06/04/2025

PROF. DR. MURAT GECAJ, MBETI NË PËRJETËSI!

0
Gecaj-Tarelli2

“Më trego dhe unë do të harroj, më mëso dhe unë do mbaj mend, më përfshi në proces dhe unë do të mësoj”. – Benjamin Frenklin

Kujtime dhe përjetime në 85-vjetorin e lindjes.

Nga Kadri Tarelli

Ditën e diel, më: 23 të Marsit, 2025, u mblodhëm në Tiranë një grup miqsh për të kujtuar e nderuar Prof. Dr. Murat Gecaj, pikërisht në këtë datë kur ai po të ishte gjallë, mbushte plot 85 vjet.

Nuk e di nëse bëj mirë apo keq, por kam një huq që për ndodhi të tilla nuk bëj shkrim që t’i prijë veprimtarive, sepse nuk shtoj gjë, por pres…..! Ndërsa shkruaj kur të kemi mbaruar, pasi ndjehem më i çliruar, njëkohësisht pasqyroj kohën, vendin, njerëzit dhe përjetimet, të cilët më mbushin me frymë. Siç po veproj edhe në këtë rast

Mes nesh në takim ishte Marika, bashkëshorte e prof. Muratit, shkrimtari Viron Kona, studiuesi Sejdo Harka, publicisti Bashkim Saliasi, Kadri Traelli dhe gazetari Ibrahim Hajdarmataj. Siç shihet është një grup i vogël miqsh, që prej vitesh ka qenë pjesë e pandarë e sofrës, e tavolinave dhe takimeve në Tiranë, Durrës e qytete të tjerë. Rrallë ndodhte që ndonjëri të mungonte.

Dikush edhe mund të shprehet disi i habitur: – Pse takim u bë në përvjetor të lindjes dhe jo në pesë-vjetor të vdekjes, (Korrik 2020)!?  Mendoj se pak rëndësi ka data e kujtesës. E rëndësishme është nderimi dhe kujtimi, pikërisht në ditëlindje, sepse kështu ne e ndjejmë më pranë mikun tonë. Ai ishte dhe mbetet njeri i madh, me veprat që la si pjesë e trashëgimisë letrare, studimore, historike e gjuhësore me vlera kombëtare. Dhe njerëzit e mëdhenj kanë vetëm ditëlindje. Besoj se bëmë mirë.

Duke e shtrirë mendimin më thellë, kam bindjen se të gjitha takimet përkujtimore kanë vlerë, si për personin që ka ndërruar jetë, ca më shumë edhe për njerëzit që kanë mbetur pas.

Një fjalë e urtë popullore, thotë: – “Nderoje njeriun sa është gjallë, se kur vdes ai nuk shikon dhe as ndjen gjë”. Unë jam pjesërisht në një mendje me traditën, dhe në përgjithësi kështu thuhet për njerëzit e rrethit familjar. Por, kur shoqëria e kujton pas kaq kohësh, takimi apo kujtimi merr vlera të shtuara, sepse miqtë dhe shokët e ndjejnë mungesën, madje edhe detyrimin, pasi vlerësojnë dhe nderojnë “Njeriun” dhe veprën që ai la pas. Janë veprat që thërrasin për të mos u harruar kurë, duke mbetur në përjetësi. Dikur për njerëzit e punës dhe veçanërisht krijuesit, pata thurur pak vargje: ….. “Mos numëro vitet që ke ngrënë,/ trego veprat që ke lënë….!”. Dhe Prof.. Murati la plot 17 libra, shumica studimor.

Nga mbresat që përjetuam, kam të drejtë të shprehem, se takimi në ditëlindje, është zgjedhje më e bukur, pasi krijon të tjera përmasa, merr kuptim më të thellë, më njerëzor, miqësor e shoqëror, Miqtë dhe shokët e mbledhur, duket sikur “heroin” e kanë pranë, sikur ai është mes tyre dhe bisedon shtuar, me seriozitetin, humorin apo shakatë dhe veprimet e zakonshme e të veçanta, që mbushin hapësirën dhe frymëmarrjen mes njëri-tjetrit.

Më vjen mirë që në shkrimin tim, “Një vit pa profesorin e nderuar, mikun tonë Murat Gecaj”, të publikuar me rastin e një-vjetorit të ndarjes nga jeta, kisha vendosur këto fjalë: “Profesor, Dr. Murat Gecaj, fizikisht prehet në parajsë, por me veprat që na ka lënë do të jetë kurdoherë mes nesh, mes shkrimtarëve, gazetarëve dhe krijuesve të shumtë, si model dhe udhërrëfyes i përsosur. Ai në letrat shqipe, i ngriti vetes edhe piedestalin edhe monumentin, ndërsa ne, me shkrimet tona vetëm e kujtojmë, e përshëndesim, e ledhatojmë, e përkëdhelim dhe e nderojmë në përjetësi”. Korrik 2021. Gazeta e Alpeve. Tropojë, Gazeta “Bota sot”, Dardani, Revista “Dituria”. Suedi, portali “Fjala e lirë”. Londër dhe “Zemra shqiptare”. Angli.

Nuk kam ndërmend të kujtoj të gjithë librat e botuar nga profesori ynë i nderuar, veç mundem të përmend tre volumet: “Për ju, krijuese”. (Tiranë, 2015), “Kur flasin zemrat”. (Tiranë, 2016) dhe “Si ujëvarë bjeshke”, 2017, kushtuar grave dhe vajzave shqiptare të suksesshme në jetë, në karrierë politike, ekonomike, krijuese, shkrimore e arsimore, sportive shëndetësore dhe veprimtari atdhetarie. Nuk janë pak 350 figura të ndritura të grave shqiptare, aq sa dikush shprehet se për këtë punë, porf. Murati duhet të vendoset në librin “Gines”. Kam përshtypjen se po të mos ndahej nga jeta, ai do vazhdonte volumin e katërt…. e më tej.

Në qendër të bisedës tonë, ishte profesori ynë i nderuar.

Marika, bashkëshortja e prof Muratit, në fjalët e saj të falënderimit dhe mirënjohjes, e bindur shpirtërisht se profesor na shikonte dhe na përshëndeste nga parajsa, citonte copëza bisedash, kur Murati ngazëllehej kur priste dhe takonte miqtë e tij të shumtë, jo vetë të Tiranës, por edhe nga Durrës, Lezha, Tropoja Elbasani, Vlora, nga e gjithë Shqipëria, në veçanti miqtë nga Dardania e viset shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Nuk pushonte së foluri kur takonte miqtë e ardhur nga Londra, – Fatmir Terziu, nga Suedia, – Sokol Demaku, Sadulla Zendelia (Daja), Hysen Ibrahimi, Hamit Gurguri, Ibrahim Gashi e të tjerë. Ngazëllehej kur fliste për udhëtimin në Dardani dhe vizitën ne Suedi, vende që u kushtoi edhe libra.

Shpesh i thosha, – vazhdon Marika: – Nuk u lodhe së shkruari…..!? – Pasi rrinte deri vonë në kompjuter. Ai buzagaz më përgjigjej. – Veprimtaria që u zhvillua sot, duhet të pasqyrohet që nesër, pasi e humbet kohën dhe veten. Kënaqej kur lexonte shkrimet dhe botimet e miqve. Disa edhe i dramatizonte, kur vërtet i pëlqenin. I adhuronte librat dhe në veçanti fotografitë, aq sa aparatin e kishte dhe e mbante si gjë të shenjtë e të shtrenjtë…….

Kujtimet nuk kanë fund. Nëse do vazhdoja kështu, më duhet të mbush disa libra. Ndaj po kursehem të them, se në këtë udhë mendimi do të përmend shkurt disa copëza kujtimesh, mendimesh, shkrimesh e botimesh, nga miqtë që u ndodhë në tavolinë

Viron Kona, recitoi vargje nga poezia e krijuar enkas.

“MURATI YNË I PAHARRUAR”

Murati përherë do të jetë mes nesh,

Sot dhe sa kohë do të jemi.

Portreti i tij i bukur, na buzëqesh,

Në zemrat tona, të artë do ta kemi…! Publikuar. “Fjala e lirë”. Londër. 24. 03. 2025.

Sapo filloi, i ndërpremë fjalën duke e korrigjuar: – Prof. Murati po të ishte gjallë do të thoshte me shaka: Nuk jam 85 vjeç, por 58. Kishte humor. Kështu qeshëm edhe kur mbushi 77 vjeç dhe tha: Rashë ngushtë….! I rrotulloj të dy shtat dhe më dalin po njësoj. Çuditem si u rrita kaq shpejt, nga 47, 57, 67 në 77…..!?

Bashkim Saliasi. Publikon shkrimin: “Fjala jote xhevahir!”, duke filluar me vargjet:

Hije rëndë si Korabi,

I qeshur si Valbona.

Xhevahir fjala jote,

I pavdekshëm në zemrat tona!…. “Fjala e lire”. Londër. 22. 03. 2025.

Sejdo Harka. Boton shkrimin e gjatë përmbledhës: “Murat Gecaj. Studiuesi dhe publicisti që portretizoi figurat e mëdha kombëtare.”. Pasioni i tij i përhershëm ishte gazetaria dhe libri, të cilat i vazhdoi me përkushtim të madh deri në ditët e fundit të jetës. Prof. Murati ishte edhe një veprimtar i spikatur. Ai për 15 vjet me radhë kreu detyrën e sekretarit të shoqatës Kombëtare të Arsimtarëve të Shqipërisë. Për krijimtarinë e tij shumë-planshe, është vlerësuar me seri certifikatash e mirënjohjesh nga shoqata të ndryshme që veprojnë jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, si në Dardani, Shkup, Suedi dhe SHBA. Gazeta “Panorama”. Tiranë. 24. 03. 2025.

Unë që po shkruaj këto fjalë të miqve të mi, mbase e teproj por më duhet të shtoj: – Për të përjetësuar kujtimin dhe veprën e prof. Muratit, studiuesi Sejdo Harka, bashkë me shkrimtarin Viron Kona përgatitën librin me artikuj, ese, prozë e poezi, me titull, “ Miku ynë i shtrenjtë Murat Gecaj”, redaktuar nga miku ynë Bardhyl Xhama. Një tjetër shkrimtar e krijues i pasionuar, mik i vjetër i prof. Muratit, i cilin ka mbledhur nektar fjale, në dy vargje: “Murat Gecaj nga Tropoja,/burim pena, mjaltë goja”.

Në këtë libër, për prof. Muratin shprehin vlerësimet e tyre 35 miq, shokë, familjarë dhe të afërm, shumica e të cilëve janë krijues të fushave të ndryshme nga të katër anët e botës. Në vlerësimin tim, ky libër ishte dhe mbetet “Monument” përjetësie, Gazeta “Bota Sot”. Kadri Tarelli: “Përmendore” për mikun tonë të shtrenjtë Prof. Murat Gecaj”. 27. Mars 2022.

Ibrahim Hajdarmataj. Me prof. Muratin ishim miq të vjetër. Së pari si bashkë-krahinarë nga Tropoja, më pas si kolegë gazetarë në Revistën “Pionieri”, gazeta “Bashkimi” dhe më gjatë, në Gazetën “Mësuesi”. Ishte njeri i punës, fjalës, i besës. Njeri i surprizave. Vite më parë së bashku udhëtuam në Dardani të sapo liruar dhe kemi mbajtur kumtesa në Preshevë, Prishtinë, Prizren, dhe Shkup. Në ligjëratën e tij, përherë mbizotëronte fjala dhe mendim atdhetar. Dardania ishte dhe mbeti pika e dobët. E donte të bashkuar.

Ndërsa lezhjani Fran Gjoka, miku i hershëm i Prof. Muratit,  i cili nuk mundi të jetë i pranishëm, më dërgoi një shkrim të gjatë, “MBI 40 VJET, MIQËSI DHE BASHKËPUNIM I NDËRSJELLTË”. “Intervistë”, ku munda të shkëpus vetëm pak reshta, për të kuptuar shpirtin dhe karakterin e prof. Muratit. Gjykoni këto pak fjalë: – Gjaj rastin të pohoj këtu, se kurrë në jetën time nuk kam patur “frikë” ta them hapur mendimin tim. Kjo vinte se çdo gjë e bazoja në punën e aftësitë e mia intelektuale edhe pse kisha një “njollë” në biografi, pra nuk kisha as ndonjë mik të rëndësishmë për të më mbrojtur. Në çdo mbledhje, kur organizoheshin analiza pune, ngrihesha e ia bëja vetes “gjyqin” dhe pastaj nuk kishte gojë të fliste kundër as ndonjë dashakeq i imi…”

I përjetshëm qoftë kujtimi i prof. Muratit.

Ai do të rrojë gjatë në kujtesë të brezave, sepse veprat e kanë bërë të pavdekshëm!

Me nderim e mirënjohje!

Kadri Tarelli

Durrës, më: 25, të Marsit, 2025.

Shënim: Në përfundim, në këtë kuvend kujtimi, nderimi e përjetësie, unë i dhurova miqve të ndodhur, librin tim më të fundit: “Filxhani me buzë të kafshuar”. Tregime, njëkohësisht edhe librin “Në botën letrare të Kadri Tarellit”, shkruar nga shkrimtarja Vlonjate Vilhelme Vrana Haxhiraj, ku ka janë vendosur edhe dy artikuj kushtuar Prof. Murat Gecaj:

  1. Analizë rreth librit “Kur lexoj një libër”.Faqe 143.
  2. Intervistë Prof. Dr. Murat Gecaj.Faqe  154.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok