18/11/2024

POLITIKA, POLICIA, DROGA DHE DËMI QË PO I SHKAKTOHET TË ARDHMES SË VENDIT

0

Nga Dritan Demiraj

Prej ditësh të gjitha mediat shqiptare me të drejtë janë përfshirë në analizën e lajmit rreth ekzekutimit të operacionit mbarëkombëtar anti-drogë ‘Tempulli’ gjatë së cilit u arrestuan 223 persona të gjithë anëtarë të rrjetit të shpërndarjes se droges në shkollat e mesme të vendit.

Kryerja e këtij operacioni padiskutim që ka të gjithë mbështetjen e publikut shqiptar, por unë mendoj se pavarësisht këtyre arrestimeve, problemet e trafikut dhe të shpërndarjes së drogës në territorin e vendit janë shumë më serioze, problematike dhe komplekse sesa kaq.

Përhapja në masë kaq ekstreme e këtij fenomeni shkatërrues për të ardhmen e rinisë së vendit, i ka padyshim rrënjët në kohën kur në Shqipëri me vetëdije të Ministrit të Brendshëm Tahiri (2014-2017) e gjithë struktura drejtuese e MPB u kthye në shërbim të saj dhe më keq se kaq të mohimit të saj në të gjitha rastet.

Në këtë këndvështrim, jam i pari drejtues i MB që mora guximin të denoncoj publikisht listën me 124 persona të cilët ishin drejtues të lartë të policisë së shtetit bashkë me kërkesën për shkarkimin e tyre, një pjesë e të cilëve vazhdojnë të jenë edhe sot në këtë strukturë të rëndësishme për sigurinë dhe rendin publik.

Këta persona në mënyrë të organizuar njëlloj me organizatat kriminale kontrollonin këtë aktivitet të paligjshëm, aktivitet i cili gjatë viteve në vazhdim është provuar dhe faktuar edhe nga shumë agjensi ligjzbatuese ndërkombëtare, pa marë parasysh që një pjesë të konsiderueshme të informacioneve e siguroja nëpërmjet bashkëpunimit me punonjësit e ndershëm të policisë së shtetit.

Opozita shqiptare në të gjitha rastet ka qënë e angazhuar në identifikimin e këtij fenomeni antiligjor madje duke denoncuar me emra personat, politikanët dhe grupet e përfshira në këtë aktivitet kriminal, por në çdo rast jo vetëm që bashkëpunimi me të nuk u pranua, por në shumë raste denoncimet e saj shumë të sakta kalonin në sarkazëm në parlament nga polikanët e papërgjegjshëm duke prodhuar kete situate ne te cilen ndodhet vendi sot.

Policia e Shtetit duhet të ishte palë me qytetarin, por fatkeqësisht ajo vazhdon të jetë palë me politikën dhe në shumë raste edhe në shërbim të krimit të organizuar.

Kjo po vërtetohet dita ditës nga informacionet që dalin çdo ditë nga SPAK, BKH dhe në media nga zbërthimi që agjensitë ligjzbatuese perëndimore i kanë bërë disa sistemeve të komunikimit të kriptuara përfshirë këtu edhe Sky.

Është i papranueshëm, niveli i inkriminimit dhe i bashkëpunimit të disa drejtuesve të policisë kriminale, shefave të komisariate, oficerëve të policisë në qarqe me krimin nëpërmjet dhënies së informacioneve grupeve të caktuara kriminale kundër grupeve të tyre kundërshtare, rreth informacioneve nëpërmjet sistemit TIMS per levizjet e tyre jashte vendit, nëpërmjet përgjimeve telefonike dhe ambientale, informacioneve të grumbulluara nga policia kriminale dhe agjentët në terren në shkëmbim të shumave deri në 100.000 Euro dhe përsëri një pjesë e tyre të vazhdojnë të jenë pjesë e Policisë së Shtetit për shkak të lidhjeve politike apo ‘kontributit’ që kanë dhënë për blerjen e votave gjatë fushatave elektorale.

Drejtorin e Përgjithshëm të policisë z. Rrumbullaku e njoh personalisht. Të gjithë kolegët e tij e njohin si njeri me integritet të lartë dhe profesionist në fushën e drejtimit të policisë. Por të gjithë e dimë se duart e drejtorit janë të lidhura, për sa kohë që politika në të gjitha rastet e urdhëron drejtorin për çdo emërim ku ata kanë interesin e tyre.

Personalisht e rendis veten tek personat publikë që në çdo rast e kam vlerësuar, mbështetur, motivuar punën e palodhur dhe sakrificën e shumë efektivëve të Policisë së Shtetit, aq me teper se ne dallim nga ish ministration e tjere kam qene njeri prej tyre, por mendoj se për kohët e vështira dhe problematikën komplekse që po kalojmë, aksionet me qëllim propagandën nga qeveria nuk sjellin asgjë pozitive në rritjen e kontrollit të territorit, luftën kundër grupeve trafikante të drogës dhe të krimit të organizuar.

Në rast se policia e shtetit dhe strukturat e saj do të godasin rrjetet e trafikut të drogës që kalojnë në Elbasan, rrjetet e kokainës nga porti i Durrësit, porti i Vlorës, rrjetin e trafikut në Shkodër dhe drejtuesit  e tyre te cilet policia i njeh shume mire, atëherë kjo do të ishte prova më e qartë se policia është e aftë, e pastër dhe e pavarur në punën e saj. Për sa kohë që ajo nuk ‘guxon’ të ekzekutojë goditje të kësaj shkalle, atëherë arrestimet e shpëndarësve të rrugës nuk do të sjellin asnjë efekt pasi ata do të zëvendësohen të nesërmen nga ‘bosët’ e mëdhenj.

Është e papranueshme dhe e pafalshme që arrestimet e personave kryesorë dhe ‘kokave të mëdha’ të trafikut të drogës në Europë dhe Amerikën Latine bëhen vetëm jashtë shtetit. Policia e Shtetit edhe pse i ka të gjitha strukturat, kapacitetet dhe ekspertizën që të jetë shumë herë më e suksesshme, është e dështuar dhe nuk ka guxim që të arrestojë njerëz të cilët fatkeqesisht kanë ‘sponsorizuar’ fushata të caktuara elektorale në zona të ndryshme të vendit. Dhe në këtë drejtim, padiskutim fajin e ka ndërhyrja e paligjshme e politikës në punën e saj.

Në këtë fazë në të cilën ndodhet vendi jonë, mendoj se policia e shtetit po lë gjurmë negative, pasi paaftësia e saj për të realizuar misionin e saj kushtetutes do të jetë me pasoja negative për të ardhmen e shoqërisë dhe të rinisë së vendit.

Ka ardhur koha që politika të distancohet nga aktiviteti dhe misioni i shenjtë i institucioneve të drejtësisë dhe forcave të zbatimit të ligjit, duke mbështetur jo vetëm për propagandë sistemin e drejtësisë, gjykatat, prokurorinë dhe policinë e shtetit, por me përgjegjësinë që kërkon misioni i tyre me qëllim ndërtimin më në fund të një shteti ligjor dhe të gatshëm për t’u integruar sa më parë në gjirin e BE-së.

Si përfundim, vlerësoj dhe mbështes plotësisht punën e palodhur të qindra efektivëve të ndershëm të Polisisë së Shtetit dhe jam besimplotë se në rast se nga radhët e saj largohen personat e inkrimimuar dhe patronazhistët, rezultatet e saj do të ishin edhe më të larta se në shumë vende më të zhvilluara se vendi jonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok