President konsensual dhe jo partiak!
Shkruan: Florim Zeqa
Me president konsensual dhe jo partiak nënkuptojmë arritjen e një uniteti politik për të mirën e vendit. E meqë është pikërisht kështu, atëherë e kemi rastin historik që për herë të parë pas çlirimit të vendit dhe 18 vjetësh në shtetin e pavarur ta zgjedhim presidentin që unifikon skenën politike kosovare.
President unifikues për të mirën e vendit
Më pëlqeu deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca: “Konsensus për president ka vetëm për emër nga familja Jashari”, duke nënvizuar se: “Që të gjithë e kanë konsideruar dhe është në konsensus të partive politike deri më tash, të vetmit emra që kanë shkaktuar automatikisht një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë, është një president nga radhët e familjes së nderuar Jashari” (përfundon citati).
Familja Jashari gëzon respekt të veçantë dhe të pakontestueshëm në opinionin publik dhe jo vetëm kaq. Familja Jashari me sakrificën sublime, të paparë dhe të padëgjuar deri më tani në globin mbarë, e meriton të nderohet me postin e presidentit!
Me këtë akt do të arrihej një standard i ri politik në vendin tonë, që në poste të larta shtetërore të emërohen njerëz me bagazh atdhetar, që kanë merita të pakontestuara, që gëzojnë mbështetjen e gjërë popullore dhe jo vetëm politike.
Tashmë është momenti që për herë të parë në historinë e zgjedhjes së presidentit, pa presion ndërkombëtar të zgjedhet një figurë emblematike që e perafron e gjithë spektrin politik kosovar, pa dallim pushtet dhe opozitë!
Kosovës i duhet një president që ka dhënë gjithçka për shtetin pa marrë asgjë prej tij!
Me zgjedhjen e z. Murat Jashari për president të shtetit, përfundimisht do të merrte fund epoka e ndarjeve dhe e pazareve politike në Kuvend, si dhe do të hapej një kapitull i ri i zgjedhjes së presidentit unifikues, i cili në çdo situatë është i gatshëm t’i bëjë bashkë partitë politike për të mirën e vendit.
Kjo është e mundur dhe duhet të ndodhë jo më largë se më 4 Mars 2026 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me çka do të rreshtohemi një herë mirë si shtet unitar e jo sekular, si shtet laik e jo fetar.
Nuk kemi kohë për të humbur, vendin e presin sfida të mëdha, të cilat vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë më lehtë dhe pa e dëmtuar të ardhmen e shtetit. Pra, Kosovës i duhet një president bashkëpunues dhe kooperues me bashkësinë ndërkombëtare, por jo servil i tyre, siq jemi mësuar zakonisht t’i shohim presidentët e shtetit tonë.
