03/12/2024

Pse Bashkimi Evropian dhe SHBA nuk e testojnë Serbinë?

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Në Shkup mbrëmë dhe sot u bë një takim i rëndësishëm. Ndihmës sekretari i Shtetit Amerikan, James O’Brien, mblodhi liderët e katër vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në takim ishte edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përveçse kryeministrit të Shqipërisë, atij të Kosovës si dhe presidentit dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Nuk mungoi Aleks Soros. Diskutimi kishte të bënte me përshpejtimin e afrimit të këtyre katër vendeve me BE-në dhe SHBA-të.

Por, më duket se takime të tilla shprehin një lloj paradoksi. Përveç Kosovës, të cilën e prezantoi Albin Kurti, dhe Maqedonisë së Veriut, Serbia dhe Shqipëria janë shumë larg standardeve të BE-së dhe SHBA-ve.

Në Serbi dhe në Shqipëri nuk ka zgjedhje, jo më zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ka garë në zgjedhje para së gjithash. Në konceptin teorik e filozofik, aty ku nuk ka as garë e as zgjedhje, aty syndon autokracia. Në rastin e Serbisë dhe të Shqipërisë regjimi është jo vetëm autokrat, por edhe kleptokrat. Liderët, ministrat, politikanët në këto dy vende grabisin pasuritë dhe taksat e vendeve të tyrë, me qëllim eleminimin e opozitës dhe krijimit të shtetit një-partiak. Prandaj dhe këto dy vende duhet të monitorohen si nga Brukseli edhe nga Uashingtoni.

Problemi i dytë është se SHBA-të bashkëbisedojnë jo vetëm me dy autokratë, por edhe me dy liderë, të cilët janë të përfshirë në afera korruptive dhe bashkëpunim të tmerrshëm me mafien. Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama kanë krijuar një lidhje të frikshme me grupet mafioze në vendet e tyre dhe në Evropë, deri në Amerikën Latine.

Rasti korruptiv Rama-MecGonigal dhe të tjera raste të njohura e të panjohura, si dhe Banjska e inskenuar në Beograd nga Aleksandër Vuçiq, do të ishin të mjaftueshme që Departamenti i Shtetit të rezervohej në takime me Vuçiq dhe zotin Rama. Megjithatë në takim u shfaq Aleks Soros, një fotografi kjo që flet shumë. Flet për atë se në filozofinë e Soros bashkëpunimi me kriminelë është jo vetëm i pranueshëm, por edhe i lejueshëm.

Takimi në Shkup i James O’Brien me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në mesin e tri vendeve të tjera të Ballkanit Perendimor, është gjithashtu një mister.

Nga njëra anë presidenti Biden shpreh shqetësimin e tij se Serbia e Vuçiq po shërben si kalë Troje në Europë i Vladimir Putin për të destabilizuar Evropën e Ballkanin, nga ana tjetër ai trajtohet sikur në rajonin tonë e në Serbi nuk ndodh asgjë. Nuk e di se sa diplomacia perëndimore është e ndikuar nga iluzioni. Por e di se Serbia duhet testuar sa më shpejt se në cilën karrige do të qëndrojë. Në vend të këtyre takimeve dhe çokave politike, SHBA-të dhe BE duhet t’i caktojnë Serbisë një datë pranimi në BE, duke e kushtëzuar me njohjen de facto e de jure të Kosovës në një afat kohor gjashtëmujor maksimumi.

Ky lloj testi do të përcaktonte përfundimisht rrugën në të cilën do të vijonte aleancat e saj Serbia. Nëse do donte integrimin në BE, ajo do të duhej ta njihte Kosovën dhe përfundimisht të vendoste raporte shtetërore me të. Në të kundërt, Beogradi nuk do të pranonte integrimin dhe Evropa e bota do të mësonte përfundimisht se kah shkon Serbia. Është interes imediat të ndahen kufijtë e Europës me sferën ruse. Është emergjencë për paqen dhe sigurinë ballkanike dhe evropiane që të definohet se cilat aleanca do të ndjekë Serbia, me Rusinë apo kundër saj. Asnjë vijë e mesme nuk krijon garanci për stabilitetin evropian dhe ballkanik.

Paradoksi më i madh lidhet me faktin se presidenti Vuçiq luan, si thoshte Hashim Thaçi, kjo as me Evropën dhe SHBA-të. Ai shkon në çdo samit të inicuar nga Perëndimi e ndërkohë ruan të gjitha aleancat me Rusinë. Pjesëmarrja e tij në samite euro-amerikane është gënjeshtra më e madhe e kohës dhe e Serbisë.

Të kesh Ivica Daçiq ministër të Jashtëm dhe Aleksandër Vulin shef të shërbimit sekret, tani në hije, e të besosh se nuk je i lidhur në të gjitha format me Rusinë, është idiotësi. Unë nuk e di nëse diplomatët perëndimorë e besojnë këtë. Por e di se ata ende kanë shpresë se Serbia do të jetë pjesë e strukturave euro-atlantike. Ndërkohë që asnjë celulë e segment i shoqërisë dhe institucioneve serbe nuk është e gatshme të shkëputet nga Moska dhe politikat e Kremlinit!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok