23/12/2024

Poezia koloristike e artistit kosovar Hajdar Danjolli shpaloset në Vlorë

0
Hajdar Danjolli

Nga Gëzim Llojdia

1.

Promenade Gallery  me qendër në qytetin e Vlorës me kurator piktorin Artan Shabani  ka nderin të prezantojë nga datat 30 maj deri në 30 qershor 2021 ekspozitën e parë vetjake të artistit shqiptar Hajdar Danjolli. Artisti përmes teknikës në tekstil sjell pjesë nga seritë akuareleve dhe temperave mbi letër, të cilat prezantohen në një shumëllojshmëri skenarësh, nga veprat për muzeume kombëtare deri tek printimet origjinale në basma. Këto vepra konsiderohen të rralla dhe pjesa më e madhe e tyre ekspozohen për herë të parë në një hapësirë ekspozuese.

2.

Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme

te cilat ende vuejtja as gezimi s’i nxori,

të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme

me shpërthye, m’u këndue pa frigë e pa zori.

 

O kangët që fleni reliktet e mia

q’ende s’keni prekun as një zemër te huej,

vetëm unë me ju po kënaqem si femia

unë djepi juej; ndoshta vorri juej.

(Kanget e Pakëndueme    Migjeni)

2.

Si kangë të fjetuna në sundukun e artistit zbulojmë si fëmija që takllon në kapakun e drurit i cili nuk hapej prej kohësh shkruan kuratori Artan Shabani  për ekspozitën e artistit kosovar .Fëmijës i lëbyren motivet mbi letër si ajo kangë Migjeniane, që me vargjet e pikturuara kërkon tingujt e honeve dhe të bjeshkëve të Malcis, fëmija shpërball koloritin familjar me kangët, që flenin në reliket e artistit. Këto kangë mbi letra “Palladio” vijnë me lulzue në ekspozitën vetjake ”E kaluara nuk ka kaluar” (The Past has not Passed)  .

3.

Artisti Danjolli (lindur në Kukës më 1954) është një artist, që i përket të dy periudhave, ajo e artist të angazhuar dhe periudha mbas viteve ’90, ku Danjolli mban një qasje bashkkohore dhe e vendos trajtimin e tekstilit brenda tablosë, ku gjen hapësirën e përshtatëshme për të vendosur ritmin e motiveve, të cilat i vijnë si një mozaik i pasur nga trevat e Shqipërisë.

Në periudhën bashkohore artisti i sendërton motivet brenda kostumeve dhe madje edhe në peizazhin e alpeve të veriut, ku shpesh artisti turmirej në ato kulla alpine. Danjolli i përfundon studimet në vitin 1978, ku dhe diplomohet si piktor i specialitetit të tekstilit në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ai ka qënë i angazhuar në specialitetin tekstil si pedagog në ILA në Tiranë (Atelje e Tekstilit, 1983-1987) dhe deri pak kohë më parë ka qenë mësues i specialitetit të tekstilit në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë, ai ka qenë dhe mbetet i angazhuar në veprimtaritë artistike e kulturore. Të shumta janë ekspozitat dhe po aq të vlerësuara mbeten prezantimet e kolegëve të tij, të cilët janë shprehur mbi kërkimin e stërholluar të veprës së tij.

4.

Prof. Asoc. Dr. Agim BIDO shkruan, Krijimtaria e Danjollit na shfaqet jo vetëm mjaft interesante në thelbin e përpunimit stilistik, por edhe e pasur në linja shprehëse vizatimore, kompozicionale e sidomos koloristike. Danjolli arrin të ndërthurë kompleksitetin etnografik të malësive veriore të trojeve shqiptare, me një performancë vërtet të veçantë dhe cilësore. Veprimtari e rëndësishme e piktorit është edhe realizimi i projekteve piktorale të tekstileve me qëllim plotësim objektesh nëpër muze të ndryshëm historikë dhe etnografikë dhe në këtë kuadër edhe aranzhimi i atyre muzeve.

5.

Kuratori: Artan Shabani: Arti i tekstilit është një nga më të pasurit për sa i përket teknikës dhe larmisë tematike dhe kulturore, historia dhe zhvillimi i këtij zhanri ështe i lidhur ngushtë me kulturat në të gjithë botën për breza të panumërt.Artisti e kërkon këtë ngjizje midis të vjetrës dhe së resë. Në 50 vitet e fundit ai ka punuar kryesisht me tekstile, duke i realizuar të gjitha me dorë. Për Danjollin procesi i bërjes së tekstileve në punën e tij është i rëndësishëm, sepse ai mendon, se punimi i realizuar me dorë duket se nuk ka presionin në kohë. Frymëzimet e tij vijnë kryesisht nga përvojat me etnografinë shqiptare, por edhe nga shumë udhëtime nëpër trevat e vendit dhe veçanërisht ajo e Gjakovës. Puna dhe jeta e tij janë të përziera më së miri me temat e tekstileve, është i shtyrë nga ndjeshmëria, misticizmi, heshtja, eksperimentimi dhe përjetësia. Së pari, krijimi i artit te tektilit për Danjollin është një nevojë e brendshme për të hyrë në një gjendje uniteti, në këtë gjendje ai komunikon me botën përreth tij.Karriera e artistit Danjolli, i cili jeton dhe krijon në Tiranë ka zgjatur për pesëdhjetë vjet, duke demonstruar shkallën në të cilën ai mbetet i rrënjosur fort në botën e arteve të tekstilit. Puna e tij është bërë nga miniatura të shumta përgatitore.

Artisti dhe kolegu i tij, Xhevahir Kolgjini shprehet, Veprat e Danjollit sjellin ma së shumti nji qëndrim në plan etnografik të zonave shqiptare, të përcaktueme qartë si veriore e të profilizueme simbas nji tematike e motivesh që shtjellojnë problematikë të gjanë e të larmishme. Në këtë kandveshtrim, krijimtaria e Danjollit na shfaqet këtu jo veç e përpunueme stilistikisht, por edhe e pasun në linja shprehëse vizatimore, kompozicionale e sidomos koloristike. Danjolli arrin me ndërthurë kompleksitetin etnografik të malsive veriore të trojeve shqiptare me nji performansë vërtet të rrallë.

6.

Poezia koloristike e Danjollit ështe si ato këngët të cilat jehonën e kanë në vendin ku njeriu i ka gdhëndur bashkë me natyrën dhe në ajrin e bjeshkëve shqiptare, Danjolli ështe një arkeolog i motiveve shqiptare dhe veçanërisht i xhubletës dhe veshjeve krahinore, ai e ka vendosur në tatuazhin e kulturës kombëtare emrin e tij, ai e ka realizuar këtë punë me një modesti të cilën e gjen vetëm nga kultura e dijes, vlen të përmendim edhe punën e shkëlqyer të dokumentuar dhe të shkruar nga emra të rëndësishëm të kulturës shqiptare, janë shumë studime për veshjet kombëtare shqiptare në viset etnike, e në veçanti ato në Kosovë, është shkruar dhe punuar shumë, sidomos nga Rrok Zojzi, Mark Krasniqi, Mark Tirta, Andromaqi Gjergji, Afërdita Onuzi, Ikbal Bihiku, Maks Velo, Drita Statovci, Ukë Xhema, Shpresa Siqeca e shumë të tjerë.

7.

Nga literatura për veshjet kombëtare shqiptare të autorëve të përmendur, se në viset etnike shqiptare, deri më tash janë të njohura së paku 140 forma të ndryshme veshjesh popullore, të realizuara në më se 5000 tipe e varianta, të cilat janë të grupëzuara sipas gjinisë në zona të ndryshme etnografike. Danjolli mbetet i lidhur shpirterisht me ciklin e Tekstilit, vëzhgon me interes të veçantë motivet e veshjeve shqiptare dhe i analizon në aspektin struktural, morfologjik, artistik, funksional, tipologjik e historik. Frrok KRISTAJ shprehet, se “Historitë e popujve të tjerë gjenden përgjithësisht të gdhendur në gurë, ndërsa historia jonë është e qëndisur në xhubletë.” Në veprën e Danjollit historia vjen e pikturuar me një frymë krijuese të pa ndërprerë ashtu si në poezinë e Migjenit….Prodhimi shqiptar i pëlhurave, si dhe qilima, dizajni i tekstil dhe lloje të tjera të arteve dekorative, mbeten të lidhura ngushtë me kujtesën dhe me historinë e artit shqiptar. Në një dimension më të përgjithshëm është ndikuar ndër shekuj nga ndryshimet e shijes së qytetërimit artistik shqiptar nga veriu deri ne jugun e vendit dhe për këtë arsye ekspozita e Danjolli kthen në qendër të vëmendjes një trashëgimi të përbashkët, të pabesueshme në cilësi dhe sasi – e cila duhet të vlerësohet, promovohet, mbrohet dhe mbi të gjitha t’u tregohet brezave të ardhshëm.

Punimet e Danjollit mund të gjenden në koleksionet e përhershme të muzeve të galerive kombëtare të Kukësit, Tropojës dhe më pas në shumë koleksione publike dhe private.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok