25/12/2024

“POPULLI OPOZITAR” DHE FEJTONE TË TJERA…

0
Ndue-Dedaj

NGA NDUE DEDAJ

  1. “Populli opozitar” dhe populli jo-opozitar!?

Vazhdon abuzimi i politikanëve me popullin edhe në demokraci, njëlloj si në monizëm. Sigurisht sot nuk thuhet më “Në emër të popullit, je i arrestuar”, as drejpërdrejt “Ç’don populli bën partia dhe ç’thotë partia bën populli”, ku e vërtetë është vetëm pjesa e dytë, sigurisht nga halli, nga që nuk ke se ç’bën. Lexuesi e di se klishetë me fjalën popull i kemi të hershme, duke i mveshur atij epitete si popull heroik, arsimdashës etj., a thua se nuk kanë qenë të gjithë popujt me vlerat e tyre historike. Ashtu si dhe ana tjetër e medaljes, ku nuk kanë munguar as fyerjet, kinse jemi një popull që nuk dimë të bëjmë përpara, korruptohemi shpejt, nuk iu tregojmë vendin liderëve pa parime etj. Kemi dramën e Ibsen-it “Armiku i popullit”, po kemi dhe të kundërtën, sajdisjen “Hero i Popullit” dhe një varg titujsh të tjerë nga bota e artit, arsimit më fjalën popull etj. Se si, në dy artistë të një kalibri, njëri ishte Artist i Popullit e tjetri jo, kjo nuk ka një shpjegim logjik, përpos se me afrinë apo shërbesën ndaj regjimit që i ndante titujt. Edhe Lej Feni ishte pagëzuar në Kinë si bir i popullit punonjës. Populli shihej si një “magazinë” e pafundme, që mund të mbante dhe krijimet amatore socrealiste të vartave të kulturës, poshtë të cilave shkruhej “Populli”, njëlloj si për Këngën e Gjergj Elez Alisë etj. Populli ka mbajtur aq shumë mbi kurriz, sa është “kërrusur” nga pesha të tilla, prandaj poetë, aktorë, psikologë e të tjerë disa herë kanë fshikulluar më sarkazmë: “O popull sa shumë gjëra bëhen në emrin tënd, përfshi dhe krime!”

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto mirë- apo keqpërdorime me emrin popull, këto vite ka dalë dhe togfjalëshi miklues “populli opozitar”, ku për analogji i bie të kemi dhe popullin “pozitar”, çka është krejt e pasaktë. Populli është një i vetëm, as opozitar, as jo-opozitar. Janë partitë në opozitë ose në pushtet, jo populli. Populli nuk është as revolucionar, as kundërrevolucionar. As i majtë e as i djathtë. As blu e as rozë. Nuk ka më “parti popullore”, “ekonomi popullore”, “kulturë popullore”, “drejtësi popllore”, pra, as opozitë popullore. Populli nuk është as plebishitar. Ai është sovrani pa “bishta” mbrapa…

Sado dëshirës për t’i rritur përmsat opozitare përtej opozitës, në një qeverisje autokrate të Kryeministrit aktual, formulime të tipit “populli opozitar” nuk arrijnë dot të bëjnë politikë!…

  1. Bardhezi e zi e bardhë

Ka ende vetëm një optikë në shoqërinë shqiptare, bardhë e zi, ashtu si dhe dje, dhe nuk mund të dalësh kundër kësaj, pasi do të etiketohesh, gjithëfarësoj. Përherë do të ketë individë që do të rrudhin buzet nga artikujt, statuset apo komentet e tua. Mirëpo ka njerëz që nuk vuajnë nga asnjë kompleks dhe e shprehin mendimin e tyre pa u drojtur se mund të qortohen, o nga njëra anë, o nga tjetra. Për mendimin tonë, sa më shumë intelektualë të kenë dalë nga kundraja bardhë e zi e dukurive politike, historike dhe figurave publike, të hershme e të vona, aq më e emancipuar do të jetë shoqëria.

Nuk e kanë lidhur të gjithë fatin e tyre në jetë pas dy karrove të politikës, të majtës e të djathtës, që u dashka të shohin me sytë e tyre?! Ata e kanë të shenjtë mendimin e tyre të lirë, pavarësisht se nga “vret”, duke rrezikuar të jenë të humbur nga të dy palët ideologjike. Po guxove e the diçka për Princin e vogël pa princni, për disa zëre se ke sulmuar me “top” Mbretërinë e djeshme, po përmende ndonjë partizan të Nacionalçlirimtares, të thonë se po i bën hosana diktatorit Hoxha, po fole në mbrojtje të opozitës politike, ti po çon uji në mullirin e Berishës, po ceke ndonjë punë të mirë të bërë në këtë vend nga shqiptarët, në këto dhjetë vjet, të hakërrehen se po i shërben Ramës. Jo, mor, jo, rrezja e shkimit të njerëzve pa parti e ideologji është përtej këtyre emrave dhe të tjerë si këta! As kemi marrë prej tyre tituj e grada, as poste e shpërblime financiare, asgjë që të mund të na kompromentojë, ndaj dhe nuk druhemi kur është fjala për të mbajtur qëndrim qytetar ndaj cilitdo udhëheqës të shekullit XX dhe të sotëm.

Mendimi bashkëkohor shqiptar nuk mund të mbetet peng as i mohimit absurd, as i glorifikimit ekzaltues. Ka nga ata që e duan Mbretin Zog më shumë se veten dhe të vërtetën rreth tij, siç ka nga ata që e urrejnë me urrejtjen patologjike të etërve komunistë, “trashëguar” te bijtë. Por të tjerët nuk mund të shohin si militantët me “xham” eklipsi, vetëm bardhë apo vetëm zi, sado presionit të tyre politik, publik e mediatik; sidomos institucionet, botimet akademike, shkollat, shoqëria moderne, që është jo vetëm e brezave të indoktrinuar ideologjikisht, por dhe e të rinjve jonostalgjikë, jo pak prej tyre shkolluar në Perëndim. Është qesharake sot të shohësh si gëlojnë në rrejetet sociale komisarë të vegjël moralizues, kalitur si “çeliku” në format e edukimit komunist dje, që rëndom kuturisin slogane të dëgjuara, pa pasur asgjë të veten, paçka në mbahen për të majtë apo për të djathtë.

Bardhë e zi e zi e bardhë është veçse patetikë boshe, që ushqehet nga “dijet” e fituara m’këmbë e m’dorë në internet, kur dihet që ky i fundit është si deti që ka dhe peshkun e artë dhe leshterikët…

  1. Shtylla e emrit dhe emri i shtyllës

Ai burrë i moshuar merrte kovën e vogël simpatike mbushur me ujë çezme e jo nga i kanalit që kalonte aty pranë dhe vadiste, një herë në tre ditë, një vazo të lidhur në trungun e një shtylle betoni, në majë të së cilës ishin lidhur telat e tensionit të ulët. Ti mund të habiteshe me atë vazo, që fundja pengonte dhe elektriçistët të ngjiteshin në shtyllë, kur kishte ndonjë problem me dritat. Mirëpo ajo vazo nuk ishte budallaqe të rrinte kot së koti ashtu e lidhur me rripa pas shtyllës. Ai burri që kishte qenë dikushi në jetë, në të vërtetë nuk ujiste lulet, por emrin e vet, që ishte gjithashtu në atë shtyllë i shkruar me germa kapitale në një teneqe inoksi, që e përkulte era sa herë frynte. Ajo rrugëz në periferi të qytetit kohët e fundit ishte emërtuar me emrin e tij si veteran i ushtrisë, jo se kishte marrë pjesë në ndonjë luftë të popullit shqiptar kundër pushtuesve, as në çlirimin e Tiranës më 1944, as në atë të Prishtinës më 1999, por thjeshtë se dhëndri i tij ishte këshilltar bashkiak…

Sa t’i kujtosh dikujt apo disave, se ajo shtylla elektrike, rruga, fasadat etj. janë pronë publike, dmth e popullit, dhe nuk mund të “mbathën” me lavdinë e askujt, lutu më mirë: “Ruaje Zot atë shtyllë nga e keqja, që mund t’i vijë nga ndonjë rrëbesh a ciklon”, ngaqë është në zgrip, në stomin buzë kanalit, se do të mbeteshin pa drita banorët për nja tri ditë a një javë. Dhe sidomos, mos i raftë me u divorcue ai këshilltari bashkiak me vajzën e veteranit, se atëherë do të shihje se çfarë do t’i punonte atij emrit në shtyllë ish – dhëndëri “bamirës” me mandatin e popullit!… Sa rrugë, sheshe, institucione publike kanë marrë emërtime me lobim familjar!? Bile janë vënë deri buste në qytete të ndryshme…

Të gjitha, siç mund të merret me mend, në emër të popullit të mashtruar…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok