21/12/2024

Prof. Dr. Nikollë Ujkaj, pedagog me kulturë të gjerë dhe njohuri të thella  profesionale

0
Nikolle-Ujkaj

Përkujtimore në 96 – vjetorin e lindjes  dhe 4-vjetorin  e vdekjes

Nga Gjekë Gjonaj

Më 16  janar të këtij viti janë mbushur  katër vite   të  ndarjes nga jeta, në moshën 92-vjeçare   të bashkëvendësit tim, Prof. Dr. Nikollë Ujkaj, njëri ndër  pedagogët  më të njohur nga Malësia e Madhe në Universitetin e Prishtinës. Për  punën e tij të palodhur  shumë produktive ,  shkencore  dhe  kontributin e tij të jashtëzakonshëm  dhe të çmuar në qarqet shkencore në Kosovë dhe më gjerë  për fat të keq   dihet fare pak, ashtu siç ndodh me  shumë personalitete tjera shkencore nga Malësia , të cilët  pjesën më të madhe ose krejt veprimtarinë e vet e kanë ushtruar larg vendlindjes, jashtë  Malit të Zi, në Kosovë,  Shqipëri  e shtete tjera.

Fatin  e hidhur të  shumë  figurave të  shquara shqiptare të cilët që nga fëmijëria e hershme  u detyruan të lënë familjen dhe trojet stërgjyshore   të shkollohen, arsimohen dhe të  punojnë larg vendlindjes e pati edhe  Nikollë Ujkaj, i cili u lind në vitin 1926 në  fshatin Cem të Trieshit,  në një familje të njohur  trieshjane ( shqiptare) nga fshati Bëkaj të  Trieshit. Babai tij Sokol Luci  Ujkaj ( 1888-1955) , ka qenë ndër të rrallët malësorë të  shkolluar  të asaj kohë. Ai ka kryer shkollën e    oficerëve në Cetinë dhe ka pasur  gradën kapedan i klasit  të parë. Ishte  organizator  dhe pjesëmarrës i luftës kundër ushtrisë turke  në vitin 1912 me malësorët ( shqiptarët) në Malësi, në rrethimin e Shkodrës, në Kosovë dhe vende të tjera.

Shkollimi fillor i mesëm dhe universitar

Prof.Dr. Nikollë Ujkaj u shkollua jashtë vendlindjes  dhe  gjirit  familjarë. Shkollën fillore e përfundoi me sukses të shkëlqyer në fshatin Rahojë  të Kuçit në gjuhën jo amtare.   Me të njëjtin përkushtim  dhe  sukses  kreu gjimnazin në Tivar,  prej ku vazhdon mësimet    dhe studimet  në Prishtinë (Kosovë), në Nish (  Serbi) , në Shkup ( Maqedonia e Veriut), në Beograd ( Serbi) dhe në Romë (Itali).

Nga viti  1952-54   përfundoi studimet si  student i gjeneratës në  Shkollën e Lartë Pedagogjike  në Nish – dega  Gjeografi-Histori . Në vitin 1960 u diplomua  në Fakultetin e Shkencave Natyrore, në Shkup në Katedrën e Gjeografisë .   Në vitin  1967   përfundon studimet pasdiplomike  në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Beograd, në , në të cilin  mbrojti edhe magjistraturën  në lëmin e turizmit “  me temë “ Komuna dhe Turizmi” . Po në këtë universitet mbrojti tezën e doktoraturës  me titull “ Valorizimi ekonomik i mundësive potenciale të zhvillimit të turizmit në regjionin e Pejës”  në vitin 1973”.

Në vitin 1984  qëndron në Romë  të Italisë , si bursist i qeverisë italiane, ku  gjurmoi dhe    projektoi   punimin shkencor” Zhvillimi i turizmit  në Itali dhe mundësimi  i planifikimit të ofertës turistike të Jugosllavisë në tregun italian”.

Kontributi  dhe aktiviteti i tij  profesional dhe shkencor

Prof. Dr.   Nikollë Ujkaj  gjatë punës dhe karrierës të tij  të suksesshme afro dyzet vjeçare ka  ushtruar   detyra të ndryshme  dhe ka mbuluar pozita  të rëndësishme  në disa institucione  me rëndësi në Kosovë, Serbi e Maqedoninë e Veriut dhe në Tuz ( Malësi). Ka punuar  si sekretar dhe edukator në Gjimnazin e Prishtinës dhe  në Drejtoratin Krahinor për Arsim dhe Kulturë.  Ishte njëri prej themeluesve të  Bibliotekës Krahinore, e cila me themelimin e Universitetit të Prishtinës u shndërrua në Bibliotekën Universitare.  Ka punuar  si mësimdhënës  në Shkollën Ekonomike në Prishtinë dhe në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë .  Një vit shkollor ka punuar edhe në  Shkollën Fillore “ Mahmut Lekiq” në Tuz, pastaj në Shkollën Fillore “ Liria” në Shkup, ndërsa në vitin 1963 zgjidhet   si  ligjërues  në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë dhe pastaj gradualisht avancohet  si ligjërues i lartë, prof.inordinar dhe prof. ordinar. Në këtë universitet ka dhënë lëndën  “ Ekonomika e Turizmit”. Ka qenë shef katedre  për degën ekonomike të këtij fakulteti. Njihet si pedagog me kulturë të gjerë dhe njohuri të thella profesionale .

Prof. Dr. Nikollë Ujkaj ka qenë i angazhuar edhe  në organizata turistike të  Kosovës, Serbisë  dhe  Jugosllavisë. Ka qenë anëtar i  Lidhjes Turistike të Kosovës, Serbisë dhe  i sesionit  të punonjësve shkencorë  në turizëm  pranë  Lidhjes Turistike të Jugosllavisë.     Në të gjitha këto detyra  me rëndësi shoqërore dhe qeverisëse me përgjegjësi  dhe  me përgjegjësi ai  derdhi tërë energjinë  e vet intelektuale e kombëtare e derdhi në  të mirën e institucioneve ku ka punuar. Ishte autor i afro 50 punimeve shkencore , të cilat i ka botuar në  revista të ndryshme   më të njohura të asaj kohë, si: “ Rilindja”, “ Përparimi” ( Prishtinë),  “ Štampa” e  Beogradit e të  tjera.

Me punën e tij të palodhur shumë produktive dhe shkencore, me mendjen e tij prodhuese e origjinale të shkencëtarit la vulën e vet për kohën në të gjitha vendet ku ka punuar dhe vepruar. Për kontributin e tij të madh në fushën arsimore dhe shkencore  është dekoruar me Medaljen për Punë me Kurorë të Artë  nga Kryesia e Republikës Federative  Popullore  të  Jugosllavisë dhe  me Pllakatën  e Artë nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës .

Largimi nga Universiteti i Prishtinës

Duke e ditur  dhe vlerësuar Fakultetin Ekonomik  të Universitetit të Prishtinës  si institucion të rëndësishëm  arsimor , kulturor dhe  shkencor në Kosovë, për popullin shqiptar  Prof. Dr. Nikollë Ujkaj , tërë potencialin  e vet intelektual e vuri në shërbim të  këtij fakulteti dhe kontribuoi në afirmimin dhe rritën e tij.  Gjithmonë, që nga ditët e para të punës së tij në universitetin e Prishtinës  qëndroi pranë  tij , u ngarkua me punë e obligime, por edhe hapte detyrime e angazhime për të tjerët, me qëllim të  përparimit shkencor dhe mbrojtjes së këtij   institucionit  të cilin e donte  shumë, posaçërisht në periudhën më të vështirë dhe më dramatike të jetës dhe të rritës së tij, siç ishte periudha e pas vitit 1990 e këndej, kur Serbia u vërsul me të gjitha mjetet dhe metodat për zhbërjen e tij dhe për zhbërjen e arsimit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, siç do ta vërtetojnë ngjarjet në vijim, sidomos dhuna, terrori dhe gjenocidi shtetëror serb i vitit 1998/1999 ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Profesor doktor Ujkaj , sikur të gjithë  kolegët e tij shqiptarë në Kosovë e kishte të qartë se Serbia komuniste ishte duke u përgatitur për një fushatë të egër ndaj shkollës shqipe në përgjithësi dhe Universitetit të Prishtinës në veçanti.  Ai përjetoi çaste  të vështira  nga metodat e  më të vrazhdët  e brutale të regjimit okupues serb të Millosheviqit, terrorit  policor ushtarak  mbi rininë shqiptare të  Kosovës, mbi shkollën shqipe dhe  vlerave të ndritshme të  popullit shqiptar.   Në këto rrethana të tmerrshme  të dhunës dhe shkatërrimit të  të të gjitha themeleve të shkollës shqipe, të cilat  ishin bërë  halë në sy për  forcat  pushtuese serbe, të cilat universitetin e Kosovës  vazhdonin ta quajnë  “bastion, kështjellë, vatër…” e nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptar, e  përjashtuan atë  nga puna, në vitin 1991 bashkë me profesorët e tjerë shqiptarë  të Universitetit të Prishtinës. Pas pensionimit  kthehet afër vendlindjes  në Mal të Zi, në Budvë bashkë me bashkëshorten, vajzën dhe  mbesën.  Gjatë qëndrimit të tij në këtë qytet bregdetar  angazhohet për të dhënë kontributin e tij  profesional e shkencor  në Shoqatën  “ Adhuruesit e lumit Cem” , e cila kishte për qëllim mbrojtjen ruajtjen dhe valorizimin e këtij margaritari të natyrës, ku ai ruante  kujtimet e para të jetës së tij. Vdiq më 16 janar 2028,  ndërsa  u varros në varrezat familjare në Cem të Trieshit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok