09/02/2026

Presidentja Vjosa Osmani: Lufta e UÇK-së, e drejtë dhe e pastër

0
Vjosa-Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në Facebook duke riafirmuar të vërtetën historike mbi pavarësinë e Kosovës dhe luftën çlirimtare të popullit të saj. Ajo theksoi se liria e Kosovës është rezultat i vullnetit të qytetarëve dhe i një sakrifice shekullore, duke dënuar ashpër përpjekjet për të relativizuar krimet e kryera nga Serbia dhe për të barazuar luftën e drejtë të UÇK-së me agresionin gjenocidal.

Vjosa Osmani:

Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme.

Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë.

Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri.

https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok