05/12/2025

Profesor Naser Zairi – një jetë e kushtuar arsimit dhe dijes

0
Naser-Zairi1

Drejtoresha e shkollës, znj. Leonora Mehmeti dhe profesor Naser Zairi

Portret

Nga Sevdail Hyseni

Pensionimi i profesor Naser Zairit nga Shkolla Fillore “Muharrem Kadriu” në Tërrnovc, Komuna e Bujanocit, nuk është thjesht përfundimi i një cikli profesional, por një moment reflektimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsimin shqip në Luginën e Preshevës. Me një përvojë rreth tri dekadat në mësimdhënie, profesor Naseri ka lënë gjurmë të pashlyeshme tek nxënësit, kolegët dhe e gjithë shoqëria që e rrethon.

Në një koktej rasti të organizuar për të shënuar pensionimin e tij, drejtoresha e shkollës, znj. Leonora Mehmeti, e falënderoi profesorin për përkushtimin dhe angazhimin e tij të pashoq. Për dekada, ai ka edukuar breza të tërë nxënësish, duke i frymëzuar me dashurinë për dijen dhe kulturën kombëtare.

Aktivizmi i tij nuk ishte i kufizuar vetëm në klasë; ai ishte nismëtar i garave të recitimeve, anëtar jurie në konkurse profesionale dhe pjesë e komisioneve të rëndësishme arsimore, si ai i Këshillit Kombëtar Shqiptar për hartimin e testeve pranuese për shkollat e mesme.

Kontributi i tij ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë edhe në jetën profesionale të shumë kolegëve të tij, përfshirë edhe autorin e këtij shkrimi. Para disa vitesh, si drejtor i një prej shkollave më të mëdha në Luginën e Preshevës, profesori Naseri më dha mundësinë të ushtroj profesionin e mësimdhënies në gjuhë shqipe, një aspiratë që për vite me radhë ishte bllokuar për shkak të “përshtatshmërisë moralo-politike”, një formulë famëkeqe komuniste, që preku shumë arsimtarë shqiptarë. Për këtë mirësi, i jam përjetësisht mirënjohës.

Shumë nga ish-nxënësit e tij sot janë vetë arsimtarë, duke u kthyer si kolegë të tij, dhe ky është ndoshta vlerësimi më i madh që një mësimdhënës mund të marrë. Në momentet e tij të fundit si pjesë e kolektivit arsimor, i rrembyer nga emocionet, profesor Naser Zairi falënderoi kolegët dhe nxënësit, duke shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin dhe momentet e bukura të kaluara së bashku.

Si simbol i dashurisë për dijen dhe kulturën, ai dhuroi disa libra nga biblioteka e tij personale për bibliotekën e shkollës, duke lënë pas një trashëgimi që do të vazhdojë të ndriçojë mendjet e brezave të rinj.

Pensionimi i tij nuk do të thotë largim nga misioni i tij fisnik, pasi ndihmesa dhe dija e tij do të mbeten pjesë e pandashme e komunitetit arsimor dhe shoqëror. Profesor Naser Zairi, një veteran dhe emblemë e arsimimit në Luginën e Preshevës, largohet nga detyra me nder dhe respekt, por jo nga zemrat e atyre që i edukoi dhe i frymëzoi për tre dekada me radhë.

Një koktej rasti i kolektivit të shkollës dhe nxënësve me profesor Naserin, një nga momentet më të emocionuara dhe më të bukura të krenarisë së tij.

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok