26/12/2024

POEZI TË POETES SË VRARË…

0
Victoria-Amelina

Shkrimtarja ukrainase Victoria Amelina, e vrarë nga bombardimet ruse para ca ditësh…

ANTOLOGJI UKRAINASE…

Nga Visar Zhiti

Ukraina qëndron… Ajo po lufton, po lufton dhe me libra, me poezi, po fiton…

Bota u trondit sërish, kur u vra nga bombardimet poetja dhe romancierja e re Victoria Amelina, dëshmitarja e sulmeve ruse. Mediat në Perëndim, në Itali, Francë, etj, e deri në SHBA e shpërndanë lajmin e kobshëm: po bombardohet poezia…

Edhe një miku ynë shkrimtar, Dashnor Kokonozi, shkruajti i pari për atë…

Ukraina na dhimbet, Ukraina na mrekullon, vazhdon jo vetëm lufta, por dhe veprimtaritë kulturore, takimet letrare, çmimet, përkujtimoret, botimet, Panairi i Librit në kryeqytet, Kyiv, etj, etj.

Miku dhe poeti i dashur Ukrainas Dmytro Chystiak nxori një antologji të poezisë së popullit të tij, “Klarinetat diellore”, me nja 50 poetë, në gjuhet frënge dhe atë italiane dhe po përurohet si të ishte një mision. Ndërkaq atje, edhe pse janë të gjithë të armatosur, nuk po gjej ankesa që s’është ky poet apo ai a unë e të qëllojnë mbi antologjistin, të hedhin bomba mbi shtëpinë botuese a raketa mbi promovime…

Vetëm pushtuesit rusë vranë dhe një shkrimtare ukrainase së fundmi, Victoria Amelina, 37 vjeçe, ishte më koleget e saj të huaj në një Piciri dhe po bisedonim per organizimin e Festivalit të ri te poezisë, “New York”…

Ndërkaq në Kiev para ca ditësh u bë Panairi i Librit, pllakati i tij, punim i çiftit të dy artistëve, Romana Rymanyshyn dhe Andriy Lesiv, bëri “xhiron e botës”, sepse “Librat janë mbrojtje kundër çmendurive të çdo lloji”, shkruanin gazetat dhe poshtë një libri të hapur si nën një strehim janë njerëz, burra që mbajnë librin mbi krye, me shpatulla, me krahë, me muskujt e mendjes e të shpirtit, edhe një foshnjë nga karroca e saj zgjat këmbkat të mbajë librin të mos bjerë, edhe një njeri me bastun mundohet të largojë një gjarpër në anë, kurse sipër librit janë raketat, avionët luftarakë, tanket, shkrepëtimat mizore, shenjat e trafikut të vdekjes…

Një shkrimtare u vra…

Dy poezi të saj në nderim të triumfit të jetës mbi vdekjen, të qëllimit hyjnor, të vetë poezisë që lufton, të Victoria Amelina-s.

VICTORIA AMELINA

STATISTIKAT E HUMBJEVE…

Statistikat e humbjeve tona janë sekrete,

deri në fund të luftës, nuk ka shifra.

Aty do të jetë fqinji, burri i asaj gruas

eksentrike që mbolli lulet e kuqe.

Miku, i cili nuk lajmëroi askënd.

Mësuesi që e pëlqenim aq shumë.

Ajo vajza irrituese dhe piktori

i çmuar nga të gjithë, që e dashuronin.

Në emër të sekretit shtetëror,

Betohem, nuk do t’i numëroj të rënët

tanë,

Nuk do t’i numëroj deri në rraskapitje,

dhe deri në fund të luftës.

(Në fakt u përpoqa të numëroj – por

e humba.)

Lviv, 7. V. 2022

 

NUK SHKRUAJ POEZI

Nuk shkruaj poezi

shkruaj prozë

Por realiteti i luftës

i ha shenjat e pikësimit

kohezioni i fakteve

kohezionin ha

Sikur në gjuhë

të kishte rënë një granatë

copërat e gjuhës

janë poezi

por unë s’ jam

dhe as kjo nuk është.

Ajo është në Charkiv

Ajo po lufton…

Përktheu Eda Zhiti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok