21/11/2024

Prognoza para e pas-zgjedhore e Kosovës

0

Nga Enver Bytyçi

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur sot që me datën 22 gusht të votohet për shpërndarjen e parlamentit të vendit. Kjo do të thotë se diku në fillim të tetorit qytetarët e shtetit më të ri në Europë të votojnë një parlament dhe qeveri të re. Sipas kushtetutës, 45 ditë pas shpërndarjes duhet të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme.

Po cila mund të jetë prognoza e koalicioneve ose bashkëpunimeve para dhe pas-zgjedhore, si mund të ndryshojë harta e qeverisjes politike të saj dhe çfarë impakti do të ketë kjo për zhvillimet e përgjithshme, si dhe dialogun me Kosovën?

Mesa duket nuk do të ketë grupime të mëdha koalicionesh para se të shkohet në kutitë e votimit. Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosja, nuk kanë mundur të realizojnë një marrëveshje për të shkuar së bashku në votimet e fillim-tetorit. Ato do t’i matin forcat veç e veç. Kjo do të thotë se postin e kryeministrit do ta përcaktojë rezultati zgjedhor. Nëse këto dy parti do të bëheshin bashkë, ato do të ishin të pakonkurrueshme. Por duket se dallimet e mëdha programore midis tyre nuk kanë mundësuar një koalicion parazgjedhor, gjë që vështirëson edhe një koalicion pas-zgjedhor.

Ndërkaq, besohet se parti e tretë ose ndoshta e dytë në zgjedhjet e ardhshme do të jetë Partia e zotit Haradinaj. Nuk dihet ende nëse Gjykata Speciale do të ndërhyjë ose jo gjatë fushatës zgjedhore kundër kryeministrit të dorëhequr në detyrë, por nëse nuk ndërhyn, atëherë Haradinaj do të jetë në aksion sulmi të vazhdueshëm. Ai është në kërkim të aleatëve të vegjël, me qëllim që të rrisë kuotat elektorale mbi partitë e tjera dhe automatikisht të fitojë të drejtën për të vijuar rishtazi funksionin e kreut të ekzekutivit. Ndoshta kjo ambicie e Ramush Haradinajt mund të shërbejë si motiv për qytetarët e vendit për ta votuar atë, duke pasur parasysh suksesin e padiskutueshëm të parandalimit të copëtimit të vendit nën kërcënimin e Hashim Thaçit.

Vënia e taksës kundër mallrave serbe, krijimi i ushtrisë si dhe ligji për Trepçen dhe fillimi i implementimit të tij shihen si masa kundër qëllimeve dhe projekteve të Beogradit për ndarjen e Kosovës dhe kjo temë ishte dhe mbetet sensibile në vend. Suksesi i dedikohet Haradinajt, pavarësisht zërave kritikë ndaj tij se ‘Ai nuk ka dëgjuar zërin e miqve të Kosovës për heqjen e taksës në fjalë’! Por Haradinaj ka pak gjasa të gjejë aleatë të vegjël e jo më të mëdhenj. Nisma psh duket se nuk do t’i bashkohet, nëse kemi parasysh se eksponentë të saj janë shkëputur prej saj për t’iu bashkuar AAK-së. Megjithatë ai mund të llogarisë në një aleancë me Partinë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit, të cilit i ofron bashkëpunim me plot dëshirë Thaçi.

Partia në pushtet e Kadri Veselit, pra Partia Demokratike, është në kërkim të aleatëve para-zgjedhorë. Behgjet Pacolli është më afër kësaj partie, për shkak të dallimeve të padukshme midis tij e Thaçit, sa i përket politikave të dialogut midis Prishtinës dhe Serbisë. Këtu rol të padiskutueshëm luan këshilltari më i ri e njëkohësisht më i vjetër i presidentit të Kosovës, Baton Haxhiu. Haxhiu është mjeshtër i përçimit të politikave kosovare që pranojnë bashkëqeverisje me Beogradin e madje edhe bashkë-sovranitet ose ndarje të territorit të Kosovës. Lojaliteti i Pacollit e favorizon aksionin politik të Thaçit e Batonit për ta afruar atë në një skalion zgjedhor me Partinë Demokratike.

Por PDk nuk ka asnjë shans të krijojë një koalicion para-zgjedor me ndonjërën prej tri partive të mëdha. Ka mundësi që Thaçi t’i ofrojë Albin Kurtit postin e kryeministrit. Por Kadri Veseli nuk do ta pranonte një kusht si ky, jo se ai pa aleatë ka ndonjë siguri për t’u ngjit në postin e kryeministrit, por se nuk do që aleatët t’ia paketojë presidenti. Në këtë kuptim, një marrëdhënie e vështirë midis kreut aktual të PDK-së dhe themeluesit të saj do ta dobësojë atë në fushatën elektorale. Veseli, i sigurt se do të dështojë në zgjedhjet e ardhshme, këmbëngul në mbajtjen e tyre. Duket diçka paradoksale. Por ka dy klauzola. Ose kreu u PDK-së është aq shumë patriot, saqë shpëtimin e Kosovës nga copëtimi e sheh te zgjedhjet e reja parlamentare, ose ka llogarit që dështimin e tij t’ia faturojë Hashim Thaçit dhe përpjekjeve të tij për tjetërsimin e territorit të vendit. Në të dy variantet, kjo e dyta është më e lexueshme dhe e sigurt.

Koalicionet pas-zgjedhore kanë kohë. Ato do të duken nga mënyra si do të bëhet fushatë, në çfarë elementësh do të bazohet ajo, a do ta ketë si temë debati dhe kritike idenë e (mos) përkatësisht ndryshimit të kufijve, a do të bazohet te vendimi për vënien e taksës kundër Serbisë. Gjithsesi, më i arsyeshmi, më produktivi do të ishte një koalicion midis AAK-së dhe LDK-së. Por Ramush Haradinaj nuk gjendet gjithashtu larg Vetëvendosjes. Për pasojë me shumë mundësi do të ketë një qeveri të tri partive, AAK-së, LDK-së dhe Vetëvendosjes. Me e mundshme shihet një koalicion tri partish, sesa dy partish. Do të jetë shumë vështirë qe LDK të bëjë koalicion me vetëvendosjen, edhe për faktin se Mustafa fal pabesitë e Thaçit, por nuk e fal molotovin e Albinit.

Nëse Hashim Thaçi, pas zgjedhjeve sulmon Kadri Veselin dhe jep dorëheqjen për t’u kthyer në krye të PDK-së, ai do ta bëjë këtë nëse sheh një mundësi të artë për krijimin e një qeverie tjetër të përbashkët me Isa Mustafën, duke i premtuar këtij të fundit postin e presidentit në këmbim të postit të kryeministrit. Edhe ky variant nuk duhet përjashtuar, pavarësisht faktit se PDK e LDK nuk do të kenë numrat për mazhorancën e re. Atyre u bashkohet ndonjë parti e vogël. Madje Pacolli edhe nëse shkon në koalicion parazgjedhor me Haradjinajn, p.sh, do ikte prej tij e do të shkonte te Thaçi. Por me Thaçin është gjithashtu Aleksandë Vuçiç, çka do të thotë është Lista Srpska. Dhe me Listën Hashim Thaçi do krijonte një qeveri shumice jo funksionale e nën trysninë serbe.

Për këto arsye dhe me qëllim që Kosova të ndahet nga politikat pro-serbe, ka nevojë që AAK, Vetëvendosja dhe LDK, por edhe Socialdemokratët të bashkohen qoftë dhe në një lidhje post-zgjedhore dhe kësisoj t’i dalin zot fateve të Kosovës, duke i dhënë fund dilemave për ardhmërinë e saj. Nëse nuk realizohet edhe kësaj radhe ajo që quhet garanci e shtetësisë dhe sovranitetit e integritetit territorial të Kosovës, kjo do t’i kushtojë vendit jo vetëm ndarjen e copëtimin, por edhe shpërbërjen si shtet e shoqëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok