23/12/2024

Prof. Dr. Ismet Salihu intelektuali i pathyeshëm që punon vazhdimisht

0
Halabaku-Salihu

Pedagogu dhe studiuesi i pasionuar, Prof. dr. Ismet Salihu, i takon plejadës të brezit më të fuqishëm të studiuesve tanë elitarë në fushën e jurisprudencës dhe emri i tij radhitet ndër studiuesit e pedagogët më eminentë që kishte Kosova

Nga Hamza HALABAKU

Prof.  dr. Ismet Salihu është një nga profesorët universitar që emrin e vet, me punën si pedagog, studiues e veprimtar, e ka ngritur në piedestal, aty ku tani e ka vendin e merituar. Ai i takon plejadës të brezit më të fuqishëm të studiuesve tanë elitarë në fushën e shkencës së të drejtës penale dhe emri i tij radhitet ndër studiuesit e pedagogët  më eminentë ndër shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Ai është një intelektual i pathyeshëm, me kulturë e njohuri të gjëra, por si njeri shumë modest, i thjesht e me zemër të madhe deri në madhështi.

Nuk më kujtohet saktësisht dita kur në pranverën e këtij viti, rastësisht, u takuam me profesorin tim, Prof. dr. Ismet Salihun, aty ku fillon Sheshi “Zahir Pajaziti”, afër Hotelit “Grand” në Prishtinë. E di se u përshëndetëm përzemërsisht me njëri-tjetrin, por nuk patëm mundësi për të ndenjur bashkë meqë atë ditë profesori kishte në program angazhime të tjera. Pasi i kishim numrat e telefonit të njëri – tjetrit, u dakorduam për një takim në ditët në vijim.

Gjithnjë i përpiktë në punë dhe takime

Ishte mesi i qershorit të vitit 2022 dita kur do të takohesha me profesorin tim, Prof. dr. Ismet Salihu, sipas marrëveshjes që kishim bërë me telefon. Këtë takim e prisja me padurim, i bindur se njeriu mëson edhe në moshën e shtyrë gjëra të dobishme e interesante nga njerëzit e ditur, siç ishte profesor Salihu, një pedagog i urtë, i cili rrezatonte dashamirësi te studentët, humanizëm, kulturë e sinqeritet. Me këto virtyte që kishte ai, gjithsesi impononte respektin e studentëve.

Në ndërkohë derisa po prisja profesorin te kafeteria “Monako” që është para Pallatit të Rinisë, respektivisht menjëherë pas “NJUBORN”- it, në Prishtinë, më lindi ideja që me profesorin ta zhvillojë një bisedë që do të ishte bazë për një shkrim timin kushtuar atij. Në kokë po bluaja idenë se nga t’ia fillojë bisedës dhe zilja e celularit ma ndërpreu mendimin. Ishte profesor Ismeti, i cili më paralajmëroi se mund të vonohet 3 – 4 minuta, pasi kishte vështirësi të gjejë vend për ta parkuar veturën.

– Në rregull është profesor, – i thash, – mos u ngutni! Kam kohë të mjaftueshme për takimin tonë.

Që të mos rrija kot, e hapa celularin për të parë të rejat që kishin ndodhur apo ndodhnin, së pari në Prishtinë e pastaj edhe më gjerë. Nuk doja të rrija kot deri sa të vinte profesori. Tani në portalet e kohës së tashme njeriu lexon e dëgjon gjithfarë ngjarjesh. Ngjarje të vërteta edhe aso të shtuara apo të ekzagjeruar a e shpesh herë edhe mashtruese, mos të them ashtu si e dini edhe ju që i lexoni portalet tona. Jo vetëm ato që shkruhen në Prishtinë, e gjithandej ku shkruhet e flitet shqip, po edhe në tërë nënqiellin e Ballkanit e më gjerë…

Pikërisht në orën dymbëdhjetë e katër-pesë minuta profesori Ismet Salihu erdhi. E filluam bisedën me fjalët e zakonshme, natyrisht, unë duke e ruajtur distancën si duhet ta ruaj ish studenti me profesorin, e profesori duke u përpjekur që ta fshij atë distancë, jo pse unë kam qenë ndonjë student shumë i mirë, por për shkak të modestisë së vet profesorit.

Gjatë bisedës, edhe në këtë kohë, mësova shumë gjëra nga profesori im. Ai fliste për kushtet dhe rrethanat e punës në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës. Përmendi kohën e fillimit të punës së tij në Fakultetin e Drejtësisë, si asistent i lëndës e Drejta Penale, në vitin 1967, si dhe foli për karrierën e tij që kur ishte avancuar në titullin e profesorit ordinar, për kohën kur është zgjedhur dekan në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës dhe nuk la pa përmendur edhe kohën prej kur është pensionuar dhe angazhimin e tij prej një personaliteti të padiskutueshëm intelektual e shkencor.

Koha më e rënd, sipas profesorit, ishte koha e diferencimeve politike pas demonstratave të marsit të vitit 1981, sepse “aq sa ishte obligimi ynë moral e kombëtar t’i mbrojmë studentët, aq ishte obligimi ta mbrojmë edhe universitetin dhe stafin akademik. Mbisundonte mendimi se puna e profesorëve ishte shumë më e dobishme të ishin duke ligjëruar nëpër amfiteatrot e sallat e ligjërimeve të fakulteteve se sa të ishim atje ku na i kishin marrë shumë të ri e të reja dhe studentë e studente…

Ne profesorët kishim dëshirë që Kosova të avancohej në statusin e republikës. Dëshironim që tërësisht Kosova të ndahej nga Serbia. Përpiqeshim përherë që Kosova të ishte e barabartë me njësitë e tjera federative në Jugosllavinë e atëhershme.

Kishim njohuri të bollshme nga leximet që kishim bërë nëpër libra dhe nga dokumentet që i kishim gjetur nëpër arkiva në njërën anë, e në anën tjetër kishim dëgjuar gjëra të vërteta e të trishtueshme nga prindërit se sa e vështirë kishte qenë jeta e paraardhësve tanë, e stërgjyshërve, e gjyshërve dhe e baballarëve, me shekuj”.

Profesori im, me modesti, fliste për punët e tij intelektuale që i kishte bërë gjatë kohës sa ishte ligjërues në universitet. Tregonte se që nga koha kur ishte zgjedhur asistent asnjëherë nuk kishte qëndruar duarkryq. Nga biseda shpalohej vullneti dhe këmbëngulësia e një studiuesi të përkushtuar, të cilat ishin më të forta sesa sfidat e imponuara nga pushtuesi.

Takimi që më ngjall emocione të caktuara

Ishte dëshira ime e përhershme që të takohesha me profesor Salihun, sikur edhe me disa profesorë që më kanë ligjëruar gjatë shkollimit të mesëm dhe shkollimit të lartë. Takimi me profesorin tim të lëndës së të Drejtës Penale, Prof. dr. Ismet Salihu, gjithnjë më ngjall emocione të caktuara, jo vetëm se është pedagogu dhe eksperti më i mirë i të Drejtës Penale në Kosovë, por në radhë të parë më kujton edhe atë provimin më të vështirë të vitit të dytë të Fakultetit të Drejtësisë në Prishtinë, të cilin e kam dhënë me sukses të mirë para tij, pastaj më rikujton atë pedagogun e qetë e të qartë gjatë ligjëratave në Amfiteatrin e  Fakultetit  të Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës.

Mbaj mend edhe sot shumë nga këshillat profesionale të profesor Ismetit, që na i jepte me urtësinë e një pedagogu shembullor, e që ishin të dobishme për të ushtruar punët tona profesionale qoftë në administratën e shtetit, në atë ligjvënëse apo ekzekutive, në administratën gjyqësore, në sektorin e ekonomisë apo atë të kulturës, në prokurori, në gjykata e në punë e profesione të tjera, ose ato këshilla se ku mund ta gjenim literaturën e nevojshme për tu pajisur me dije të nivelit më të lartë profesional. Atëherë nuk kishim literaturë të mjaftueshme si në kohën e tanishme.

Nuk më vjen keq asnjëherë, ti tregoj brezit të tanishëm, se atë kohë kishim shumë pak biblioteka të pasura me literaturë të lëmit të drejtësisë në gjuhën tonë amtare. Atë botë, nuk ishte si tani, kur studenti, ka nevojë për literaturë të nevojshme plotësuese, e hap kompjuterin  “e shtyp sustën” për tekstin që i nevojitet dhe e ka në ekranin e kompjuterit. Atëherë, nuk ka pasur kompjuter gjëkundi, e brezi im as që ka ditur gjë për internetin…!

Mendoj se këtu paraprakisht duhet cekur se më 23 mars të vitit 1989 regjimi i Serbisë e suprimoj autonominë e Kosovës që e kishte sipas Kushtetutës së vitit 1974. Serbia insistonte që Kosova në vend të Kushtetutës, si akt më të lartë juridik, të ketë Statutin e jo Kushtetutën. Lidhur me këtë, më 4 dhjetor të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës zgjodhi dhe emëroi anëtarët e Komisionit  Kushtetues në përbërje të së cilit ishin trembëdhjetë anëtarë, delegatë nga të tri dhomat që atëherë i kishte Kuvendi i Kosovës, shatë delegatë ishin nga radhët e shqiptarëve, ndërsa pesë, serb e malazez. Në përbërje të Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Çështje Kushtetuese nga radhët e shqiptarëve punëtorë shkencorë e profesional dhe publik, u emëruan: prof. dr. Kurtesh Saliu, prof. Dr. Ejup Statovci, prof. dr. Ismet Salihu, mr. Fatmir Fehmiu, dhe prof. dr. Riza Smaka.

Dy mbledhjet e para të Komisionit Kushtetues u mbajtën së bashku me anëtarë serb, malazez e shqiptarë në Sallën e Kuvendit të Kosovës të cilat i udhëhiqte  kryetari i Kuvendit Gjorgje Bozhoviq. i cili sipas pozitës ishte edha kryetar i Komisionit Kushtetues. Gjatë këtyre dy mbledhje, tregonte profesori Ismet Salihu, u konfrontuan anëtarët shqiptarë me ata serbë e malazez, nga se pala serbe e malazeze insistonin që Kosova aktin më të lartë juridik të kishte Statutin e jo Kushtetutën .

Pas shpalljes së Deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 2  korrik 1990, Serbia me 5 korrik 1990 e suprimoj Kuvendin e Kosovës, qeverinë dhe të gjitha organet e tjera administrative të cilat funksiononin sipas Kushtetutës së vitit 1974 dhe i futi masat e dhunshme në tërë territorin e Kosovës. Anëtarët shqiptarë të  Komisionit Kushtetues nga radha e punëtorëve shkencorë e profesional dhe publikë, vazhduan punën në përgatitjen e tekstit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në ilegalitet. Puna ka vazhduar në konspiracion të plotë. Është punuar gjatë tërë muajit korrik dhe gusht të vitit 1990 në shtëpinë e profesor dr. Ismet Salihut.

Është edhe një fakt që më bënë të ndihem mirë kur takohem me Prof. dr. Ismet Salihun, sepse ai ishte njëri nga anëtarët e Komisionit për Çështje Kushtetuese të Kuvendit të KSA të Kosovës nga radhët e punëtorëve shkencorë e profesional dhe publikë, që gjatë verës së vitit 1990, korrik dhe gusht, kishte punuar pareshtur në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në bazë të Deklaratës Kushtetuese, të miratuar  me 2 korrik të vitit 1990. Siç dihet me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, përfaqësuesit legjitim të popullit, Kosovën e shpallën njësi të pavarur dhe të barabartë, me njësitë e tjera, në kuadër të federatës – konfederatës së Jugosllavisë së asaj kohe.

Në Komisionin e përmendur, bashkërisht kishin punuar Prof. dr. Kurtesh Salihu, Prof. dr. Ejup Statovci, Prof. Dr. Ismet Salihu, Prof. dr. Riza Smaka dhe mr. Fatmir Fehmiu, derisa e kishin përfunduar hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Komisionin e kishte ndihmuar edhe Halit Muharremi, që atë kohë ushtronte detyrën e sekretarit të Komisionit Kushtetues të Kuvendit të Kosovës. Grupi i profesorëve, që u përmendën më lart, ishin pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë në Prishtinë që lirisht mund të them se ishin shkencëtarët e sofrës së parë të kësaj fushe. Ky grup i profesorëve të Universitetit të Prishtinës e kishin dijen profesionale dhe guximin intelektual të punonin në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në vitin 1990. Besoj që kolegët e kësaj fushe, po edhe intelektualët e tjerë, e dinë mirë se sa e rrezikshme ishte atë kohë të përmendet Kosova Republikë e le më të hartosh Kushtetutën (e parë) të Republikës së Kosovës.

Prof. dr. Ismet Salihu është i vetmi ndër të gjallët nga radha e punëtorëve shkencorë e profesionalë dhe publikë, që ishin anëtarë të Komisionit për Çështje Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, e që kanë punuar në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës që ndryshe njihet si Kushtetuta e Kaçanikut, me që ajo u miratua në Kaçanik, me 7 shtator të vitit 1990. Në ato vite të qëndresës, të përpjekjeve, të vuajtjeve dhe rreziqeve të papërshkrueshme, shkëlqeu një plejadë e veprimtarëve të Kosovës, mundi, dija e përkushtimi i të cilëve kontribuoi shumë të vijmë te liria që e gëzojmë sot të gjithë. Në atë periudhë të paharrueshme të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kur Lëvizja Kombëtare e Kosovës në krye me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Dr. Ibrahim Rugovën shkëlqeu në të gjitha ngjyrat që shkruhet e regjistrohet historia e një populli, la gjurmë të ndritshme edhe profesori im i të Drejtës Penale, Prof. dr. Ismet Salihu.

Për rëndësinë e Deklaratës së pavarësisë të 2 korrikut dhe Kushtetutës së Kaçanikut më së miri flet edhe fakti që  Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në verdiktin e vet pesë herë e cek edhe Kushtetutën e Kaçanikut si shprehje legjitime e vullnetit të shqiptareve të Kosovës për shpalljen e pavarësisë.

Edhe pse në moshë profesor Salihu nuk ndalet së punuari

Të rikujtojmë lexuesit se Prof. dr. Ismet Salihu ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik në Prishtinë, ka mbaruar studimet e magjistraturës në Zagreb ndërsa ka doktoruar në Fakultetin Juridik në Lubjanë me 1982. Në vitin 1975 ka përfunduar studimet e postdoktoratës në Universitetin e Sorbonës në Paris. Si pedagog dhe ekspert shumë i mirë i të Drejtës Penale në Kosovë ka qenë ligjërues i kësaj lënde në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës deri në pensionim, ndërsa në dy mandate 1991-1996 ka qenë dekan i këtij fakulteti, në kohën kur regjimi i Millosheviqit i dëboj të gjithë studentët dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës nga objektet e Universitetit.

Në cilësinë e ekspertit të së Drejtës Penale, Prof. dr. Ismet Salihu ka marrë pjesë aktive në grupin punues në përpilimin e Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale, Ligjit Penal për të Mitur, Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe në shumë ligje të fushave tjera. Ai ka qenë kryetar i Shoqatës për të Drejtën penale dhe Kriminologji të Kosovës dhe prej vitit 1987-1995 ka qenë kryeredaktor i revistës “E drejta”.  Është bartës i shumë mirënjohjeve, çmimeve e dekoratave për punën dyzetvjeçare pedagogjike dhe shkencore në ngritjen e kuadrove të juristëve të Kosovës, si dhe kontributin në ndërtimin e sistemit të drejtësisë së Kosovës.

Një kontribut të madh profesor Salihu e ka dhënë edhe në Institutin për hulumtime e krime të luftës, por ai ndihet i brengosur që ky institut u mbyll, në marsin e vitit 2018, gjashtë vite pas punës së tij jo të pa rëndësishme, edhe pse u punua në kushte minimale.

“Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, i cili u mbyll gjashtë vite pas punës së tij dha rezultate edhe pse u punua në kushte shumë modeste, për të mos thënë tejet minimale. Gjatë atyre gjashtë viteve kemi bërë hulumtimin e të pagjeturve. Unë edhe profesor Pajazit Nushi, kemi bërë hulumtimin e vrasjeve. Është botua vëllimi i parë i një libri të vrasjeve. Kemi bërë hulumtimin e krimeve ndaj trashëgimisë kulturore dhe janë botuar dhjetë vëllime librash. Këto botime janë bërë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. Janë organizuar afër dhjetë ekspozita, në Kosovë, në Shqipëri, në Turqi dhe në Austri, në të cilën janë prezantuar krimet që janë kryer nga forcat policore, paramilitare e ushtarake serbe. Posaçërisht vlen të përmendet një hulumtim që ka bërë zonja Fitnete Ramosaj, me titullin “Kundër harresës ku janë evidencuar një numër i madh i krimeve mbi shqiptarët”, thotë profesor Salihu.

Ai shprehu pakënaqësi me punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Profesori është i bindur se pa drejtësi të mirëfilltë Kosova nuk do të ketë jetë normale, përparim dhe zhvillim. Prandaj edhe është përkrahës i një lloj vetingu në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Edhe pse në moshë Prof. dr. Ismet Salihu nuk ndalet së punuari. Bibliografinë e tij ai e ka të pasuruar me dhjetëra shkrime shkencore dhe profesionale nga lëmia penale, në mesin e tyre edhe këto monografi dhe libra:

-Vrasjet në Kosovë, Prishtinë 1985, 357 faqe;

-E drejta penale, Pjesa e posaçme, (botimi i tretë) Prishtinë, 2014, 688 faqe;

-Komentari i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Prishtinë, 2014, 1285 faqe; (koautor dhe koordinator);

-Personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998/99, botuar në gjuhën shqipe dhe anglishte, Prishtinë 2015, 135 faqe (koautor);

-Kodi Penal i Republikës së Kosovës, teksti integral – me parathënie dhe shpjegime të shkurtra, Prishtinë 2016, 355 faqe;

-E drejta penale ndërkombëtare, (botimi i tretë), Prishtinë, 2016, 510 faqe;

-E drejta  penale për të mitur, (botimi i dytë), Prishtinë. 2018, 241 faqe;

-E drejta penale, Pjesa e përgjithshme, Prishtinë 2021, (botimi i shtatë) 573 faqe;

-Prof. dr. Ismet Salihu, për katër vite pune intensive ka arritur që këtë vit (2022) ta hartoj e ta botoj Leksikonin e së drejtës penale në të cilin në 911 faqe, shpjegon 2800 terme, nocione e institute të së drejtës penale. Ky Leksikon është i pari i këtij lloji në Kosovë, mbase edhe në Shqipëri.

Në përfundim të kësaj përpjekje modeste për të prezantuar kontributin e çmuar të Prof. dr. Ismet Salihut, mund të konstatohet se veprimtaria e tij si profesor e shkencëtar, por edhe si veprimtar i çështjes kombëtare, është e mirënjohur jo vetëm në hapësirën shqiptare, po edhe më gjerë. Kontributi akademik i profesor Salihut në arsimin dhe shkencën shqiptare është tepër i gjerë për t’u përshkruar në një shkrim të këtillë, sepse emri, studimet dhe vlera e veprës së tij janë ato të një kolosi, emri të cilit ka zënë një vend të nderuar në panteonin e personaliteteve tona kombëtare dhe është njeri nga ata që Kosova dhe populli i saj u detyrohet përgjithmonë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok