PROMOVIM NDRYSHE I TRASHËGIMISË KULTURORE DHE TURIZMIT
Nga Ndue Dedaj
Eralda Baze, një shkrimtare e re, autore e dy romaneve, me profesion inxhiniere ndërtimi dhe njohëse e disa gjuhëve të huaja, së bashku me një grup të vogël promovues, shkon kudo nëpër Shqipëri, vesh së pari kostumin tradicional të trevës dhe, ashtu, herë si malsore me xhubletë e herë si skraparlie, përmatare, hasiane etj., ndalohet në vende të shënuara historike e turistike dhe me pak fjalë zemre bën thirrje për “zbulimin” e tyre. Nuk është një reklamë e personalizuar për askënd dhe e paguar, por një shpalim i mbarë visarit natyror e kulturologjik shqiptar. Po dhe i disa figurave historike të lëna në harresë, siç janë firmëtarët e Pavarësisë, flamurit dhe shtetit shqiptar.
Kur shkrimtari Mark Simoni, më kërkoi që të takoheshim në Mirditë, e mirëprita ftesën, pasi i kisha parë disa nga videot e saj promovuese, që në të vërtetë kanë ndikuar pozitivisht në komunitetet e zonave të ndryshme si ndërgjegjësim për t’u marrë vetë banorët me trashëgiminë e tyre. Dhe shkuam së bashku në Shpal, Orosh dhe Rubik. Siç e thotë dhe vetë Eralda, kësaj here ajo ishte një “mirditore”, që i fton turistët për t’i njohur këto vende historike më bukuri natyrore të pashoqe.