17/11/2024

PREJ FILLIMIT DERI NE FUND, DASHURO DHE NDJEHU I DASHURUAR

0

Nga Albert Vataj

Disa njerëz besojnë se kur bukuria venitet, e njëjta gjë ndodh edhe me dashurinë. Individë të tillë kanë koncept të gabuar në atë se çfarë është në të vërtetë dashuria dhe, madje nuk kanë shumë respekt për të vërtetën. Nëse duam të ushqejmë bindjen tonë me një produkt të shëndetshëm, duhet domosdo të servirim atë që është pakësimi i dashurisë ajo që bën që bukuria të jetë ajo që venitet, shuhet dhe vdes bashkë me shpirtin.

Dashuria na lejon të bashkëjetojmë më mirë me dobësitë dhe të metat tona të ndërsjella dhe na shtyn në më të shumtën e rasteve, t’i pranojmë ato (të metat). Kur dashurojmë shikimi ynë nuk tronditet kur përballët me të vërtetat që thepisja e moshës i shfaq nëpërmjet shumë luhatjesh estetike në fizikun tonë. Përqëndrohemi në bukurinë e brendshme, të paprekshme nga koha apo nga mosha… por dashuria nuk është e verbër nga ky këndvështrim, për të vetmen arsye sepse është në gjendje të shohë thelbësoren, brendinë, gjithçka që ka buruar dhe nuk do të resht deri në grahmat e fundit.

Ti mund të besosh te dashuria e përjetshme,

…sepse gjithnjë në zemrën tënde ndjenja ka zënë vendin e përjetësisë, ka ushqyer dhe vijon ta ushqejë atë me diellin dhe dritën e gjithë dimensioneve kohore,

…i ka ofruar asaj si një perëndije blatimin e shpirtit dhe frutat më të ëmbla të pasionit, duke i mëkuar gjithnjë joshje dhe adhurim, duke e bërë atë të ndjehet zot i zotërimeve prej mishi dhe përjetimi,

…dhe e ka bërë këtë, si një i përkushtuar që ofron gjithçkanë më të vyer që gëlon në të gjallët e tij, për ta shndërruar çdo prekje në një shkëndi drite, çdo kontakt në një bekim etern, çdo prani në një lumturim që mbush me mirësi çastet.

Ti mund të besosh te dashuria e përjetshme,

…ashtu siç ndjen atë të jetë po kaq flakatare edhe kur zjarret e moshës kane nisur të presin gjuhët e flakës, por jo të ftohin nxehtësinë e prushit, prushit që ngoh dhe hirit që pudros plagët e kujtimeve.

Disa njerëz besojnë se kur bukuria venitet, e njëjta gjë ndodh edhe me dashurinë. Individë të tillë kanë koncept të gabuar në atë se çfarë është në të vërtetë dashuria, madje nuk kanë shumë respekt as për të vërtetën që lidhet me të. Ndoshta diçka është thyer brenda tyre dhe copëzat e pasqyrimit ku ato shihen nuk arrijnë të krijojnë kontakt e butë që mundëson e bukura që tejkalon të hareshmen e bukurisë si element estetik, freskinë që vitet e kanë hedhur tej në hapsirën e kujtesës.

Nëse duam të ushqejmë bindjen tonë me një produkt të shëndetshëm, duhet domosdo të servirim atë që është pakësimi i dashurisë, ajo që bën që bukuria të jetë ajo që venitet, shuhet dhe vdes bashkë me shpirtin.

Dashuria na lejon të bashkëjetojmë më mirë me dobësitë dhe të metat tona të ndërsjella dhe na shtyn në më të shumtën e rasteve, t’i pranojmë ato (të metat) por jo të mos mbajmë një qëndim ndëshkuas ndaj tyre dhe të mos thërrasim brenda nesh nevojën purifikuese për pendim.

Sot kur dashurojmë, shikimi ynë nuk tronditet si atëherë nga kafshimet torturuese të energjisë së pasionit,

…sepse një tjetër natyrë dashurie ka zënë të përmbush magjiken e ndjenjave,

…tjetër mrekullimi i hidhet në prehër e gjithë qënia jonë prej epsheh dhe afshesh zjarrvënëse,

…të tjerë qiej shpalosen në krahët e zogjve mitik, të cilët na hovin në dritën e ëndjes sonë për fluturim,

… sepse shumëçka ka ndryshuar, ndryshe vezëllijnë sytë që na shohin,

…tjetërsi na shfaqen vegimet e përfytyrimeve kur ndjenja na kllapit,

… sepse ne kemi mësuar të përballemi me të vërtetat që thepisja e moshës i shfaq nëpërmjet shumë luhatjesh estetike në fizikun tonë.

Përqëndrohemi në bukurinë e brendshme, të paprekshme nga koha apo nga mosha,

…dhe përgjojmë brenda saj ato zëra që gjithnjë vijojnë të na përshkojnë,

…dhe ndjejmë se si ende kafshojnë ato prekje të befta dhe na dalldisin ende ato puthje vjedhacake .

Dashuria nuk është e verbër, ajo është dritë eterne që të udhëheq nëpër një udhë që ta tregon maturia dhe e dëshirueshmja e thelbët dhe gjithnjë ndjellëse,

…ajo ka mësuar tashmë të flasë përmes një gjuhë që vetëm trupat mund ta dëgjojnë,

…sepse është në gjendje të shohë përtej të dukshmes që është kacafytyr me kohën dhe moshën,

…sepse ajo percepton thelbësoren, brendinë, gjithçka që ka buruar dhe nuk do të resht së vërshuari deri në grahmat e fundit.

Çdo ngasje në dëshpërim kur vitet të kanë hedhur petkun e velur të moshës është një arratisje e pamëshirshme dhe një privim që i bëhet shpirtit, të cilin zjarret e harbuara e djegin, tymi i aventuarave e drobit, dhe…

…dashuria, ajo që i përfytyrohet në gjithçka që dëshiron gjithnjë e braktis,

sepse

…ke vendosur të dorëzohesh,

…ke vendosur të plakesh,

…ke vendosur të dezertosh,

…ke vendosur të shkulësh nga rrënjët atë lule, e cila nuk është tashmë kaq e harlisur, por kurrë nuk harron ta zbukurojë ditën tënde me gjyrat e saj dhe të deh pranverat e tuaja me aromat kundërmuese.

Urtësohu në çmendurinë e dashurisë që edhe pse nuk mund të të ndez, ajo të mban ngohtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok