POLITIKANËT NË KISHA E XHAMI SI TË “DELEGUAR”, PSE?!…
NGA NDUE DEDAJ
Kurrë nuk e kam kuptuar domethënien e ritualit të politikanëve, qeveritarëve, deputetëve, krybashkiakëve, prefektëve etj. në kryesitë e komuniteteve fetare në ditët e shënuara të të kremteve të mëdha, në Komunitetin Mysliman me rastin e Bajramit, në Kryegjyshatën Bektashiane në ditën e Sulltan Novruzit, në Argjipeshkvinë e Tiranës dhe Kishën Ortodokse me rastin e Pashkëve. E njëjta gjë ndodh dhe në Kosovë. Ata lirisht mund të shkojnë mes besimtarëve, si gjithë të tjerët, pa qenë nevoja e një “kostumi” zyrtar.
Kjo është njëra anë e medaljes, tjetra është se me çfarë argumenti i presin krerët e institucioneve të kultit zyrtarët e shtetit në ditë të tilla? Cili protokoll e përmban? Pastaj, pse duhet që kamerat ta përcjellin këtë ritual si një lajm, respekti i ndërsjelltë mes besimeve, harmonia dhe bashkëjetesa fetare kanë ekzistuar dhe para se të krijohej shteti dhe institucionet e tij. Pa i hyrë historisë, Pashkë e Bajram janë kremtuar dhe nën një çati ndër shqiptarë.
Kjo nuk do të thotë se njerëzit e shtetit nuk duhet të takohen me ata të fesë dhe ndërsjelltas, ka plot problematika bashkëpunimi, por dhe festa e ceremoni ku mund të takohen si anëtarë dhe aktorë të të njëjtit komunitet, pa qenë nevoja që zyrtarët të venë si të “deleguar” nga lart, në kisha e xhami, në ditët e shënuara fetare. Gjithçka në marrëdhëniet mes shtetit dhe bashkësive fetare rregullohet me ligj dhe teprimet janë një formalizëm i panevojshëm. E jo vetëm kaq, problemi komplikohet kur politikanët sapo dalin nga selitë fetare, i njohin të drejtën vetës, që në krah të mikpritësve fetarë të bëjnë deklarata publike, për paqen, integrimin, proseperitetin!?…
Është mendësi e kaluar që zyrtarët të jenë në qendër të vëmendjes së publikut kudo, dhe në stadium kur kanë shkuar si sportdashës, si gjithë të tjerët, se përndryshe do të ishin ata arbitrat…
Post scriptum. Sot, kur po i flisja për këtë status një mikut tim nga Kosova, me banim në Zvicër, ai më më tregoi këtë fabul: “Një politikan i hapësirës shqiptare, në monizëm nuk e kishte pranuar priftin për shërbesën e fundit në vdekjen e të atit, kurse në demokraci ai mori një post shumë të lartë shtetëror dhe tashmë gjendej në rreshtat e parë në kishë!?…
