25/12/2024

PRESIDENTI DR. IBRAHIM RUGOVA, UDHËRRËFYESI I KOMBIT

0
Shkreli-Rugova2

ME RASTIN E 15-VJETORIT TË KALIMIT NË AMSHIM

Nga Frank Shkreli

Sot në 15-vjetorin e shkruarjes në amshim të Presidentit të parë historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, Kombi shqiptar e kujton atë si një udhëheqës ndryshe, si një udhëheqës i cili nuk humbi asnjëherë rrugën drejtë pavarësisë së Kosovës dhe realizimit të objektivave kombëtare. E kujton atë sot si udhërrëfyesin e Kombit.  E kujtojmë si diellin që gjatë viteve të kalvarit të Kosovës – kur për të dhe për bashkpuntorët e tij të ngushtë, ishte shumë lehtë që ai humbte shpresat dhe guximin nga vranësitë ndër më të errëta që kishin mbuluar ndonjëherë jetën kombëtare të shqiptarëve të Kosovës dhe  të gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin, të cilët ndjeknin me mërzi tepër të madhe kalvarin neper të cilin po kalonte Kosova.

Fatkeqësisht, Presidenti Rugova iku nga kjo botë tepër heret, atëherë kur Kosova dhe Kombi kishin më së shumti nevojë për një njeri si ai dhe për një hov të pashterrshëm të ndjenjave për atdhedashuri të sinqert, për një zëdhënës dhe për një përfaqsues autentik të vlerave stërgjyshore kombëtare, pro-perendimore të shqiptarëve– pas një periudhe të zezë sllavo-komuniste prej gjysëm shekulli, të bazuar në një ideologji sllavo-aziatike e cila zbatonte brutalisht, si parim kryesor, shlyerjen – pikërisht — të këtyre vlerave kombëtare dhe të identitetit autentik kombëtar të shqiptarëve.

15-vitet e fundit të jetës së Dr. Ibrahim Rugovës ishin vendimtare në historinë e Kosovës dhe të Kombit shqiptar. Ishte një periudhë historike që kërkonte guxim e vendosmëri – bërtiste për një udhëheqës ndryshe për shqiptarët.  Presidenti Rugova shpesh thonte se gjatë historisë, Kombi ka patur shumë dështime megjithë përpjekjet e mëdha dhe flijimet e patriotëve shqiptarë që nga periudha e Gjergj Kastriotit-Skendërbeut e deri tek rilindasit, në fillim të shekullit të kaluar.  Megjithë këtë histori kombëtare vuajtjesh dhe deshtimesh për liri, përfshir vuajtjet e tija personale dhe familjare, Dr. Ibrahim Rugova asnjëherë nuk u dmeoralizua, nuk humbi shpresë as nuk ndërpreu përpjekjet e tija për lirinë e popullit të vet, por përdori çdo rast që i paraqitej, sidomos me të huajt, që të shpjegonte vuajtjet dhe padrejtësitë ndaj Kombit shqiptar gjatë shekujve, por njëkohësisht edhe të lartësonte emrin dhe vlerat e Kombit shqiptar dhe të Dardanisë së tij të dashur, duke ndërkombëtarizuar,  përpjekjet e Kosovës për liri dhe pavarësi si dhe vuajtjet shekullore të shqiptarëve nga shtet terrorist serb.

Presidenti Rugova kishte një vizion të qartë që ai e artikulonte edhe me miqët perendimorë, sidomos me përfaqsues amerikanë — për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar, në liri dhe demokraci. Si asnjë udhëheqës tjetër i këtyre 30-viteve të fundit, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar, nëqoftse dëshironte të hynte, ndërshmërisht, në radhën e kombeve të përparuara të përendimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt kësaj rruge për shqipztarët e sidomos në mbështetjen e të Shteteve të Bashkuara të Amerikes — drejt bashkimit dhe integrimit të Kombit shqiptar  në aleancat me vendet perëndimore, sipas tij, aty ku e kishin vendin e vet shqiptarët.

Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar. Ai ishte i vetdijshëm se, natyrisht, që trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për tu përdour në mbrojtje të interesave të Kombit, por me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur — mbi të gjitha — edhe nderin due respektin emrit shqiptar — një mesazh ky shumë i përshtatëshëm dhe tepër i nevojshëm edhe për sot në këtë 15-vjetor të vdekjes së tij— sidomos për politikanët e sotëm anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor.  Kjo është dhe mbetet edhe njëra nga trashëgimitë e Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës me rastin e këtij 15-vjetori të vdekjes së tij – përfaqësimi me nder, burrëni dhe respekt i të drejtave dhe pëgjegjësive kombëtare, duke qenë i bindur në drejtësinë e kërkesave të shqiptarëve, përball shtypjeve dhe terrorizmit shekullor sllavo-serb ndaj shqiptarëve autoktonë.

Ç’prej se e kam njohur Ibrahim Rugovën – nga fundi të viteve 80-ta të shekullit të kaluar — ai asnjëherë nuk u lëkund nga vija e drejtë e shqiptarizmit dhe as nga idealet e tija.  Megjithë sfidat e mëdha me të cilat përballej ai dhe populli i tij, Dr. Ibrahim Rugova nuk hoqi dorë kurrë nga përpjekjet e tija dhe as nga bindja e tij se me ndihmën e miqëve historikë perëndimorë të shqiptarëve, Kosova, do të çlirohej nga zgjedha serbe dhe se më në fund do të fitonte lirinë dhe do të siguronte edhe pavarësinë e saj.  Ç’prej fillimit, ai e kishte shumë të qartë objektivin përfundimtar për Kosovën si dhe mënyrat për realizimin e këtij objektivi.

Fatkeqësisht, ai vdiq pa qenë dëshmitar i shpalljes dhe i njohjes zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga shumë vende të botës e sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilat kurdoherë që fliste për Amerikën e përfundote me fjalët, “Zoti e bekoftë Amerikën” dhe në “Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara”.  Por epopeja e Rugovës nuk ka vdekur me të.  Edhe në këtë 15-vjetor të kalimit të tij në amshim –ai është duke lëshuar dritë përherë e më tepër për brezat, duke lulëzuar e duke dhënë fryte agimesh të reja e fatlume për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar – ashtu siç i ka hije një udhërrëfyesi historik të një Kombi edhe pas shkuarjes së tij në amshim.   Një udhërrëfyes, ose një, “Hero kombëtar, madhështor e mendjemprehtë”, siç e ka cilësuar Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, Ish-Zëvendës Presidenti i Amerikës, gjatë një vizite në Kosovë në gusht të vitit 2016 – Z. Joe Biden, sot Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Autori duke bërë nderimet e fundit si përfaqësues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, para arkivolit të Presidentit Ibrahim Rugova, të mbuluar me lule e flamur — Prishtinë, Janar 21, 2006

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok