13/02/2025

PROFECIA POETIKE E IBRAHIM KADRIUT

0
Ibrahim-Kadriu1

Nga Timo Mërkuri

Ibrahim Kadriu nuk e ka pasur detin pjesë të përditshmërisë së tij, siç e kanë poetët bregdetar. Ai u rrit në një mjedis larg detit, në Zhegër të Gjilanit,  në  Kosovën kontine-ntale, ku peizazhi i zakonshëm përbëhej nga malet, fushat dhe lumenjtë. Mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë bëri që ai ta perceptonte detin jo përmes përvojës së drejtpërdrejtë, por përmes imazheve të krijuara nga arti dhe përfytyrimi, si psh njohja e tij e parë me detin erdhi nga një ekran kinemaje në Gjilan më 1959, në një film me piratë,(i cili e paraqiti detin të egërsuar, të trazuar dhe të fuqishëm, një hapësirë plot mistere dhe rreziqe) dhe është e natyrëshme që në subkoshiencën e tij deti të formësohej si diçka e frikëshme, si një vend prej nga vinin balozët e zinj të legjendave. Ky perceptim u zbut pak gjatë vizitës së tij në Ulqin në vitet e shkollës së mesme, por vetëm në vitin 1979, në Durrës, ai e pa dhe e përjetoi drejtpërdrejt përballjen me madhështinë, forcën  dhe trazimin e tij. Kjo përvojë e vonshme percipiton mbi  poezinë “Përballë detit të trazuar” një reflektim jo mbi detin si realitet fizik, por si një simbol të fuqishëm të forcave të brendshme dhe shoqërore.

I-Mosnjohja e detit  në përvojën e përditëshme, kryesisht  të fëminisë, e bën poetin që të mos ta përshkruajë atë në mënyrë realiste apo romantike, ndaj në poezi nuk flet për bukurinë, butësinë, magjinë apo misterin e tij të brendhsëm, por e sheh detin përmes një prizmi metaforik, duke e bërë atë simbol të një force të madhe, të fuqisë së popullit, të protestave dhe lëvizjeve masive. Poezia u shkrua në vitin 1979 në qytetin e Durrësit kur autori ishte i ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë bashkë me një grup krijuesisht nga Kosova dhe sigurisht që në krijim  zurri vend dhe pamja reale e një deti të trazuar të  cilin Kadriu e shndroi në një simbol poetik.

1.Realisht në vargjet e poezisë Kadriu,  ndonëse e nis me një peizazh idilik të tipit:

“Deti shtrëngon misteret në valët e tij

Me rërë të artë, që bregut andej haset-

Me gjuhën e dallgëve krijohet melodi”

ai fokusohet  te një gjendje dinamike dhe sfiduese, pse pas vargut:  “Deti merr të artën, me atë  forcë magjie”vjen vargu tronditës:”Mynxyrat e jetës, gjithandej fluturojnë”. Këtu ndjejmë se ndërsa poeti ishte përballë detit në Durrës, shkruante për “detin” shpirtërorë në Kosovë dhe kupton se valët e trazimit shprehin një lëvizje të pandalshme.

  1. Në këtë poezi, deti nuk është hapësirë natyrore, por simbol i një force kolektive që nuk ndalet. E parë në këtë aspektai mund të lexohet si metaforë e popullit të Kosovës, i cili gjatë historisë së tij ka qenë në lëvizje të vazhdueshme për liri dhe drejtësi.Vetëm e parë më këtë sy mund të ndjejmë se: Rrymat e lehta të brendshme simbolizojnë pakënaqësitë e fshehta dhe përgatitjet e heshtura të njerëzve, valët dhe dallgët përfaqësojnë protestat masive dhe lëvizjet popullore, të cilat nisin si paqësore, por me kohën bëhen më të fuqishme dhe dallgët goditëse janë simbole të revoltave të hapura të armatosura dhe përplasjes së drejtpërdrejtë me pushtetin.

Është pikërisht kjo strukturë ajo që i jep poezisë një dimension ekspresionist, pasi Kadriu nuk përshkruan thjesht realitetin, por e zgjeron atë në një tablo dramatike, ku deti shfaqet si një forcë me vullnet, ndwrgjegje dhe veprim.

  1. Ibrahim Kadriu e ka parë detin artistikisht ndaj përdor shumë figura stilistike për të shprehur fuqinë simbolike të tij:a.Ai e personifikon detit, nuk e shfaq atë si një element natyror, por e shfaq si një qenie të gjallë që “shtrëngon misteret“, “përplas valët” dhe “ulërin si një bishë e çmendur.”Ky përshkrim shfaq atë si forcë aktive, që reagon, sulmon dhe flet. b. Poeti nuk mjaftohet vetëm me simbolin e detit, ai përdor metafora për të ndërtuar një imazh të trazuar të tij, duke e bërë atë një pasqyrë të revoltave dhe trazirave shoqërore.

“Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,

Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë.”

Lëhtësisht ndjejmë se këto vargje shfaqin jo thjeshtë një stuhi detare, por një klimë të tensionuar shpirtërore dhe politike, ku erërat dhe retë e zeza përfaqësojnë forcat që trazojnë shoqërinë. Duke rikujtuar se poezia është shkruar në vitin 1979 në Durrës, ndërsa në Prishtinë në më 11 mars dhe 1  e 2 Prill 1981 u zhvilluan demostratat e studentëve që tronditën themelet e pushtetit politik në Jugosllavi. Është pikërisht  ky kontekst historik i poezisë që na përforcon simbolikën poetike të saj, popullin e Kosovës në lëvizje, forcën e tij të brendëshme të pandalshme, që nga rrymat, valët  e gjer te dallgët e fuqishme të revoltës. Ka dhe diçka tjetër që vlen të shikohet në këtë rast, Ibrahim Kadriu qysh në vitin 1968 filloi punë te gazeta Rilindja,  rolin e të cilës si farkë në kalitjen e ndjenjës kombëtare dhe shpirtin e revoltës së popullit të Kosovës në tërësi dhe të rinisë në veçanti e njohim të gjithë. Ibrahim Kadriu nuk e botoi këtë poezi, por e lexoi me grupe shokësh e individë të ndryshëm, madje me vetë kritikun dhe liderin Historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën e diskutoi veçanërisht. Këto, si dhe përmbajtja e saj na bindin se kjo poezi është një hymn madhështor i revoltës dhe qëndresës popullore, një thirrje shpirtërore ku deti bëhet zëri i popullit në lëvizje.

  1. Kadriu nuk e ka botuar gjer kohët e fundit këtë poezi, por ndërkohë ai e ka rishikuar gjatë viteve, duke ndërhyrë në vargje dhe në mbështetjen metaforike, kryesisht sipas sugjerimeve të Ibrahim Rugovës. Kjo tregon një proces krijues të hapur, ku poeti nuk e sheh poezinë si vepër të përfunduar, por si një reflektim që evoluon bashkë me kohën. Është dhe ky një aspekt që e lidh poezinë me modernizmin, pasi ajo nuk ka një formë të mbyllur dhe të fiksuar, por përshtatet me rrjedhën e historisë dhe përjetimeve të autorit. Gjithashtu fakti që Rugova e lexoi dhe miratoi, tregon jo vetëm vlerën letrare të poezisë, por edhe faktin se ajo kishte një rezonancë të thellë me ndjeshmërinë dhe shpirtin e kohës. Koha tregoi se Ibrahim Rugova kishte një shikim tejë kohës kur jetoi, ai shihte të ardhmen.

II-Në analizën e kësaj  poezie duhet të shohim dhe ndjejmë së pari:

  1. Detin si simbol dhe shprehje metaforike, pse për Kadriun ai (deti) nuk është thjesht një hapësirë gjeografike, por një simbol që ai e shfaq metaforikisht. Në poezinë e tij “, Kadriu nuk e përshkruan atë me detaje realiste, por e shfaq si një forcë të mistershme dhe të pakontrollueshme, e cila përfaqëson diçka më të madhe se vvetja. Në vargjet e tij, deti bëhet një element që pasqyron trazimin e brendshëm, ankthin dhe sfidën:

“Në horizontin blu, ku qielli përplaset,

Deti shtrëngon misteret në valët e tij.”

Këtu, përplasja e qiellit dhe detit nuk është vetëm një përshkrim vizual, por një metaforë e përplasjes së forcave të mëdha, ndoshta e përplasjes së fateve historike, të kohës dhe të njeriut me fatin e tij.

2.Poezia nuk është një reflektim mbi madhështinë e detit, por përsiatje mbi përkohshmë -rinë e njeriut në raport me të, duke shfaqur  marrëdhëniet mes njeriut dhe forcave të natyrës. Shih se si Kadriu krijon kontrastin mes përjetësisë së detit dhe përkohshmërisë së qenies njerëzore:

“Ti je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,

Me çdo valë që thyen, sjell një tregim.”

ku  vargjet sugjerojnë se deti nuk është vetëm peizazh, por edhe rrëfimtar i historisë, një arkiv i fateve njerëzore që përsëritet në çdo valë, duke e vendosur veten dhe njeriun në një pozitë të vogël përballë një force të përhershme, të pashtershme.

  1. Siç thamë më sipër poezia është shkruar në vitin 1979, një periudhë që parapriu ngjarjet e mëdha historike në Kosovë, pse vetëm dy vjet më vonë, në 1981, shpërthyen demonstratat studentore dhe protestat e popullit shqiptar për barazi dhe të drejta kombëtare. Kadriu, si pjesë aktive e kësaj shoqërie dhe si një vëzhgues i ndjeshëm, ka përjetuar tensionin që po rritej çdo ditë që nga krijimi i poezisë gjer në shpërthimin e demostratave, e më pas në rezistencën e armatosur. Në këtë kontekst, “Përballë detit të trazuar” nuk mund të lexohet si një poezi mbi natyrën, por si një parashenjë e trazirave të mëdha që do të vinin. Shikoni vargjet e fundit të poezisë, përshkrimi i stuhisë mbi det merr një ton të fuqishëm dhe dramatik, të ngjashëm me Zgalemin gorkian:

“Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,

Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë.”

Dua të them se ky imazh nuk tingwllon si një përshkrim natyror, ai është  një metaforë për erërat e ndryshimit që po frynin mbi Kosovën. Furtuna që Kadriu  shfaq në vargje lehtas mund të shihet si një ndjesi e brendshme e poetit, një parandjenjë e tensioneve që do të shpërthenin së shpejti në realitetin politik. Kjo qasje e bën poezinë një reflektim jo vetëm mbi natyrën, por edhe mbi historinë dhe psikologjinë kolektive të një kombi.

III- Poezinë “Përballë detit të trazuar” të Ibrahim Kadriut duhet ta shohim si ndërthurje  e ekspresionizmit me simbolizmin modernist, që e shndrrom peizazhin natyror në një pasqyrë të tensioneve të brendshme dhe historike. Përmes imazheve të fuqishme dhe një gjuhe dramatike, ekspresionizmi shpërfaq gjendjen e trazuar shpirtërore, ndërsa simbolizmi modernist e ngre këtë përjetim individual në një dimension më të gjerë, ku deti bëhet metaforë e fateve historike dhe ekzistenciale. Kjo qasje e bën poezinë jo vetëm një shpërthim emocional, por edhe një reflektim të thellë mbi realitetin e kohës..

1.Në këtë poezi ekspresionizmi shfaqet si një shpërthim i gjendjes shpirtërore të poetit, pse poezia  e thamë që  nuk është përshkrim objektiv i detit. Këtu Ibrahim Kadriu e shfaq detin si një forcë të zemëruar, pasqyrim ky i një realiteti të tensionuar dhe emocional. Përmes ekspresionizmit, ai e shtyn përjetimin deri në një intensitet të skajshëm:

“Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,

Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë.”

ku, era nuk është një dukuri natyrore, por një “bishë e tërbuar”, një forcë agresive dhe kërcënuese. Pikërisht ky personifikim e mbush peizazhin me tension, duke shtrembëru-ar realitetin përmes një ndjenje ankthi e shqetësimi të thellë.

Ekspresionizmi shfaqet dhe në vargje të tjera, ku deti nuk është hapësirë qetësie, por një fuqi e rënduar nga mistere të errëta:”Deti shtrëngon misteret në valët e tij.”ku ky varg krijon një ndjesi fshehtësie dhe trysnie. Nuk kemi më një det të hapur dhe të lirë, por një forcë të pashpjegueshme, të rënduar nga peshat e historisë dhe të fatit njerëzor.

2.Simbolizmi modernist dhe deti si metaforë e historisë shfaqet dukshëm në këtë poezi. Duke përfaqësuar trazirat e popullit, valët e dallgët e tij bëhen metafora të revoltes dhe përplasjes me fatin.

“Në horizontin blu, ku qielli përplaset,

Deti shtrëngon misteret në valët e tij.”

Sigurisht qielli dhe deti bëhen forca kundërshtuese, një simbol i përplasjes së fateve historike. Nëse qielli mund të përfaqësojë një hapësirë të lirë dhe shpresën, përplasja e tij me detin e trazuar krijon ndjenjën e një beteje të vazhdueshme. Është ky aspekti ku Kadriu ndjek parimet e simbolizmit modernist: ai nuk shfaq detin për bukurinë e tij, por e përdor si hapësirë ku përthyhen tensionet ekzistenciale dhe historike.

IV- Në poezinë “Përballë detit të trazuar”, Kadriu flet nëpërmjet figurave artistike. Këtu  deti është një metaforë e fuqishme e popullit të Kosovës në lëvizje i cili shpreh tensionin e akumuluar në vetëdijen kolektive të një kombi që kërkon ndryshim. Nga rrymat e brendshme të padukshme, tek valët e forta dhe në fund tek dallgët goditëse, Kadriu e ndërton imazhin e një force popullore në rritje, një revoltë, e cila nis e qetë, por përshkallëzohet në një shpërthim të fuqishëm. E parë në këtë aspekt mund të zbërthejme elementet e këtij shkallëzimi.

1.Fiillimisht, deti paraqitet me një lëvizje të brendshme të heshtur, që nuk shihet, por ndjehet. Kjo mund të lexohet si një simbol i pakënaqësisë popullore, e cila ende nuk ka marrë formën e një proteste të hapur, gjë qëë shfaqet te vargjet.

“Ti je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,

Me çdo valë që thyen, sjell një tregim.”

Ajo qw ka rwndwsi wshtw fakti se këtu, deti shfaqet si entitet i gjallë, një forcë që ka brenda vetes histori dhe mesazhe . Rrymat e tij të brendshme janë zëri i pashprehur i popullit, një ndjenjë kolektive që po përgatitet të shpërthejë në sipërfaqe. Ne mund ta lexojmë këtë edhe si periudha e vitit 1979, kur ende nuk kemi një lëvizje masive të dukëshme, por nisje të ndërgjegjësimit të popullit, dhe kryesisht të rinisë, veçse duhet të pranojmë se në atë periudhë shtypjeje serbe ishte trimëri edhe të mendoje për lirinë nëpërmjet kundërvënies dhunës serbe e jo më të shkruaje si Kadriu një poezi të tillë.

2.Ndërsa poezia ecën nëpër vargje, deti nuk qëndron i heshtur; ai fillon të lëvizë më fuqishëm. Kjo mund të lexohet si nisja e organizimit për demonstratat që priten të fillojnë kundër pushtetit dhe me lëvizjet masive të popullit që dalin në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre ekonomike, fillimisht. Ibrahim Kadriu e dinte që  kishte nisur organizimi i protestave sepse si gazetar i Rilindjes ai ishte në dijeni, të mos themi se ishte në qendër të tyre

“Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,

Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë.”

Era, që përfaqëso presionin politik dhe represionin shtetëror, nis të trazojë detin: përgjimet, arestimet, por ai nuk e humb identitetin e tij, mbetet i bashkuar. Ndërkohë, valët fillojnë të forcohen, duke shfaqur rezistencën në rritje të popullit.

  1. Te vargjet“Gjiri i hapur i valëve përplas/ Rërën e moçme mbi shkëmbin e vjetër.”

qartësohet leximi, pse interpretohet si momenti kritik ku lëvizja popullore përplaset me sistemin e shtypës, simbolizuar nga “shkëmbi i vjetër”. Fakti që përplasja nuk  shfaqet më si ndjenjë e brendshme, por si veprim i drejtpërdrejtë, sfidë ndaj rendit ekzistues, na dëshmon imazhin shpirtëror të ndjenjave të trazuara (edhe) të  poetit.

4.Poezia arrin kulmin e saj në momentin kur deti nuk është më thjesht në lëvizje, por ai bëhet një forcë goditëse. Këto janë protestat e fuqishme, dalja masive e njerëzve në rrugë, përplasjet e hapura me pushtetin.

“Deti shtrëngon misteret në valët e tij,

Tani s’ka më kthim prapa.”

Është momenti kur dallgët e zemërimit popullor nuk janë të kontrollueshme, protesta ka arritur një pikë ku nuk mund të ndalet më. Fjalët “tani s’ka më kthim prapa” tregojnë se populli ka marrë një rrugë pa kthim, se revolta ka arritur në një pikë ku tërheqja nuk është më një opsion.

Pra, në këtë poezi, Ibrahim Kadriu e përdor detin si një metaforë të popullit të Kosovës, duke ndërtuar poetikisht evolucionin e protestës nga një ndjenjë e heshtur tek një lëvizje e fuqishme dhe më pas në një shpërthim të pakthyeshëm. Përmes kombinimit të ekspresionizmit (që sjell fuqinë emocionale të revoltës) dhe simbolizmit modernist (që i jep poezisë një dimension të thellë shoqëror dhe historik), Kadriu e kthen detin në një imazh të fuqishëm të rezistencës popullore. Po ashtu, nëse lexojmë poezinë në kontekstin historik, e shkruar vetëm dy vite para protestave të vitit 1981, atëherë ajo shihet si një parandjenjë e fuqishme e një vale që po vinte. E rëndësishme është se  Kadriu nuk e sheh popullin si një turmë pasive, por si një forcë e madhe, si detin që lëviz, valët që shtohen dhe dallgët që godasin me forcën e historisë.

  1. Në qoftë se do kërkojmë figurat artistike që shoqërojnë këtë rritje tensioni poetik do nënvizonim së pari :

a.Simbolet:

Deti : simbolizon historinë e trazuar të Kosovës, betejat dhe përplasjet për liri.

Dallgët: përfaqësojnë lëvizjet dhe përpjekjet për ndryshim, si protestat dhe rezistenca popullore.

Era ulëritëse: shpreh kaosin dhe tensionet politike të kohës.

Re të zeza:paralajmërojnë rrezikun dhe trazirat shoqërore.

b.Metafora te vargu:“Deti shtrëngon misteret në valët e tij.” deti nuk është një hapësirë ujore, por një forcë e fuqishme që fsheh të vërteta dhe histori të pashqiptuara.

Te vargu:”Historia e detit, përfundim nuk gjënë.” Deti është  një metaforë për historinë e Kosovës, e cila duket se nuk gjen qetësi apo përfundim.

c.Imazhi ekspresionist te vargu “Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur.” Është një imazh i fuqishëm që që e shndërron erën në një krijesë të frikshme, duke i dhënë një ndjenjë ankthi dhe tensioni të mad, ndërsa te vargu “Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë.” përshfaq  një tablo dramatike që thekson atmosferën kërcënuese dhe të pasigurt në prag shpërthimi proteste.

ç.Personifikimet që shfaqen psh te vargjet:

“Ti je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,

Me çdo valë që thyen, sjell një tregim.”

Është “deti” i cili nuk është një  element i natyrës, por trasformohet në një qenie të gjallë që “tregon” histori dhe përjeton ndjenja. Ndërkohë te vargu:“Nga bregu n’thellësi shtyhesh gjithmonë.”deti duket sikur ka vullnet të vetin, dhe  futet vazhdimisht në thellësi, ashtu si historia që përsëritet dhe vazhdon të lëvizë përpara. Sigurisht që poezia ka dhe figura të tjera por ne analizuam  një tërësi figurash që janë ndërtuar kryesisht me elementin e detit, ose në ndërveprim me atë. E lexuar në këtë m,ënyrë shohim se poezia ndërton një botë ku natyra reflekton shpirtin e një kombi të trazuar, duke e bërë detin një metaforë të fuqishme të përpjekjeve historike të Kosovës.

Të kemi parasysh se poezia”Përballë detit të trazuar”  përveç dimensionit artistik, mund të lexohet si  poezi që flet për tensionin historik të Kosovës në periudhën para lëvizjeve të mëdha të viteve ‘80.  Në këtë kuptim, poezia nuk është vetëm pasqyrim emocional i individit, por edhe një dokument artistik i një kohe të mbushur me tension, parashkruar përmes fuqisë së gjuhës poetike tw Kadriut. Stili ekspresionist i Kadriut e bën këtë poezi një manifest të shpirtit të trazuar të një kombi që ndien afërsinë e një stuhie historike. Përmes personifikimeve, metaforave dhe ndërtimit të një atmosfere të errët, Kadriu arrin të sjellë jo vetëm përshfaqjen e një skene natyrore, por një metaforë të fuqishme të përplasjes historike të një populli. Në këtë mënyrë, Kadriu na lë një poezi që jeton përtej vargjeve të saj, duke mbetur një kod simbolik i ekzistencës kolektive të një kombi.

V- Sigurisht që lexuesi do të dijë veçantitë e kësaj poezie në raport me poezinë shqipe të Kosovës në fundin e viteve ’70. Theksojmë qysh në krye se kjo poezi shfaq disa veçanti të rëndësishme në krahasim me poezinë shqipe të Kosovës të asaj periudhe. Në fund të viteve ’70, letërsia shqipe në Kosovë ishte në një moment zhvillimi, ku poetët modernistë përpiqeshin të çanin kufijtë e letërsisë së realizmit socialist, ndërsa censura dhe represioni politik ushtronin ndikim dhe presion të madh mbi krijimtarinë letrare. Megjithëatë kjo poezi ja doli të kapërcente kornizat kufizuese edhe në saj të disa veçantive që ajo mbartëte në vetvete.

  1. Një veçanti thelbësore e kësaj poezie është se ajondjeu dhe  parashikoi shpërthimin e protestave të vitit 1981, madje i shfaqi në vargjet imazhet e këtyre protestave. Kjo e dallon nga shumë poezi të kohës, të cilat ose ishin të detyruara të shmangnin temat politike, ose i trajtonin ato në mënyrë të kamufluar.

Në letërsinë shqipe të Kosovës të asaj kohe, temat patriotike dhe atdhetare trajtoheshin shpesh me gjuhë të koduar, për të shmangur represionin e pushtetit jugosllav. Kadriu, në këtë poezi, përmes simbolikës së detit të trazuar, arrin të shprehë ndjenjat e një populli që është në prag të përplasjes së madhe me shtypjen dhe padrejtësinë historike. Vargu “Rrymat e thella e mbajnë të fshehur fuqinë,” mund të shihet si një referencë ndaj organizimit të heshtur të rezistencës dhe përgatitjes së popullit për lëvizjet e ardhshme.

  1. Në fund të viteve ’70, poezia shqipe në Kosovë ishte në eksperimentimin e rrymave moderniste. Kadriu, me këtë poezi, realizon guximshëmjo një qasjeje, por ndërthurrje  ekspresioniste dhe simboliste, ku e pasqyron realitetin (e pritshëm) përmes gjendjeve të brendshme dhe imazheve të fuqishme si: “Valët rriten, përplasen me brigjet e gurta,” Kjo krijon një efekt emocional dhe metaforik, dhe e bën poezinë e tij të ndryshme nga format më të zakonshme të asaj periudhe.
  2. Personifikimi i natyrës dhe fuqizimi i elementeve natyrore si simbole të popullit është një tjetër veçanti e kësaj poezie, madje e shndron atë në zëdhëndës të popullit. Në poezinë shqipe në Kosovë të atyre viteve, natyra shpesh shfaqej si element dekorativ ose si metaforë e bukurisë së atdheut. Krejt ndryshe tek Kadriu, ajo është një qenie e gjallë, një forcë që reagon dhe merr pjesë në betejën historike si te vargjet: “Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,”që shfaqnjë imazh ekspresionist, që e kthen natyrën në një forcë aktive, sikur vetë ajo të ishte një pjesë e popullit në revoltë.
  3. Poezia tingëllon si thirrje e heshtur për rezistencë. Kadriu nuk e thotë drejtpërdrejt mesazhin e tij, por përmes simbolikës dhe figurave artistike, ai krijon një poezi që flet për lëvizjen popullore dhe forcën e saj pa qenë e nevojshme të përmendë emra apo data. Psh.vargu:”Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë.” mund të interpretohet si një paralajmërim për errësirën e shtypjes, por edhe si sinjal për një stuhi që do të vijë, në këtë rast, për revoltat që do të shpërthenin dy vjet më vonë.

VI-Është interesantë fakti se poezia “Përballë detit të trazuar” e Ibrahim Kadriut  mund të lexohet si një himn për shpirtin e popullit shqiptar në Kosovë, duke mishëruar qëndresën, dhimbjen dhe fuqinë shpirtërore të tij. Përtej përshfaqjes së natyrës, ajo reflekton një histori të mbushur me sakrifica e përballje me padrejtësinë, duke e shndërruar detin në metaforë të identitetit kombëtar dhe të forcës shpirtërore.

  1. Poezia mund të lexohet me të drejtë si një himn i shpirtit të popullit shqiptar në Kosovë, pse ajo nuk është thjesht përshkrim i natyrës, por është së pari një pasqyrim i shpirtit të popullit. Elementet e saj krijojnë ndjenjë përkatësie e krenarie, të ndërthurur me dhimbjen dhe qëndresën historike. Në këtë aspekt edhe figurat artistike mund ti lexojmë si simbole të përjetësisë dhe qëndresës psh:

a.Deti mund të shihetsi një simbol i madhështisë dhe përjetësisë së popullit shqiptar shfaqur te vargjet:

“Ti je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,

Me çdo valë që thyen, sjell një tregim.”

ku, deti përfaqëson kujtesën historike dhe shpirtin e popullit, duke qenë një dëshmitar i vuajtjeve dhe i qëndresës së tij. Valët që thyhen në brigje janë histori që përsëriten, një metaforë për luftërat dhe sakrificat e shumta.

b.E parë më thellë, poezia e lidh valën e detit me zërin e popullit që nuk heshtt:

“Ndodh n’ horizont valët duke u endur,

Si thirrje e trishtë, më rrinë përballë.”

Këtu valët shndrrohen në një thirrje që nuk shuhet, një zë që vazhdon të dëshmojë për padrejtësitë e përjetuara. E parë në këtë aspekt, kjo figurë mund të kuptohet si një thirrje për liri, për drejtësi, për një histori që duhet të dëgjohet. Në këtë kuptim, poezia funksionon si një himn për shpirtin shqiptar që nuk është nënshtruar asnjëherë.

c.Furitë e detit mund dhe duhet të shihen si kryengritje, revoltë shpirtërore pse pikërisht në momentin kur deti shfaqet si forcë e pashmangshme, ai bëhet një metaforë për kryengritjen e shqiptarëve të Kosovës kundër shtypjes dhe padrejtësisë:

“Furishëm valët rrahën në vazhdim,

Një betejë e madhe, një furi në trishtim.”

Kjo strofë ka realisht një ngarkesë emocionale dhe historike. “Beteja e madhe” mund të lexohet si aludim për një formë veprimi tejë formës paqësore të protestës të shqiptarëve në Kosovë, ndërsa “furi në trishtim” është dhimbja e sakrificave të shumta.

VII. Poezia e Kadriut e parë si një hymn na sjell ndërmend të eksplorojmë në atë për muzikalitetin e poezisë.  Duhet të kemi parasysh se elementët tradicionalë si forma strofore, rima, ritmi krijojnë një melodicitet që i përshtatet  poezisë si një hymn shpirtëror dhe ofron një muzikalitet si reflektim i shpirtit kolektiv. Ky muzikalitet vjen si rezultat i disa elementeve kryesore:

  1. Përsëritja e tingujve dhe aliteracioni krijojnë një ritëm të brendshëm që e bëjnë poezinë të tingëllojë si një këngë. Kështu në vargjet:

“Bregu dritëson, natyra zgjuar, nuk flenë,

Historia e detit, përfundim nuk gjënë.”

kombinimi i tingujve “r”, “n”, dhe “t” krijon  ritmin e brendshëm dhe e bën poezinë të tingëllojë si këngë. Aliteracioni (përsëritja e tingujve) ndihmon në krijimin e një ndjesie valëzuese, e cila e afron poezinë me një formë këndimi epik.

  1. Po të shohim me vemëndje do ndjejmë se rima e brendshme dhe ritmi i balancuar e bëjnë poezinë të tingëllojë si një këngë që mund të recitohet (këndohet) me një melodi epike. Për shembull, në vargun: “Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,”kombinimi i tingujve të theksuar dhe ndërtimi i frazës krijojnë një efekt zanor të fortë, duke i dhënë poezisë një cilësi pothuajse muzikore.
  2. Struktura poetike e ndërtuar në mënyrë gradualeduket  si një kreshendo muzikore. Poezia nis me ton të qetë dhe të ngarkuar me mister te vargjet:

“Në horizontin blu, ku qielli përplaset,

Deti shtrëngon misteret në valët e tij.”

Më pas, ajo krijon një tension të brendshëm dhe shton elementet dinamike, derisa arrin kulmin e saj me fuqinë e valëve dhe furinë e detit. Ky llopj  ndërtim strukturor favorizon  dhe ngjan me një kreshendo muzikore, ku tingujt dhe ritmi vijnë në rritje për të arritur në një shpërthim emocional.

  1. Simbolika e detit,si një forcë e madhe kolektive shfaq popullin në lëvizje, tipar ky i këngëve masive dhe hymneve. Në poezi, deti  përfaqëson shpirtin e trazuar të Kosovës, me rryma të lehta, valë dhe dallgët e mëdha.Te vargjet: “Deti vlon, fryma e tij s’ndalet, / në heshtje mbledh forcën e valëve.” po të kemi parasysh këngët patriotike qasja ëshstë tepër e dukëshme.
  2. Njëveçori e këngëve të rezistencës dhe hymneve është aftësia për të krijuar ndjenjën e përkatësisë dhe mbledhur njerëzit rreth një ideali të përbashkët. Sigurisht që në  këtë poezi, deti nuk është një individ, por një masë e madhe në lëvizje, që përfaqëson të gjithë popullin. Ky është element i rëndësishëm në krijimin e një himni, pasi ato synojnë të bashkojnë njerëzit në një zë të vetëm. Kadriu e shfaq hapur këtë synim te vargjet:

“Dallgët bashkohen në një forcë të vetme, / tërbohen, ngriten, përplasen së bashku.” I cili  përçon mesazhin e unitetit dhe fuqisë kolektive, një tipar thelbësor i një kënge rezistence dhe i një himni të një populli në lëvizje.

Kështu pra, poezia e Kadriut mund të shihet jo vetëm si një pasqyrim artistik i një kohe të trazuar, por edhe si një këngë (e pashfaqur) e një populli në betejë për lirinë e tij. Në qoftë se do kërkojmë llojin e muzikalitetit që i përshtatet më shumë këtij teksti themi se ai duhet të ketë një ton solemn, të fuqishëm dhe dramatik, duke pasqyruar lëvizjen e pandalshme të dallgëve dhe shpirtin e rezistencës popullore.

Sarandë, shkurt 2025

 

Ibrahim Kadriu

 

Përballë detit të trazuar

 

Në horizontin blu, ku qielli përplaset,

Deti shtrëngon misteret në valët e tij

Me rërë të artë, që bregut andej haset-

Me gjuhën e dallgëve krijohet melodi.

Kur dielli perëndon, ngjyrat ndryshojnë,

Deti merr të artën, me atë  forcë magjie,

Mynxyrat e jetës, gjithandej fluturojnë,

Nën yjet që shkëlqejnë, për ilaç vetmie.

Ti je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,

Me çdo valë që thyen, sjell një tregim,

Nga bregu n’thellësi shtyhesh gjithmonë,

Dhe i bëhesh ëndërr këtij përjetimit tim.

Ndodh n’ horizont valët duke u endur,

Si thirrje e trishtë, më rrinë  përballë,

Era ulërin, si  ndonjë bishë e çmendur,

Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë.

Furishëm valët rrahën në vazhdim,

Bregu dritëson, natyra zgjuar, nuk flenë,

Një betejë e madhe, një  furi n ‘trishtim,

Historia e detit, përfundim  nuk gjënë..

1979.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok