06/11/2024

PROZA E ZANA TAKOS SI SHKRIFTËSI RRËFIMI

0

Për romanin “Gjaku i martirëve të Kombit”

Nga Qazim Shehu

Romani “Gjaku i martirëve të Kombit” i autores Zana Tako, që u përurua në kujdesin e gazetës “Nacional” me drejtor Mujo Buçpapaj, përbën një ngjarje kulturore në prozën tonë të re. Ky roman,  siç paralajmërohet edhe nga titulli, e merr temën dhe shpalos frymëzimin,  nga jeta e priftërinjve katolikë shqiptarë, të cilët provuan burgjet, torturat e regjimit komunist. Autorja ka ditur që këtë temë të vështirë, të rrahur gjerësisht nga autorë të tjerë, nga dokumentarë apo rrëfime, ta shtjellojë me një origjinalitet dhe besueshmëri që ta krijon imazhin, tablonë e këtyre vuajtjeve, duke vënë në themel dashurinë hyjnore e njerëzore, idetë e mëdha të kohës, përmes jetëgjatësisë së tyre.

Tema të tilla mbartin rrezikun e didaktikës dhe të aspektit moral, por një talent i zoti, siç është Zana Tako di t`u shmanget këtyre kurtheve dhe duhet thënë se autorja ka arritur me sukses të zhbirojë me aftësi në psikoloogjinë e personazheve, të japë  ngjyresën e ambienteve dhe njëherit, përmes një lënde jetësore të pasur, të na sjellë besueshëm atë kohë, jashtë çdo artifici dhe detaji që kërcet. Duhet thënë që në fillim, sipas perceptimit tim, se autorja krijon një prozë të shkrifët, të rrjedhshme, që komunikon me çdo ind të fjalës, një prozë e cila rrjedh dhe gurgullon heshtur, duke u manifestuar me tone jetësore përmes një dramatike, ku skenat alternohen me pamje të ndryshme të dhunës dhe që, përmes dhunës, shkëlqen e ngrihet lart si një himn trallisës dashuria për  të mirën e prelatëve të fesë. Me një stil që objektivizohet nga paanësia në rrëfim, por që ngjyroset emocionalisht përmes rrëfimit dhe përshkrimit, ajo ta kujton prozën floberiste, ku duket se çdo fjali është në vendin e vet. Dhe kështu romani e ruan ritmin e rrëfimit dhe ky ritëm ecën pa ngadalësuar asgjë, gjersa romani mbaron së lexuari me një frymë, si një poemë e shpirtit njerëzor.

Dukshëm dhe me interes paraqiten dy botë, dhe në këtë përqasje të rri gjithnjë në mendje metafora e titullit, një metaforë që shndërrohet si e tillë përmes perceptimit kohor dhe ngjarjeve adekuate, krejtësisht të intonuara në një rrafsh të gjerë të perceptimit. Romani krijon gjendje, ankth, frikë, jep terrorin e hetuesve xhahilë, krijon absurd ku faji i veshur me mistifikimin e tij nuk kuptohet pse është i tillë, personazhet individualizohen e njëherit ata “të fajshmit”shkrihen në një kor të madh të dhimbjes e të persekutimit. Të ngjan se ata vërtiten në një skenë duke mbajtur mbi shpinë gurët e rëndë të “fajit”dhe të dhimbjes. Ky është një roman sa i ngjarjeve aq edhe i tezave lënduese, ku veprimi ecën përmes mundimit dhe mendimi shtjellohet  në ballafaqimin e dy botëve duke u argumentuar artistikisht. Përmes dendurisë së leksikut përshkruhen gjendje ankthioze, trauma që vijnë nga torturat dhe njëkohësisht qëndresa të forta morale që burojnë prej besimit;ndaj ky roman vjen si një transkiptim i dhimbjes të një kohe të pakohë, mbërthyer nga kthetrat e djallit të kuq. Si roman i absurdit të dhunës(çdo dhunë në shumësinë e shfaqjes së saj është absurde)autorja ka ditur të gdhendë besueshëm portrete, të cilat vihen në spikatje dhe krijojnë pamje trallisëse që të mbeten në mendje, çuditë vrastare të xhahilëve, të cilët krijuan dhe sajuan armiq edhe atje ku ata nuk gjendeshin. Në të vërtetë nuk kemi të bëjmë me një keqkuptim kohor, por me një gjë të llogaritur mirë:komunistët ia kishin frikën lartësisë kulturore dhe shpirtërore të prelatëve të fesë katolike, ndikimit që ata kishin në popull, forcës së tyre morale. Në mos të shuhej ky ndikim, të paktën të zhvendosej duke krijuar harresën ndaj tyre.

Si një roman kronikë e shpirtrave njerëzorë të pafajshëm, kjo jepet mirë përmes antitezave të fuqishme midis dritës dhe errësirës, të vërtetës dhe gënjeshtrës, të mirës dhe të keqes, vuajtjes dhe ngushëllimit. Këto kundërvënie shpalosin një botë të tërë, krijojnë dhe përçojnë aspekte të formimit dhe të deformimit të shpirtit, përcjellin kohën dramatike  dhe japin mesazhe të forta, të cilat ngjizen e shpërhapen artistikisht nga episode të endura me fijet e ankthit e të shpresës.

Parë në këtë këndvështrim, proza e Zanës i mbart vetiu treguesit realistë dhe dramatikë ku veprojnë lirshëm simbole dhe detaje me vlerë të  tillë, duke krijuar gjendje ankthi dhe hutie, e kjo ia siguron romanit modernitetin, autencitetin narrativ dhe shprehësinë e frazës. Kjo frazë, gjithnjë nuk e tepron në vonesat e teprimit të përshkrimit të panevojshëm;si e tillë,  ajo ngulitet mirë në logjikën e vet duke bërë kapërcimin e nevojshëm në rrjedhën e ecjes dhe duke mbartur me hijeshi kostumin narrativ që i shkon. Kështu sigurohet edhe vertikaliteti i ndjenjës,  një ndjenje të thellë, fine, klithëse, që imponohet dhe të emocionon.

Emocioni përftohet nga aftësia e autores për ta përshkruar ngjarjen dhe ngjarjet jo vetëm si njohje dhe paraqitje të tyre, por edhe si mishërim i dhimbjes dhe i dashurisë për jetën, kur ajo vihet në zgrip ekzistencial. Vlera e jetës bëhet e çmueshme kur  rrezikohet, por ngushëllimi i frikës për humbjen e saj jetësohet prej ideve të mëdha, prej faljes, që vjen nga doktrina kristiane. Dhe në këtë aspekt ideor, vizatohet krejt pamja e martirëve të kombit, që  autorja e jep plotshëm e me ekzigjencë artistike.

Figura e priftit Lazër del e realizuar, një personazh që të mbetet në mendje, përfaqësues i gjithë aryre klerikëve që provuan çomagen e diktaturës. Autorja e ka vizatur me plotësi përshkrimi, në referenca dialogjesh e në vetminë e qelisë së lagësht. Ajo ngrihet madhërishëm si nga fundbota dhe vjen sot në kohërat e reja si simbol i përjetimit dhe i koshiecës së pastër, i besimit në zot e në drejtësi.

Intreresante mbetet figura e Gjinit,  personazh i gdhendur me kujdes, si mishërimi i atij malësorit të kohës, besimtar dhe i padjallëzuar, krejtësisht i anuar në punët e veta, por i përfshirë në ngjarje dhe kurthe të padëshiruara;me një besim dhe sinqeritet që të lë mbresë, njeri i halleve që vijnë e shtohen prej  natyrës së rrethanave kokëforta në marrëzinë e tyre;po kështu Kola etj.

Janë të kuptueshme dialogjet e padres me Gjinin në qelitë e burgut, forca e arsyes dhe e dijes shpirtërore të priftit që si balsam shëron plagët e besimtarit, e vetmja mundësi për t`u ndjerë të afërt shpirtërisht e për të përballuar sfidën. Duhet thënë se në këto biseda, që shtjellohen aq me ngut e pa ngut, krijohet me natyrshmëri ajo linjë e romanit që quhet linja e qëndresës përmes afërsisë shpirtërore të personazheve me fat të përbashkët.

Autorja ka ditur të ruajë sensin e tyre të masës, që ato të mos bëhen të gjata, të shmangë përsëritjet, përmes situatave të reja. Kjo hile e mirë artistike e përforcon teknikën e romanit dhe ruan këshërinë leximore. Me figurën e Gjinit mbyllet romani. Gjini nuk thyhet edhe pse vuajtjet janë të mëdha. Si përfaqësues i popullit, i malësorit të lirë e stoik ai përbën tharmin e shpresës. Do të vijë një ditë që populli,  dhe vetëm ai,  do ta mposhtë të keqen, natyrisht pa harruar liderët shpirtërorë, frymëzuersit e tij moralë .

Romani i Zana Takos është një roman psikologjiko-dramatik dhe  ruan gjendjen e realizmit psikologjik. Ai përshkruan mizorinë e diktaturës, përfaqësuar këtu me figurën e hetuesit. Kemi një hetues tipik, i egër, hileqar, që ndërron mënyrat, duke u bërë herë herë i”butë”, që mban në dorë kulaçin dhe kërbaçin, një hetues të indoktrinuar, devijim i natyrës, në formën dhe përmbajtjen e monstrës. Detajet, situatat, zymtësia dhe tonet e zeza që e veshin këtë personazh,  flasin  jo vetëm për besnikëri të përshkrimit në vlerë autentike të besimit të saj, por edhe  si konvencion i një kohe që jetonte dhe fryhej përmes burgut, qelisë, terrrorit, që asgjësonte filizin më të ri të mendimit  dhe mumifikonte në trajtë paradoksale njeriun e ri, si klonim ideologjik.

Shkrimtarja është cilësuar nga shumë komentues si shkrimtare e dashurisë dhe,  me të drejtë, ky përcaktim qëndron. Dihet që gjithë letërsia e mirë mban frymën dhe adhurimin ndaj dashurisë, dashurisë si forcë e qenies për të përballuar provën e vështirë, dashurisë si shtysë për të ëndërruar dhe besuar, dashurisë si mundësi për të falur dhe për ta bërë tjetrin të shkojë drejt pendesës.

Shkrimtarja krijon një auereolë të dashurisë si forcë dhe këtë e paraqet me situatat rrëqethëse, me rrethanat që i vizatojnë dhe krijojnë shtysën për këto situata. Ajo e jep këtë njëjtësishëm e njëmendësishëm dhe si vlerë shpirtërore, sidomos te prifti Lazër, Gjini  etj;infiltron mirë në shpirtin e personazheve dhe nxjerr nga to bukurinë e dashurisë për hyjninë dhe për jetën.

Në këtë aspect,  psikologjizmi  shpaloset me një poetikë të qëndrueshme që nuk ndërpritet nga fillimi gjer në fund të romanit.

Metafora dhe shtresa  simbolike e saj, ndërlidhja midis rrafshit jetësor dhe konvencionit ideor në ndërtimin e personazhit janë disa tipare të procedeut krijues të autores. Romani lexohet si një rrjedhë e pastër rrëfimtare, e mbushur me nuanca dhe ngjizje të vrullit jetësor, krijon një perceptim  të kuptueshëm për një kohë reale, por edhe  një dimension tjetër brenda asaj kohe;dimensionin e pavdekësisë dhe të mesazheve kuptimplote,  se e keqja,  në faza të caktuara të kohës,  ka forcë të madhe,  por sa e dobët bëhet ajo kur bashkohen zemrat njerëzore në emër të dashurisë për jetën dhe për hyjninë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok