PRESIDENTE E KOSOVËS PAS VJOSËS, PËRSËRI VJOSA
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Qeveritë paraprake të Kosovës, dominoheshin nga pushtetarë të zhantazhuar nga Serbia, përmes Francës dhe Tiranës zyrtare social-komuniste, me dosje penalizuese të krimeve faktike. Në botën demokratike nuk ndodhë që pushtetarët e shantazhuar nga armiku, të jenë në drejtim të shtetit apo të pushtetit, sepse armiku do të bëhej bashkë hisadar. Mjerisht, kjo i ndodhi Kosovës tonë, për dy dekada radhazi!
Ardhja e Albin Kurtit në pushtet, me organizatën rebele Lëvizjen Vetëvendosje, e cila për dy dekada bëri një opozitarizëm të vrazhdët, të dhunshëm, por, gjithsesi, fort të motivuar dhe tërësisht të justifikuar, ngaqë Kosova ndodhej në një rrezik real, për ndarjen e saj, nga bijtë e saj bastardë, tashmë, nën shantazh dhe presion të egër të shteteve armike. Koordinimi me Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla, me dy veprimtaret e shquara, gjithherë, në shërbim të Kosovës, të përzëna përdhunshëm nga Isa Mustafa, me klanin e tij, uzurpues të LDK-së, njëherësh, edhe shkatërrues të partisë, dikur, zëmadhe në Kosovë dhe Ballkan.
Kryeministri Kurti, me LVV të tij, aleatët Guxo dhe Alternativa, si dhe presidenten Vjosë Osmani, u dakordësuan për kthimin e sovranitetin në Veriun e Kosovës, të cilin qeveritë paraprake, në heshtje, ia kishin dorëzuar Serbisë. Miqtë e Serbisë në BE, por edhe jashtë saj, ishin hapur në favor të Serbisë. Pse duhej të ishin në kreun e Dialogut dy përfaqësues të BE-së, Borell dhe Laiçak, pikërisht, nga dy shtete që ende nuk e njohin shtetin e Kosovës, njësoj si Serbia?! Rastësi apo e qëllimshme?
Mjafton të përmendim Draft-statutin e hartuar nga serbja e Kosovës, deputete në Parlamentin e Serbisë. Ishte një Draft-statut autonomie të plotë të serbëve në Kosovë, të gatshëm për ndarje të territorit të Kosovës dhe me perspektivë të shkëputjes dhe bashkimit me Serbinë! Dhe, kërkesën e deputetes bizare të Vuçiqit, sllovaku Mirosllav Laiçak e konsideron “të mirë dhe pikënisje për dialogun e mëtejmë Kosovë-Serbi!” E turpshme, deri në gërdi! Me të drejtë, presidentja Osmani kërkoi dialog me ndërkombëtarët, të prirë nga SHBA dhe jo me Serbinë, pasi Kosova ka shpallur pavarësinë të njohur ndërkombëtarisht.
Edhe opozita destruktive u bë palë me Vuçiqin dhe BE-në. Qëllimi ishte thellësisht kundra-kombëtar, refuzimi i veprimeve në veri, për të larguar institucionet paralele. Në shënjestër ishte kryeministri Kurti, intrigonin ke amerikanët, për ta shpallur “non grata”!
Qeveria tenderoi ndërtimin e dy urave mbi Lumin Ibër, paralele me Urën harkore, “kufomë” e Evropës. Punohej me tre turne, natën me prozhektorë ndruçues, nga frika e ndërhyrjes për ndalim të punimeve. Dy anëtare të kryesive partiake, PDK dhe LDK, si dhe një jurist, u fiksuan nga kamera, në rrugëtim për në Gjykatën Kushtetuese, për të kërkuar ndalimin e punimeve në urat në fjalë! Me dhimbje, nuk e doja bashkimin e votës të LDK-së me PDK-në, në këtë marrëzi! E hidhur, deri në pezëm.
Por, ndodhi mrekullia, sikur për inat të atyre që zilia e smira, ndoshta, edhe injoranca politike, nuk arrijnë ta shohin realitetin faktik. Shefi i KFOR-it, duke u përgjigjur në akuzat e Serbisë, BE-s dhe të opozitës shqipfolëse, deklaroi se “urat i bashkojnë njerëzit”! Firma ndërtuese e reduktoi ndërresën e tretë të sforcuar dhe vazhdoi normalitetin.
Pikërisht në këtë kohë ndodhi pezullimi i Dialogut Strategjik Kosovë-SHBA, marrëveshjen e nënshkruar nga presidentja Osmani. Kësaj mase të paparalajmëruar, iu gëzua shumë opozita. Një zyrtar amerikan bëri akuza idhnake e hiç diplomatike, duke etiketuar dhe fajësuar, kryesisht, Kurtin, për acarimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi!?
Presidentja Vjosë Osmani ndërmori disa vizita radhazi SHBA dhe gjetkë në Evropë dhe botë. Ajo takoi shefin e NATO-s, Mark Rutte, i cili, në bisedë e sipër, shprehu simpatinë, duke i thënë asaj se “ju jeni presidentja ime e preferuar”. Në takimin me presidentin Trump, ai u shpreh: “A e shihni këtë zonjë këtu, të ulur para meje? Ajo meriton gjithë respektin tonë, sepse lufton e punon për atdheun e saj”. E ftuar për pjesëmarrje në promovimin e “Boshtit të Paqes”, si bashkëthemeluese, presidenti Trump, në prani të përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse, do ta veçonte emrin e presidentes Osmani, me vlerësimin e madh: “Po bënë punë të shkëlqyera”.
Pa mëdyshje kjo është dëshmi e një admirimi kulmor, për presidenten tonë, e cila, me një stil komunikimi, gjithë sharmë dhe inteligjencë të lindur, i lënë mbresa domethënëse burrështetasit të parë të superfuqisë botërore, presidentit Donald Trump.
Realisht, ky është një mesazh i qartë edhe për opoizitën e Kosovës, se SHBA e dëshiron dhe e mbështetë për një mandat të dytë Vjosë Osmanin në krye të Presidencës të Kosovës. Por, këtë jo vetëm nuk e vlerësojnë mediat mercenare të televizioneve dhe të portaleve lumë të Kosovës, përkundër i bien “teneqes së shpuar”, se “Vjosë Osmani nuk është figurë unifikuese, nuk mund të jetë as presidente konsensuale, se ka mbështetur kryeministrin Kurti në veprimet e tij konfliktuoze me Serbinë, përgjatë shtrirjes të sovranitetit në veriun e Kosovës”!
Opozita PAN-iste, përkatësisht, subjektet politike të PDK-AAK-NISMA, kanë lindur nga një mitër e përgjakur e LPK-së, të ideologjisë enveriste-staliniste, sllavo-komuniste dhe “kullosin” në Lindje, me qendër Moskën. Kur po përgatitej bashkimi i dy Gjermanive, LPK-ja protestonte në kryeqendrat e Evropës, kundër këtij bashkimi, sepse, sipas tyre, “po dobësohet komunizmi në shkallë botërore!”
PANI-i ka një urrejtje patologjike ndaj Amerikës. Subjektet e koalicionuara në PAN, deklarohen të djathta, por janë të majta ekstreme, tipike enveriste-staliniste.
Organizata Vetëvendosje ishte si një organizim DEBATIK, të enveristëve të rinj, gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB). Për fatin e mirë të kësaj organizate luftarake për ndryshim, u largua grupi i parë prej 12 deputetësh, pastaj të individëve të tjerë. Ata janë fort të infektuar me ideologjinë e mykur majtiste. Shikoni marrëzirat e Partizës Socialdemokrate, se ke e propozojnë për president të vendit?! Molliqaj me shokë e akuzojnë LVV, si “të shitur të Perëndimi”! Ata duan ta shohin LVV, si para një çerek-shekulli, kur në “kruzhokët” e tyre bjerrnin kohën, me citatet staliniste-enveriste!
Lëvizja Vetëvendosje, tashmë, është heterogjene dhe majtizmi brenda saj është minoritet, në raport me shumësinë e anëtarësisë dhe të elektoratit me orientim djathtist. Edhe majtizmi i të mbeturëve, është zbutur, zvetnuar dhe moderuar, gjithnjë në kahjen pozitive. Andaj, edhe e ka shumëzuar anëtarësinë e saj, në përmasën gjeometrike.
Akuzat që i bëhen Vjosë Osmanit nga LDK-ja, përkatësisht, klani i Isa Mustafës, se, gjoja, “ajo shkatërroi LDK-në”, janë shpifje të qëllimshme. Përkundrazi. binomi Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla e shpëtuan LDK-në nga shuarja turpëruese. Sepse Isa Mustafa me klanin e tij, si bisht e patericë e PDK-së, ishte “Kolonë e Pestë”, brenda partisë të Presidentit Rugova, e cila, realisht, dirigjohej nga agjenti i trefishtë, Hashim Thaçi. PAN-istët tallën me LDK-në, duke thënë se “ju ishit në pushtet, e kishit kryeministrin, ministritë, prokurorinë, gjykatat, pse nuk i zbuluat vrasjet politike?!” Por, e fshehin të vërtetën absolute, se organet vitale, kuadrot kryesorë shtetërorë, disa nga ministrat i përzgjidhte agjenti i të huajve Hashimi.
Porosia e gjyshës-plakë nga Qyshku i Pejës” “Albin, mos lësho pe”, është thirrje e zëshme për kryeministrin Albin Kurti, me LVV dhe aleatët e saj Guxo, Alternativa, PSHDK. Sepse “lëshimi pe”, në tërheqjen e kandidaturave të para, për kompozimin e Kuvendit dhe të Qeverisë, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, e lazdroi, e haliti opozitën destruktive dhe i kushtoi shumë Kosovës. Kandidatura e vetme dhe e pandryshuar për – Presidente e Kosovës, pas Vjosës, përsëri Vjosa -. Krejt njëjtë siç ndodhi pas përsëritjes të zgjedhjeve, të 28 dhjetorit, – pas Kurtit kryeministër, përsëri Kurti -.
Atëherë, pse u dashka shkuar serishmi në zgjedhje?! A është normale kjo opozitë, që shkonë në zgjedhje, edhe pse e dinë se nuk mund të ndryshojë asgjë përfituese, për statusin e saj, ngaqë degradimi partiak i tyre është fatal. Pra, vetëm për ta shënuar humbjen e radhës. E turpshme dhe e gërditshme në sytë e shqiptarëve, sa të “mos kenë sy as faqe”, për të kërkuar votat e elektoratit.
Akuzat korale të opozitës hileqare dhe dështake PAN, për presidenten Vjosë Osmani, janë të stisura dhe të shpifura. Halli i kësaj opozite nuk qëndron fare tek akuzat e thëna. Përkundër, janë disa halle të tjera, të cilat nuk ua zgjidhë Vjosa, sepse integriteti dhe personaliteti i saj nuk manipulohet. Ajo ka dëshmuar se nuk bënë kompromis me parimet.
Denoncimi dhe refuzimi publik, që i bëri opozitës PAN-iste Albin Kurti, duke mos e pranuar në asnjë kombinturë bashkë qeverisëse, është parimor dhe skajshëm domethënës. Sepse është e zhytur në krime serike, hajni zyrtare, haraçin e përgjakur, kontrabandë miliardshe, (sipas Doganës të Kosovës), me serbët e veriut, tashmë, të akuzuar për kontrabandë dhe krime tjera, të shpallur “non gratra”, nga DASH amerikan.
Për rrjedhojë, subjektet politike PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN-in kriminal, nuk mund të besohet për asnjë nga akuzat super-shpifëse, të bëra presidentes brilante Vjosë Osmanit. Kjo opozitë e shpëlarë, nuk ka as forcë dhe as mundësi, për të bërë reforma. Përkundër, këto subjekte politike, kanë damkosur kaq shumë vetën, sa u duhet një riformim partiak, duke i pastruar radhët nga krimi dhe kriminelët e bollshëm, për ta shpëtuar, aq sa mund të shpëtohet, anëtarësinë të mashtruar, të pafajshme.
