të rrezikut për trashëgiminë ortodokse serbë në Kosovë, nuk mund të kalojë pa ndikim.Viktimizimi në lidhje me rrezikun që paraqesin shqiptarët e Kosovës për trashëgiminë fetare serbe, është diskurs zyrtar i Serbisë, të cilin e kam ndeshur edhe në punën e ambasadorit serb në Itali, i cili kërkonte lart e poshtë ndihma për restaurimin e objekteve religjoze në Kosovë. Natyrisht, edhe unë si ambasadore në Itali, jam marrë me këtë çështje për ta përgenjeshtruar, si dhe duke dhënë argumentet se Kosova ka treguar gadishmëri për financimin e restaurimeve, por është Kisha Ortodokse Serbe ajo që nuk ka pranuar.
Pra rreziku është që përtej deklaratave politike si ato të Vuçiçit pas vizitës së sotme, Serbia do të vazhdojë me diplomacinë perfide për të fituar terren edhe në raport me Selinë e Shenjtë, ndërsa Kosova do të vazhdojë të mos kuptojë rëndësinë e qasjes institucionale dhe shtetërore në raport me këtë shtet.