21/11/2024

Presidenti i ri (pjesërisht) arbëresh i Brazilit

0

Nga Elvi Sidheri

Fundviti 2018 u kurorëzua, mbas një orteku sovranist që përfshiu tërë hapësirën euroatlantike (SHBA + disa vende të BE), me triumfin në Brazil, të presidentit Jair Bolsonaro, ish ushtarakut që ndonëse i plagosur rëndë dhe i tërhequr nga fushata aktive elektorale, pa akses në media dhe me një partiçkë të vogël si mbështetje, arriti të mposhtte kundërkandidatin majtist (Haddad) pasues të vijës politike të ish presidentëve Lula da Silva e Dilma Russef, të cilët e patën gjunjëzuar ekonomikisht dhe e shpunë Brazilin 200 milionësh, buzë katastrofës ekonomike e shoqërore.

Mënjanë profilit e politikave që presidenti Bolsonaro, do të zbatojë në krye të shtetit brazilian, ku do të përballet me një mal sfidash, andrallash, kriminaliteti të skajshëm, favelash krejtësisht jashtë kontrollit shtetëror, korrupsioni të pandalshëm, varfërie e pabarazi sociale; ajo çfarë neve na intereson, është pikërisht origjina e këtij personaliteti, njeriut që brazilianët i besuan thuajse 58 milionë vota (baras me 55%) për të shpëtuar vendin nga humnera.

Në të gjitha shkrimet që fokusohen te origjina e presidentit të ri brazilian, fundja, siç tingëllon qartësisht nga mbiemri i tij, Jair Bolsonaro, del me origjinë italiane.

Aty-këtu, citohet edhe një origjinë gjermane e tij, duke përbërë rrjedhimisht, një nga përzierjet më tipike në Brazilin e sotëm, ku italianët (rreth 25-32 milionë) dhe gjermanët (afërsisht 12 milionë) janë ndër komunitetet më të fuqishme të emigrantëve shekullorë (krahas libanezëve të krishterë, japonezëve, ukrainasve, afrobrazilianëve, padyshim pasuesve të portugezëve, etj).

Askund ndërkaq, nuk vihet në dukje një fakt tejet interesant sakaq, që një pjesë e origjinës së Jair Bolsonaro, presidentit të Brazilit, është pikërisht arbëreshe.

Duke patur parasysh Brazilin si kontekst të veçantë të mërgimeve europiane drejt Botës së Re, sidomos atyre nga Italia, do theksuar se ndryshe nga Argjentina e afërt apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku spikasin komunitetet e trashëgimtarëve të emigrantëve italianë me origjinë nga Jugu dikur i varfër e bujqësor i Italisë (për rrjedhojë dihet fort mirë edhe për praninë e komuniteteve të mëdha me arbëreshë, qoftë në SHBA, rasti i kongresmenit DioGuardi, si shembull, si dhe në Argjentinë, ku shkëlqen rasti i nobelistit në letërsi, me nënë arbëreshe, Ernesto Sabato); në Brazil ndërkohë, emigrantët italianë, qysh nga fundi i shekullit XIX, do të vinin masivisht nga Veriu i Italisë.

Për këtë arsye, hamendësohet se edhe numri i arbëreshëve të mërguar në Brazil, nga Jugu i Italisë, mund të jetë më i paktë sesa në vende të tjera të Amerikës Jugore apo Veriore.

E faktikisht, Jair Bolsonaro, siç dëshmohet nga të dhënat për origjinën e tij, të ofruara kryesisht nga shoqatat që përkujdesen për trashëgiminë e brezave të tërë të emigrantëve italianë në Brazil, rezulton që nga e ëma, është me origjinë 100% italiane, më saktësisht nga qyteti Luka në Toskanë.

Ndërsa nga ana e të atit, presidenti Bolsonaro, sipas shtypit brazilian (por edhe mediave në Itali), del të ketë origjinë kryesisht italiane nga rajoni i Venetos (nga Anguillara Veneta) dhe një pjesë origjine gjermane, më saktësisht nga Hamburgu (një stërgjysh atëror i Jair Bolsonaros).

E në këtë pikë, pas disa kërkimesh të imtësishme, duke shfrytëzuar edhe arkivat brazilianë të emigracionit, arrijmë në degën arbëreshe të origjinës së presidentit të Brazilit.

Gjyshja e Jair Bolsonaro nga ana atërore, e quajtur Elza Hintze, sipas regjistrave brazilianë figuron si e bija e Carl (Carlos) Hintze (me origjinë nga Hamburgu) dhe e Luzia Caliò.

Mbiemri Caliò, për ata që njohin në veçanti zonën e Kalabrisë dhe Mesinën në krahun tjetër të ngushticës që ndan majën e çizmes së gadishullit Apenin me Siçilinë, është tepër i njohur.

Dhe dihet, nga specialistët e fushës, se ky mbiemër gjen përdorim edhe në komunitetin 5 shekullor arbëresh, që ka një prani të gjerë në rajonin e Kalabrisë.

Luzia Caliò, stërgjyshja e Jair Bolsonaro, rezulton e lindur në Mococa, shteti i São Paulo, rreth vitit 1887.

E gjithnjë sipas regjistrave brazilianë të emigracionit, babai i Luzia Caliò pati qenë një kalabrez i mërguar në Brazil, dhe i lindur pikërisht në ngulimin e vjetër arbëresh të Kalabrisë, Spezzano Albanese (Spixana, në arbërisht), themeluar nga mërgimtarët arbëreshë që kishin ikur nga pushtimi turk, në shekullin XV.

Spezzano Albanese (provinca e Kozencës) është një nga ngulimet më të mëdhaja (mbi 7 mijë banorë), ku ruhet e pastër kultura, gjuha e doket arbëreshe, pavarësisht shekujve të gjatë larg dheut të të parëve.

Gaetano Caliò, paraardhësi arbëresh i presidentit të sapozgjedhur të Brazilit, Jair Bolsonaro, rezulton sipas regjistrave italianë, si i lindur në Spezzano Albanese më 26 Shkurt 1859, e më tutje i mërguar në Brazil, ku do të themelonte edhe familjen, që përmes brezave, dhe shartimit edhe me degën gjermane Hintze, më parë, e paskëtaj Bolsonaro (Elza Hintze, do të bëhet bashkëshortja e Percy Geraldo Bolsonaro, babait të Jair Bolsonaros), do të arrijë gjer në presidentin e sotëm të Brazilit.

Nuk është aspak habi sidoqoftë ky zbulim, sepse gjatë tërë kërkimeve të mia për praninë e arbëreshëve në Brazil (ndonëse me gjasë në numër më të pakët se në Argjentinë apo SHBA), fort shpesh kam hasur të dhëna pikërisht për mërgimtarë arbëreshë nga Spezzano Albanese, që mesa duket është shenjuar nga mërgimi masiv për në Brazil, e që sot mund të krenohet me presidentin e ri të Brazilit, si stërnip të vetin.

Gjithaq, arbëreshët rezulton të kenë mërguar edhe në zonën e megalopolisit të São Paulos, (qytet me prani të fortë pasuesish të emigrantëve nga Italia, rreth 6 milionë syresh), gjë kjo që konfirmohet fare mirë edhe nga mërgimi (i detyruar) i poetit e shkrimtarit të shquar arbëresh, Zef Serembe në Brazil (thuhet, në gjurmët e varrit të të dashurës së tij, nga San Cosmo Albanese, në provincën e Kozencës, e cila do të mërgonte dhe vdiste në Brazil).

Pas një mërgimi të parë në mesin e viteve 1870, Zef Serembe mërgon sërish (për herë të fundit në Brazil), sëmuret e vdes në São Paulo në vitin 1901, pa ia ditur askush varrin akoma sot e kësaj dite.

Në kërkimet e mia, kam arritur të zbuloj se edhe një nga kinematë e para në Rio de Janeiro, është vepër e një arbëreshi, ndërkohë që në këtë qytet madhështor (simbolin e Brazilit në botë), është ende në funksion edhe një kishë (orientale) arbëreshe, Famullia Italo-Shqiptare, pranë kishës Nossa Senhora Aparecida (në adresën: Av. Marechal Rondon, 1752 – Rio de Janerio).

Deri vonë, në këtë kishë mbante meshën prifti arbëresh Atanásio Accursi, me origjinë nga ngulimi arbëresh Firmo, në provincën e Kozencës, i mërguar në Brazil në vitet 50 të shekullit të shkuar nga Kongregacioni për Kishat Orientale në Brazil për të zhvilluar veprimtarinë e tij misionare mes mërgimtarëve arbëreshë në këtë vend të largët e të stërmadh.

Në kërkimet e mia, kam hasur edhe një botim specifik për historinë e arbëreshëve qysh nga mërgimet e tyre të para nga Arbëria e pushtuar nga turku në Italinë e Jugut e më tutje drejt Brazilit, më saktësisht në librin me titull “Raízes Arbëreshë – Histórias e Memórias da Família Ricciopo”, botim i vitit 2012, (në shqip: “Rrënjët Arbëreshe – Histori e Kujtime të Familjes Ricciopo”), me autor arbëreshin Plauto Ricciopo Filho, nga qyteti Uberaba, në shtetin brazilian të Minas Gerais.

Libri, fryt i dhjetë viteve hulumtime në burime dokumentare e bilbiografike, arrin të rindërtojë 500 vite historie familjare arbëreshe, nga Arbëria në Jugun e Italisë, gjersa në kapërcyellin mes shekujve XIX e XX, familja Ricciopo mërgojnë në Brazil.

Kisha arbëreshe Nossa Senhora Aparecida, në Rio de Zhaneiro

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok