21/12/2024

Promovues i vlerave kombëtare përmes gurit, fotografisë dhe etnografisë

0
Zef-Berishaj

Zef Berishaj – koleksionisti i vetëm i gurit në Malësi

Nga Gjekë Gjonaj

Historia nuk tregohet  vetëm nëpërmjet fjalëve. Tregohet edhe nëpërmjet objekteve. Nëse i gjurmojmë,  i zbulojmë  dhe i përdorim,  ato tregojnë një copë jetë. Na frymëzojnë. Na njohin me artin,  mënyrën e jetesës, zhvillimin dhe mirëqenien e tyre.  Vetëm një koleksionist  që bën bashkë historinë, mund ta kuptojë  më mirë traditën dhe vlerën  e një populli. Malësia e  Madhe e ka një të tillë. Zef Berishaj, ndryshe mund ta quaja “ Njeriu i gurit”,    me sa  kemi informacion është  koleksionisti i vetëm i gurit  në Malësi  që ka zbuluar  një pasuri të tërë kombëtare. Prej 24 vjetësh   ai kërkon, gjurmon dhe zbulon  historinë dhe traditën tonë. U lind   në fshatin malor Priftën  të  Grudës, kurse    jeton në fshatin fushor Dushiq afër  Tuzit. Sapo të hyni në oborrin e shtëpisë së tij dykatëshe  do të mahniteni me skulpturat    e gurit të nëntokës shqiptare , që i ka krijuar nëna Natyrë, të vendosura  e  të radhitura me mjeshtri  nga  dora e tij  nën shtratin e hardhisë së rrushit, të rrethuar me lloj-lloj lulesh shumëngjyrëshe.  E gjithë shtëpia   e  Zef Berishajt   është e rrethuar me gurë të  formave dhe peshave të ndryshme.  Për mbledhjen dhe sjelljen e këtij thesari  të fshehur  nuk është dashur shumë, pasi adresën e shtëpisë gurit ia ka treguar pasioni.

Ky adhurues i natyrës, thesareve të nëntokës shqiptare dhe i vlerave kombëtare, i cili   një kohë e  provoi edhe shijen e mërgimit në Shtete të Bashkuara të Amerikës,    është dashuruar  pas nëntokës së   vendlindjes  së tij Malësisë së Madhe. Kjo zonë, thotë koleksionuesi i gurit, ka pasuri të bukura, të rralla me peshë të rëndë ekonomike. “ Ky frymëzim  ka burimin  në dashurinë për vendlindjen e time Priftnin,  të cilit i kthehem  dhe rikthehem  kohë pas kohe.  Në vitin 2000  vizitova  fshatin ku u linda, u rrita dhe u edukova nga prindër të ndershëm, bujar e atdhetar.  Gjatë rrugëtimit nëpër fshat më shkoi syri tek një gurë  që i përngjante shqiponjës. Më tërhoqi si   një  lloj magneti. Iu afrova . E mora dhe e solla në Dushiq. E  pastrova nga dheu. Më pëlqeu shumë. Mendova se  zona malore  e Malësisë   ka edhe   gurë të tjerë me figura të ndryshme. Kështu  me shumë kënaqësi e vullnet vazhdova  pasionin  tim, mbledhjen   e gurëve të tjerë gëlqeror  të cilët për mua  janë vërtetë një lloj arti   të natyrës . Sa herë që dilja në fshat bashkë me bashkëshorten time Prëtën, kur ktheheshim   mbushnim makinën me  gurë,“ rrëfen Berishaj.  Ai prej moshës  45  vjeçare  ka  filluar me grumbullimin e  një koleksioni  masiv gurësh , duke i kthyer gjetjet e tij  në zonën e Malësisë  në një kryevepër.

Në koleksionin e  Zefit  gjenden afro 500 gurë. Pesha e tyre është  prej 3 deri në 150  kilogramë, që sipas tij tregojnë se sa e vjetër është toka. Përmes këtyre gurëve ai sheh  figura  dhe forma mahnitëse,  porositë  e të cilëve ai i interpreton si një arkeolog kozmik.

“ Çdo gurë që po shihni  është i veçantë. Secili ka  specifikat e veta. Ky gurë ka figurën e njeriut. Të tjerët  janë   me figura të zogut, peshkut, qengjit, bariut ( çobanit me atë zhgunin me  të cilin dikur e ka mbuluar trupin prej erërave, stuhisë dhe  të reshurave atmosferike), piramidës,  shqiponjës, simbolit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, pastaj hartës së Kosovës, luanit, dhelprës, breshkës, kitrës (kunës), krokodilit, pinguinit, dorës së  e njeriut nga bërryli etj. Këtu kam sjellë edhe  një gurë mijëvjeçar që nga themelimi  i   qytetit ilir  Dioklesë. E kam gjetur  në lumin Cem “, sqaron me shumë kënaqësi  Zefi dhe falënderon bashkëshorten pa të cilën, siç thotë ai,  ky muze i gurëve nuk do të ekzistonte.  Ai shton se këtë ko0leksion gurësh, që nuk ekziston as në Ballkan, e jo më në trojet  shqiptare,   e kanë vizituar rastësisht  edhe  vizitorë  nga Danimarka, Kanada   e Australia. “Aq janë  mallëngjyer  me  pasuritë nëntokësore të Malësisë saqë ato i kanë pasqyruar në mediat e tyre ”, thekson Zefi.

Dëshira e tij ka qenë dhe mbetet të hapë një ekspozitë  me skulpturat e tij të mrekullueshme të gurit. Për këtë atij i duhet mbështetje institucionale, të cilën  e ka kërkuar nga ish- kryetari i Komunës së Tuzit, por, siç thekson ai,  ajo  ka munguar.

Ky rast, por edhe raste të  tjera në Malësi,  dëshmon mungesën e kulturës  së zhvilluar të  pushtetarëve shqiptarë  për trashëgiminë tonë historike, kulturore, natyrore dhe shpirtërore, siç janë në vende të tjera të Evropës.  Gurët janë me interes  historik dhe shkencor. Institucionet kulturore vendore e qendrore  do të ishte mirë sikur  të kenë një qëndrim të veçantë ndaj gurëve, me të cilët   malësorët ishin të lidhur me traditat shekullore.

Valorizimi i këtij muzeu gurësh,  me një titull simbolik “Guri në jetën e njeriut” do të ishte një atraksion turistik në Malësi, ku vizitorët e grupmoshave dhe vendeve të ndryshme do të mund  të njihen me madhështinë e tij të rrallë dhe me vlerat  e mëdha  historike e kulturore  për  ruajtjen e  trashëgimisë sonë.

Koleksionist  i qindra fotografive të vjetra

Zef Berishaj nuk është fotograf, por është adhurues i madh i fotografisë, veçmas atyre të vjetra  të cilat tregojnë  për  lashtësinë dhe  historinë  e  një populli. Ky entuziast për ruajtjen e trashëgimisë  në katin e dytë të shtëpisë familjare, në një hapësirë prej 100 metra katrorë ka ekspozuar  afro 500  fotografi   të  ndryshme nga jeta dhe historia e shqiptarëve, por  dhe lashtësia e popujve të tjerë evropianë e botërorë, të vjetra deri në 7.000 vjet, të shoqëruara me informata njohëse.

I pyetur se si i siguron  fotografitë e vjetra, të periudhave e personaliteteve të ndryshme, Berishaj  tregon se burimet i ka të ndryshme. “Fotot  kryesisht i siguroj përmes motorëve të kërkimit siç janë Google dhe Yahoo, arkivave të ndryshme në internet, të gazetave   shqiptare dhe të huaja, librave te ndryshëm, etj.

Në saje të teknologjisë informative dhe vullnetit të mirë gjetja e fotografive të vjetra dhe informatave të shumta që ndërlidhen me trojet shqiptare nuk është më edhe aq e vështirë. Siç thotë edhe fraza e vjetër angleze “  aty ku ka vullnet, ka edhe mënyrë”.

Krahas  fotografive të vjetra  të  vendosura në dy faqet e murit të  dhomës së tij ndodhet edhe një koleksion me disa    objekte  etnografike, që janë dëshmi e rëndësishme të  kulturës, traditës interesante e të pasur të trevës së Malësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok