23/12/2024
Flora-Kastrati-Policia

(Flora Sela – Kastrati: POLICIA LETRARE, botoi Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar – Shkup, 2019)

NGA KALOSH ҪELIKU

Flora Sela – Kastrati (1961 – 2018), lindi në Strugë më 6 gusht 1961. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Studimet Filozofi – Sociologji në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik. Në Universitetin e Zagrebit (Kroaci), me sukses e mbrojti temën e magjistraturës “Pikëpamjet e Korshit mbi historinë” dhe fitoi titullin Magjistër i shkencave shoqërore – humanitare nga filozofia bashkëkohore. Gjatë vitit akademik 2000 – 2001, ka kryer specializim në Institutin Ndërkombëtar për administratë publike në Paris (Francë) në lëminë e administratës publike dhe diplomacisë. Në vitin 2007 e mbrojti tezën e doktoraturës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” (Shkup), në Institutin për kërkime Sociologjike Politike e Juridike, në temën: Zhvillimi i demokracisë lokale dhe bashkëpunimit ndërkufitar sipas standardeve të Këshillit të Evropës. Flora Sela – Kastrati e zotëron rrjedhshëm gjuhën angleze dhe gjuhën frënge, ndërsa në periudhën prej vitit 1982 – 1992 ka punuar si asistente, e më vonë si ligjëruese në Fakultetin Filozofik, Universiteti i Prishtinës. Nga viti 1994 – 1997, Flora Sela – Kastrati ka punuar si mësimdhënëse e filozofisë në Universitetin e Tetovës, Fakulteti Pedagogjik. Në vitin 1999 – 2005 ka punuar në Ministrinë e Pushtetit Lokal në Shkup, në pozitën e Shefit të kabinetit dhe ka ushtruar detyrën e udhëheqësit të Sektorit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ka qenë përfaqësuese e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Veriut në Komitetin e përhershëm për demokraci lokale dhe rajonale si dhe përfaqësuese në Paktin për Stabilitet në kuadër të tryezës së parë të rrumbullakët: Demokracia dhe të drejtat e njeriut.

Flora Sela – Kastrati ka publikuar artikuj të ndryshëm shkencorë nga fusha e filozofisë, Sociologjisë, Etnokulturës, për të mos përmendur numrin e panumurt të botimeve mbi Barazinë Gjinore, si dhe një numër të punimeve të ndryshme që prekin tema aktuale si dhe ka marrë pjesë në seminare dhe konferenca të ndryshme ndërkombëtare duke patur paraqitje rreth temave që lidhen me demokracinë dhe reformat e pushtetit lokal. Përveç botimeve shkencore, ka botuar edhe libra me poezi në gjuhën shqipe dhe frënge: Entre l`amitie et l`amour e publikuar edhe në gjuhen shqipe (2003), Heu po  më çmend ky infuzion (poezi, 2007), Vazhdoj ta kërkoj të nesërmen ( poezi, 2009 ), Borë në mars (studim letrar, 2011), Burrë e kam Liqenin (poezi, 2011) dhe Policia letrare (studim letrar, 2019). Ka punuar si mësimdhënëse e lëndëve Filozofike dhe Socilogjike në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fakultetin Filozofik dhe në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.

Në kohën e komunizmit, në periudhën më famëkeqe për shqiptarët e Jugosllavisё, kishim komunistё… Ballistё… Spiunë… Patriotë… Oportunistë…“Shqiptarë të ndershëm”… Nacionalistё… Irredenistё… Separatistё… Dhe, “armiqë të rrezikshëm” brez pas brezi të shtetit.

Tashti në “demokraci”, kemi vetëm “patriotë kuqezi”. Edhe atë: “pëllumba postier”, që në mes të ditës na i flukin kopilat pas dere. Fatkeqësia më e madhe: na i hudhin “vëllezërit” e Njerkës, e jo vetë si shqiptarë. E mua, sot më ka marrë malli për spiunë… “Shqiptarë të ndershëm”… Rrufjanë… Jo, se tashti nuk i kemi prezentë në këtë shoqëri “demokratike” neokomuniste… Shtet policor… Parti politike… Institucione të shtetit “përbashkët”… Universitete shtetёror e privat… Shkolla… Drejtori të manifestimeve kulturore… Mjete të informacionit… Gazeta të varura e të “pavarura”… Internet… Libra… I kemi, si nuk i kemi. Edhe atë, me shumicë e pakicë, si patate tё kalbura nёpër tezga në  “Bit – Pazar”… E thotë me plot gojën mes faqeve të këtij libri Flora Sela – Kastrati. Përçudi, mes këtyre faqeve, papritmas edhe dëshprohet si autore. Thotë: Po, tashti të gjithë e kanë vënë maskën e patriotit. Kësulën e bardhë në kokë. Flamurin kuqezi në dorë para fushatave parazgjedhore për pushtet argati.

Shkurt, gjatë ndryshimeve demokratike brenda natës u shndërruan në kamelonë. E kanë ndërruar ngjyrën, po jo edhe veprimet politike – “patriotike”… Hujin e vjetër legjendar brez pas brezi si spiunë të Policisë Letrare…

Përditë i sheh nëpër mitingjet e partive politike… Zbulimin e përmendoreve të dëshmorëve të Luftës së fundit (2001)… Pёrpara kёmbёve tё Hoxhёs me tespi kuqezi nё xhami… Debate televizive… Emisione dokumentar të dramatizuar në MTV, që për nga “patriotizmi” e kalojnë edhe Skënderbeun, Ismail Qemalin, Bajram Currin, Isё Boletinin, Fan Nolin, Hasan Prishtinën, Kalosh Zajazin, Sulltanё Qafёn, Azem e Shotë Galicën, Adem Jasharin…

Fatkeqësisht, shkruan në këtë libër autorja krekosen, luajnë role të të përndjekurve politik, aq shumë të “përvuajtur” në kohën e komunizmit, si: politikanё, “analistë” politik, poetё, gazetarë, redaktorë e profesorë universiteti… Lotët u shkojnë rrëke pёr faqe, sa që edhe ne që i kemi njohur në atë kohë të “artë” komuniste, i njohim edhe sot, na dhimbsen si “viktima” të komunizmit… Ndonjërin, e shohim tё dalё nё fushёn e mejdanit edhe me ndonjë libër kuqezi me vjersha patetike, ku u këndon prijësve të UÇK -ës… Komandantëve të luftës, tё gjallё e tё vdekur duke i radhitur njëri pas tjetrit me vargjet “antologjike” në libër: “Të gjithë këta burra do të hyjnë në histori/ e dhanë jetën për liri…”

Përmëkeq, vazhdon autorja: E ngrejnë lartё nё qiell zërin për liri… Flamurin kuqezi… Gjuhë shqipe… Kosovë… Shqypni Etnike… E vrasin dhe e presin shkaun… Shkinat… Mezi i zbresim nga bina… Foltoret… Emisionet televizive… Faqet e gazetave… Portalet elektronike… Gjakun e derdhin lumё… E heqin veten si te ajo kёnga popullore: Kaçanikut i raftё pika/ nuk e di çka asht frika/ nantё sahat u ther me thika/… Jetën e “japin” për liri e Shqipëri Etnike.

Dhe, të nesërmen nga ky zjarr i ndezur tymeflakë nga “patriotët” e këtij soji shkruan autorja: Intelektuali i Rrejshëm i Tun Batunit nёpёr oda, koncerte e manifestime kulturore të politizuara deri në palcë, nё sallё e bënë “kalemin” copë-copë… Zjarr nxjerrë nga goja… E ka nxjerrë shpatën e Skёnderbeut nga brezi… Topin e Mic Sokolit për liri… Dy koburet e Isё Boletinit… Mauzerrin e Kalosh Zajazit… Martinën e Shotë Galicës… Gërshërët e dhenëve të Sulltanë Qafës… Mitralozin me dy këmbë të Adem Jasharit… E bёn në sallë Shqypni Etnike.

Krijuesi shqiptar vazhdon Flora Sela – Kastrati, edhe pse jeton nё kushtet mё tё vёshtira dhe tё ashpёrsuara deri nё pikёn kritike, pёrsёri nuk mund tё rri anash pa u rrokur fytas me trusakatёt, pseudoshkenctarёt dhe intelektualёt e rrejshёm. Ose, me Policinë Letrare qё i kanё hipur Rosinantit dhe trillojnё akuza nga ato mё tё rёndat se, gjoja i kemi tё gjitha institucionet, nga çerdhet e fёmijёve e deri te universitetet edhe nëpër katunde: gazetat e “pavarura” të pёrdtishme, shtёpitё botuese, Teatrin Shqiptar, Radiotelevizionin Shqiptar, Institutin “Pjetёr Bogdani”, Muzetё e “Lirisё”, Muzeun e Alfabetit…

Edhe mes faqeve të këtij libri e pyet veten: Vallё, a mund t’i mbyllё sytё krijuesi disident shqiptar para gjithё kёsaj propagande dhe dhune tё mediokritetit, qё e sakatojnë pa mёshirё arsimin dhe kulturёn shiptare? Jo. Ama, si t’u ndalet turri kёtyre Don Kishotёve shqiptar e Sanço Pançove, qё e vazhdojnё sulmin po me tё njёjtat metoda komuniste, duke i thelluar masat antishqiptare të krijuesëve të “rrezikshëm”, kur shqiptarёt afirmohen nёn parullёn demagogjike tё barazisё sё plotё kombёtare “vёllazёrim – bashkimit”, ndonse kёtё parullё mashtruese tanimë e ka kuptuar i gjithё populli shqiptar?! Përgjigjet, dikur me ironi mes atyre faqeve të librit: Me: punё – punё natё e ditё, qё tё shohim pakёz dritё, siç ka thënë dikur Naimi. E, a ka punuar krijuesi shqiptar natё e ditё? Me siguri po. Atёherё, pse Maqedonia e Veriut sovrane ёshtё Trekёndshi i Bermudeve, nuk e afron krijuesin shqiptar, nuk e merr pranё vetes nё gji si nëna të birin? E di vetёm njё gjё, fillon të zmerohet autorja, se: fushata e organizuar mirё nga aparati burokratik (Policia Letrare), gjeti edhe mё fuqishёm shprehje mu nё demokracinё e temrrshme Neokomuniste. Krijuesit shqiptar nuk i ofrohet pёrsёri vendi i merituar i punёs, nuk e thёrrasin nёpёr tryezat e rrumbullakta për debate, nuk e ftojnё nёpёr simpoziume shkencore, manifestime kulturore, nё pёrurimin e librave… Me sopatёn e madhe: fshehtas shtypin rebelimin e ideve tё tyre dhe i dёnojnë tё punojnё, tё marrin frymё jashtё institucioneve shtetёrore. Ndonjërin si tё padёgjueshёm e degdis dhe e dёnon edhe mё tej tё punoj si shkrimtar me profesion tё lirё, i cili tashmё nuk do t’i shpёtojё as edhe cenzurёs partiake, ndjekjes frontale nga gjysmakёt dhe gjysmanalfabetёt (shkrimtarёt e vetёquajtur) të punësuar si intelektualё të rrejshёm nëpër universitete dhe komunistёt e arratisur nёpёr parti politike, unione dhe shoqata neokomuniste. Vetёm, fatkeqёsisht partia nuk tё bёnё shkrimtar, e thotë autorja në kulm të zemërimit. Trusakati melez kёtё e kuptoi shumё vonё, kur e pёrzunё nga radhёt e veta me njё shqelm bythёve tё gjitha partitё politike shqiptare dhe, kur e kuptoi se nuk ia ka dhёnё Zoti dhuntinё e shkrimtarit, tymeflakё nxorri ngado. Tёrbimi, kalemxhiut melez ia ka krimbur trutё, qorruar tё dy sytё nё ballё. Fajin e kёrkon nё komunizёm, demokraci si argat partiak brez pas brezi, e harron se ёshtё pa talent, i zhveshur lakuriq nga vlerat e arrira artistike. I papjekur ende jeshil, si kungull Stambolli mes avlive tё Pёrtejzallit. Kalemxhi me brekё tё arnuara arnё mbi arnё nёpёr parti politike. Mosmirёnjohёs ndaj partisё politike, qё sё paku pёr “vlerat artistike” qё i ka, i dha njё torbё taxhi, e punёsoi si “pëllumb postier” province tё mos vdes edhe pёr bukёn e gojёs. Tekefundit, asaj edhe duhet thёnё felemnderit për punësimin e këtij partizani partiak, unikat në Historinë e Letërsisë Shqiptare. Te ne në Katund thonë: ha bukën dhe përmbys kupën.

Durim “burra të kalemit”, dikur u thotë autorja nga mesi i librit: mos qani pse nuk mund tё bёheni shkrimtarë të mëdhenj brenda një nate! Edhe shumё tё tjerё si ju nuk ia kanё arritur qёllimit, po si ju nuk vajtuan, nuk derdhёn lotё, nuk u tёrbuan duke shpifur e hedhur gurё e dru mbi shkrimtarёt e talentuar qё posedojnё dhunti hyjnore. Ose, pёr sojin e kalemxhiut melez, janё profetё. E di edhe se ju nuk keni faj, fajin e ka partia qё u dalldisi me taxhi se, ju mund tё bёheni njё ditё edhe shkrimtarë. Po, edhe ajo nuk ka gjithaq faj. Shkaku, se: nuk e ka ditur se nga e keni genin ju si fis i Askushit. Nuk ka kjo rёndёsi, po ka rёndёsi se artin nuk e keni nё shpirt, nё gjak. Nuk u japin gji juve Tri Zana tё maleve nën Rrap. Fuqi pёr luftё si Mujit e Halilit për të hipur në Baba Tomor. Prandaj, mos e pritni mё Muzёn qё u takon bejlerёve e aristokratёve kryengritës, kthehuni te puna e “pëllumbit postier” (Policisë Letrare) nё Katund, ose argatit qё e keni trashёgim nga babai brez pas brezi!

Vёshtirё sipas Flora Sela – Kastratit, nuk e ka tipi i krijuesit shurdhmemec, i cili do tё pёlqejё rehatinё, kolltukun dhe vendin e merituar tё punёs nё Qeveri, Ministri, ose nё redaksi tё gazetave të “pavarura” dhe radiotelevizioneve partiake, duke u kёnduar himne e duke u duartrokitur neokomunistёve tё arratisur mbi shpinën e “Kalit të Shemës” pas porte, strehuar nёpёr parti politike, unione e shoqata “humanitare”.

Tipi tjetёr i krijuesit servil me shokё, kur ta lypё nevoja (sa herё qё t’i thotё partia), do t’ia ndёrsejё kёlyshёt e tёrbuar me zgjebe tinёz pas shpine shkrimtarit rrebel, dhe herё pas here do tё shkruaj ilahi pёr “Ramaznin” nё faqe tё parё nёpёr gazeta fetare, do tё bёjё intervista me veteranё fetarё pёr hapjen e medreseve dhe ndёrtimin e xhamive me dy e katёr minare nёpёr Maqedoninë e Veriut, sa herё qё ta dojё policia fetare, tash “me Zotin pёrpara” nёn moton e “demokracisё: tolerancë fetare”… Edhe atё, nё kёtё kohё kur fёmijёt tanё nuk kanё godina shkollore, libra gjatё kёtij viti shkollor qё ёshtё nё ikje, dhe atij tё Riut qё vjen me thes tё arnuar i zbrazёt nё krah pa dhurata arsimore.

E, tё mjerёt, pyet autorja?! Fatkeqёsisht, ende vazhdojnё tё jenё nёn fronin e shёrbimit direkt tё shefave tё Vetёshёrbimit tё mallit “kulturor dramaturgjik” nё “Bit – Pazar”, tё cilёt, mё shumё se aparati i specializuar pёr ndjekjen e ideve, me ndihmёn e partive politike shqiptare i mbajnё ende frerёt e cenzurёs sё fshehtё tё vlerave ideoartistike.

E gjithё kjo, vazhdon autorja, tregon se, krijuesi shqiptar i Maqedonisë Veriut ёshtё ende i ndjekur, i reduktuar nё minimum, duke ia mbyllur tё gjitha dyert e “Qendrёs tregtare”. Vetёm jo, edhe kёlyshmelezi me shokё. Nuk duhet harruar kёtu pa i pёrmendur edhe mashat e tyre – kёlyshёt me zgjebe, qё brenda njё dite i luajnё disa role: edhe tё politikanit, “analistit” politik, edhe tё patriotit, edhe tё shkrimtarit… E pas tyre edhe kritikun e “Mёmёdheut të tabanit kombëtar” DoktorZiun, qё natё e ditё i mbanё gjallё nёpёr mjetet e informacionit si shkrimtarё me perspektivё, qё kёta mё nё fund ta propozojnё nёpёr komisione tё Qeverisё, Parti Politike, universitete edhe si anёtarё komisioni nё ndarjen e çmimeve tradicionale nё nivel republikan. Dihet, pasi këta këlyshë me zgjebe ta kenё arnuar me shumё mundime ndonjё libёr teknefes, i kanё shkruar njёri – tjetrit “letra dashurie” në mjetet e “pavarura” të informacionit.

Natё e ditё çirren sa munden nёpёr gazeta, internet e dritare të radiotelevizioneve të “pavarura” kёta “burra” tё pushkёs e penёs pёr demokraci, arsim, art e kulturё. Nuk njohin kufij, as mure nё Bashkimin Evropian. E harrojnё se pёrsёri si dje, edhe sot rrinё me armë në dorë nё pusi pas porte, tinëz t’ia ndёrsejnё pas shpine kёlyshmelezin krijuesit rrebel shqiptar.

Ajme, kёta “gjeni” liberatorё, do tё bёrtiste, po tё ishte gjallё Fan Noli. E unё do tё vazhdoj po me vargjet e Nolit tё madh: “Ku e lam e ku na mbeti, Vaj Vatani e mjer mileti”?! Edhe kёtё Vit tё Ri: në duart e komunsitёve tё arratisur, intelektualve tё rrejshёm, eksponentёve tё “vёllazёrim – bashkimit”, shefave tё Shtёpisё publike, kёlyshёve me zgjebe, kalorёsve tё arratisur nëpr parti politke e institucione shtetërore… Qё, nёpёr betejat e “pёrgjakshme” pёr liri edhe nesёr si dje, tё brohorisin nёpёr foltore: “ja vdekje – ja liri”, tё cilёt turren tё ulen nё rendin e parё, para kёmbёve tё hoxhёs me tespihe kuqezi t’i luten “Allahut” për mëkate…

Flora Sela – Kastrati e di edhe këtë “trim mbi trima”, që ndoshta nuk e njihni ju si lexues besnik në barkun e “Kalit të Trojës” nëpër “Bit – Pazar”. E thotë me plot gojën se, atë ditë kur Disidenti ia ngriti “Kalit të Trojës” bishtin në librin: “Kali i Trojës” nëpër “Bit-Pazar” (1994), edhe Hoxha i “Allahut” hyri heroikisht me shokë në bark të kalit. “Kalin e Trojës”, atë ditë na e lanë “vëllezërit” e Njerkës pas porte, në “Bit – Pazar”. DoktorZiu tinëz doli pasmesnate, e tërhoqi për freri dhe na e futi kalin e drurit me gjithë “patriotë” kuqezi brenda në Qytet.

Është mirë që në libër i njohët si “patriotë” melezë, e ngre zërin në këtë libër autorja. Dhe, fitore e madhe që nuk i  takuat nëpër “Bit – Pazar” duke i përdredhur vithet. I shihni për çdo ditë në syrret në gazetën e tyre të “pavrur” partiake. Edhe në kolumnat e tyre patetike teknefese krah për krahu me Tellallen e Nënës Parti. Edhe njëherë përsëritem: mirë që u njohët në këtë libër me këta “patriotë” melez, që luftojnë për Shqipëri Etnike. Vërtetë, duhet të jeni të lumtur dhe t’i falemnderoheni Zotit.

Dhe, çka u duhet ta njihni DoktorZiun?! E pyet lexuesin mes këtyre faqeve të këtij libri. Edhe pyet, edhe vetë përgjigjet: I dëmshëm për familje. I dëmshëm për shoqërinë. I dëmshëm për letërsinë. I dëmshëm për Shqipëri Etnike… I dëmshëm për Bashkimin Evropian…

E kush është, DoktorZiu?!

DoktorZiu, është shkrimtar Oborri. Gazetar partie. Publicist Qeverie. “Analist” politik. Politikan. Rrufjan. Dumdum i Partisë Komuniste në atë kohë, i shëtitur nëpër institucione dhe redaksi komuniste, e sot maz-plak i Partive Politike Shqiptare, që na e polli “Kali Trojës”, gjatë Natës së Madhe “demokratike”, në “Bit – Pazar”.

DoktorZiu, sot u ndërsehet Partive Politke Shqiptare, kur nuk i japin ndonjë post zëvendës drejtori. Ministër në Qeveri. U ndërsehet manifestimeve tona kulturore shqiptare. Revistave letrare. Shkrimtarëve shqiptar disidentë duke i denoncuar te “vëllezërit” si të rrezikshëm për shoqërinë. Dhe, Shtetin e “përbashkët demokratik”.

E ka thënë një herë populli. Dhe, nuk kam çka t’i shtoj unë më tepër kësaj mençurie popullore kaq të përkryer: Qeni i keq ta sjell ujkun në Shtëpi. Vetëm, “patriotëve” të Partisë, mund t’u shes dushk për gogëla. Vërtetë, janë gjysëmanalfabetë. Nuk e di, a posedojnë sipas meritave të Policisë Letrare ndonjë diplomë të shkollës së mesme, apo jo. DoktorZiun e di, i ka kryer sa për bela nja tre vjet shkollë policore në gjuhën e “vëllezërve” të Njerkës. Është shkollë e Beogradit. Nuk është rritë me librat e rilindasëve tanë në Shtëpi. Dhe, kurrë nuk i ka mësuar vjershat e tyre përmendësh nën hijen e Lisit midis livadhit ose në shkollë. Edhe kjo nuk ka rëndësi. Mjerim kombëtar.

Vërtetë, më vjen keq për këta kalemxhinj, që përpiqen dhe shterzojnë si lopa kur e pjellë viçin, t’i hedhin dy – tri fjalë bashkë në gazetën e tyre të “pavarur” partiake. Vështirë e kam, edhe t’i fajësoj më tepër, fajin e ka “pasur” Policia Letrare. Sistemi i atëhershëm komunist dhe sot Neokomunist, që i ka mashtruar me një torbë taxhi në shkollat policore të “vëllezërve” me gjuhën e perspektivës, ardhmërisë së rrejshme socialiste.

Autorja në këtë libër ngre zërin, e thotë mendimin e kritikut për Intelektualin e Rrejshëm të dështuar në letërsi, me të cilin nuk jemi pajtuar dje, nuk pajtohemi sot dhe nuk do të pajtohemi as Nesër. Një: nga shkaku se kemi menduar se atij një ditë do t’i ngihet syri. Dy: do të pendohet për mëkatet e bëra dhe, tre: do të bjerë në “din e iman”, siç thonë edhe “vëllezërit mysliman”… Shkurt, do të heshtë, do të pajtohet me fatin e humbjes së fushëbetejës dhe do të tërhiqet atje ku e ka vendin në shtrat, me “plot plagë në trup” të presë pleqërinë… Zonjën Vdekje. Po, me që asnjëra nga këto të tria nuk ndodhi me këtë Intelektual të Rrejshëm, ngase ai kohën e fundit na doli në skenë edhe me maskën e patrioti kuqezi, ja shkaku thotë autorja që isha e detyruar, ngase ndjeva njëfarë përgjegjësie morale, përsëri të rrok lapsin ta zhveshi lakuriq këmbekokë në këtë libër… Edhe një herë mëngët i përveshi deri në bërryla… Lapsin nxorri nga brezi… Lexuesve besnikë, të cilëve gjithmonë është përpjekur t’ua thotë të vërtetën edhe kësaj radhe t’u dalë borxhit me këtë libër. Edhe pse, autorja ç’është e vërteta, Intelektuain e Rrejshëm e ka marrë herë pas here si personazh negativ nëpër krijimet e saja letrare edhe në kohë më të vështira dhe e ka zhveshur para syve tuaj krejt pis e lakuriq. Vetëm se, Intelektuali i Rrejshëm si duket, nuk lexon gazeta, libra, nga karrierizmi i janë terruar sytë. Ose, kur është fjala për këto shkrime, i fut gishtat në veshë, bëhet i shurdhmemec, e merr gjumi dimror. Megjithëse, pa i lexuar ato, vite me radhë ka ditur t’i denoncojë dhe t’i shpallë krijuesit rrebel si nacionalistë, separatistë e irredentistë. E vazhdon hujin e vjetër, edhe pse herë pas here e ndërron qimen. Pse?

Intelektuali i Rrejshëm që deri dje me zemër e me shpirt besnik i marksizëm-leninizmit dhe bolshevizmit, në emër të këtyre ideologjive siguroi disa vende pune, rrogë të madhe, veturë, dy – tri banesa. Shtëpi në Brezovicë, Prishtinë, Shkup e… Dhe, karrierë politike. Me emrin e tyre në gojë binte në shtrat, lutej, shihte ëndrra dhe zgjohej nga gjumi. Por, me lulëzimin e partive të reja politike, Intelektualii i Rrejshëm ndyrshoi krejtësisht brenda një nate. Ai turret i pari të anëtarësohet, ta tregoj veten si “këshilltar” në ndonjë parti politike. E shanë partinë komunsite që, deri dje për merita të mëdha si i dëgjueshëm, ia mundësoi, të gjitha privilegjet: redaktor në redaksi, profesor universiteti në Shkup, Prishtinë e Tetovë, anëtar i tre akademive të shkencave, anëtarë i disa komisioneve, “këshilltar” partie i të gjitha partive politike shqiptare. Pse e bënë këtë? E bën se e di cili është, nuk ka besim në aftësitë e veta krijuese të përjetshme. Me perëndimin e partisë moniste, që brenda një nate i siguronte vende pune, e me ardhjen e këtyre të tjerave në skenë, ai e di se ato vende pune do t’i humbë edhe brenda një nate. Mu për këtë, Intelektuali Rrejshën para zgjedhjeve turret si pa kokë, ia hedh këlyshit të tij melez besnik me zgjebe  një asht, e rren mendjen se me “aftësitë e tij krijuese” që posedon, do të uzurpojë përsëri vende të tjera pune. Pasuri. “Këshilltar” në ndonjë Parti Politike Shqiptare. Do t’i imponohet bërllokut komunist në hapjen e panaireve të librit: në Shkup, Prishtinë, Ulqin e Tiranë. O Imzot, se ç’e gjeti të shkretin! Ki mëshirë për të si për besimtarin e dëgjueshëm, sepse e mashtroi Shejtani… Dexhalli i “Allahut”… Falja mëkatet!… Shkaku, se: ai nuk e diti që këmbët e huaja nuk të shpiejnë më larg se në lëmë, të lënë në baltë. Për të hipur në Baba Tomor, nuk duhet të kesh vetëm këmbë, por edhe sy, guxim e zemër. Po, edhe aq më tepër të duhen forca për të qëndruar në ato maja me dëborë verë e dimër. Se, fryejnë erëra të forta, bie shi, breshër, shtie rrufeja… E ky Intelektuali ynë i Rrejshëm mendoi se gjithmonë jetohet me denoncime… Rrena… Pazarllëqe… Përralla… Harroi se ndryshojnë kohërat, vargjet nga poema “Vaji i bylbylit” e Ndre Mjedjes: /” Bylbyl? Ky shekull or’ e ças ndrrohet: /Bijnë poshtë të neltit, i vogli çohet…”/ E harroi se vërtetë lindin parti të reja politike, po ne njerëzit jemi po ata të njëjtit, nuk kemi ndryshuar edhe sot e kësaj dite. Ai vetë deri dje qe në radhët e para të Partisë Komunsite, çirrej e trumbetonte pë liri, barazi, “vëllazërim-bashkim”… E po ky Intelektual i Rrejshëm sot ulërin, derdh lotë krokodili e shanë të tjerët për krizën ekonomike e politike. Ky Intelktual i Rrejshëm qe hartues i planprogrameve mësimore në arsim, përpilimit të teksteve shkollore, lektyrave shkollore, klasave të përziera, diferencimit të punëtorëve të arsimit, institucioneve kulturore, Enciklopedisë maqedone… E shante popullin shqiptar në mjetet e informacionit… Nuk e donte flamurin e “huaj shqiptar”… E po ky Intelktual i Rrejshëm, sot ngre zërin për popullin shqiptar: nëpër parti politike, shoqata e unione të viçave… I bie tavolinës me grushta, ngre duart lart dhe mezi e zbresim nga podiumi ku lexon “poezi” patriotike. E kërkon flamurin kuqezi, hapjen e shkollave shqipe, universiteteve shtetëror e privat, kthimin e punëtorëve të diferencuar në punë, nënshkruan peticione… Vjell, e çka nuk vjell Intelektuali i Rrejshëm në emër të popullit dhe për popullin e “rrezikshëm” shqiptar.

Edhe, vazhdon autorja ta pyes veten në këtë libër. Vallë, pse e bën këtë??? Thua, pse e do popullin shqiptar? Përsëri vetë përgjigjet: Jo. Nuk ma merr mendja. Se, mu  ky Intelktual i Rrejshëm, dje e shante dhe e dënonte këtë popull. Atëherë? Dihet. Intelektuai i Rrejshëm kurrë nuk e ka dashur, as mund ta dojë popullin shqiptar. Ai gjithmonë e ka dashur, e do kolltukun, paratë. Dhe, karrierën politike.

Dhe, i hap dyert e fantazisë krah më krah në libër. Pas Natës, vjen Dita… Lind Dielli… Gurgullon Lumi… Ik Dimri… Vjen Pranvera… Çelin lulet… Kthehen dallëndyshet… Këndojnë zogjtë… Është koha edhe pas teje të lindë dikush, o Intelktual i Rrejshëm! Mjaftë më na prive nëpër “beteja” të përgjakshme për Shqipëri Etnike! I ndërrove maskat. E ngrite zërin. Natë e ditë derdhe lotë krokodili. Nuk është koha e karnevaleve… E “roleve pozitive” në teatër… Populli shqiptar e di rrugën e vet qoftë Dimër, qoftë Verë… Ai i njeh fare mirë bijat dhe djemtë e vërtetët edhe nëpër errësirë… Larg, shumë larg ua dëgjon zërin… Hapat… Tellalli kurrë nuk i ka prirë këtij populli. Po, burrat e pushkës e të penës… Tërhiqu nga lakmia për karrierë politike dhe pasuri personale në kurriz të popullit shqiptar sa nuk është ende vonë, sa nuk të ka dënuar Zoti…

Rehatohu pak, shtrihu në shtrat, dhe prite Zonjën Vdekje! E di se, është nisur me qerre, vjen rrugës matanë Vardarit… Lëre popullin të marrë lirisht frymë, t’i zgjedhë vetë më të zotët. Ai këtë e di më së miri, për këtë e ka mësuar edhe historia. Mos dil të rrahësh gjoks për trimëri atje ku nuk e ke vendin, pranë oxhakut, në ballë të popullit! Po, lëshoju rendin edhe të tjerëve, gjeneratës re të ardhshme, le ta thonë mendimin e vet, le t’i tregojnë zotësitë, se me siguri edhe më mirë se ti dinë t’u prijnë punëve nëpër beteja për fitore. Se, ky popull gjithmonë kulturofagët, sot ose nesër, i ka nxjerrë në sipërfaqe mbi ujë si kunguj të kalbur Stambolli…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok