18/01/2025

POLIFONIA FEMËRORE NË LETËRSINË E AUTORES VJOLLCA ALIAJ

0
Vjollca-Aliaj-Libra

Dy fjalë për vëllimin me poezi “Qëndisur me fije dielli” dhe librin “Njeriu lind si një ditë e bukur” – prozë e shkurtër: skica letrare, tregime, ese

Nga Albert HABAZAJ

Poetët janë njerëzit më të mirë në botë. Ndërsa poeteshat, veçmas ato që spikasin në letërsinë artistike dhe estetike, janë më të mirat fare; aq më tepër kur ato fisnike shkrimore janë zonja, nëna, gjyshe…

Gjerdanin e bukur shkrimor që feks në letërsinë që prodhohet në Vlorë e zbukuron sidomos letërsia femërore, që vërtet e stolis kraharorin e qytetit.

Një nga synimet fisnike të shoqërisë sonë letraro-kulturore artistike është përurimi i letërsisë së mirë të miqve tanë të penës, ku veçojmë edhe përurimin e disa poeteshave dhe shkrimtareve të Vlorës.

Sot është dita e poetes lirike dhe shkrimtares Vjollca Aliaj dhe ne, me respekt për penën dhe kënaqësi për vlerat, që përçon autorja, po i organizojmë këtë festë letrare të thjeshtë, por të pastër e me shpirt, që na duket si një “qëndisje me fije dielli”, siç thotë Vjollca në një poezi lakonike.

Në parantezë, dua të përmend se nuk është veprimtaria e parë që ne bëjmë me Lidhjen Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve, “PEGASI” Albania, dhe për këtë unë gjej rastin të falënderoj z. Kristaq F. Shabani, jo vetëm si koleg e dashamirës, por për angazhimin e tij si President i Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve, “PEGASI” Albania, botues i Lidhjes së Krijuesve “PEGASI”, realizues i përkushtuar dhe I dalluar me prezencë krijuese, analitiko-studiuese në tryeza të rrumbullakta, konferenca, simpoziume, deri në Kongres letërsie. Kristaqi spikas me botime të shumta në mjaft gjini, është anëtar nderi i disa lidhjeve shkrimtarësh dhe akademive  të  shumë vendeve të tjera të Botës. Ndërkohë, është ideator i funksionimit të Akademisë Alternative Pegasiane, në të cilën marrin pjesë profesorë, akademikë, studiues, artisë me nivel dhe të spikatur në Trojet shqiptare dhe nga Bota.

Ndërkohë, Kristaq Shabani është redaktor i 2 librave që ka botuar deri më sot autorja Vjollca Aliaj.

Vjollca Qemal Hysaj Aliaj është një qytetare vlonjate, me gjenetikë të kulluar, si nga dera e babës, dhe nga dera e burrit, ku ndezi zjarrin në tokë e në det. Ajo është një atdhetare e dalluar, veprimtare e angazhuar, që i shërben dukshëm emancipimit të shoqërisë’ dhe edukimit estetik, moral dhe kulturor me jetën e saj vetiake, familjare dhe me letërsinë e kursyer që thur e meriton vëmendje. Vjollca është një zonjë e lexuar, e cila studimet e e larta nuk i ka kryer për Letërsi, por  në Fakultetin Ekonomik, për Ekonomi Industriale. Sa mirë ka rastitur për të kjo mundësi! Më ravijëzohet, jo thjesht formalisht, potreti i saj si një bulëzim i formimit universitar të Fatos Arapit.

Si në poezi, edhe në prozë, autorja Vjollca Aliaj e njeh dhe e respekton ekonominë e fjalës, strukturën e poezisë moderne dhe me pak vargje shpreh shumë ndjenja e mendime.

Ngaqë redaktori i të dy librave, autori i të dy teksteve shtesë, siç quhen parathëniet në shkencën e bibliotekonomisë, unikali në llojin e vetë, Kristaq Shabani bëri një vështrim analitik të thukët, unë do të shpreh vetëm 2-3 mbresa për autoren. Vjollca Aliaj, së pari dhe së fundmi, është një poete e dashurisë në të gjitha kuptimet e bukura të saj. Vëllimin e parë me poezi “Qëndisur me fije dielli” (ç’titull i mrekullueshëm metaforik, që sdo të na shqitet nga kujtesa) ia kushton më të shtrenjtëve të saj, burrit të saj ushtarakut të lartë, diplomatit, publicistit, ish-prefektit të Gjirokastrës,  njeriut me kulturë Astrit Kareman Aliaj, si dhe dy çupave të tyre aq të mira: Alketës dhe Dorelës. Po me ç’mjaltë shpirti e mbush vjershën “Të panjohurat e Nënujërave, Mbiujërave”, kushtuar babait të saj – komandantit të Sazanit dhe Karaburunit. Dhe në fund të poezisë shkruan: “IM AT’ dhe Deti”, një legjendë!/ hej, Hemingëay!/ Duhesh ti!”. Në një poezi tjetër, aq simbolike të titulluar “Simfoni Gruaje” në vetëm këto 8 vargje: “Çfarë sheh tek ne?/  Është një buzëqeshje/ qëndisur me fije dielli,/ E freskët do të jetë dhe nesër,/ por, kjo që dëgjon/ është këngë dashurie,/ këngë gruaje,/ rron përjetësisht…”, Vjollca ka gdhendur një monument lirik të veçantë për gruan. Ajo lufton shumë për emancipimin e gruas jo vetëm me penë, por me angazhimin e saj dinjitoz si kryetare e Shoqatës “Laskarina Bubulina” – Gratë e Detarëve Shqiptarë (GDSH), falë dhe mbështetjes së fuqishme të bashkëshortit, djalit të Vlorës e komandantit të zgalemëve të detit Astrit Aliaj, si dhe përkrahjes me zemër që i bëjnë simotrat e shoqërisë që drejton.

Vjollca është e përfshirë në disa antologji poetike, prozaike, si dhe rrëfimtarie, por libri “Njeriu lind si një ditë e bukur” është i dyti me firmën e saj, që vjen si një ndihmesë modeste në fushën e prozës së shkurtër me skica letrare, tregime dhe ese. Edhe në këtë libër me prozë ajo shfaqet natyrshëm e pa sforco si poete me konceptim të ri, të bukur, të lartë e letrarisht fisnik për jetën, për dashurinë, për vijimin e saj të denjë.

Në këtë libër, ajo paraqitet edhe me statusin e gjyshes, dhe këtë shportë me lule shkrimore ia kushton nipit Giorgio Alessandro Emanuele.

Prozat poetike të Vjollcës më nxjerrin mallin e Nonda Bulkës, por, patjetër, ndërtuar me një frymë të re, mbushur me dritë të ngrohtë, plot hapësirë dashurie, kthjelltësi mendimi, pranverë ndjenjash, që na dhuron kalendarin e jetës së vërtetë të njeriut, jo qaraman, jo të zymtë, të keq e të egër, por atij optimistit, qytetarit, të mirit, të qeshurit, njeriut të bukur në mision e në mesazhe. Ashtu sikurse bleta punëtore, që mbledh nektarin e luleve për mjaltin e kosheres, edhe Vjollca ka mbledhur nga shoqëria vlerat, virtytet, traditat më të mira, dijen, edukatën, mirësinë me frymëmarrje, mbresat e gjalla, të thella e të forta të jetës, diellin e librave të mirë të bibliotekave të pasura, “njeriun, që lind si një ditë e bukur” për të kënaqur shijet artistike dhe estetike të lexuesit.

Nuk mund të zgjatem më tepër, jo se nuk dëshiroj e s’mundem, por se program duhet respektuar dhe t’u lëmë radhë të tjerëve të thotë mendimet dhe urimet e tyre.

Veç një gjë dua ta shpreh, se një nga mesazhet më të forta të librit dhe patjetër të autores, (se libri është jeta e saj), unë e mora tek proza e vogël drithëruese “Me Bukovskin” e famshëm, ku shkrimtarja jonë bën këtë reflektim, tek ndalet në fëmijërinë e saj, pasi lexoi romanin e katërt të Bukovskit “Bukë me sallam”: “Nëse, do ta kujtoja gjënë më të bukur prej saj, do të përmendja praninë e prindërve në çdo moment”. Sidomos sot, kur ndjehet shumë ashpërsi, vrazhdësi, ç’ekuilibrim, skizofreni psikopateske, dhunë, sëmundje morale, dhimbje e infeksion në edukimin e fëmijve, duhet të pijmë ujë të kulluar në gurrën e kthjellët të edukimit të prindërve prurë me dinjitet në bashkëkohësi.

Udha e Letërsisë është e bukur se ka mozaik shkrimor, dhe të gjithë ne, guximtarët e lindur për fjalën e bukur letrare dhe që dimë ta mbajmë jemi në udhëtim, secili në korsinë e vetë. Kjo Udha e e Letërsisë më sjell imazhin e rrugëve automobilistike të qytetit, në të cilat nuk qarkullojnë vetëm veturat luksoze, autobuzat e makinat e rënda, por edhe biçikletat e bukura aq të këndshme dhe të dobishme.

Vjolla, të faleminderit, se, si një amvisë e zonja e fjalës na ke dhuruar një letërsi të mirë!

Jetë të gjatë dhe pena flori!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok